Daniel Gjeçaj - Tuj kujtue Fishten

Gjergj Fishta Giorgio

Kurr, Shqypni, s' kam me t' harrue,
Edhe n' vorr me t' permendë kam.

Gjergj Fishta (Atdheut)

Shtatëmbëdhetë dimna kaluen, qëse në dimën na la. Dimnat u shëndrruen e pranëvera mâ s' na gëzoi.

Kujtoi Poeti, lodhun prej lëngatës, se bora cegëmprûse e asajë nade së hidhët të dhetorit ishte petk darsmuer në trupin e hijëshëm të Rozafës dhe prej së shtruemes duel me e pá. Çili xhamat e kristalizuem prej akullit e shpijat kundroi pullazlpêta, mbytun më nji dét ngjyrë tambli. U knaq prej ajrit t' agsholit acar. Për tê ishte i mrami agim i tokës, qi e lindi e qi aq fort e desht. U rrxue rishtas në shtroje të bardhë e varrëvet morale, qi zembren i a kishin këputë, i u shtuen varrët trupnore të jetës në prendim. Nuk u çue mâ. Në rektimet e mrame, në luften e trupit vigâ me të kerthnestit, qi shkimej, diftoi, si perherë, qetsí shpirtnore. Mendoi trishtueshem deken, qi aq gjâll pershkrou në Burrnija e i u dha të terhiqte shtatin vjelltas per t' i pështuem, por u tyrpnue prej ligshtís njerzore e tha: « Vetëm s' perkulet para dekës njaj trimi, n' zember të cillit nuk randojn punë t' liga ». E kuptoi tashmâ Kangatari arbnuer se motra dekë e Kangatarit asizjan ishte te kryet e e priti me buzëqeshje t' i a çilte dyerët e vrrîjeve, qi s' veshken as në mjes të kataklizmit të rruxullimit në Diten e gjyqit. Kllapít e bân me këndue në jerm me vargun poetik. Peshperiti cungueshem Marash Uca e Dedë Gjo' Lula, Tringa e Pater Gjona, Oso Kuka e Ali Pasha, Jerina e Makabej. Ju gjá se shtegu i jetës n' udhtim ishte si ai i popullit të zgjedhun kahë toka e premtueme. Lypi nji dorë të fuqíjshme, qi tallazet kercnuese të detit të pështjelluem t' i a dajte dysh e raven t' i a çilte perpara Gurrave të Jordanit mistik per të kaluem pá të vështír n' atdhén e dishruem. Dhimat e trupit të vet i krahasoi me ato të Mater Dolorosa e shtratin e dekës e zbuti me rruezat kokerrmdhá, të cillat deri në perhjekje të mrame suell nepër duer tuj persritë belbzueshem fjalët, qi shum vjet perpara i pat drejtuem Nanës së Zotit: « Birin tand për né Ti lute - mnín e Tij mbi né deh, zbute - qi n' Parriz t' gzojm t' bardhin fat ». Si babë i njaj familje patriarkale, plot djelm e nipa, të cillt vetë i mirërriti e perherë i desht, deshroi me i pasë afër të rít e Provinçes së vet shqiptare. Zhgunat nëgjyrë murrtë e rrethuen, rituem prej lotsh, nësá syt e tatës së letrave arbnore shëndriten si dikúr, kúr në ta perftyrohej zhenija e jeta në mâ të miren kohë, fuqija e vrulli dinamik në kulmin e veprimit. Të rivet Fishta u la testamendin e mramë: « Duenje Zotin e Shqipnín, duenje Provinçen e shoqisho' in, punoni sbashkut për Atme e për popull: ky qe programi em, ky ideali i jetës, ky trinejshi, të cillin gjâ s' e këputë: Fé - Atdhé - Perparim ». Pat shum me thanë mbas, por gjuha s' i ndigjoi të vazhdojë e lypi pushim deri të nesermen. E nesermja s' e xuni. Diq atë natë të paharrueshme të 30 Dhetorit 1940.

Në qiellën e zymtë të njaj toke, qi per kufij të trashiguem ka Tivarin e robnuem e Gusîn Shqiptare, Karadakun kreshnik e Shkupin e bjerrun, Monastirin e grabitun e Prevezen e qytetnueme, nji zâ u ndie si vigem vajtuese në kalim. Në shkrepin e Troshanit, qi fushen e Zadrimës kundron, nji shkamb u rrxue e Kreshta e Maja e Velës ushtoi deri në kalân e Lezhës e atê të qytetit të Gencit. Deçiqi u dridh shi prej themelit e Biga e Shalës u trand. Ishin këto shêje qi vetëm zí niellëshin e kob të madh diftojshin. Zani u hap si vetima e rriba e verit, qi prej shpellës së Katallâjve del e jeten e mrrudhë, nji fjalë shqiptoi si kushtrim: Fishta ka dekë. U shternguen atbotë gjamatarët e kombit e fiset e tana rrân rreth tij. Lahutat zâpermállshme Poetët e Shqipnís mënji i ujdisen e te kryet e të madhit Orfé, shtrî në drrasë, në log të Shkoderloces zûn me vajtuem mâ mirë se vajtoret në ruba të zeza mbulue. Kalin e lahutës fishtjane prej dihamësh e thyen, zhargun e kopen e qimet tubëkali lik permjet i këputen Koliqat e Poradecat, Çajupat e Floqat. Mbi trup të tij të ftofun permyz u lëshuen e s' dijten me u çue vllazent e vet: e Prennusha e Palaj e Zadêja e Shantoja e Harapa e Bardha e Kurta e Gazulla. Prej malesh u dorgjen varg e vister gjamatarët tjerë e Korçë e Gjinokaster, Prizrend e Pejë, Gusî e Ljarje njizanit briten tuj u gerdhishtë ilirçe: i mjeri unë o tatë, shtyllë e Kombit e nderë e letrave shqiptare, i mjeri un ó! Gjoksin e çeliktë, jelek çilët, e rrahi arbnori e lot e gjak fytyren e bronxtë i a mbuluen, persè në jeté kush mâ s' po jitte hallet me i a këndue si ai e trimnín me i a endë aq rrjedhshëm.

Me Fishten Zana epike e Shqipnís heshti e rojë vorrit ajo rreshtmira i u bâ, deri sá nji pinjuell i rí mos të bîjë në vorr të tij e penden uhâ t' i a mârrë.

Daniel Gjeçaj Danjel
At Daniel Gjeçaj

Me folë mbi Fishtën duhet nji Fishtë.

Na qi mbas tij tepruem, na qi gjáll e njoftem e me tê jetuem, belbzojm para fëtyrës së tij vigane. Mbi vorr të tij të dhunuem - heu kob! - prej vetë Shqiptarëvet bastardha pervjetë lot derdhim, kesh eshtent me i a zbutë para mnís barbare e zhgunin e bekuem, të perlloçun prej trathtarëvet, me i a lá. Drekë vaji pervjetë permállshem ngrehim, e Arbnorët fat-paktë i grishim gjamën per të persritë para petkut të Fratit të madh, qi në mjes të zhgunave tjerë të pergjakun na janë dishmí e kjartë se i Bekuemi i malit keqas âsht dhetue e se votra e kulturës ilirjane hurdhë gjaku âsht bâ e mjera dhe pa Uratë ka mbetë.

Do njerz perjudha historije bâjn e të mdhaj i quen njerzimi. Brêznít pështeten mbi ta e gjurmët e tyne ndjekin. Në qiell të kombit të vet porsi kombetë udhtojn e mrapa lân shllunga drite. Shtegun i a kallxojn nipnís kahë lumnija e përparimi. Terrinat, ku populli i pasugurtë luhatë per t' u perspjetë ke caku, ata i zhdavarisin e Hyllin e Dritës lajmojn. Daltë-ambel, si Fidia, bâhen e trajten vizëpreme atdheut i a apin. Në farkë të vet tushjane çelik të kulluet veç shkrîjn e idén kombtare mirë e percaktojn dhe me shembuj e shkrime fuqíjshëm e mbathin.

I tillë âsht Fishta.
Leu e u rrit kur në kazân të Ballkanit elementat heterogen vlojshin, ziejshin, gufojshin për të dalun në vedi prej enës së ndryshkun me gjak të Turkís së vjetrueme. Ndjeu, qe në fminí, kumbimet e harpës Leonardjane e u mallengjye prej zanit të sajë. U prek e tha: në Lahutë kam per t' a këthye ketë harpë, persè tek na lahutës din me i rá ilirasi. U edukue atje ku « axha » Pater, simbol i qe njai populli marë, trim e maluer e i fortë si ai i yni. « Guslen » atje shijoi e kangët rresht per rresht i nëxuni të Kaçiqave e Martiqave si ato Vukonjanet. Dishka të perbashkët më to gjet, persè edhe këta Ilirë u quejten motit e të njajtat ndjenja paten. Zembren por këto s' i a ngîn as afshin s' i a shafiten. Shllimet e tyne nder vargje të mâvona ndoq, por shpirtin u a dha të vetin, qi as i tij nuk qe, por i Shqiptarit.

I ambel e tingllues i u duk per vesh të tij të prehtë vargnimi i klasikëve të lashtë dhe shkrimet e tyne i shijoi si fmija fëtyrëqeshun tamblin e nanës. S' u vû me u a gjá, persè as Homeri as Virgili, as Horaci as Ovidi krejt s' e ngîn dhe unëshem prej sofrës së tyne u çue. Nder ta as burrnín s' e gjet të tirqve iliro-trakë, as virtytet e xhubletës tringëjane, as hieshínë e paster të Tanushës, as fisnikín e mikpritëjen thjesht arjane, as besen malore shkamb, as trimnín orteg, as doket tona shêjte, kahmot të trashigueme. Mitologjín e të vjetervet me ande kulloti, por fëtyrat e zotave me vese e epshe hyjnore nder ta e lodhen. Hieje të zbéta i u gján hyjnít e Olimpit para Orëve e Zanave të Deçiqit, Vizitorit a Veleçikut, para Katallâjve synja e kulshedrave të Bigës, para drangojve të Dukagjinit orëmadh e shtojzovalleve, para floçkave shkumbuese e shauretave të perfrigueshem të kangëvet tona popullore e prrallave kombtare. I squet, si i squet âsht zogu i Shqiptarit, formë të préme muer e kusht e bâni këto me i pershkrue në Lahutë, uhá pá marrë kund njeti...

Tipa kërkoi At Gjergji nder të mdhajt e letrave botnore, qi kohës së tij mâ larg a afër i rrijnë. U bind para bukurís së pamrrîjshme, me të cillën zhenít e shekujvet i paraqiten herojt e vet. Drita e tyne, qi kavaljetet pershkoi pá u zbé, nuk i a muer syt as nuk e topiti. Penden prej tute dore s' e lëshoi as kurr gjuha amnore e vorfen s' i u duk per t' u kapun nalt në Parnas të poetëvet. Në Jutbinen, si në kangët trimnije qi n' unakë votrash shqiptare janë shkrue me zjarm, të papáshme per sy, por të ndíeshme për veshë e të prekëshme nga shpírti, herojt e Lahutës i dau e në burra u ndesh, sá lakmí mos me i a pasun Akilave as Uliksave, Djomedave as Hektorave, Eneave as Agamemnonave. Edda-n s' e njofti rapsodi ynë - tha Fishta lahutár - as Shahnamen s' e lexoi kurr në jetë, si s' dijti s' e në botë Nibelungen ká, Mahabharata a Rigveda, Fingar a por Chanson de Roland e prá si ata këndoi Gjeto Basho Muja e Gjergj Eleza e Osman Dizdara e Ajkuna e Omera. Pranë tij do të ndalem e në gurren e letrave shqiptare etshem kam për t' u ulë me pí. Do të harroj Dante e Petrarca, Tasso e Karduça, Miltona e Metastasa, Goethe e Shilera, Klopstoka e Viktor Hugo, Lamartine e Corneille, Manzona e Calderóna dhe shkrimet do të filloi aty, ku të mdhajt nisen të mdhaj me u njehë. E i a duelë mâ së miri.

Lahutën Frati aq mirë e ujdisi, harkun asajë aq ambel i a lakoi dhe gishtat aq thekshem e fortë i a dridhi, sá tingujt e sajë perkoi zanamaras me kangen e msuesave të mdhaj të letrave botnore, qi rrugë të gjata kavaljetesh rrahen para tij e nga miljona njerzsh u linden, Lahutës por Fishta nuk i a ndrroi natyrën as vjolin, as harpë, kitarë as violonçel, s' e bâni.
Këtu âsht zhenija e Fishtës dhe këtu madhnija.

Njimend nji tjetër si ai mâ bukur do të kishte mujtë me shkrue dhe zanet mâ ambel do t' kishte mujtë me i limue në varg, por kurr Lahutë shqiptare vepra s' do t' i kishte dalë pa drûn e xjerrun në mal dhe mjeshtrín e msue me dhenë si ai dhe mrapa me këndue.

Porsi nji arkeolog i preftë, qi n' angrra të tokës popuj të harruem kerkon dhe qytetní të prendueme zbulon e me copa rrasash të gjetuna. me daltina të shkrueme, vegsha e poça të thyem, briçakë e heshta të ndryshkuna, trupore, gjymtyrësh e krenash cungue, nji histori të lumnueshme endë, ashtu At Fishta në popullin e vet të harruem elementat e parë kerkoi, dhe, shka mâ t' ambel në gjuhë fshatari pat e mâ fisnik nder doke, më nji e ujdisi. Atje në male të vrashta të Veriut, ku pullazet pishore kulm-hjelltë tym të bardhë veç qesin, ku fyelli bjen dhe lahuta këndon, ku lulet Skanderbeg nên borë, qi dêhet, çilin, atje ku zhguni vekatár del prej vajanicës mâ i bardhë se endi dhe burrnín e mbulon të malsorit, atje ku xhubleta si kaçota e halëvet fisnikín e mshehë të Juditave shqiptare, me mjaltë si bleta dyllin e bekuem Auktori i Lahutës e mblodh dhe nji qiri të madh kulaç, shum okësh, në votër t' atdheut e ndezi, qi mâ per jetë s' do të shkimbet. Atje ku Kukelat shtat-halë pushken në krah e mbajten dhe të lirë u ruejten, ku blegtori ushtár dhe bulku strateg kangës perherë i a tha « tërthorçe e maje krahit », ku Kanuni i Lekës u ruejtë dhe doket e tatave u mbajten mâ mirë se ligjet rrasore të Romës, ku urtíja në log të kuvendit shteg xû, ku baruti i zí e gjaku kufîjt e Arbnís i ruejti, Fishta xû gjuhen, muer uhá frazeologjín, mësoi gjallsín, e rrjedhëshmenín natyrore, bani të vetat doket, pervehtësoi trimnín, guximin, dashunín për lirí e vatan, krenín shpirtnore, qindresen e vrrullin vulkanik të rracës ilirjane.

Kush jeten e At Gjergjit kundron, nji gjâ i bjen në sy me ' i herë. Në misjonin e tij letrár as Iravniku aq s' i viejti as Sutiska as Livno as Bosnja marë, sá Famullija e parë Gomsiqja. Aty, ku i pavdekshmi Gjeçov rreshtoj të parat neje të kanunit doketár, Poeti shkrou të parat vargje t' Epopés kombtare. E prejsè shkrimtari âsht aq mâ i madh, sá mâ ngjat t' i afrohet shpirtit të popullit të vet dhe këtê picak e të pázhigla t' a paraqesë nder shkrola, prandej Fishta vedin mbi shkrimtarë tjerë naltoi, persè shqiptarçe shkrou e popullorçe këndoi. Vetëm në ketë drejtim emnin e perjetsoi dhe në zember të Shqiptarit me germa t' arta e shkrou, deri sá kjo zember per Shqipní të rrahë.

Kangët e para Fishta, fshatit i a vuedh dhe fshatarëve i a dha. Fshatarët i mueren dhe të vetat i bân, persè të vetat ishin. S' dijten me i dá së që auktuer i qiti, por per mendsh i nëxûn, si uraten, e malet e fushat, e bjeshka e vrrini, e kullat e stanet, votrat e mrizet me to ushtuen. Te qorrat e Kolgécat - larg permendë nder né - malacakvet u shkoi mendja, por u kujtuen me ' i herë se në « xhebehane t' Osos » si në shkollen e « Mashit », në burrnín e « Alís » si n' urtín e « Abdylit », në trimnín e « Dedës » a në zembren e « Pater Gjonit », në vajin e « Turkinës » a në fisnikín e « Tringës » nji dorë e msueme punoi, qi shkollare ishte.

Ishem krejt fëmí. Barí i vogel me çobâj të rritshem e kalojshem diten. Aso heret - në vjetën e largtë të 1923 - pak kushi nder né të malit dijte me lexue. Mâ pak shkrolat me i qitë në leter. Të dijshem e mbajshim, na blegtorët, vetem atê qi te frati kish msue e librat me i shfletsue dijte. Më kujtohet, si sot, se njani nder né na lexojte Lahutën, nësá dhít mallojshin zhareve a në hije mrizojshin. Veshtrojshim me ande dhe fjalët i përpîjshim. Mbrapa rresht për rresht i persritëshim. Dikúr nder të mdhaj u nëxé kuvendi. Te kangatari e kishin, qi kangët i kishte qitë. Fishten permendshin atëherë, per mue të panjoftun, por në godi s' bijshin të mdhajt, a ai do t' ishte a por ndo ' i tjeter prej lahutarëve tanë. Dikúr u lidhen me baz dhe Fratin e fshatit per të pëvetë e dán, qi gjithshka din dhe petkun të pershtatshem s' e ká me gënjye as me trathtue. E diellja erdh dhe Meshtarin pëvetem. Vetem atëherë barit xunë besë se kalemi i shkollarit aq mirë po mujte me e qitë dhe paster me e pershkrue shpirtin e Shqiptarit.

Nji fenomen të bindshëm paraqet fshatari ynë, kandár i saktë dhe këcim shpejtë në peshen e shkrimtarit. Ai âsht letrár i lindun dhe i paster si fiskaja e krojeve, ku zanat rríjn dhe lahen, kúr kush mos të jetë per brî. Midja e tij letrare mallin e huejë s' e bluen dhe, kúr asajë s' i pershtatet, fjalë e fraze ndrron a por m' anesh e lên, per mos ta perçapun mâ. Me shkrimet e Fishtës s' ndodhë këta. Ato pêsëdhetë vjet po i kapin, qi nder male e fusha këndohen, por germë s' u âsht hjekë as fraze ndrrue.
Kjo âsht vlera e shkrimtarit.

Kushdo i huej a i yni, sot a në t' ardhëshmen, ka per t' u mârrë me Lahutë dhe me kandarin kritik a me shijen estetike ka per t' u vû me studjue në tê ata shka në rrymen e shekullit atomik shkon tuj u zhdukë nder né: karakterin e Shqiptarit, temperamentin e tij, doket gjyshore, jeten private a të fisit, besimet, kanunin, virtytet, mentalitetin, zêjtorín baritore a bujqsín, shkallen e qytetnís, etj., ka per të hetue pá të vështír nji gjâ: shpirtin dallues të nji kombi, i cilli në tana shfaqjet e veta jeton, lufton e des për nji ideal: për lirín e vendit. Kjo âsht arsyeja, per të cillen Fishta - në poemin e vet dashtas per protagonist veprimi s' zguedhë bajrak as vehtje, por Kombin marë. Burrat e Shqipnís i mlodh prej kater anëvet e armë të çelikta e urtí e fjalë e pendë e Besë arbnore e dashuní vllaznore e gaz e vâj në gojë a dorë u vuni. Mjeshtër si ai, këta elementa më njâ i gershetoi dhe mâ mirë i rradhiti se vetë vektarja dorë-artë pelhuren. Të purpurtë fijen e parë e ngrehi dhe me lirí e mbylli, me njat lirí, qi në Vlonë u çpallë mâ së pari e fund i qe Poemit. E këtu shkollë kombtare u bâ Lahuta dhe mësues mbi mësuesa duel Shkrimtari.

Ndërgjegjen e Kombit mirë e percaktoi, atëherë kúr vështír me i dhanë formë të préme ishte. Për tê s' pat gogë as kaurra, s' pat turq as llatin: pat vetem vllazen nji nane e nji trungu qi bota Shqiptarë i quen. Themelet mbi shkambij katallâjo-ilirë të rracës arjane, mbi doke e gjuhë arbnore, qi shekujvet kercnuesa me vnér e gjak u qindruen, ndiesís kombtare i a vuni dhe gurt koçekë me bashkim e dashuní, me vllaznim e bashkëveprim i lidhi. S' ishte punë e lét as mahí poetësh puna e fillueme. S' qe i vetëm Fishta në ndertim, persè kullë vetem kush s' bân, as çardak s' ngrehë pá tjerë, por dibranë si atê vonë e vonë Shqipnija ka per të qitë.

Jo veç në Lahutë, por nder shkrime tana mní e inád vllaznuer, fanatizem qorr e dasí zhgatrruese, ndjenja krahinore e demelí e vese e ngatrresa e ligshtí të vullnetshme në forum të vet zharritës i shtîni e i dogj porsi digjen bangat e frashnís së krahishtueme kúr me terfurq hiedhen në furrën e gelqeres së kállun.

Qau me « Lot gjakut », kúr padrejtsija e të mdhajvet dhe dhuna e të fortvet Hot e Grudë, Plavë e Gusî, Kosovë e Çamerí prej trupit t' Atdheut i dau; kushtrimin e lëshoi në marë Kombin me vigem të pikllueshme lajmtari në « Mbaroi Malsija »; më Zot i u perbetue vllazenvet pushken per t' a lanë ndër veti e në mburojë të kufîjvet per ta përdorë; më topuz t' arsyes u ndei gati anmiqvet dhe shtatë pash nen dhé i shtini; fishkull thane në Parnas ai nëzuer dhe mistrecat kulima me tê i ndoq, saherë këta gardhijeve a hiejes verc e verc veç bâjshin, kesh themelet me i a grisë bashkimit shêjt kombtár a por qytetní me i dhanë korës së ré, qi qytetní nuk ishte. « Anzat » u a lëshoi në shpinë pseudoatdhetarëvet rrenacakë dhe në « Gomar të Babatasit » i vuni pá samár, pá plis, pá thes dhe rrugavet të Shqipnís i sterkati trokçe deri sá qefit i duelen vedit e kambët mâ s' i mbajtën; dashunín për gjuhë u a shtîni atyne, qi turp u vîte me folë në gjuhë të parvet dhe kordhat e harpës në « Gjuha Shqipe » aq mirë i preku, sá kumbim me dhanë tingllues e t' ambël per vesh të qëdo klasiku; zdramin e padijes e hoq e « Shqiptarin e qytetnuem » nder kombe të perparueme e vuni; dyrek i u versul gabimit dhe të mdhajvet, ndejun në shkamb të lartë, « Gabove Hilë » u tha, sá herë këta e merituen; batakçít e vendit « tri herë shefer » i thirri e Lalat s' i la fort léhtas me shkrue e me vulosë si dojshin. « Oren e Malevet » në krah të vet e thirri dhe « Postën e Shqipnís » ai vetë per ta shperndá dishroi, qi letrat mos të hupshin në xhepa të shkyem a por mos të qiteshin në kosh të ndonji hajni.

E prejsè me mësue âsht fort mâ kollaj se me bâ, kambët, ai i prefi e kudo e lypi puna e Shqipnís, endè në djep a në fmijní, atje u gjet si rrufeja dhe vendin e vet të rritshem e të pjekun e paraqiti. Para tokës arbnore n' ekstazë u rrëmbye Poeti i dashunís kombtare dhe mâ e hieshmja vashë nder vasha i u gja « Shqipnija » e i këndoi plot afsh:

Edhe hana do t' a dije,
Edhe dielli do t' ketë pá,
Se perqark ksajë rrokullije,
Si Shqipnija ' i vend nuk ká.

Malli e muer për tê, sa herë préhnit të sajë i u largue si i « Dbuemi » dhe me zember e plot gojë i premtoi se:

Dér sá t' muj me ligjirue,
Dér sá gjáll me frymbë un jam,
Kurr Shqipní s' kam me t' harrue,
Edhe n' vorr me t' përmendë kam.

Kjo âsht shkolla Fishtjane, qi Françeskâjt e mbajten dhe qi deri në mâ të largtin sternip kambë-zbathë e litár-ngjeshun kanë per t' a mbajtë me krenarí arbnore.

*****

Mjerisht n' Atdhé, sot keqas të shkretnuem, Fishta âsht mbulue me mní trathtije, persè trathtija atje sundon mâ e rrebtë se kurdoherë. Ideali i tij, binomi i shuguruem me gjak: Fé - Atdhé dhe deri ndjenja e dashunís për atme, qi ai perftoi nder zembra e në dritë e nëxori, âsht ndalue të permendet. Zotin nuk duen me e njoftë të barsuemët me Marksa të huej e Lenina e Stala as Kombin s' dijn me e dashun Judat e rí, me të puthuna qi e shiten. Votra, qi Frati trashigoi dhe zjarmi eshkë-bunge, qi në tê porsi vullkan e kalli, âsht shkimë me gjak Shqiptarësh, qi nderë n' oxhak perherë e paten zhgunin. Mësuesat, qi Apostulli i letravet me kujdes i rriti në hieje të vet dhe vllazent krah, me të cillt punoi në truell e tokë të trashigueme, janë zhdukë prej faqes së dheut. Eshtent e bekuem të tyne, rrelikve Shêjtensh e Herojsh - heu vâj! - janë dhunue, shka doke s' qe nder né, qëse jeta me u endë filloi në breg t' Adries a në faqe t' Jonit. Lahuta e tij âsht thye copë copë e shêjet mâ s' i shifen. « Mrizet e Zanavet », ku kangët e tij jehojshin në haré e shêj gëzimi, janë këthye në rmaj kryqa-thyem e qyqet atje vajtojn. « Vallet », qi si në « Parriz » toksuer bjeshkë e vrrî, mal e fushë me gaz pranëvere mbulojshin, kanë mê. Kambën e tyne e kanë nëzanë krroket e korbavet pendeljazë, hukamet e hútave zinjellsa a brima e kukúvasavet natë-friguese. Fortesat e të bijve shtatëshekullorë t' Asizjanit brî Rozafës ilire a në Lyssus të Skanderbegut, ku i madhi luftár i rracës premtimin muer « In hoc signo vinces » si muret shkamb të Rrubigut kulm e themel janë thye. Mbi germadhe të tyne krypë mnije, shkrîm me vnér, anmiqt kanë mbjellë. Rrasa e bekueme e vorrit tê Fratit, mësues fjale e kalemi, babë gjuhe e Atdheut, shkrolash âsht shlye barbârçe e deri emni kuptim-afert: Fishtë - Shqipní në binomin e turpshëm: Trathtí - Rusí âsht ternue. Mbi bûcat, qi eshtent At Gjergjit i a randojnë, « Nji lule vjeshtet » me i a vue kush te kryet s' guxon prej friget. Shkrimet Shkrojtarit i a dogjën vandalt e terbuem e librat i a shkyen porsi shkyejn hjenat në terr kufomat nder vorre. Vllaznimin Atilat e Kuq, vampira të Kombit, e nëzevendsuen me dasí zhgatrruese. Faren e mnís e t' inadit e të smirës e të hakmarrjes gjithkahë e hapen mrendë e jashtë kufinit. Bashkimin e zhduken - heu kob! - deri nder né të merguemët, qi rrugat e dheut, ngushtuem prej tyne, rrahim dhe ravgojm në terr larg atmes e këcéjm pádijtas, të dám si jemi, mbas ritmit djallzuer të lodrave Envero-Shehnjane.

Persè, sakt Fishta, po të çote kryet prej vorrit, kish me na mallkue dhe me na namë në mal të thát kish gjaku i Dishmorëve, qi krah per krah rán flîje Bashkimin per t' a ruejtë, sá herë në né shofin e ndiejn, shka me u pá s' duhet, se prej fjalorit të shqipes Bashkimin duem me e shlye dhe në lojë vêm burrat, qi për tê veprojn.

Me gjuhën, qi Fishta na mësoi, na flasin burgjet, qi tanët i kalbin, fushat e perqandrrimit, qi farefisit tanë jeten i a shkurtojn, prangat, qi rinís sonë n' atdhé të kerthnestit i a thájn, si teli i ndryshkët pipakët e njomë, dhe Vllaznim na lypin.

Bashkim e dashuní vllaznore lypë Kombi marë para dokevet shêjte, qi në votra tona po zhduken, para gjuhës, qi dalë-kadalë në siberjane po këthehet, para lirís së trashigueme nga herojt e Lahutës, para Shqipnís, para së cillës nji pjesë të kuqt e Tiranës e falen e tjetrën të huej e bane. Medet, o Zot, medet!!...

Para këtij kobi, qi të dekun e të gjallë perpini e Kombin e pështuell në zí, prej vorrit të Fishtës nji zâ kushtrimi ushton:

Kushtrim! Kushtrim!
A gjállë me nderë, a dekun grue e trim!

A por nji ankesë ban shpirti i tij i lum me vetë Perendín, qi aq fort duron mbi padrejtsín e njerzvet bisha:

O Perendí, a ndjeve?
Trathtarët na lanë pá Atdhé
E ti rrin e gjuen m' rrufé
Lisat nper male kot.

__________

At Daniel Gjeçaj (Gjin Duka) shejzat, 1957; Nr. 04-05

COMMENTS