Kanga e Prendimit.., Migjeni

migjeni millosh gjergj nikolla
Kangë Prendimi, kangë njeriu të dehun nga besimi në vehte....
Kanga e tij nji fé tjetër, me tempuj të tjerë, me meshë solemne,
Ku prej mëngjezit deri në mbramje shkrihen ndjenjat, trutë njerzore,
n' apotheozën e hekurit; shpirtnat përshkohen në tymore,

të cilat në fishkllim i përqeshen Zotit të vjetër edhe qiellit
e me ré të ndyt' tymi të dendun ndriçimin ia vrasin diellit.
Fé tjetër, fé e çmendun e Prendimit të mrekullueshëm....
I egzaltuem shklet njeriu në delirium të pakuptueshëm.

Dëgjon zanin q' i thotë feja. Plagos qiellën, e çpon tokën,
i shkynë horizontet e bardhë, xhveshë natyrën - ia heq kotllën.
Kulti i tij - kult i xhveshun! Nuk ia bret ma trutë enigmi -
e varros, mbi vorr ia vé nji shej përbuzje o nderimi.

Kangë Prendimi, kangë njeriu të dehun nga besimi në vehte....
Kanga e tij shpres' e bukur, me flatra, të nji tjetër jete;
në të cilën dielli do ndrrojë udhën: ka për t'u lindë nga Prendimi
- por dehet nga lumnija tash humb kokën rruzullimi.

Me një "tango" qejfi tash ia ngatrron fijet Zotit të vjetër,
ka me ia skandalizue të bijtë besnikë në planet tjetër.
Kangë Prendimi, kangë njeriu të dehun nga besimi në vehte....
Le të dëgjojmë kangën që mshtillet në shllung' avulli, në pika djerse.

COMMENTS