Kënga popullore e Gjergj Elez Alisë

gjergj elez alija legjenda kenga popullore
Trim mbi trima ay Gjergj Elez Alija!
Qe nând' vjet nând' varra në shtat m'i ká:
Veç nji motër natë e ditë te kryet;
I a lán varrat me ujt e gurrës nând-vjeçe;
I a lán varrat me ata lott e syve;
I a terë gjakun me ata flokët e ballit;
Shtatin vllaut i a shtërngon m'ruba të nânës;
N'petka t'babës trupin i a hijeshon,
Armët e brezit i a rendon mbi krye.
Sa herë trupin motra p'e tërnueke,
Dhimb'n e varrëve vllaut krejt e harrueke,
Dhimba e motrës dekun n'tokë e lëshueke.

 dalë zâni e paska marrun dhén,
Se 'i baloz i zi â dalë prej detit.
Trim i prapët e belagji qi ish'kânë,
I a ki'qitun dheut nji rreng të rândë:
- Tim për tim kah nji dash të pjekun!
- Tim për tim kah nji vashë me i a djergun!
- Ditë me ditë kah nji kreshnik me premun!
- Javë për javë kah nji krahinë me djegun!

Edhe Gjergjit rendi te i ká ardhë;
Me lot faqet trimit m'i u kanë mbushë:
Erzi i shpís qysh lshohet n'dorë t'balozit?!
I a ká nisë e motra e po bërtet;
Krejt me lot Gjergjin p'e loton:
"Po qysh mordja, o vllá, me na harrue?!
Nanë e tatë kah kalben për nan bli!
Trupi i vllaut vorrue qe nând' vjet në shpí!
Trupi motrës n'dorë t'balozit t'zí!
Qysh s'u shemka kulla me na xânë!
Qysh s'u kthyeka shpija n'nji murânë,
Me t'pshtue erzin, mori e zeza nânë!"

Dy copësh zemra djalit i u ká dá;
Dy sytë në ball motrës i a ká lshue;
Dy rigë lot për faqe te i kanë shkue;
Dy fjalë kullës djali i a ká fjak'rue:
"He, ju u nxisha, mori sarajet e mija!
Me lymashk u mbloshi n'fund e n'krye!
Brevë e gjarpën paçi motër e vllá!
Pikët ndër shtroje kaq shpejt qysh m'i lshuet!"

"Jo, more vllá, lum motra! - i ká përgjegjë:
T'ká lodhë jermi e s'po di ç'jé kah folë!
Se përjashta shi nuk âsht tuj rá;
Syt e motrës po t'pikojnë, more vllá!"

Qat-herë Gjergji dorën i a ká shtërngue;
Mirë po e limon me ato duert e shtatit!
Mirë po e kqyrë me ata dy syt e mallit!
Kurr mâ thekshim djali s'i ká folë:
"Amanet, mori motër, pse po kán?!
Zemrën dysh, mori motër, pse m'a dán?!
Qe nand' vjet, qi trupi â t'u m'u kalbë;
Gjergji i yt tjetër pushim nuk ká,
Veç si gjethi i ahit n'log t'shullânit.
A thue s'pate me ngrânë e me pí?
A t'la keq tý vllau për veshë e mbathë?
A mos t'u rândue, ndo'i herë, me fjalë,
Motër-zezës vallau me i u mërzitë,
Huj për burrë ndoshta qi me t'rá?"

Sá mirë motra vllaut po m'i përgjegjë;
Dorën e vllaut tu balli e paska vndue:
"Amanet ku jé, mori njomzëja e ahit?!
Po a kaq fort, thue, jermi t'ká ngushtue?
Hisha gjallë në dhé, n't'u martue motra!
Mjaft kam pasë, o vllá, me ngranë, me pí;
Mjaft kam pasë me veshë edhe me mbathë;
Kurr mâ rândë se sot ti folë nu'm'ké!
Tjetër babë nuk kam as tjetër nanë,
Amanet, more vllá, mos m'pasë rândë,
Për nji dert qi sot po due me t'kajtë!
Qyshë s'u njom ky shtat qe nand'prendvera!
Si s'u mkamb ky trup me dalë t'u dera?!
Si s'u thá kjo motër, thafta-e vera
Po un' balozit qysh i shkoj t'u dera?"

Braf në kamb' por djali konka çue:
"T'e marrsh gjogun, motër, të mejdanit,
Fill n'gjytet me tê, motër, të m'bijsh,
E t'më shkojsh tu nallban-probatini!
Falë me shndet, thuej, Gjergji të ka çue:
Me m'a mbathë me patkoj prej tumakut;
Me m'jau shti thumbat prej çelikut,
Se n'mejdan balozit due me i dalë!
S'u gjegj gjogun vllathi me t'a mbathë,
Hypi atit, bjeri n'derë jaranit.

E në sheher çika konka rá,
Edhe â shkue tu nallban-probatini:
- "Puna e mbarë të kjoftë, more kumbar!"
- "Të mbarë paç, ti mori vasha e largë!"
- "Falë me shndet ty Gjergji të ká çue:
Me m'a mbathun gjogun mirë e mirë!
Me m'a vndue patkojt-o prej tumakut;
Me m'i a shti thumbat prej çelikut,
Se n'mejdan balozit due me i dalë!"

Mbrapshtë po folë aj nallban-probatini:
"Për n'm'i falsh, moj vashë, dy sytë e ballit;
T'a kam pshtue vllá-Gjergjin prej mejdanit;
E bâj gjogun me fjurue si era!"

Se me idhnim çika e ki'te marrë:
"Ç'jé kah thue, bre burrë, goja t'u thaftë!
Jam kânë nisë t'u dera e probatinit,
Qe nândë vjet, qi gjogu ksâjt s'â rá,
M'fal se ndeshkam derën e magjupit!
Se kta syj nji herë un u a kam falë
Tatës e nanës, qi kalben për nân dhé,
Gjergjit t'êm, qi kalbet varrësh mbí dhé!"

A shkue motra tu nallban-jarani:
"Falë me shndet, thotë, Gjergji të ká çue:
Kam orokun e mejdanit,
Sa mâ mirë ket gjok ti me m'a mbathë!
Thânë m'ká për patkoj prej tumakut;
Me m'i a shti thumbat prej çelikut;
Se do t'dal m'u pré me baloz t'detit!"

Si për vedi gjogun e ká mbathë;
Edhe n'pramje çika â dredhë në shpí;
Kâ gjetë vllán t'u e pritë nën hije t'blinit.

Ça kish bá ay trimi Gjergj Alija?
Falë me shndet balozit m'i ká çue:
"Me dalë heret n'at fushën e mejdanit
Çikë për ty, baloz, nu'm'ká qillue;
Desht e vathit për ty nu' m'janë mâjë;
Sall nji motër, nu'po muj me lshue;
Varrët e shtatit s'â kush qi m'i lidhë!"

Sá ká nisun drita me zbardhë mâjet,
N'fushë të mejdanit trimat konkan dalë;
Keq me fjalë trimat shoshojnë po rrekin:
"P'a prej vorrit, Gjergj, ti konke çue...?
Pse me m'qitë, bre burrë, n'ket fushë t'mejdanit?"

Sá mirë trimi i ká përgjegjë balozit:
"Të lumët goja, baloz, mirë po thue!
Qe nândë vjet qi kam marrë rrug'n e vorrit,
Pak pá mrrijtë, baloz, ti m'ké dredhue:
M'ké lypë motrën para se mejdanin;
M'ké lypë berret para se çobanin;
E jam dredhë n'ket log për me t'kallxue,
Se ne t'parët nji kanû na kan lânë:
Armët me dhânë përpara e mandej gjân!
Kurr balozit motrën mos m'i a dhânë,
Për pá u pré n'at fushën e mejdanit!
Por shtërngou, baloz, se t'ká ardhë dita,
Se ktu i thonë-o Gjergj Elez Alí!"

E i kan bâ dy gjogat tim me tim,
E n'topuz balozi e ká shinue;
N'dy gjûjt gjogu Gjergjit te i ká rá;
Përmbí kryet topuzi i ká fjurue;
Dymbëdhetë pash m'ledinë u ngul topuzi;
Dymbëdhetë pashë përpjetë, si rê, u çue pjuhni.

At-herë Gjergjit rendi te 'i ká ardhë.
Sá mirë trimi n'topuz qi ká dredhë!
Lik përmjet balozit te i ká rá;
- Â trândë fusha kúr â rrxue balozi! -

Me 'i herë trimi shpatën m'a ká nxjerrun,
Kryet me neje trupit i a ká damun;
Zhag për kâmbet trupin e ká ngrehun;
Me gjith at m'nji bunar e ká mbytun;
Të tânë lumën gjaku e ká tërzue:
Për trí vjet krejt vendin e ká qelbun.

Qat-herë trimi â nisë me dredhë tu shpija
Edhe shokët të gjithë m'i ká bashkue:
"Pa ndigjoni, moré shokët e mij!
Falë u kofshin sarajet e mija!
Falë u kofshin tânë paret e mija!
E u koftë falë krejt malli e gjâja e shpís!
Amanet motra e Gjergj Elez Alís!"

Edhé shtatit trimi i paska dhânun,
Motër-zezën ngrykas kesh me e marrun,
Të dý zêmrat p'r'i herë por janë ndalun:
Vllá e motër dekun paskan rámun!
Kurkuj shpirti mâ mirë s'i ká dalun!

Gjâmë të madhe shokët qi m'i kanë bâ!
Po i a çilin nji vorr bukur të gjânë,
Vllá e motër ngrykas për me i xânë.
E 'i murânë të bukur e kan mbarue,
Vllá e motër kurr mos me u harrue.
E 'i bli t'bukur, qi m'i a vndojnë tu kryet,
Zogu i verës gjithmonë me pushue.

Kúr ká nisun mali me u dushkue,
 ndalë qyqja n'murânë t'vorrit t'rí,
Ká gjetë blinin të tânë degash thá.
Ká flurue përmbí 'i saraj të zí,
Ká gjetë kulmin të tânë shembë për dhé.
M'nji prezor si m'paska hypë,
Ká përbé shtegtarin kah po shkon:
"Amanet, more shtegtari i malit!
N'kofsh tuj kndue ksajt, kajkën me e pushue!
N'kofsh t'u kajtë ksajt, gjamën për me e xânë!
Kah kërkova gjithkund bjeshkë e m'bjeshkë,
Kah verova gjithkund vrrí e n'vrrí,
Kah mjerova gjithkund shpí e n'shpí,
Kërkund s'ndesha m'Gjergj Elez Alí!"

*****

Brevë = gjarpër i gjatë johelmues që e mbyt gjahun duke iu mbështjellë rreth trupit.
prej tumakut = prej hekuri.
jaranit = kumbarit.
pjuhni = pluhuri.
kajkën = këngën.

COMMENTS