Kontributi i shqiptarëve në zhvillimet historike të Odesës

Linguistja dhe historiania ukrainase, Nadjezhda N. Gicko-Shamova, hedh dritë mbi kontributin e shqiptarëve, përkrah kombësive të tjera, në zhvillimet historike të formimit të rajonit të Odesës në Ukrainë. Bazuar në lidhjet e saj me Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë periudhës 1955-1960, si dhe në fakte historike e referenca letrare të kohës, znj. Gicko-Shamova përshkruan me një ndjenjë dashurie e me realizëm figurën e shqiptarit dhe rolin e tyre në hedhjen e themeleve të këtij rajoni të pasur buzë Detit të Zi. Mendimet mbi historikun e themelimit të Odesës, znj. Gicko-Shamova i shtjellon gjerësisht në esenë e saj historiko-letrare "E njoh vendin...", dedikuar vendlindjes së saj, Odesës, botuar në ukrainisht në vitin 2004, në Odesë, Ukrainë. Një kopje të kësaj eseje, autorja Gicko-Shamova ia dhuroi me dashuri dhe në shenjë respekti për shqiptarët ish-ambasadorit të Shqipërisë në Ukrainë, z. Sokol Gjoka. Ja çfarë shkruan znj. Gicko-Shamova, ndërmjet të tjerash, në esenë e saj:

Në këtë ese të shkurtër historiko-letrare bëhet fjalë për atë rajon, që shtrihet veçmas kryqëzimit të rrugëve botërore. Çdo lloj ngjarje që ndodhte në botë, në vendin tonë dëgjohej si jehonë. Për këtë cep të rruzullit askush nuk e shkroi historinë konkretisht dhe të dhënat për këtë vend na u desh t'i mblidhnim pak nga pak, e kur u mblodhën atëherë para nesh u shfaq një histori çuditërisht interesante.

Historia e vendit tonë është e lidhur ngushtë me historinë e rajonit të Novorosiskut, pasi vendi ynë shumë kohë përpara ishte pjesë e këtij rajoni. Apollon Skalkovski, historiani i parë që studioi rajonin e Novorosiskut në librin e tij me titull "Gojëdhëna për rajonin e Novorosiskut", shkruan: Nëse si fillim i jetës së Novorosiskut do të merrej themelimi i Ukrainës në vitin 1731, atëherë e gjithë historia e saj do të zinte pak më shumë se një shekull. Dhe kjo, për vetë faktin se jetë ka pasur edhe në këtë rajon të vogël. Ne do të njihemi edhe me të. Fillimisht, si ka qenë ai shumë kohë përpara. Më pas do të njihemi me jetën në kohët në vazhdim.

Në librin e tij të dytë, kushtuar rajonit të Novorosiskut, A. Skalkovski shkruan për rajonin tonë. "Në jug të Perandorisë Ruse, mes grykës që formon Duna me kufijtë perëndimorë ukrainas, shtrihet një shesh i gjerë i Rrafshinës, i pasur dhe pjellor nga natyra, pothuajse i zhveshur, i cili këtu njihet me emrin Stepë. Larg nga Evropa, madje e formuar larg pjesës tjetër të botës ruse, kjo stepë e mbuluar me një sërë lumenjsh të ndryshëm, përrenjsh, e mbuluar me kodra të panumërta, ka qenë e populluar që në lashtësi". Ku është vallë kjo stepë pjellore? Ku janë lumenjtë? Por ky vend i bekuar ka vuajtur nga sulmet barbare të të ardhurve - përgjigjet A.Skalkovski në librin e tij. Për cilin vend të bekuar do të flasim? Le të kalojmë për bregun e majtë të grykëderdhjes së Dnjestrit dhe lumenjve të tij deri te fari.

Vendi ynë në të kaluarën

E njoh vendin ku gjithçka merr frymë lirshëm,
ku lumenjtë janë më të pastër se argjendi...

N.Nekrasov

Odesa shtrihet në brigjet perëndimore dhe jugore të Detit të Zi, në lumin Dnjestr dhe përgjatë grykëderdhjes së tij. Nga burimet që nga lashtësia dihet se në ato kohë bregu jugor e pjesërisht ai verior i Detit të Zi ka qenë i pabanuar, pa marrë parasysh fiset endacake, të njohur për barbarinë e tyre. Në një dokument historik thuhet se kolonia e istrianëve ka ekzistuar në bregun verior të Detit të Zi që në kohën e perandorit Adrian e se qyteti Istris dhe Karp u shkatërruan kur ishin nën perandorinë e Maksimilianit, d.m.th. rreth viteve 38 pas lindjes së Krishtit.

Në librin "Rusia piktoreske" shkruhet: Gjeneza e kolonive në bregun e Detit të Zi kryesisht i takon shek. VII-VI para lindjes se Krishtit. Vizitorët e parë në bregun e Detit të Zi ishin grekët, më pas hunët, bullgarët, ugrët, bizantinët, hazarët, italianët, tatarët, turqit. Rreth kësaj shkruan gjithashtu dhe historiani i qarkut të Odesës I. Stjempkovski: "Dihet se grekë të shumtë që në lashtësi popullonin brigjet veriore të Detit të Zi. Monumentet e Hersonit dhe Pontekapit, të trashëguara nga rrënojat e Olvisë, shërbejnë si një dëshmi e mirëfilltë për vendndodhjen e vërtetë të atyre kolonive. Kuptohet se të gjithë qytetet e ndërtuara nga grekët në bregun e Detit të Zi, ne, edhe në ditët e sotme, nuk i njohim. Shpërndarjen e kolonive greke historianët e shpjegojnë me faktin se grekët kërkonin koloni të reja, synonin zgjerimin e hapësirës së tyre të jetesës. Prandaj, ata në ato kohë praktikuan udhëtime. Gjatë këtyre kërkimeve grekët u vendosën me vështirësi në brigjet e Detit të Zi.

Ekziston një lloj legjende: "Deri para argonautëve askush nuk mund të depërtonte në Detin e Zi. Hyrjen në Bosfor e mbyllnin shkëmbinj të çrregullt. Në hyrje të kësaj ngushtice ngriheshin dy shkëmbinj, që nuk lejonin të futeshin anijet në det. Ata bashkoheshin në një pikë dhe kur kalonin anije i dëmtonin ato. Argonautët me këshillë të profetit Fipija lëshuan para vetes pëllumba. Shkëmbinjtë u bashkuan, u thërrmuan dhe mbetën përgjithmonë kështu. Që nga ajo kohë rruga detare u hap. Historianët e lashtësisë Strebon dhe Polibi i përmendin këto shkëmbinj në hyrje të Bosforit. Prandaj, legjenda e ka një bazë reale. Në Bosfor, në të vërtetë ka disa shkëmbinj, të cilët veçanërisht në kohë me stuhi, mezi vihen re. Mes këtyre shkëmbinjve ka pasur dy dalje: një e rreme, pak e dukshme, ndërsa tjetra e drejtpërdrejtë, por përsëri e vështirë për t'u gjetur. Lundërtarët që nuk e njihnin mirë këtë rrugë rrëshqisnin dhe mbyteshin. Kjo ishte arsyeja që argonautët Detin e Zi që i priste kaq keq e quajtën Ponto Aksinski (deti jomikpritës). Kur i kaluan të gjitha pengesat dhe zbuluan sekretin e "shkëmbinjve dinakë", atë e quajtën Ponto Evksinski (deti mikpritës).

Po përse pa pritur detin Evksinski filluan ta quajnë Deti i Zi? Për këtë ka disa variante. Le të marrim njërin nga ta. Fjala "i zi" lidhet me fjalën iraniane "akshajnje", e cila kur përkthehet do të thotë "i errët, i zi". Nga kjo fjalë grekët nxorën fjalën "aksajnje", ndërsa më vonë "aksinski", e prej këtej doli emërtimi "deti Aksinski" që gjatë përkthimit do të thotë i Errët dhe në të njëjtën kohë i Zi. Grekët në këto fjalë përfshinë dhe fjalën "i errët" në kuptimin jomikpritës. Historiani i njohur Strebok, lidhur me këtë shkruan: "Ky det ishte i palundrueshëm dhe quhej Aksinski, për shkak të tufaneve dimërore dhe egërsisë të fiseve, veçanërisht të skifëve, sepse këta të fundit i vrisnin të huajt, i hanin mishin, ndërsa kafkat i përdornin në vend të kupave". Vetëm me këto kushte ata ngrinin qytetet dhe kështjellat e tyre. "E gjatë shekullit VI para e.s. brigjet veriore dhe lindore të Detit të Zi mbuloheshin nga një varg i dendur qytetesh e kolonish të grekëve të lashtë. Ndërsa në ultësirat e Tirsës (Dnjestrit) lindi Ofiusa Nikonij"...

Qytetet e ngritura greke ekzistonin si rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë me fiset vendase. Kjo është arsyeja pse kultura dhe mënyra e jetesës së grekëve të vjetër nuk mund të mos linin gjurmë në jetën e popullsisë paqësore, edhe pse marrëdhëniet mes fiseve paqësore dhe grekëve jo gjithmonë ishin të qeta. Kryesisht ka pasur përplasje, për shkak të barazisë së ekzistencës. Në kohë paqeje, fiset vendase dhe grekët merreshin me agrokulturë, me blegtori, gjueti, me artizanate, me tregti. Grekët sillnin zbukurime, enë të shtrenjta, sende luksi, erëza e në shkëmbim të tyre merrnin bukë, peshk, lëndë të parë për bujqësinë etj. Interesi për tokat tona u rrit gjithnjë e më shumë. Për këto toka filluan të interesoheshin jo vetëm tregtarët dhe lundërtarët, por edhe shkencëtarët, historianët, gjeografët. Kështu, nga të dhënat e historianëve dhe gjeografëve të lashtësisë u bë e njohur se niveli i Detit të Zi ishte më i ulët në krahasim me detet Marmara dhe Mesdhe. Prandaj, për një kohë të gjatë, Deti i Zi konsiderohej liqen dhe uji në të ishte i ëmbël. Kur deti u ngrit në nivelet e sotme u përmbytën banorët bashkë me qytetet bregdetare.

Tek A. Skalkovski ne gjejmë këtë shënim: Pas grekëve "pjesa jugore e rajonit të Novorosiskut, nga Oçakovi, duke filluar nga Haxhibej e më poshtë deri në Dnjestr dhe portet e tij ishin nën pushtetin e turqve". Turqit ishin "armiq të betuar, dinakë, të pathyeshëm, dëmprurës si polipi, të rigjeneruar pas prishjes". Edhe turqit nuk kishin marrëdhënie të mira me vendasit. Ata vazhdimisht zhvillonin luftëra midis tyre. Fiset vendase janë fise endacake e më pas banorët e Zaparozhnjës ruajtën kufijtë, por ata nuk zhvillonin beteja me turqit si forca të organizuara. Lufta e tyre me turqit kishte karakterin e sulmeve dhe goditjeve të papritura. Këto sulme gjithmonë ndillnin luftën me Poloninë. Turqit nuk shkuan më tej në Evropë, pasi i trembeshin një prapavije kryengritëse. Kështu, banorët e Zaparozhnjës luajtën rolin e tyre të madh historik në luftën me pushtuesit dinakë. Por, nga viti 1788 jugun e Novorosiskut filluan ta çlironin trupat ruse dhe "me ndërhyrjen ruse ky rajon fitoi paqen".

Popullimi i vendit tonë

Historiani i parë i vendit tonë, A.Skalkovski, shkruan: "Në jug të Perandorisë Ruse, mes grykës së Dunës dhe kufirit perëndimor ukrainas shtrihet sheshi i madh i rrafshinës, i pasur dhe pjellor nga natyra, pothuajse i papyllëzuar, i cili quhet Stepë. Larg nga Evropa e kulturuar, e larguar madje edhe nga bota tjetër ruse, kjo Stepë, e mbuluar kryesisht me lumenj, përrenj, me bregore të panumërta, në lashtësi ishte e papopulluar, e pazhvilluar, shërbente si strehë vetëm për popujt endacakë, ose si fushë beteje për kozakët trima. Kjo stepë, në gjysmën e parë të shek. XVII, ishte një shkretëtirë e vërtetë dhe sipas disa dokumenteve, me këtë zonë identifikonin Zaparozhnjën ose disa vende kufitare me Dnjeprin. E kujt ishte Ukraina atëherë? Kjo është e vështirë të përcaktohet. Tri shtete, të fuqive krejt të ndryshme, kishin pretendime ndaj saj.

Nga Perëndimi, në cilësinë e princave të mëdhenj lituanez, sipas të drejtës së fituar në shek. XVI, ndërsa më vonë me hyrjen në fuqi të traktateve të bëra me Turqinë në shek. XV-XVII princat Olgerd, Kejstut ose Vitovt, e konsideronin veten zot të gjithë rajonit që shtrihej nga liqeni Ovidijev deri në Oçakov". Nga shumë dokumente ne mësojmë se në lashtësi nga këto anë jetonin popuj endacakë. Më pas u dukën grekët, të cilët u zhdukën me ardhjen e turqve. Duke studiuar dokumentet, ne mësojmë se pas periudhës helene në vendin tonë erdhën popuj të kombësive dhe të klasave të ndryshme: ukrainas, moldavë, rusë, bullgarë, fshatarë, mikroborgjezë, endacakë, të pastrehë dhe pronarë të vegjël tokash. Faktikisht, territori ynë fillon të popullohet në mënyrë të vazhdueshme dhe të organizuar nga koha e çlirimit të këtij rajoni nga zgjedha turke, prandaj dhe të dhënat më të plota dhe më të detajuara për popullimin e vendit tonë i takojnë pikërisht kësaj periudhe.

Fillimisht popullimi ishte spontan. Në stepat e lira u dyndën, kryesisht bujkrobërit, pasi u liruan nga skllavëria. Ja çfarë shkruan lidhur me këtë V. Zagorujko: "Kreu i Zaparozhnjës, të cilin qeveria e ngarkoi të luftonte kundër arratisjes në stepat ukrainase të bujkrobërve, nxori urdhra për kapjen e të arratisurve. Mirëpo, duke qenë të interesuar për krahë pune, jo vetëm që nuk u pengua arratisja, por vetë i joshën bujkrobërit e Levoberjezhnit dhe i strehuan ata". Por ky është një popullim spontan.

Kur "Rusia u bë një nga shtetet më të fuqishme të botës, filloi të çlirohej jugu i vendit", filloi të bëhej një popullim më i organizuar i vendit tonë, veçanërisht u popullua periferia e qyteteve - porte të reja si Hersoni. Nikollajevi e më pas Odesa. Ja përse historia e popullimit të vendit tonë lidhet ngushtë me historinë e çlirimit të tij.

Më vonë u bë popullimi i tokave tona me të huaj. Popullimin e tokave ruse me të huaj e filloi Pjetri. Ai ftoi serbët të ishin pjesë e popullsisë në Rusi, të cilët shquheshin si kavalierë të famshëm. Me ta u organizuan regjimentet kusare.

Serbët emigruan me familjet dhe kur filluan të çliroheshin tokat e jugut, d.m.th. në rrethinat e Odesës, ato u vendosën në ultësirat e Dnjestrit. Popullimin e tokave tona me të huaj e vazhdoi Ekaterina. Pasi hipi në fron, Ekaterina II nxitoi t'i bënte të ditur Evropës, më datë 14 dhjetor 1762, se "Rusia hap dyert e veta të mikpritjes dhe ofron fushat e veta pjellore për furnizimin me ushqim, madje edhe për gjysmën e Evropës". Ajo iu drejtua madje gjithë rusëve që jetonin jashtë kufijve, duke braktisur vendin për arsye të ndryshme, që të ktheheshin lirisht, pa frikë, në shtëpitë e tyre të mëparshme ose të zgjidhnin qytete të tjera, ku tokat ishin me bollëk, ndërsa gjithë të huajve u bëri thirrje të vinin në Rusi dhe të vendoseshin aty ku dëshironin. Ky rregull për migrimin dhe emigrimin u bë ligj dhe për Novorosiskun. Kështu filloi dhe kolonizimi i parë ushtarako-agrokulturor me të huaj në Stepë. Bashkë me koloninë ushtarake aty filluan të vendoseshin edhe bullgarët, që kohët e fundit kishin dalë nga zgjedha turke. Fillimisht ata donin të vendoseshin në Poloni, por pasi morën vesh për favoret e Ekaterinës II që u bënte atyre që besonin në një fe, nxituan për në Novorosisk. Para se të populloheshin tokat e reja, qeveria ruse, që në vitin 1752, ngarkoi kolonelin Kapnist dhe kolonelin inxhinier Djebokset "të përpilonin hartën e detajuar të rajoneve ruse dhe atyre përtej Dnjestrit 2". Shpejt u paraqit "harta e përgjithshme, që përfshinte përshkrimin nga Kievi nëpër lumin Dnjepër e deri në Oçakov dhe nëpër Stepë deri në detin Azov me shënimin e linjës Ukrainase 3", që ishte "miratuar me një akt të lartë dhënë Kroacisë, më datë 22 janar 1752", nëpërmjet të cilit u miratua fillimi i vendosjes së serbëve (edhe gjatë Pjetrit I) dhe gjatë sundimit të Ekaterinës II. Popullimi i tokave jugore vazhdoi për disa vite. Në Kiev u krijua një komision i veçantë për emigrimin dhe për mbushjen e tokave me emigrantë. Autoritetet e Novorosiskut, që merreshin me emigrimin, i pranonin të gjithë ata që dëshironin të popullonin tokat e reja. Nuk dihet pse kjo ishte e ndaluar për polakët.

Duke e shfaqur veten si një mikpritëse e kujdesshme e Rusisë, Ekaterina nuk harroi dhe izraelitët, "të padurueshëm në të gjithë Novorosiskun". Me anë të një urdhri më datë 16 nëntor 1760, ajo u dha të drejtën e shtetësisë të gjithë izraelitëve që kishin emigruar në rajonin e Novorosiskut. Të gjithë emigrantëve iu bënë lehtësime të mëdha. Ata "morën ndihma në para nga arka e shtetit, bukë dhe madje kishin të drejtë të merrnin dru në Daçаt publike", madje i përjashtuan nga taksat për 30 vjet. Qeveria, duke iu frikësuar zjarreve që ishin aq shkatërruese në vendet ku shtëpitë ndërtoheshin prej druri dhe duke kursyer drutë që në Novorosisk ishin me pakicë, kërkonte që shtëpitë të ndërtoheshin mundësisht prej guri. Por, meqenëse në rajonin tonë nuk kishte as dru as gurë (ende në Odesë nuk ishin hapur katakombet), shtëpitë i ndërtuan me argjilë. Gërmuan një rreth të madh toke, derdhën në të ujë me bollëk, e shtruan me çimento dhe kashtë dhe e përzien mirë. Këtë e quajtën çamur. Kjo fjalë është me prejardhje shqiptare (nga autori: ça-ndërtoj, çaj-mur- mur). Zakonisht në këto çamure mblidheshin grupet folklorike. Fjala "ça" në gjuhën shqipe do të thotë: ndërtoj, pres, çaj; fjala "mur" përkthehet mur dhe së bashku do të thotë "ndërtoj mur". Nga ky argjil bënin rula, me të cilët modelonin shtëpinë. Më pas, në të gjithë fshatin filluan të ndërtonin çamure të ndërtuara ndryshe. Këto shtëpi ishin më të thjeshta, më të ngrohta dhe të qëndrueshme deri në 100 vjet. Edhe pse emigruan shumë njerëz në Novorsijsk vend kishte me bollëk. Nga maja e Ingulës deri në det mbeti një hapësirë e pamasë e Stepës, e prandaj emigrimi vazhdoi deri në vitin 1823.

Popullimi u bë kështu: një pjesë e Ukrainës u popullua deri në Pjervomajsk, më pas shkoi përtej Bugut deri në Dnjestr, e më pas përtej Dnjestrit, në Besarabi. Në Besarabi emigrimi u bë vetëm atëherë kur në perandorinë e Aleksandrit I në vitin 1806 Turqia (përfundimisht) i dha Rusisë Besarabinë 2. Përveç kësaj, duke shpëtuar nga tiranët e vet, në vendin tonë u turrën të varfrit nga Polonia, Bullgaria e Moldavia. U krijuan të ashtuquajturat ferma të lira. E në fund të gjysmës së dytë të shek. XVII, në tokat tona u krijuan kolonitë afër Dnjestrit dhe afër Detit të Zi. Në vitet '70-'80 të shek. XVII me këtë masë emigrantësh u bashkuan edhe grekët e shqiptarët. I gjithë ky popullim përbënte dhe embrionin e pjesës së re të rajonit të Novorosiskut.

Nga të gjithë emigrantët unë do të ndaloj më hollësisht në ata që vinin nga Greqia, Shqipëria, Gjermania, sepse ata përbënin pjesën më të madhe të emigrantëve. Në periudhën e luftës me Turqinë, qeveria ruse vendosi të dërgonte flotën ushtarake detare në Detin e Zi, që të dilnin në prapavijat e armikut. Kjo flotë u formua dhe në krye të saj qëndronte konti Grigor Orllov. Flota detare ruse arriti Arkipelagun në vitin 1768 dhe në atë kohë aty zhvillonin luftën me turqit grekët dhe shqiptarët. Në kohën e qëndrimit në Arkipelag flota ruse e kontit Orllov i ftoi grekët dhe shqiptarët të bashkëpunonin me trupat e tij kundër armikut. Grekët dhe shqiptarët e lanë atdheun e tyre dhe kaluan nën flamujt rusë. Ata krijuan një milici detare me emrin batalioni greko-shqiptar, komandant i parë i të cilit ishte majori Kostandin Naponi.

Në betejë grekët dhe shqiptarët shquheshin për trimëri dhe burrëri. Me këtë ata tërhoqën vëmendjen e Suvorit dhe Potjemkinit, të cilët ndërmorën mbrojtjen e tyre dhe kujdeseshin plotësisht për ta. Pasi mori vesh për luftërat e tyre guximtare edhe Ekaterina II tregoi kujdes të veçantë për ta. Për grekët ne dimë shumë, ndërsa për shqiptarët, që janë kaq larg, nuk dimë pothuajse asgjë.

Shqipëria është një vend i vogël malor, e pozicionuar në vendbashkimin e Evropës me Ballkanin. Kufizohet në veri me Jugosllavinë, ndërsa përmes detit Adriatik, në jug me Italinë. Lidhur me madhësinë e vendit të tyre shqiptarët bëjnë shaka: "e vogël dhe e rrudhosur, por nëse e sheshon ajo zë gjithë Evropën". Ata e quajnë veten shqiptarë nga emri i vendit Shqipëri, që në përkthim do të thotë "vendi i shqiponjave". Kjo është e vërtetë dhe në kuptimin e drejtpërdrejtë dhe në kuptimin figurativ: të gjithë shqiptarët janë shumë kurajozë, guximtarë dhe sypatrembur, gjë për të cilën i donte dhe Potjemkin, Suvorov, siç do ta shohim më tej.

Lidhur me kombësinë e shqiptarëve A. Skalkovski shkruan: "Ata e quajnë veten shqiptarë, sepse pjesa më e madhe përbëhet nga arnautë dhe shqiptarë të emërtuar shqiptarë". Shqiptarët kanë një veshje kombëtare të jashtëzakonshme, që ngjan shumë me veshjen kombëtare të grekëve.

Shqiptarët kanë hyrë në histori me emërtimin "arnautë". Fjala "arnautë" vjen nga emri Arianit, zotit të fundit të shqiptarisë, që pas vdekjes së Skënderbeut (1467) pak nga pak e pushtoi Muhamedi" - sundues turk. Prandaj, shqiptarët nuk e nderojnë Arianitin, sepse mendojnë se ai është fajtor që turqit pushtuan Shqipërinë. "Shqiptarëve që shërbenin në trupat e portit Otoman, turqit i quanin arnautë". Turqit i quanin shqiptarët arnautë me përbuzje, sepse e konsideronin popull i nënshtruar. Kjo është arsyeja pse shqiptarët fyhen kur i quajnë arnautë. Pasi luftuan nën flamurin rus, ata fituan një autoritet të madh. Në vitin 1778, në gadishullin e Krimesë, mes tatarëve shpërtheu një revoltë. Për qetësimin e saj u dërguan forca ruse dhe shqiptare. Gjatë betejës shqiptarët treguan shembuj të çuditshëm të trimërisë dhe kurajos. Ja, dikur ata u bënë të njohur për Potjemkin dhe Suvorovin. Që nga ajo kohë Suvorov i mori nën mbikëqyrjen e vet dhe kujdesej mbi "organizimin e trupave shqiptare, madje iu drejtua edhe Ekaterinës II, që atyre t'i jepej tokë, rrogë, t'i ndihmonin në ndërtimin e banesave".

Në vitin 1778, Suvorov iu drejtua Ministrisë Ushtarake me kërkesën: "Për hir të Zotit, shumojini shqiptarët, ose në fund ata do të zhduken si ushtria e lashtë e Maklemburit. Me kë të martohen ata këtu? Një lule nuk sjell pranverën, ata janë trima, janë të paktë në numër, le të shumohen".

Shqiptarët, me dëshirën e tyre, aty ku emigruan grekët e Mariupolit, në Qarkun e Azovit, lidhën krushqi me ish-krishterët e Krimesë për ripërtëritje". Greko-shqiptarët emigruan në grykën e lumit Kalmica (në lashtësi Kallka) në epiqendrën aktuale të zjarrit të qytetit të lashtë Adamak dhe themeluan qytetin-port Mariopul, ndërsa në rrethinën e tij ndërtuan më shumë se 20 fshatra të bukur. Shqiptarët ndihmuan Sovorovin aktivisht në përkthimin e grekëve dhe ushtrisë në rajonin e Novorosiskut. Kur pushtetarët u dëbuan nga Krimeja në vitin 1784 ata i porositën të ruajnë brigjet jugore të Krimesë. Për këtë atyre iu dhanë toka në Ballakllavë, ku iu prezantua edhe ky qytet, i cili, pas dëbimit të hirejve, ra përfundimisht.

Shqiptarët emigruan në këtë qytet dhe në rrethinat e tij. Përveç këtij qyteti ata ndërtuan edhe shtatë fshatra të vegjël mes Ballakllavës dhe Jaltës, në tokën që i dhuruan bashkë me rrogën. Po në këtë tokë ndodheshin rreth 6000 (djesjatin) të këtij pylli të shtrenjtë kaq të rrallë në këto vende. Në rrethinat e Ballakllavës dhe Jaltës ata krijuan fshatra të tillë si: Kadëjka, Karani, Alsi, Kaka, Kamari, Ballta-Cokrak, Autka, Kjermjençik.

Pasi emigruan në këtë rajon, shqiptarët u fuqizuan. Përgjithësisht merreshin me ekonomi bujqësore. Ata kultivuan, e ndoshta sollën nga Shqipëria, farën e grurit të tyre. Ky lloj gruri u ruajt deri në kohën tonë dhe u emërtua "arnautka". Ky grurë përdoret te ne me shumë ekonomi, sepse është lloji i grurit që rron më shumë. Nga këto anë numërohen më shumë se 2660 shqiptarë luftarakë. Në provincën e Tavriçeskit numëroheshin 1308 burra dhe 1194 gra. Në stafin e administrimit të qytetit Taganrogsk ishin 67 burra dhe 67 gra. Ata kishin detyrë ruajtjen karantino-kufitare të bregut jugor të bregdetit të Krimesë.

Shqiptarët ishin besnikë të traditave dhe zakoneve të veta kombëtare. Ata ishin shkolluar në jugun luftarak. Visheshin në një mënyrë të lirshme: fustanella të shkurtra, të zbukuruara, shallvare shumë të ngushta, opinga (si tipi i opingave ruse), në kokë mbanin kësula me lajle dhe jelekë të qëndisur. Shqiptarët dallohen dhe nga gjuha, që nuk futet në asnjë grup gjuhësor. Shqiptarët që emigruan në Ballakllavë i quanin "batalion i këmbësorisë së Ballakllavës greke". Në këtë batalion pas përfundimit të luftës në vitet 1828-1829 u bashkua një numër i vogël i grekëve, që ishin rob lufte.

Kur u zhvillua lufta me turqit, oficerët rusë nuk dalluan nuancat: greke-shqiptare. Prandaj përdornin atë emër që ishte më i njohur. Që këtej edhe grekët dhe shqiptarët i quanin thjesht grekë, për më tepër se nga pamja e jashtme ata ngjanin shumë. Në disa dokumente ne hasim emërtimin e batalionit greko-shqiptar, thjesht grek, në të tjerat thjesht shqiptar.

Nga këtu duhet të mbajmë parasysh se nëse bëhet fjalë për këtë batalion, atëherë duhet të kujtojmë se ai përbëhej nga dy popuj: grekë dhe shqiptarë. Për këtë batalion, A.Skalkovsi në librin e përmendur tregon: "Një pjesë e emigrantëve grekë, që kishin ardhur nga Arkipelagu, shërbenin në flotën e Detit të Zi, pjesa tjetër në tokë. Në të gjithë kompaninë, në vitet 1787-1791, grekët dhe shqiptarët u bënë të njohur dhe për De-Ribasin për zellin e kryerjes së shërbimit dhe trimërinë në beteja, i cili komandonte flotiljen vozitëse të Detit të Zi dhe në të kishte oficerë e timonierë grekë. Edhe Potjomki i përkrahte shqiptarët, i respektonte për burrërinë e tyre, për zellin dhe kujdesej shumë për ta. Kështu, kur u mor Haxhibeu, ai u kujdes që tokat rreth tij t'u jepeshin shqiptarëve dhe ata u vendosën që të shërbenin në ushtri. Shqiptarët, falë përkujdesjeve të Suvorovit dhe Potjomkit, ishin të favorizuar dhe nga Ekaterina II, e cila nxori jo vetëm një shkresë, siç do ta shohim më vonë, për përkujdesje ndaj tyre.

Autoritet edhe më të madh në qeverinë ruse gëzonin grekët. Në fillim të kësaj eseje thuhet se grekët janë kolonitë më të lashta në brigjet veriore përgjatë Detit të Zi. Ata jetuan në rajonin tonë deri në zgjedhën turke, ndërsa pas çlirimit të territorit nga turqit, numri i kolonive greke u rrit. Kështu, grekët dhe shqiptarët përbënin pothuajse popullsinë kryesore të rajonit të Novorosiskut nga të gjitha kolonitë e huaja. Asnjë nga emigrantët e shteteve të tjera nuk kishte të drejta dhe favore të tilla nga qeveria ruse, si grekët. Ata i quanin grekët si vëllezërit më të mirë, ndërtuan shkolla për ta dhe madje taksat doganore i paguanin më pak se të tjerët. Grekët kishin institucionet e veta, bankat, gjimnazet, dyqanet, drejtuesit e tyre për kolonitë greko-shqiptare. U ndërtua një kishë e veçantë, ajo e Trinit, ku shërbesa bëhej në gjuhën greke e zhvillohej nga kleri grek. Grekët banonin kryesisht përgjatë Azovit, në Krime, por një pjesë e konsiderueshme e tyre ishte në Odesë.

Për kolonitë greke A.Skalkovski shkruan: "Këtu duhet përmendur dhe ndarja e fundit e kolonive greke, jo të rëndësishme për nga numri e as për nga funksioni, por të njohura nga ne, sepse pikërisht për to ishte krijuar qyteti Haxhibej, tashmë Odesa jonë e lulëzuar. Ky është i ashtuquajturi batalioni i Odesës". Kur qeveria e Rusisë filloi të mendonte për popullimin e tokave të Oçakovskit, të ndërtonte qytete, porte, fshatra, atëherë guvernatorit të Ekaterinanosllavit, gjeneral-majorit Vasil Kahovski, të cilit pas vdekjes së carit Potjomkina iu dha i gjithë rajoni i Novorosijskit i marrë nga ta, iu ngarkua detyra e krijimit të qyteteve". Rajoni u inspektua, u nda në disa qarqe dhe pastaj filloi të popullohej. Në popullimin e rajonit tonë mori pjesë aktive dhe De-Ribas. "Sapo u themelua Odesa (1794) guvernatori i saj, admirali De-Ribas, paraqiti nëpërmjet kontit Zubov projektin për krijimin në këtë qytet të një popullsie të përbërë nga grekë, të cilët me kalimin e kohës do të kompletonin flotën lundruese, ose një brigadë te veçantë e formuar më parë nga ata që besonin në një fe". Nga ana e vet dhe konti Zubov i dorëzoi një raport De-Ribasit me projektin për krijimin e një batalioni greko-shqiptar dhe kolonizimin në rrethinat e Odesës. 4 Për t'i stimuluar dhe për të shtuar popullatën në zotërimet e veta jugore, Ekaterina II miratoi këto projekte më 12 prill 1795. Batalioni shqiptaro-grek filloi të formohej nga shqiptarët e grekët që ndodheshin atëherë në Odesë. 90 veta i zgjodhën për shërbim luftarak, detar në një divizion të veçantë, pjesa tjetër populloi rrethinat e Odesës, madje deri në Ovidiopol. Grekëve dhe shqiptarëve iu dhanë 75 000 djesjatin tokë. Nga kjo kohë divizioni filloi të shkrihej, sepse shumë kërkonin të largoheshin nga shërbimi ushtarak dhe të shkonin në vendbanime. Vetëm në Odesë me lekët e arkës së shtetit për banesa të përkohshme shqiptarëve iu ndërtuan më shumë se 50 shtëpi dhe baraka të veçanta. Siç dëshmojnë dokumentet, këto shtëpi dhe barake ishin të ndërtuara në rrugët që tani quhen Mallaja dhe Bolshaja Arnautskaya në Odesë.

Po në këto rrugë ishin ndërtuar dhe baraka për këtë divizion. Po përse i quanin këto rrugë Balshaja dhe Mallaja Arnautska? Aurnautska, sepse kështu i quanin shqiptarët, arnautë. Po pse Bolshaja dhe Mallaja? Sigurisht, jo për nga gjatësia e rrugëve, por krejt për një arsye tjetër. Shqipëria është një vend i vogël malor, fusha pothuajse nuk ka. Në këtë vend ka një sërë kontrastesh: veriu dallon nga jugu për nga klima, zakonet, traditat, nga gjuha, nga kostumet popullore, në karakterin e njerëzve, në shtat. Kështu, në veri njerëzit janë të gjatë, me një shtat të plotë dhe të shëndetshëm, në jug janë të shkurtër, të imët, por të gjithë ata janë të fuqishëm, trima dhe me karakter të fortë. Në batalionin greko-shqiptar ata i dallonin vetëm nga gjatësia. Të gjatët dhe trupmëdhenjtë i përzgjidhnin për lundrim, të shkurtrit për shërbim ushtarak. Sipas shtatit ata i ndanë edhe në rrugët e Odesës. Të mëdhenjtë (shtatlartët) në një rrugë, të vegjlit (shtatshkurtrit) në tjetrën. Rrugët ishin bërë dhe nuk kishin akoma emra. Më vonë filluan t'i quanin rruga e arnautëve të vegjël dhe rruga e arnautëve të mëdhenj. Kështu, qyteti i ri, i sapolindur, jo vetëm u popullua, por edhe iu vunë emrat rrugëve.

Autorët: Nadjezhda N. Gicko-Shamova / Ledina Ferhati (përkth.) / Sokol Gjoka (red. dhe përg.)

shqiptaret ne odesa ukraine
Grup Shqiptarësh në Odesa (Ukrainë) në vitin 1913
duke kremtuar një vjetorin e pavarësisë të Shqipërisë

COMMENTS