Gjergj Fishta - Ngadhnija e Kryqit

Fishta Gjergj Fishta Giorgio
Nji ditë nder dit atjè n' qytet t' amshuem,
Kuer enè ky ligjë t' randë mbarë dheut i vête,
Nji Galileas, peshkatàr i shuem,
Atjè po zête.

As n' kâmbë koturn, as togë mbì shtat nuk kishte,
As shpatë mizore nuk i varej ijes;
Por veç nji Kryq visari i tij t' tânë ishte,
T' tânë shej' i madhnijes.

Me atë Kryq në dorë atje m' atë ditë ai duli
E n' sŷ t' Cezarit, t' Rromës e t' rruzullimit
Në Vatikan ai Krygjen shêjte nguli
Shêjin e Shelbimit.

Ehu! kush kisht' thânë at'herë se n' t' êndun t' motit
Cezari e Rroma e rruzullimi unjì
Do t' i a perkulshin gjû'n korìs s' Golgotit
Me pervûjtnì?

Kush kishte thânun se nji bimë zabelit
N' vedi do t' kishte njaq fuqì grumbllue,
Sà shekllit t' rrêjshem fill e prej themelit
Faqe me i ndrrue?...

Po, ràn n' dritë t' Kryqit idhujt e u rroposen,
Augurt u zhduken, tempujt edhe u rrxuen:
Dodona, Delfi, fallet edhe u sosen
Krejt u harruen.

T' randat veriga u kputen t' robënìs,
Tirajt fashiten, doket edhe u dliren;
Habitun fiset t' tâna t' rrokullìs,
Kah Kryqi u priren.

E n' rreze t' Kryqit, m' t' cillen vetë Dashtnija
N' mjet tokës e qiellit pezull ndêj per nè,
Ata me njohtun zûn se ç' âsht vllaznija
Permbì ket dhè.

Shûjten e dhûnshme shkrefi Kanibali,
Robin bujari e thirri vllà n' sŷ t' t' Lumit,
E, zûmerdhimbshem, me dorë dhânse ndali
Lott e t' mjeruemit.

S' i dau mâ popujt gjûha, e tregu, a fisi,
As s' i dàn lume, as male te madhnueshme,
Por u njisuen per Kryq, si degë t' njâj lisi,
Me Fè t' hyjnueshme.

Nen ligjë t' dashtnìs filloi me gzue at'herë niri
Njatë kohë lirijet prej kahmot t' premtueme,
T' cillen me e dhânun sheklli nuk kà hiri
Veç Krygjes s' lume.

T' falem, o Krygje, shpnesa e rruzullimit,
Qi kohen arit, prej Profetësh permêndun
E kndue nder kânga, vetem ti njerzimit
Nise m' i a êndun.

T' vertetë lirìn, po, nierit ti i a prûne,
Popuj e fise me dashtnì vllaznove,
T' padijes terrin n' shekull ti perzûne:
Dhèn qytetnove.

E kû janë rritë veç hijes s' ate burrat,
Qi do t' permênden per sà t' rrjedhe jeta,
Të cillt kerkuen e gjeten t' dijes gurrat
T' kjarta e t' verteta?

N'per rreze t'ua Toma, po, e Augustini
Fleten e mendes rrahen nalt kah qiella,
E pûnët, qi njeh n' Parrìz veç Kerubini,
Na i zbluene t' kthiella.

Mjeshtrit i a mbajte doren ndër pûnë t' mbara,
E bukurì Ti para sŷsh na qite,
Popull a fis qi kurr n' ket jetë perpara
Njohtun s'i ki'te.

Ti t' shkretë mundqarit i a bekove pûnen,
E lot mbì dhè nuk lae me rà pà hiri;
Travajët e thyeshme pse shêjtnove e dhûnen,
Qi pson i miri.

Po, sod këndon robnesha ndër travajë,
Kahdo qi âsht shtrî mbretnija e jote e lume,
Ke e din ajo se edhe per fmìj t' asajë
E kà 'i jetë t' gzume.

O Krygje, o gurrë, kah rrjedhë per nè gjith mshira.
Deh! Shtrîj krahët t'ue kahdo rreh dielli e hâna,
E fise e popuj, sà permbledhë hapsira,
Pershîj të tâna.

Pse veç atje, kû kapë mbretnija e jote,
Lirìn e pagjen gzon n' ket jetë njerzimi,
Sundon dashtnija, shpresa s' âsht e kote:
Gjindet shelbimi.

COMMENTS