Hanko Halla, poemë satirike nga Ali Asllani

hanko halla alia asllani
Halla ka mar mashën, hurat po i shkrepë,
Trungjet e ullirit, digjen me gazepë,
Digjet mala-mala, sidomos bujashka...
Në dimër, moj motër, zjari shum' u dashka!

Si urdhron Zotrote, lum' kush tha më parë
Xhan' e shpirt' o burrë, xhan' e shpirt' o zjarë!
Buk të that' në sofër, edhe asgjë tjatër,
Po Agan sa malet, edhe zjar në vatër!

Aty afër zjarit i kujton njeriu
Si kush-kush të tijat, plaku dhe i riu;
Të rít e të reat, çkoqen me përallë
Me një gjumë t' ëmbël, gati mî qepallë:
Ç' është njez' e njëzë, ç' jan' ata dervisha,
Ata dhet' dervisha, me koka fildisha?
Ç' është ai që s' hahet, as hahet as pihet,
Edhe kurr' e kurrë në peshqir nuk vihet?

Të rít e të reat çkoqen me përallë
Radha jon' po dihet, zëm' e qajmë hallë:
Një ka bër' të mira, po s' ka par' të mira,
Tjatri qënka pjekur nëpër takllaira!
Plagve të atija nuk iu gjet melhemi,
Derdet e këtija nuk i mer kalemi!
Njëri s' paska miellë, tjatri s'paska thesë,
Fund' i fjalës: bota qënka e pa besë!

Muaj' i Shënëndreut, ky muaj' i flamosur,
Ngryset e nuk gdhihet, nata s' ka të sosur;
Aq shum ësht' i hidhur për ç'do gjë po thuaj
Sa dhe pulat s'piellën brenda këti muaj!
Enët mbahen mbyllur, kotruvet e butet
Se vjen karakeshi edhe brënda futet!
Natat shumë t'erta, dita shum' e vrazhdë,
Mbetëm mbyllur brënda, si pata në grazhdë!
Pa le llafëzankat, vin' e na bezdisën
Masi kot së koti zën' e kakarisën!
Ruana Zot nga fjala se ngjatet e ngjitet
Si gjalm' i çarapes s' këputet po hiqet!
Sado s' ka gjë fare, fare asgjë hiçë,
Kau del me viçë, lopa me dobiçë!

Xhiko Xhevahirja edhe Hall' Selvia,
Krushka Hanko Shega edhe Xho Inxhia
Bulla Qeribaja, dadara gegera,
Dhe Zonja gjitone që na vjen nga hera,
Me sako të zeza, me jashmak të bardhë,
Të parat në qoshe, të tjerat me radhë,
Ngulur në shiltera, në shiltera rinë,
Shilterat e Hallës që të gjithë i dinë,
Me ixhat Janine, si penda palloje,
Një çerekë kutín, i ka bler' çeçoje!

Që thoni, moj zonja filloj Halla plake,
Do ju them një fjalë, do flas pa kapake!
Sot erdhi një lajmës, e ... misër na erdhi,
Sa lajka që pati, të gjitha i derdhi;
Qënka mos na qënka, një hadi bilmesë
Na dashka për grua vajzën t' ime mbesë!
Fët e fët' e mora nji kongjil nga zjari,
Hoqa dhe nga gryka kjostekun prej ari,
Na (i thash) trazoje, nuk trazonen kurrë,
Njëri për në gushë, tjatri për në furrë!
U më mart' të keqen e m'u bëft kurbanë,
Far' e fisi tija, nga jan' e ku janë?

Halla ka të drejtë, vajzën si dy sytë
Si mundet t' a japi te një der' e dytë,
Kurse Hanko Halla, ësht' nga der' e parë?
Sikur të mos ishin, në bot' pashallarë,
Soj' e Hanko Hallës do t' e kish me hakë,
Të kishin saraje, të ishin oxhakë;
Edhe Hanko Halla, do ish pashalleshë,
Dhe do kish të drejtë, të bën si të deshë!
Do vishej, do ngjishej, si t' a kish istekun,
Do vinin mileti, t'i puthin etekun.

Gjyshi paska pasur shum' para të thata,
Paska pasur arqet plot me kollonata;
Paska pasur mbushur dollap' e senduqe
Me para të bardha, me lira të kuqe!
Vaj' e gjalp' i tyrej derdhej si përua,
Njëzet e një pilla, kishin në katua!
Njëzet e një pilla, një qint e ca zgjuajë,
Mbushur me pekmeze, me mjalt' e me huajë.

Pastaj (vazhdon Halla), na rán disa halle,
Malet u bën fusha, fushat u bën male,
Fushat u bën male, malet u bën fusha,
Humbi dhe floriri që varej ne gusha!

Dale me gadale, humbën gjith stolirat,
Humbën gjith të mirët, humbën gjith të mirat,
Humbi dhe xhanfezi, humbi dhe atllasi,
Dhe në vent të tyrej damllahana plasi!
Humbi arm' e burrit, humbi pall' e larë,
Humbi rob' e gruas, kredhur gjith në arë!

Ku jan' agallarët, kok' e kasabasë?
Ku jan' parësia, krerët e kazasë?
Me cepet e zeza si lele luani,
Me zëmrat e bardha, zëmra hanedani,
Me fjalën e tyrej, me fuqí si vulë,
Me shtatin e tyrej, mbaras me një kulë?

Ku jan' grat' e para, me llëra çelnikë,
Me shtatin e turej hedhur me deftike,
Me shtatin e tyrej, me deftik vërvitur,
Me thelpinj' lajthije, ritur e gostitur?

Ku 'shtë Fejzo Xhafua, dif' i Labërisë,
Ku Rapo Hekali, ajk' e trimërisë,
Ku Çelo Picari, e zez' e Athinës,
Rufet' e rufeve, gjem' e suferinës?
E ku ësht' Gjoleka, Gjoleka i Kuçe?
E ku jan' këmishat përmbi gju hajduçe?
Ku jan' ato folla, gjith ato pallaska?
Që pa to arbreshi lezetin s' e paska?

S' mbetën salltanete në këtë jallane!
Ku jan' ato pela, pelat qyhelane?
Ku jan' haneclanet, ata hane-hane,
Ajanet e vendit, veshur me fustane?
Veshur me fustane, fustanet e shkreta,
Fustanet e bardha, një qint e ca fleta!
Ku jan' ato femra, ato deli femra?
Ku jan' ata meshkuj, me një teste zëmra?
Masi dajandisën, si shkëmbi, si lisi,
Më së fundi mortja, erdhi i vithisi.

Na vuri përpara, dynjallëku shkretë!
Nuk na mbetën lule, nuk na mbetën fletë,
Fletët na kan rarë, pendët na kan rarë
Nuk na peshon bota, fare në kandarë!
S' mbeti der' e hapur, humbi salltaneti,
Humbën ziafetet, humbi muhabeti,
Na hëngri qederi që të roj mileti!
Që të roj mileti, u bë kiameti!
Ja edhe mileti, nashti u bë popull!
Dhe nga sher' i tija festja na vjen rrotull!

Populli si deshi na bëri kanun,
Që bujku agajit, t' i thot "si ti unë",
T'i thot "si ti unë" dhe s' ja ka për pesë,
Breh pazar i Korçës, fare dinglemesë
I zot' i hostenit, vjen e të mer pjesë,
I zot' i fermanit, mbet me duar në mesë!
Jo vetëm ha bukën, të përmys dhe kupën,
Po guxon e dashka për grua dhe çupën!

Pusho, më than' djemtë, kur plaket njeriu,
U bëka nga mëndja, musí çilimiu!
Po un' s' jam aq plakë, qatipi gabojë,
Shtatdhet e dy vieçe në defter më shkrojë!
Un' e mbaj mënt mirë, që kur isha keçe,
Kur u bëra nuse, isha njëzet vjeçe,
Me burrin jetova dyzet e dy vjetë,
Dhe njëzet ka burri që ndëroji jetë,
Bëni mir' hesapin, me kalem gadalë
Harbuti qatipit, gënjeshtar do dalë!

Më par' kishim hoxhët, me divit në bresë,
Shkronin mbar' e bukur, shkronin me kujdesë,
Jo vetëm deftera po edhe duara!
Reçeta heqimi s' kish në kohë të para!
Me këto reçeta, me këto gënjeshtra,
U helmua gjaku, u helmua eshtra,
Zjar në zëmër s'mbeti, u fal e u shua,
Dale me gadale, burri u bë grua!

Në funt e në krye, seç u prish dynjaja!
Si prifti dhe hoxha, kërcen nga belaja!
Dhe hoxhët që shkronin, ashtu si tha Zoti,
Ashtu mbar' e bukur, si shkronin që moti,
Zinin nga e djathta, vinin në të mëngjër,
Nashti, t' i haj ujku, zun' e shkrojnë shtrëmbër!

Sidomos, moj zonja, ku qënka dëgjuar,
Që femra të hapi, gji e kraharuar!
Dhe të shkoj përpara, burri të ri prapa,
Ky pa hedhur çapën, ajo heth tri çapa!
As ai ësht' burrë, as ajo ësht' grua,
Ai lum' e detë, kjo lum' e përua!
Si burrat harapër. edhe grat' harape
Nashti dor' e burrit, u fut në çarape!
Kurse llër' e gruas na dolli në sheshe,
Gjet shejtani sheshë dhe bëri përsheshë!

Mir' për ne të parët, s' ka vent' e kuvendë,
Brez' i ri vall ç' pati që u prish nga mentë?
Të liga të mira, pati çar nuk pati,
Gjith ato që gjeti, nga mëma nga ati,
Gjith ato zakone, ato tabiate,
Gjith ato zanate, që ishin irate,
Zakonet e babës, zakonet e mëmës,
Q' ishinë rënjosur, në themel të zëmrës,
Dhe për vëndin ishin, si eshk' e stërallë,
Që në gji të burrit, Zjar' e mbajnë gjallë,
Zjarin e arbreshit, zjarin që ka pasur,
Me atë që botës buzën i ka plasur,
Zjarin e arbreshit, zjarin e vatanit,
Zjarin që bën vendin vend' i jataganit
Zanatet e mëmës, zanatet e babës,
Gurët e qosheve, të shtëpis' e shgabës,
Zanatin e mëmës, zanan' e tezgjahut,
Që punojin zonjat me fuqín e krahut,
Me fuqín e krahut, me diersën e ballit,
Punra që rëfenin forcën e të gjallit,
Të gjith ato veshje, ato veshje ngjeshje,
Ato hane-hane, ato deli leshje
Guna, tallagane, linja dhe jeleke,
Që leshin e bardhë na jep delja bejke,
Gjith ato që ishin prokopí e tija,
Me ato që mbahej shtëpia, fëmia,
Ato që tregonin se jemi arbreshë,
Sido që të jemi, kudo që të jeshë,
I lam' e i hodhëm, si një gun' të grisur!
Deh moj koh' e krisur, moj pun' e mavrisur!
I lam' e i hodhëm, si një gun' të vjetër,
Dhe nuk qem të zotër që të bënim tjetër,
Edhe mbetëm drangull, në shi e në diellë,
Mbytur nëpër halle, sa thell' e më thellë'
Mbytur nëpër halle, si frëngu miflisë,
Një pallto prej bari hedhur mbi kurisë,
Dhe një pala-shapkë me një pal' shalvare,
U bëm si palaço, pa një pa dy fare!

S' mbetën më lezete, në këtë jallane!
Afroj kiameti, këto jan' nishane!
Aty Halla heshti dhe hoqi në zëmër,
Një gjë i u kujtua, sikurse një êndër,
Një kujtim i vjetër, nëpër mênt i shkojë,
Një yll' i këputur, flak' e fill kalojë:

Kujtim i të shoqit... veshur me fustane,
Në një dor' tespihet, tespihet merxhane,
Dhe në dorën tjatër një çibuk sërmaje,
Rahur me sadefe, me gur qeribaje;
Gjerdan' i sahatit, varur përmbi grykë,
Dhe në supe hedhur atë goxha qyrkë,
Mustaqet e zeza, dredhur e përdredhur,
Edhe dy pisqolla, në silahe kredhur,
Kredhur dy pisqolla dhe harbin e artë,
Shpatullat një pashë, koka atje lartë!
Varet nga haremet, zbret në zapanara,
Zapanat e shkreta, zapanat e para!
Seç i hipi kalit, kalit qyhelanë,
Dhe qahjaji dorën në vithje e mbanë!
Qyhelan' i tija, doriu drangua,
Nga dy vetëtima lëshon një potkua!
Si i zoti flakë edhe kali flakë,
Të dy ata ishin të pa zor' në barkë!

Ah (thot Hanko Halla) t' ishte ai gjallë,
Gëk nuk bënte kurrë njeri, njeri në mëhallë!
"Ai" i thot Halla, se një grua kurrë,
Nuk i flet në emër ati që ka burrë!
Kjo nuk gjaka fare për një që ka cipë,
Për një që ka cipë, qënka e pa kripë!

Tym' e réh e miegull dhe në mes të sajë,
Çquan një drit' e varfër, një kandil pa vajë!
Çquan një drit' e varfër, çquan një drit'e shkretë,
Si një syr' i bukur që falet për jetë!
Kujtimet e mira, kështu gján se duken,
Për atë që ditët erren edhe muken;
Për atë që dita, u err' e u ngrysë,
Për atë gjith bota, gján se u përmysë!

E... çar ësht' kjo jetë, një njeri na thënka,
Qënka mos na qënka, një kujtim na qenka,
Kur vdes të qan tjetri, kur linde qan vetë,
Në mes të dy lotve, një kujtim' i shkretë!

- 2 -

Ka një vit që Hallës s'i hahet, s'i pihet
Me nusen e djalit asfare s'i kihet;
Nusen nuk e dashka, sa n' od' s'e qaska,
Që ditën që erdhi hal' në sy e paska!

Që ditën që erdhi Halla paska thënë:
Nuk më duket nusja, nuse për të qënë,
Lum' shtëpi e babës që mundi e nxori,
Mjer' shtëpi e burrit, ra në lak e mori.

Nashti po mendohem si do i a bëj hallit,
Çar t' i bëj zemanit, pa, për syt' e ballit,
Do i thoshja djalit, jepi pek' e hakë,
Edhe udh' e mbarë... bosh me tre tallakë,
Shko andej nga erdhe, erdhe kot së koti,
Se paraja kallbe vete te i zoti!

Çar t' i bëç zemanit, shum' zeman i keqë,
Sidomos për plaka, sidomos për pleqë,
Hoxha nuk trazonet, kadí nuk na mbeti,
Me nuset e reja belaja na gjeti!

Na gjeti belaja me nuse, me çupa,
Një lëkur kunadhe hedhën për mbi supa,
Më dysh' e më trishë tunden e këputen
Fil' e flak' në zëmër thellesisht të futen.

Hall' i tyrej vetëm të lahen, të lyhen,
Edhe nëpër valle, të ven e të thyhen,
Një fëmër një mashkull, vallja vet' i dytë,
Plasur dell' i ballit, më u plaçin sytë!

Sidomos me flokët, me flokët e prera,
Jo alla garsone, jo alla bebéra,
Me llërat e tyrej, nëpër diell të thekur,
Me trupin e tyrej, nëpër kume pjekur,
Me gji e me gushë. tepër të ushqyerë,
Me një mes të hollë, gati për t'u thyerë,
Me buzët e kuqe, me të tepër nxehur,
Dhe me atë vetull, tej për tej të prehur,
........................................
........................................
Me ato kapelle, varur për mbi veshë,
Zjarr' i xhehenemit na dolli në sheshë!

Un' - thot Hanko Halla - nuk e bëj kabullë,
Që të kem një nuse kësisoj fudullë,
Të fler' e të ngrihet sikurse i teket,
Dhe të bëj qepallet sikur qan e meket!
Me dit' e me orë, zgjatur e mufatur
Me hijen e saja në pasdreke matur!

Nus' e kësaj kohe, tjatër zanat s' paska,
O do mar' kalemin dhe do bëj' laraska,
O do zër' të shkrojë, ose do dëgjojë
Një maqin të vogël, që këndon me gojë,
Një maqin të vogël, që mos qoft' të jetë,
Një frënk i marrosur, thëret e bërtetë!

Halla e do nusen, nuse goja plotë,
Si një zall të bardhë, si një zall të fortë,
Me shami në krye, me ar të qëndisur,
Me flokët e gjata, prapa arratisur,
Me flokët e derdhur, deri mu në mesë
Si një nat' Jenari, të thell' e të zesë
Me shami të hollë, përmbi faqe hedhur,
Sa t' i duket syri, në qepalle kredhur,
Me flori në gushë, hapur mu si prushë,
Si të them moj xhane... piergulla me rrushë!

Rrall' e tek të duket, rrall' e tek të flasë,
Si thëllëz' e bukur, mbyllur në kafasë,
Mbyllur në kafasë, një thëllëz' e bukur,
Mu në mes të reve hëna tue dukur
Mu në mes të reve, si hën' e si yllë,
Ose si një xhinde, pshehur në një pyllë!

Halla e do nusen, si qënka i biri,
Degat prej ergjëndi, rrënjët prej floriri;
Kur të thëres Halla, nusja të hap' sytë,
"Lepe" fjal' e parë, "peqe" fjal' e dytë,
Edhe asgjë tjatër, vetëm lepe, peqe,
Masi zëmr' e Hallës qenka si një qelqe,
Po u thye, vajti... s' ka më ngjit' e qepe,
Pullumb' i plagosur, të kafshon me sqepe!

Femra kur ësht' vashëz, nuk stoliset fare
"Që t' a njohën bota, se qënka beqare":
Po kur bënet nuse, nusja do të niset,
Me lul' e me fleta pema do stoliset,
Dora me kënahë, koka me mazi,
Dhe në cep të syrit një... gjikafsh... të zi,
"Sevap" e "xhaiz" ësht, disa pika erë,
Sa të njom' cullufet, fresk e taze prerë,
Hajde dhe shaminë... sa do q' ësht' gjynahë,
Lëre që t' a lidhi diku në një krahë!

Po të sillet mirë, si zonjat e para,
Sidomos - thot Halla - të bëj' temenara,
Temenat e shkreta, humbën si një ëndër,
Të merin nga sheshi, të vinin mbi zëmër,
Pasandaj në buzë, pasandaj mbi kokë,
Aty ku ish vëndi, për shoqe, për shokë!

Aty ku ish vëndi për shok' e për shoqe,
Kurse nashti fëmra... koqe në karroqe,
T' a bën pak' me kokë... masi shyqyr Zotit,
Na u-bën' frëngesha, në krye të motit,
Në krye të motit, frëngesha u-bënë,
Zoti ja bëft' frëngut, shapkën sa një lëmë!

Kështu than' e ranë... rafsha mos u-vrafsha,
Mer e bier për dita, rroba të mëndafsha,
Më pak' të mëndafsha, më shum' kasht' e barë,
Një pallto për nusen, një gjys' oke arë!

Nusja gjith pazarin në shtëpi e futi,
Na u-bë shtëpia si dyqan çifuti,
Rroba për pasdreke, rroba për mëngjesë,
Për çaj e për ballo, për shi e për vesë,
Ato jan' për dimër, këto jan' për verë,
Tamëm sa për vjerrën, që të fryhet vrerë!

Mir' se mëndje shkurtër fëmra u-harbua,
Burri që ish burrë, nga se u-bë grua?
Ç'do gjë ka të gjarë, po kurr' edhe kurrë
Dorën e një femre, nuk' e puth një burrë!

Sidomos moj motër, si ka sy e faqe,
Si mundet e bënet mashkull pa mustaqe?
Kurse bé e burrit, beja më me hije,
Për ato mustaqe bënej deri dije,
Për ato mustaqe... edhe mos u-tuntë,
Masi fjal' e trimit, aty merte funtë!

Mashkull pa mustaqe!... s'bënet burr' i gjirit,
Fundi, fundi bënet një kopan' i lirit!

Ç'do gjë u-ndryshua, çdo gjë u-çkallmua,
Koka u-zbulua, këmba u-mbulua,
Për shëmbëll, më parë do delje, do hyje,
Këpucët përjashta, festen përmbi krye
Nashti i mer brënda këpucët e lyra,
Kapellën e pastër na e var te dera!

(fragmente)
_________

* Ali Asllani ishte poet dhe diplomat me ndjenja të larta atdhedashurie. Lindi në Vajzë të Vlorës më 28 nëntor 1884 dhe vdiq më 20 dhjetor 1966 në Tiranë. Në nëntor të vitit 2011 është nderuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, me urdhrin "Nderi i Kombit".

COMMENTS