Poezi nga Gaspër Pali

gasper pali

Vegim mendimesh


N'shpirtin tim
Rreh malli i Shkodrës.
Tash, që jam n'mërgim,
Kam et netësh shqiptare.
Pse më përkujtohen mbramjet magjistare
Ku çdo jeh në muzg vdes ashtu mejherë
Në t'amblën heshti?
Ndiej frushullim gjethesh
Kah përkdhel pema pemën me butsi.
Por, kur mbas mali zb'lon ballin e gjanë
Hana fytyrëbardhë,
Zana shpërthejnë.
Tash s'ndiej land't tue pëshpëritë,
Pse hana qiejt nga gjumi trazon
E njimij' gojë lehin ashtu papritë.
E vashat ledhatare
Qeshin kah ngrehin shtregullat mijvjeçare.
Përkund djalin e kndon:
"Po ti, hanë pse s'dole mbramë?"
Vasha sheh sytë djalosharë,
Që qeshen n't'mektën dritë:
"Mbramë, si ti dhe un, o djalë,
Hanën kam pritë".
Por nuk ngjati shumë vegimi andërrtar.
Zhdukë andrra, n'shpirtin tim
Malli kthen mejherë,
Mbasi kurrkush nuk kndon për mue n'mërgim.

***

Kanga e poetit


N'qiell dy-tre hyj shndrisin t'zbetë
E duken si sy të venitun vashash,
Që kan' sprovue humbjen e dashnis' s'parë.
Nëpër ajri ndoj jone tretë,
Dikush këndon më nji za mallngjimtar.
Duket se nata s'lëviz, as merr frymë
Kah rrin e përgjon.
E qiella e bardhë, si qumësht i papërlyem,
Nga s'nalti shikon.
Kjo qetsi zbret në shpirt t'kangtarit
E i zb'lon nji mall t'ri deri tash i ndryem,
Pse toka e qiella kan' heshtë para fjal's s'tij.
Buzët i dridhen gjith'herë me hov t'ri,
Pse kangtari n'zemër ndryen
Gëzimet e bot's mbarë
E dhimbat e bot's mbarë.

***

Vjeshtë


Qiella u turbullue
Si syni i vash's që qan dashtnin ma t'parë.
E retë nisën me u shtue.
At'herë dallndyshet,
Me za plot trishtim,
Njana- tjetrën lajmuen m'u nisë n'mërgim.
Prej çerdheve nën pullaze,
Dallndyshet dolën;
E para sa m'u nisë,
N'qytet anembanë u sullën.
Nga mali, tash sa zbardhë,
Filloi një gjamë me ardhë,
Murlani fryen.
E gjeth't, s'ka shumë verdhue,
Dridhen, si të vogjlit fmi që n'derë trokllojnë
E për nji koje bukë, shpinë urojnë,
Por era papra,
Filizat tue përshkue
Gjethin prej gjethit don me forcë me e da.

***

Prendimi i andrrimeve


Zhurma e karrove
Meket mbi qelqe t'bardh' të dhomës sime,
Nga sheshi k'tu tue ardhë.
E mbrend' s'dridhet n'ajri
As ma e vogla valë.
E mue andrrimet më bulojnë
E syt' me driza hijesh m'avullojnë.
Vegime m'lejnë at'herë
Në kët mesditë zhegore.
E shoh, shka s'pashë kurr' në jetë.
Ndjej shka s'ndjeva kurrnjiherë;
Vasha me buzë n't'cilat shpërthyen burbuqet,
Shtëpia të ndërtueme
N'rubina, si mollëza fytyrash vashnore,
Ku rrëshqet gazi, si 'i mij' gusha bilbilash.
Por nji za nga fundi i shpirtit më trand.
Shkyhet tisi i vegimeve t'krijueme.
Menjiherë zhduken lulishtat prrallzore
Si hyjt, që shkëputen në nji natë verore.
Zani me grish me jetue
E jo me afrue qepallën me qepallë
E me ndejë tue andrrue.
Më thotë zani me i kndue jetës,
Më thotë zani me i kndue kohës,
Më thotë zani: "Kndoi s'vërtetës!"

COMMENTS