Naim Frashëri - Qerbelaja, kap. 3

Poema Qerbelaja, kapitulli 3 - nga Naim Frashëri


Ajisheja me Telhanë
në Basrë u-ngrin' e vanë,
muarrë edhe Zyberë
me pakë shokë të-tjerë,
atje mblodhë ushtërinë,
të lëftojnë me Alinë!
Djalli vetë ishte ngritur,
edhe bota ish mahnitur,
parësi e vegjëlija,
sicili qëllimn' e tija,
nukë kishte mbetur besë
në ditët të Mavijesë!
njeriu hante njerinë,
të huajnë dhe të-tinë!
Aliu me shok' e panë,
q' undes zjari më ç' do anë,
i la Sehlin Medinesë,
Kasëmn' i dërgoj Meqesë,
dhe vet' u-nis me një mijë,
të vërë punët më vijë.
Ajisheja me të-tjerë,
me Telhan' e me Zyberë
më një vënt posa arriti
fjal' e të shoqt' e mahniti,
se atje i lehnë qëntë,
dhe pa përhapurë dhëntë
fjala qi kish thën' i dolli!
vëndi në mëndje ja solli.
Ja kishte thënë më parë
këtë që kish për të ngjarë.
Fajn' e njohu me një herë,
dhe la Telhan' e Zyberë,
u tha, unë dotë kthehem!
pas këtaj nukë gënjehem!
po ata prap' e gënjyen,
edhe me vehte e kthyen!
Ajisheja me Telhanë,
e me të-tjerëtë vanë,
Basrësës j' u-afëruan,
një njeri brënda dërguan,
u thanë, neve lëftojmë
gjakn' e Osmanit kërkojmë
n' u-bëfshi me ne u qasim,
në mos u-bëfshi, u vrasim.
Basrasit më dysh u ndanë,
gjysmët vanë me Telhanë
thanë, Aliu pa marë
gjaknë, s' e bëjmë të parë
të tjerëtë deshn' Alinë,
dhe njohnë parësinë.
Aliu kishte dërguar
në Basrët të-mallëkuar
Osman-Hanifnë, q' ish burrë
e të-rreme s' thoshte kurrë,
u dha gjithë njerëzisë,
mos hiqni pas djallëzisë
se kjo në kurth dot' u shtjerë
të mos delni tjatrë herë,
bëhuni me Perëndinë,
edhe dëgjoni Alinë,
q' është mbret' i urtësisë,
njeriu i Perëndisë,
mos ju falni Mavijesë,
q' është i-lik e i pabesë.
Basrasit' e gjor' u-çanë
e më dy gjysma u-ndanë,
ca u-bënë me Alinë
e ca me Telha-fatzinë!
Harithi, që doj Alinë,
s' doj Mavije-faqezinë
i tha Telhajt e Zyberit,
mos i shtini vlejten nderit;
ju pa lënë Medinenë
zutë dor' e bëtë benë,
dh' e bët' Alinë të-parë
punën' e patë të-mbarë
të vërtetënë e njohtë,
tani përse u-pëndohtë?
një njeri po që dha fjalë
nga besa qysh munt të dalë.
Ju të dy s' na kishit shkruar
njerës s' na kishit dërguar?
s' mbani mënt, që na kërkonit,
e gjithënjë na shtrëngonit,
që ta nxirrnim ne Osmanë
e ta përzinim Mervanë?
tani doni gjakn' e tija
s' kini turp nga Perëndija.
gruan e të-parit t 'ënë
përpara e kini vënë
e kini bërë si shtrigë,
dhe të-pabesë e të ligë!
juve, deshtë me kurorë,
bëki një grua këmborë!
e shkeltë me këmbë nderë,
dh' e shpini derë më derë!
s' kini turp të turpërohi!
pa mblithni mëntt' e mejtoji!
Harithit i tha Zyberi
me pahir Malik-Eshteri
na vu e muarmë dorë
se na kish gjetur të gjorë!
Harithit këto i thanë
Zyber-plaku me Telhanë.
Dhan e dhan edhe gjë s' bënë
djalli zihjen' u kish shtënë
u-nda i biri me t' anë
e vëllaj la të vëllanë
kishte vleftë djallëzija,
pa nder s' gjente urtësija
bënë shumë fjal' e punë
po nonj' udhë nukë vunë!
muarr' armëtë nër duar,
u-zu luft e-mallëkuar;
ushtërit' aqë lëftuan,
sa njerëzitë u shuan!
u-shua gjithë qyteti,
thua, se njeri më s' mbeti!
Osman' i Hanifit iku,
se shokët j' a shoj armiku;
tek vij, mb' udh' Alinë gjeti,
u-turpërua dhe mbeti,
po Aliu m' ëmblësirë,
me të mir' e me mëshirë
e pyeti gjer' e gjatë,
i mësoj gjithë të-ratë,
punëtë q' ishinë bërë,
edhe luftënë të-tërë.
Pasandaj Osman' i mjerë,
i tha, Telhaj me Zyberë
s' vinë n' udhë me të mirë,
me paqë e me mëshirë,
fjal' ata nukë dëgjojnë,
janë gati të lëftojnë,
ësht' e-madhe djallëzija
pa s' shkon fare urtësija!
ata udhe kanë dalë,
nukë bindenë me fjalë;
po me luftë do t'a ndani!
këto fjal' i tha Osmani.
Aliu pak u-mentua,
Osmanit i tha, ç' më thua!
këta mos janë të marrë?
s' jan' ata q' ishin më parë?
kshu tha dh' e ngrin' ushtërinë,
si ndenjn' e hangër' e pinë.
Pastaj në Pikar vent zunë
ushtërin' atje e shpunë,
e tek do dërgoj të-parë,
të mbledhënë ushtëtarë.
Dërgoj Mehmen' e Xhafërit,
pastaj Maliqn' e Eshterit
në Qofe, edhe të-tjerrë,
van' e erdhë disa herë,
po të gjith' ata, që vanë,
nuk' e bintnë Ebumusanë!
që ishte atje i-parë
i-paudhë e i-marrë!
sicili donte të vinte
po ajy s' donte t' i linte,
kërkonte gjakn' e Osmanit!
ishte nga an' e Syfjanit.
Më pastaj dërgoj Hasanë,
me Amarë të dy vanë,
Amar' i-bir' i Jasirit
i-mir' i-bir' i të-mirit,
u-zu me Ebumusanë,
u-shan' e nga dish u-vranë,
po Hasani me të mirë
me paq' e me ëmblësirë,
djal' i-urt' i Fatimesë
qëndroj në mest të Qofesë,
bindi gjithë njerëzinë,
u rrëfeu urtësinë,
dhe me vehte duke marë
shtatë mijë ushtëtarë,
u-ngrit erdhi tek i ati
me gjith ushtërit që pati;
Maliqi me shokë vate,
hyri në Qofe ndaj nate
Ebumusan' e përzunë,
një tjatrë të-parë vunë;
Telha-plaku me Zyberë,
Ajisheja e të-tjerë
e ngrehnë në Basrë fronë!
të-rreme shumë po thonë!
e xegjitin njerëzinë,
të lëftonjë me Alinë!
Aliu njerës dërgonte,
vëllazërinë kërkonte,
shumë t' urta fjal' u thotë,
po të-gjitha dëm e kotë!
fjalëtë përdit' i kthenin
e kërkonin ta gënjenin.
Aliu me ushtërinë
ngrihen e në Basrë vinë,
dy ushtëri kundrejt ranë,
një më njan' e një mënjanë.
Më nesëret që me natë
Aliu mer shokë shtatë,
edhe në shesht duke dalë,
ndenji hipurë më kalë,
kërkoj Zyber' e Telhanë,
ata të dy bashkë i vanë.
Aliu si ish më kalë,
zu e u tha këto fjalë:
Vëllezërë, pa më thoni,
ç' janë këto që punoni?
juve të-parë më vutë,
pastaj tjatër' udhë zutë?
pa më thoni ç' u kam bërë?
që u-mblothtë kshu të-tërë?
kështu është njerëzija?
përse humbi miqësija?
s' ishim kurdo-herë shokë,
dhe miq për jet' e për kokë?
të zihemi në mest t' ënë?
S' e mbani mënt ç' kemi qënë?
bota nesh dotë mësonte,
për jet' ashtu të punonte,
kur bëjmë ne marrëzinë!
ç' dotë thon' ata, që vinë?
të heqë nesh njerëzija!
na ndjen vallë Perëndija?
Për atë zon' e vërtetë!
kjo pun' është shum' e-metë!
që tani mirë mejtohi,
se pastaj dotë pendohi,
këto punë foshnje janë,
mirësi me vehte s' kanë,
për njerëzit' e-vërtetë
nuk i vlen këto kjo jetë,
gjer më sot për Perëndinë
dhe për gjithë njerëzinë
jemi përpjekur të-tërë,
sot tjatrë pun' është bërë!
Kështu u tha zot' i-ndjerë,
pa tha Telhaj me Zyberë;
gjakn' e Osmanit kërkojmë!
kurrë nuk' e harrojmë!
Ajy tha, ata q' e vranë
dhe meje mallëkim kanë,
nga vrasj' e tij, as më thua
vallë nesh kush u-gëzua.
I lutemi Perëndisë
në mesthit të njerëzisë,
të jetë i mallëkuar
ajy që është gëzuar.
Telhaj fjalën' e dëgjojti,
unji krye e pushojti!
Këto fjalë si i thanë
të dy bashkë me Telhanë.
Aliu pyet Zyberë,
i tha, e mba mënt një herë
me ty bashkë Muhammeti
ç' erth në shtëpi e më gjeti,
edhe posa më pa mua,
qeshi pak' e u-gëzua,
ti i the, pse me Alinë,
e ke kaqë miqësinë.
Të tha ty, duke uruar,
Ajy zot' i-zotëruar,
shih t' a kesh vëllazërinë
për jetë ti me Alinë,
edhe si do që të bjerë
ti t' a kesh mik kurdo-herë.
Këto fjal' i tha Zyberit,
ati zëmëra të mjerit
j' u-droth! pa duke mejtuar,
i tha, e paskam haruar!
pasdaj lottë çurk' i-vanë,
mi leshrat të kalit ranë!
Tha, ti gënjeshtërë s' thua,
tani m' erth në mënt dhe mua.
Këto fjalë atje thanë,
pasdaj ikën' e u-ndanë.
Vate n' ushtërit Zyberi,
dhe i tha Telhajt i-mjeri:
Unë s'lëftonj me Alinë,
nuk' e bënj dot marrëzinë,
Zyberit Telhaj i thotë:
qeshemi në gjithë botë,
të shkuarat t' i harrojmë,
dhe nesërë të lëftojmë!
Punënë kshu e vendosnë
edhe fjalëtë i sosnë.
Ata mijë plot tri-dhjetë,
Aliu kish dhet' e tetë.
Lufta dhe nuk ishte zënë,
e-shigjetë s' ishte shtënë,
Aliu mbleth njerëzinë
porositi ushtërinë,
u tha: Ne vëllezrë jemi,
e të ndarë nukë kemi
tani hyri djallëzija,
pa u-prish vëllazërija,
ne lëftojmë djallëzinë,
po s' e mërzitim njerinë.
Këta zotërinj, që shini,
të gjithë fort mir' i njihni,
që janë miqthitë t' anë,
dhe shumë të mirë janë!
pa kemi qënë një herë
shokë me këta të-mjerë!
kur patmë të-parën t' ënë,
vëllezërë kemi qënë!
pa tani ka hyrë djalli,
e të-varfërit' i talli!
Ju mos u-bëni të-marrë,
mos u bini për të vrarë,
po vetëm sa të mburrohi,
se ndryshe dotë pendohi,
mos i ndiqni, mos i vritni
për vdekje mos i goditni,
janë vëllezërit t' anë,
vret i-vëllaj të vëllanë?
Kështu u tha parësisë,
edhe gjithë ushtërisë:
Luft' e-zezë me të zënë,
s' qen' ata që kishin qënë!
u-ndes aqë luft' e shkretë,
sa u-bë gjaku kënetë!
U plagos Telhaj i-mjerë
dha shpirtnë më një ferrë!
m' anët tjatrë ca të-tjerë
vranë dhe Zyber' e-mjerë!
Aliut van' e i thanë
duke lëvduar q' e vranë!
U tha, nëmë dotë ketë
nga Zot' i math i-vërtetë
dhe mallëkim kurdo-herë
ajy që vrau Zyberë!
Se ata, q' e kishin vrarë,
s' bënë si u tha më parë,
po u ranë e i vranë
dhe Zyber' edhe Telhanë
Aliu me lot i qau,
Mervani me shok' i vrau,
të shtonte armikërinë,
pasdaj të bënte të tinë!
këta të dy duke vrarë,
më nukë lanë të-parë,
nd' arkë Ajishen' e shpunë,
e mbi kamillët e vunë
me hekura e mbuluan,
pas soje gjith' u-lëshuan.
Aliu tha, mos u bini,
po kamillënë të zini,
dhe dërgoj Maliq-Eshterë
me pakë shokë të-tjerë,
ata u-derdhë t' a zënë,
po armikëtë s' i lënë,
dhe me shigjeta u shtinë,
këta përpara i vunë.
Maliqi, trim i-vërtetë
i pret atje shtat' a tetë,
pa-po me vrap u-lëshua,
kamillës j'u afërua,
gjith' armikëtë i theu
edhe frenë e rrëmbeu,
shokëtë gjith' u-përndanë,
vetëm Ajishen' s' lanë.
Kamilla s' donte të vinte,
vëndinë që kish s' e linte,
Maliqi një kordh' i bije,
si lisnë mbë dhe e shtije!
Aliu dërgoj Mehmenë,
që t' a mirte Ajishenë.
Pa shih ç' punoj djallëzija,
e gjettë nga Perëndija!
Ajisheja me Mehmenë
motërë dhe vëlla qenë.
Kësaj lufte an' e mb' anë
luft' e kamillës i thanë,
shigjetë Aliu s' shturi,
e dorë në kordhë s' vuri.
Kur e gjet vrarë Telhanë
e qau si të vëllanë,
Ajishenë Basr' e shpunë,
dhe në një shtëpi e vunë,
Aliu me miqt' e-tjerë
j' a bëri si duhej nderë,
e faj asaj nuk i shtinë,
po atyre, që e vunë,
s' nëmi Aliu Osmanë,
as Zyberë, as Telhanë,
s' e mallëkoj dh' Ajishenë,
po Mervan' e Mavijenë,
q' i prunë më atë ditë,
e i hodhë në rrëshkitë,
se Ajy ish zot i-mirë,
kishte të-madhe mëshirë,
pa dhe këta kishin pjesë,
në punët të Mavijesë.
Pastaj Ajisheja dolli,
zoti Ali e përsolli,
pa i dha edhe Mehmenë,
edhe Hasan' e Hysenë,
atë në Meqe e shpunë,
kshu u mbarua kjo punë.
Aliu i ndjen fajtorët,
ngushëllen edhe të-gjorët,
të plagosurit i shrojti,
të-vdekurit i mbulojti.
Ndenj në Basrë edhe cazë
pa la Abdhullllah-Abazë,
vetë vat' e zu Qofenë,
të sill m' udhë Mavijenë. (vazhdo leximin: kap. 4)

naim frasheri qerbelaja

COMMENTS