Naim Frashëri - Qerbelaja, kap. 9

Poema Qerbelaja, kapitulli 9 - nga Naim Frashëri


Qasuni, shokë të qajmë,
e zi paskëtaj të mbajmë
për dhëmbjet t' Ali-Abasë,
se j' u-qasmë Qerbelasë!
Thotë peshë Qerbelaja,
edhe të-ngarët' e saja,
njerëzinë e peshojnë,
të-vërtetënë tregojnë;
këjo e rrëfen njerinë,
mirësin' e ligësinë;
më nj' an' është Perëndija,
e drejta dhe njerëzija,
m' anët tjatrë djallëzitë,
turpet' e ligësitë;
njëri është Zot' i-vërtetë,
e tjatëri djalli vetë,
janë mbledhurë të-tërë,
kë të duash, atë zërë.
Ajy, që zë mirësinë,
piqetë me Perëndinë,
ajy, që mer ligësitë,
nukë del kurrë në dritë.
Zot' i-vërtetë me djallë
bënenë një kurrë vallë?
e mira është Perëndija,
djalli është ligësija.
Këto ngjarje na rrëfejnë,
e mira dh' e-liga ç' vlejnë;
s' dalënë ballë-për-ballë
Judha dhe Krisht' i-gjallë
Syfjani me Muhammenë,
Aliu me Mavijenë,
e Mervani me Hasanë;
pa ngjarje në mest po s' kanë
Hinduja me Fatimenë,
e Jeziti me Hysenë,
ligësija me të-mirën,
e drita me errësirën.
Po gjith' i janë mësime
njerëzisë për durime;
ç' hoqnë Zotërinjtë t' anë,
ne mësime na i lanë:
të-këqijat t' i durojmë,
e ne të mos i punojmë;
se ata nuk' i punuan,
dhe hoqnë shum' e duruan.
Zotërinj! u qofsha falë!
që e ndatë me një fjalë:
ligësisë nëm' i dhatë,
mirësis' i dhat' uratë.
Jeziti i-mallëkuar
ishte dehur' e tërbuar,
ish i-zi posi kërcuri
dhe zemrën' e kish pej guri,
ishte shum' i shëmëtuar,
dhe fare i pa-mësuar,
shum' i-lik ish e i-ndyrë,
qe djalli n' atë fytyrë!
Syfjanasit' e mësuan,
se djajt' atyre u shkruan,
q' e la Imami Meqenë,
e vate të zij Qofenë,
i mblodhi gjithë Jeziti,
botënë më këmb' e ngriti,
Ybejdullllahut i shkruan,
me lëvdata e mburruan,
shum' i falë gjë e mitë,
dhe të-gjitha madhëritë,
e tërbuan fare qenë,
që të vrit Imam-Hysenë!
ushtëri mblodh' e dërguan,
fuqinë shumë j' a shtuan!
Ymer' i-Sadi-Vekasit
ish i-lik si Amr' i Asit,
i doj shumë madhëritë,
andaj gënjehej me mitë.
Ybejdi me shok' e thirri,
i tha: Ti, që je m' i-miri,
të març shumë ushtëtarë,
e të jesh mi gjith' i-parë,
të veç e të zesh Hysenë!
në do që ta kesh mik brenë.
Ymeri s' deshi ta marë
përmbi vete këtë barrë,
tha: Këtë s' e bënj dot unë
shum' e-madh' është kjo punë
kam frikë nga Perëndija,
edhe turp nga njerëzija,
s' mund t' a nxinj faqenë t' ime,
shpirtin t' a heth nër mundime!
Këta Ymerit i dhanë
Rijën' e Taberistanë,
të tija ato t' i ketë
e nën' urdhërë për jetë!
Nga e-vërteta u-kthye,
i-nëmuri u-gënjye!
Ty! o lakëmim i-shkretë!
të shoftë Zotth' i-vërtetë!
Mbi mijëra ushtëtarë
u bë Ymeri i-parë,
edhe më s' e nxij qyteti,
ish ngrihurë posi mbreti!
U-lëshua nga shtëpija,
pa i thotë djal' i-tija:
Ti të vraç Imam-Hysenë,
s' bër-e ti me shokët benë?
edhe kartë nuk i shkrove?
të vij këtu s' e kërkove?
mos je foshnjë sot a djalë,
që të këthesh bes' e fjalë!
Për të fituar gjënë,
të na ndysh farënë t' ënë!
të na mbesë mallëkimi
për jetë edhe mundimi!
Turp të-math ke për të lënë
edhe nëmë në fist t' ënë.
Se djalën' e Fatimesë
për të bir' e Mavijesë!
Sa e doj yt at' Alinë
e kishte si Perëndinë!
Kurrë nukë ndahej soje,
gjithënjë e zinte ngoje.
Le besën e Perëndinë!
edhe zë makutërinë
që është gjë e-pështirë,
kurrë fundi s' i del mirë!
Këto fjal' i tha i biri,
se ndryshe po s' thot' i-miri.
Djali tjatërë i thotë:
ç' e dëgjon këtë! flet kotë,
ti vështo punënë t' ënde,
se po të falë dy vënde.
Ymeri më s' u-mejtua,
tha, ju mos më msoni mua.
Kshu e mbyti babëzija,
pa u-nda nga mirësija
la më nj' anë Perëndinë,
edhe mori ushtërinë,
ndau dy mij' ushtëtarë,
pa Hyrrë vuri të-parë,
dhe të-tjerë njerës vuri,
gjithë vëndetë i zuri,
udhët të-tëra i prenë,
të mos vin' e të mos venë
ushtërin' e kishte ndarë.
Hyrrë e dërgoj më parë.
Imam-Hysejni po vinte,
njerëzija pas i binte,
edhe foshnjatë dhe gratë,
plakatë edhe të-ratë
ati zoti pas i ranë,
pej gëzimit me lot qanë.
Ish i-bir' i Fatimesë,
q' i kishinë prurë besë,
ishte drit' e Perëndisë,
mburronjës' i njerëzisë,
të-vërtetënë mburronte,
njerinë doj t' a shpëtonte.
Pa Firisdik vjershëtorë
e gjet mb' udh' Imam i gjorë,
j' u-fal e shum' u-gëzua,
qau me lot posi grua,
i tha: Drit' e gjithësisë,
hij' e lart' e Perëndisë
mos i sill besë Qofesë,
janë njerës të-pabesë.
Imami kartëra shkrojti,
njeri në Qofe dërgojti.
Atë të-varfër' e zunë,
Ybejdullllahut ja shpunë,
e nxuarrë duke sharë,
pa pyeturë e varrë!
Imami poqi Zehirë,
q' ishte njeri shum' i-mirë,
kish besuar Perëndinë,
dhe doj Muhammet-Alinë,
Imam-Hysenë Zehiri
duke parë me gas thirri,
pa i tha vinj pej Meqeje,
e paskëtaj s' ndahem teje.
Kshu tha njeriu me besë,
se kish njerëzije pjesë.
Andej në Shekik arritnë,
atë natë atje zbritnë.
Ymer-Sadi kish dërguar,
njeri e kartë kish shkruar,
këtë njerinë që vinte,
e gjëmë të-madhe shpinte,
më nesëret mb' udh' e hasnë
dhe te Zoti yn' e qasnë.
I dha kartënë në dorë,
në zëmërt i vu dëborë!
Karta thosh: Myslimn' e vranë
dhe miqt' e tij j' a përndanë
kokën në Sham j' a dërguan,
dhe djemt' e tij shumë vuan,
pastaj armikët i gjenë,
të dyve kryet u prenë
punë shumë kanë ngjarë,
shumë njerës janë vrarë!
Tani mërzit-e Qofenë
dhe mos e lerë Meqenë.
Myslimi kshu më pat thënë
pa prapë gojën e zënë.
Kështu thoshte kart' e shkretë!
Imami me zë të qetë
këndoj kartënë dhe mbeti,
pa tha, opopo! ç' na gjeti
dhe qau me ngashërimë,
në zëmrët ndjeu një limë.
E-tërë fëmija qanë,
dhe në zi të-madhe ranë!
Për djemthit' e për Myslimnë,
s' e mbanin dot mallëngjimnë!
vashat e djemt' e Myslimit
nga dhëmbjet e idhërimit
qaninë me ngashërimë!
me lot e me psherëtimë.
Ç' u prunë të madhe gjëmë
armikëtë, paçin nëmë.
Njerëzija erdh' e vanë,
Imam-Hysejnë e panë,
dhe i kishin dhënë besë,
si cili me të të mbesë.
Posa u-hap këjo fjalë,
të shumët muarrë malë!
ata të-liqtë u-ndanë,
e sicili shkoj më nj' anë
të mirëtë pas i ranë,
edhe vetëm nuk' e lanë.
Imami u tha: Të shkoni
nukë dua të qëndroni,
kush e mer në syt të vdesë
ajy me mua të mbesë,
papo të-shumëtë shkuan
e të pakëtë qëndruan.
Kshu shkuan dy a tri ditë
sa u-ndanë mirësitë,
edhe ligësit u-ndanë,
e më tjatrët anë vanë.
Shumë njerës erdh' i thanë,
armikëtë shumë janë,
dhe vëndet i kanë zënë,
as një udhë s' kanë lënë,
po vinë si mizërija,
nëm' u dhëntë Perëndija.
Kthehu prapë nga Meqeja,
se s' është nd' udhë Qofeja.
Ata gjithë kshu i thanë,
se rreziknë mir' e panë,
po nuk' e lij vetëdija.
Si ta bënjë Perëndija,
tha, se unë s' munt të kthehem
si foshnjë nuku rrëfehem.
Kshu tha Imam' i-vërtetë.
Ajy ish Aliu vetë.
Muarrë udh' edhe pakë
pej Qofeje fill e flakë.
Hyrri me gjith' ushtërinë,
Imamit kundrejt i vinë,
dhe posa j' a zuri syri
u-gëzua shumë Hyrri,
i la shokëtë mërguar,
dhe erdhi duke gëzuar,
Imam' i tha: Pa më thua,
erdhe të lëftonç me mua?
a për ndihm' e për të-mirë?
me ç' qëllim e me ç' dëshirë?
Ajy i tha, jam mik unë,
dhe j' u-derth i puthi gjunë,
pa i tha: Besonj Alinë,
si besonj dhe Perëndinë,
po të lutem, kthehu prapë,
pa Zoti si të t' a apë;
nxirr-e nga mëndja Qofenë
hiq së-rish zërë Meqenë,
se njerëzit e Qofesë
kurrë s' mbajnë fjal' e besë,
ndryshe, dhe po janë vrarë
këtë her' edhe më parë,
njeri s' ka mbetur me besë,
paskëtaj të mos kesh shpresë!
Mua më vjen shumë frikë,
të lutem ktheu dhe ikë;
se po vinë mizërija,
që i shoftë Perëndija!
Hyrrit Imami i thotë:
s' kthehem se qeshem në botë,
s' jam kthyer praptazi kurrë,
do të vdes këtu si burrë!
nga udh' e Zotit n' u-kthefsha,
këmbënë mb' udhëz e thefsha!
për një të-drejtë përpiqem,
për të-vërtetën po digjem,
për udhët' e Perëndisë,
për shpëtimt të njerëzisë!
vdekjen përpara e kemi,
për jetë këtu po s' jemi,
një her' as po do të vdesim,
sonte! ne për se të mbesim?
se me syt e-mij sot unë,
nuk' i shoh dot këto punë!
a dotë shpëtonj njerinë,
të vë besë njerëzinë,
apo këtu dotë bije,
njeriut kshu i ka hije.
Kshu tha Imam' i-vërtetë
me zëmrë shumë të-qetë.
Hyrri tha: kjo ësht' e-vërtetë,
po sot s' mbeti gjë në jetë,
të-mirënë nuk' e njohin,
të vërtetënë s' e shohin,
po mbretëron marrëzija,
nukë ka duk urtësija,
thuaj fjalë sa të duash,
dëm e kotë dotë vuash!
I ka verbuarë frika,
edhe u ka rënë pika!
hiq' e më zërë Meqenë,
leri në djallt le të venë!
t' a mbarojnë ç' kanë zënë,
se kështu qënëka thënë!
Je me gra e me fëmijë,
pa kjo punë s'ka shijë,
përpara një mizërije,
e ndaj kaqe ligësije
ç' munt të bënjë e vërteta?
është përmbysurë jeta!
Më dërguan për të zënë
mua, nukë për të lënë;
po ne me të bërë natë
nukë bijem këtu njatë,
do t' a mërgonj ushtërinë,
punënë të mos e dinë,
ju ngrihi prëm' e mos flini,
dhe ikëni e mos rrini.
Kshu i tha dhe bindi Hyrri,
fjalënë ja hëngri syri.
Me të ngrysurë u-ngrinë,
u-kthyenë dhe po vinë,
lanë udhën' e Qofesë,
e j' u-kthyen Meqesë.
Po nat' e shkret' ishte sterrë!
edhe qielli skëterrë!
në të zi ishinë veshur
ishin vrënjtur, s' kishin qeshur!
qiejtë me lot po qanin,
edhe yjtë zinë mbanin,
hëna ish pshtjellë në rezë
jeta ish e tër' e-zezë!
Veç vetëtima j' u-ndrinte,
në t' errët fare s' i linte,
vetëtimatë po ndrinin,
zëmëratë psherëtinin!
edhe gjëmimi kërcitte,
gjithë dhenë e trëndintte!
i ishin nisur Meqesë,
fëmijëz' e Fatimesë,
po në atë errësirë
udhënë s' e gjenë mirë!
pa më tjatër' udhë ranë,
e vanë më tjatërë anë!
s' kishin marrë udhë mirë,
nata ishte më të gdhirë.
Kal' i Imamit qëndrojti!
nguli këmbët' e më s' shkojti
dhe sa mundi shkrefëtiti,
me zë të-math hingëlliti!
O moj kafshëz' e-uruar!
e-thëna të ka ndaluar!
aty n' atë vënt u-bënë
punëratë, q' ishin thënë!
Zoti ynë s' di ç' përmëndi,
tha ç' i thonë këti vëndi?
Këti vëndi an' e mb' anë
Qerbela! i thon' i thanë!
Tha: Zoti pastë lëvdatë!
fjala që ka thën' im atë!
Ahere më nukë priti,
po me vrap nga kali xbriti!
Ngriti kryetë përpjetë,
edhe tha: Zot i-vërtetë!
urdhëri yt u-mbaroftë!
edhe fjala jote shkoftë!
Kshu tha edhe puthi dhenë,
shokët e panë dhe mbenë!
Atje i shpu Perëndija!
pa xbriti gjithë fëmija.
Po dhe në Meqe të vinte,
armiku nukë e linte!
i vëllaj, q' u-hoq më nj' anë,
për se të gjallë s' e lanë?
Ç' u bëri Imam-Hasani?
q' i dha helminë Mervani!
Kudo t' ish e ç' do të bënte,
e dij q' ajo dota gjente!
Popo! se ç' kanë punuar
armikët e mallëkuar
për djemthit' e Fatimesë!
kurrë mos paçinë ndjesë!
Dita ishte duke hapur,
edhe drita duke çapur,
errësira ish mbaruar,
se u-bënë s' ishin shkruar!
dielli nga mali dolli,
ditënë mbi dhet e solli!
dielli nga ajo ditë
më të mos dhënëke dritë!
të perëndonte për jetë!
qielli të mbetej shkretë,
e dita më të mos vinte,
dheu në t' errët të binte,
yjtë të qenë përpjekur,
njerëzit të kishin vdekur.
O moj hën' e jetë-gjatë,
ti kur s' ndrite atë natë
më të mos ndritkëshe kurrë,
po të nxiheshe si urë,
gjëllimi të kish pushuar,
jeta të ishte mbaruar.
Zot i-math, përse duronje?
as po gjith' i përvëlonje,
s' e pandeh të jesh i-gjorë,
e të mos kesh gjë në dorë,
edhe e-tërë kjo jetë
të jetë pa zot e shkretë.
Drit' e-lart' e mirësisë,
shtyll' e gjithë njerëzisë,
bashkë me shokët e-tija
u-falë te Perëndija.
Atje ranë, pa kur panë,
rreth e rrotull Qerbelanë
armikët' e mallëkuar
e paskëshinë rrethuar.
Më një vënt të-lart' u-mblodhë
ndënjnë pakë e u-çlodhë,
pa gjithë punënë zunë,
ç' do gjë në radhë e vunë,
tendëtë atje i ngrehnë,
armikëtë gjith' u-pshehnë,
vënt të mirë shumë zunë,
e mbaruanë ç' do punë,
grat' e foshnjatë më nj' anë,
m' anët tjatrë burrat vanë.
Nisetë me shok' Ymeri,
q' ish ndër kryerë si berri,
erdhi te Imam-Hyseni,
duke hiruar si qeni,
afërë tendëse xbriti,
Imami u-ngrit e priti,
pa i tha: Për të lëftuar
ke ardhur duke harruar
miqësin' e Perëndinë
edhe Muhamet-Alinë?
Ti vetë nukë më shkrove?
në Qofe mua s' më ftove?
së pari ju më kërkuat,
tani besën e harruat,
nuk' e di, o jetë-gjatë,
sa na doj neve yt atë?
ajy ty kshu të la fjalë,
sa qe gjall, kur ishe djalë.
Gjyshi im u vuri besë?
a i at' i Mavijesë?
atë të parënë t' ënë
s' mbani mënt, ç' u ka thënë?
e latë besën e fenë,
edhe zutë Mavijenë!
mirë bët' e bukur bëtë!
se u marruanë gjëtë!
po mua pse më gënjyet?
pa tani besën e kthyet!
më shkruatë e më thatë,
të vinj me dit' e me natë,
t' u shpëtonj nga robërija,
e nga gjithë ligësija.
Pandeh se dua fitime?
a punonj për veten t' ime?
unë për ju po përpiqem,
dhe përvëlohem e digjem,
nuk' e dini ç' kanë bërë
Syfjanasitë të-tërë?
Jezitit i vunë besë!
që më të gjallë t' u vdesë!
unë kam shumë durime,
po është më qafët t' ime
dhe shpëtim' i njerëzisë
edhe udh' e Perëndisë.
S' e kanë fajnë të-tjerë,
po ju, që jini të-blerë,
se nderë e kini shitur
te Jeziti i-mërzitur,
shpirtinë t' uaj e shittë,
dhe njerëzin' e rrobittë,
s' u ka mbetur as vetijë,
as zëmër as vetë-dijë!
botën ju më qaf' e kini,
ndaj Zotit qysh dotë vini?
ç' do punë, që bën në jetë,
e gjen te Zot' i vërtetë,
të-liga na bëtë kaqë,
prapë unë dua paqë,
pa juve luftënë zutë,
paqënë në dhet e vutë,
ku është vëllazërija?
që na fali Perëndija!
vëre në vesht' këtë fjalë,
se, një herë do të dalë:
këtë, që më bëtë mua,
e kini për jetë hua,
do t' a hiqni nonjë herë,
Zoti nukë dot' a lerë,
mua bë-më-ni ç' të doni,
po njerëzinë mejtoni.
Kshu tha Imam' i-vërtetë,
i qofshim falë për jetë,
Ymeri u turpërua,
edhe ndenj e u mejtua,
tha: Këto, t' u ngjattë jeta,
janë gjithë të vërteta;
po fuqi e gjë e-shkretë
ç' do pun' e muntkan në jetë
dh' e-drejta edh' e-vërteta
mbetkanë fare të-shkreta,
paska fuqi djallëzija,
sa s'e muntka urtësija,
të-gjithë nuk' e durojmë
Jezitnë, dh' e mallëkojmë,
që prishi besën e fenë,
na vuri në gojë frenë,
edh' e mbyti krejt lirinë,
bëri ligë ligësinë,
gjë në jetë nukë mbeti
nga ç' pat bërë Muhammeti.
Jeziti ësht' egërsirë,
e dimë dhe ne fort mirë,
u bë mbret e mbret mundonjës
edhe prishës e shkretonjës,
lig' ajy ka djallëzinë,
s' do ta dijë mirësinë,
s' ka pjesë pej njerëzije,
as frikë s' ka Perëndije,
po punëtë kshu u-bënë,
nuk e di pse qënka thënë,
gjith' u bënë egërsirë,
është keq njerith i-mirë,
se është dit' e të-ligut,
kanë nder' punët e shtrigut,
djallëzija vete mbarë,
së drejtës s' i mbet as farë,
neve një frik' e një shpresë
na bënë kshu të-pabesë,
ti po mundohesh për neve,
që t' u heqç xgjedhënë qeve,
po ne jemi të-liq vetë,
pa na mundojnë si qetë,
dhe puna si është bërë,
njeriu s' di nga t' a zërë.
Kshu tha Ymer' i mahnitur,
po besën e kishte shitur,
këto pun' ata i bënë,
pa nuk' është se ish thënë.
Atë ditë këto thanë,
ndenjnë pakë, pa u-ndanë. (vazhdo leximin: kap. 10)

Qerbelaja Naim Frashëri

COMMENTS