Naim Frashëri - Qerbelaja, kap. XXIV

Poema Qerbelaja, kapitulli XXIV - nga Naim Frashëri


Po Sefahu s' rrojti shumë;
Oh! moj jet e-shkret' o lumë!
Ndënj në vënt të tij i-parë,
i vëllaj, po s' vate mbarë.
Ajy ish Ebu-Xhaferi,
që pat zëmërë pej derri!
duke prishur parësinë,
ngreh në Bagdat mbretërinë,
dhe i shton ditë me ditë,
shtrigërit' e ligësitë!
me Abdullllahnë e prishi
ligësi të madhe grishi
pa ngrehu edhe mejtimnë,
vu në dor' Eba-Myslimnë,
e vrau me të pabesë
si Jezit' i Mavijesë
si qeni, kur ha të zotnë,
që e ushqen gjithë motnë
po dhe jeta j' u shkurtua,
ligësija u mbarua,
erth Mehdiu me Hadinë,
q' e kujtuan Perëndinë,
pas atyre erth Haruni
ndënj në front posi beguni,
edhe mori shumë pjesë,
nga punët e Mavijesë,
Abazajt' e turpëruan
me punërat, që punuan,
të-tërë farën e tyre,
s' mbajtnë një farë mënyre,
u zunë nga shtrigëritë,
prunë gjithë ligësitë,
udhën' e-paudhë zunë,
nder e tyre posht e shtunë!
ndoqnë gjurmët' e Mervanit,
edhe rrugën e Syfjanit.
Haruni, mbret' i pabesë
zu udhën e Mavijesë,
vu nakar m' Imamn-Xhaferë
q' ish i-mir e shum i-ndjerë,
i bënte nder njerëzija,
se ish vetë mirësija,
ç' bënte mbreti, s' i pëlqente
se jashtë udhës i gjente,
po kurrë nukë përzjehej,
më të-tjerët s' shëmbëllehej,
ajy ish njeri i qetë,
i-urtë e i-vërtetë,
pa njerëzija e donin,
të-miratë s' i harronin.
Mbreti për faqe e donte,
kurdoherë e nderonte,
dhe Imami jetë gjatë
mbretit i ipte uratë,
po mbreti shih njerëzinë,
q' e donin si Perëndinë,
papo nakari e çponte,
e shpirtinë j' a lëndonte,
se s' kish dashuri me besë
për shtëpit të Fatimesë,
për faqe Imamn' e donte,
pshehtazi varr' i rëmonte!
ësht' i-keq shumë nakari,
e djek zëmrënë si zjari.
Kish dhe njerës që xegitnin,
nakarë ja përsëritnin,
Hiqëshinë si të mirë
po ishinë shpirt-shëllirë
pshehtaz' ishin të-pabesë
pun e keqe, që s' ka ndjesë,
nukë ishinë të mirë
ishinë zëmrë-këllirë
papo kaqë dh' e helmuan
njerëzinë e shkretuan
e ndëroj jetën i miri,
ndënjt në vënt të tij i biri.
Ky t' e Imam-Musa-Qazimi,
që e kishte shoq nga mësimi.
Ajy ish i-ati vetë,
shum i-mir' e i-vërtetë.
Haruni ishte pendohur,
fajn' e tij e kishte njohur,
e qau Imamn' e mirë,
dhe e desh shumë të-birë.
Imam Musan' e doj aqë,
sa shumë vjet shkoj me paqë.
Ahere dhe dituritë
duallë shumë në dritë.
Gjithë fis' i Fatimesë
ishin njerës me besë,
shëmbëllenin më Alinë,
kishin gjithë urtësinë,
dhe mizën ata s' e ngisnin
fjalëzë të keqe s' flisnin,
dhe atyre, q' i mundonin,
e zëmrën u përvëlonin,
ata u bëninë mirë
me zëmrë e me dëshirë.
P' andaj i kanë lëvduar,
e kurrë s' janë haruar,
i do dhe sot njerëzija,
se mbahet mënt mirësija.
Mbreti sa plakej marrohej,
papo ligësija shtohej,
zu vrit e prit njerëzinë,
të-huajnë dhe të tinë
njeriu s' i sillte besë,
si dhe fis' i Mavijesë,
njerës nukë kish të mirë,
dhe vet' ishte egërsirë,
pa Imam Musan e vunë
në burk pa faj e pa punë
dhe e mbajtn' e s' e lëshuan
më së-fundi e helmuan,
o njerëzit' e pabesë!
mos paçi nga Zoti pjesë!
Kur e mbyll' Imam-Musanë,
la të bir' Ali-Rizanë.
Ahere vdiq dhe Haruni,
erth Emini pa Memuni.
Memuni zu Horasanë,
dh' e desh shum' Ali-Rizanë.
Imam Ali Rizaj rrinte
me mbrenë bashk' e s' e linte,
që të bënte të këqija,
e të dil nga njerëzija,
pa kështu shumë vjet shkuan,
të mirëtë u gëzuan,
po të-liqtë mbren' e tallë,
me të-rreme djall' i kallë.
pa uzu nga ligësitë,
e nga dëmi nat' e ditë,
erth upërzje njerëzija,
shum' ubënë të-këqija,
pa Imam-Ali-Rizanë
dhe Abazë, të vëllanë,
i vranë me të-pabesë!
mos paçin nga Zoti ndjesë!
Fajnë s' e ka njerëzija,
e ka vetëm ligësija,
andaj t' i rimë mërguar,
se 'shtë shum' e mallëkuar!
Imam-Rizaj la të birë
në vënt të tij, q' ish i-mirë,
nukë kishte shok në jetë,
ish i urt' i-vërtetë,
la shtyllë për njerëzinë,
Imam-Muhamet Tekinë,
që e donte njerëzija,
gjith' ishinë miqt' e tija.
Më pasdaj vdiq dhe Memuni
ndënj Ebu-Ishak-beguni,
pa si e pa njerëzinë,
q' e doj Muhamet-Tekinë,
e helmoj me të pabesë!
njerëzin' e la pa shpresë!
i-ri e la këtë jetë!
vate te Zot' i-vërtetë!
la në vënt të-tij të birë,
q' ish si drita n' errësirë,
la Imam-Ali-Nekinë,
bari për mi njerëzinë.
Drit' e Zotit ish i-miri,
po mbret' i-lik, Mystensiri,
që s' pat njerëzije pjesë,
e vrau me të-pabesë!
Zot' i-mirë e plot mëshirë
la në vënt të tij të birë,
Imam-Asan-Asqerinë,
të kish kujdes njerëzinë,
udhën e drejtë t' u thotë,
të mos mundohenë kotë,
udh' e-drejt' ish njerëzija,
urtësi e mirësija,
po bota ish n' errësirë,
s' e shihte udhën' e-mirë!
Mbretrëtë shum' umahnitnë,
dhe nga kombi umërzitnë.
Ishte fron' i Mavijesë!
ngrehurë me të pabesë!
atje kushdo, që të rrinte,
djallëzinë do të zinte!
Ushtërija mori bujë,
e bëri botën rrëmujë,
se mbret nukë kish të mirë
ishinë gjith' egërsirë,
pa i nxuarr' e i vranë,
në prehje po nuk' i lanë,
pasdaj vunë Mysteinë
dh' e marruan faqe-zinë,
pa njeri nukë besonte,
edhe andaj nuk' e donte.
Imam-Hasan-Asqerinë,
se mos i ip arratinë!
e të rrinte në front vetë!
po kjo s' ish fjal' e-vërtetë.
Kshu edhe fis' i Syfjanit,
e gjithë far' e Mervanit,
dhe Abazajt' e-pabesë,
që vanë pas Mavijesë!
Kurr' Imamët nukë donin
mbretëri e gjë s' kërkonin,
n' atë fron të-mallëkuar
s' rrinte njeri i uruar.
Po s' u dil e-shkreta frikë,
u rij në zemrë si thikë,
se shihninë njerëzinë,
q' i kishin si Perëndinë,
pa s' i lij edhe nakari,
i përvëlonte si zjari!
dhe të-liqtë nuk' i linin,
i çponin' e i xeginin!
E prishënë mëntsh Mystrinë,
dhe i kallë djallëzinë
sa të liq' e të-pabesë,
që kishinë soje shpresë,
pa pshehtazi kall' e vranë
Zotn' e-mir' Imam Hasanë!
Ajy la për njerëzinë
Imam-Muhammet-Mehdinë
që ishte i-bir' i-tija,
i-dashur te Perëndija.
Imami ish djal' i-qetë,
kish vjet vetëm dy-mbë-dhjetë.
Po ish prishur njerëzija,
ish prishur dhe mbretërija,
qeni s' e njihte të Zotnë,
kështu shtynte moti motnë.
Koha me dëme po shkonte,
njeriu mënt po s' mësonte.
Andaj Abazajt' uprishnë,
se rreziknë vet' e grishnë,
më në funt shtrenjt e paguan
Çingjizasitë i shuan!
se nukë do Perëndija,
të heqënë njerëzija,
p' andaj nukë le dhe plagë
pa pagesë e pa shpagë!
njeriu ç' gjë bën në jetë,
atë dot' a heqnjë vetë!
a i-biri a e-bija,
se nuk' e le Perëndija!
p' andaj na dha në vetijë,
na fali dhe vetëdijë,
që ajo të na mësonjë,
ajo dhe të na gjykonjë,
të na apë dhe gëzimnë,
edhe brengën' e mundimnë!
të gjitha na i ka dhënë,
i kemi në dorët t' ënë!
bënë shumë të-këqija,
pa i prishi Perëndija!
mbretëritë e-pabesa
humpn' e vanë posi vesa!
pasdaj erdhë mbretrë shumë
po nga tjatrë lënd' e brumë,
si Selçok' e me të-ndjerë,
dhe Osmanas e të-tjerë.
Imam-Muhammet Mehdinë
Ëngjëllit me krah' e ngrinë
e hoqnë nga njerëzija,
e shpunë te Perëndija!
Njerëzija rrahnë dhenë,
e kërkuan, po s' e gjenë!
në gjithit të-Perëndisë
hyri drit' e njerëzisë!
është gjall! është në jetë
pranë Zotit të-vërtetë!
Që nga Muhamet-Aliu
gjer te Muhammet-Mehdiu
erdh' Imamë dy-mbë-dhjetë,
gjithë njerës të-vërtetë!
ata Zotërinj të mirë
janë gjall e të-pavdirë,
dhe foshnja katrë-mbë-dhjetë,
si ëngjëllit' e-vërtetë,
armikët' i kanë vrarë!
pa ranë dëshmimëtarë,
gjith' atë brengë, që hoqnë,
për ne të-zest upërpoqnë
janë pra si kanë qënë,
në shpirtt e në zëmrët t' ënë
atje është edhe vetë
Zot' i-math e i-vërtetë.
Na lanë vëllazërinë,
miqësin' e urtësinë,
edhe gjithë mirësitë,
na hoqnë nga djallëzitë.
Edhe nukë na harruan,
po pas syresh na dërguan
shumë njerës të-vërtetë,
q' e ndrituan këtë jetë,
na dhanë udhën' e-mirë,
s' na lanë në errësirë.
Zotërinj, u qofsha falë!
pa j' u s' rrëfehi me fjalë.
Bes' e udh' e Perëndisë,
q' i duhetë njerëzisë,
është vetëm e vërteta,
me atë mbahetë jeta.
Pa qasuni, Shqipëtarë,
Zot' i-math e sjelltë mbarë,
të zemë vëllazërinë,
mirësin' e miqësinë,
jemi të-gjithë një farë,
e nukë jemi të-ndarë,
vëllezrë të-tërë jemi,
një shpirt e një zemrë kemi
gjithë rrojmë me një shpresë,
dhe kemi gjithë një besë.
Bes' e mbar' e Perëndisë,
udh' e mir' e urtësisë
është vetëm mirësija,
e-vërteta, njerëzija,
zemr' e-bardhë, shpirt i mirë,
me mëshir' e m' ëmbëlsirë,
e-drejta, vëllazërija,
dashurija, miqësija.
Gjithë besëtë, që janë,
vetëm këtë udhë kanë,
këtë thotë besa jonë,
dhe të tjerat këtë thonë,
se ndë jetë s' ka dy besë,
një ësht' e një dotë mbesë,
besë është Perëndija
dhe udh' e saj njerëzija.
Ajy, që do njerëzinë,
ka besuar Perëndinë,
kush ka në zëmrë mëshirë,
thuhetë njeri i-mirë,
ç' do njeri vëllath e kemi,
gjithë nga një baltë jemi,
kemi një shpirt në vetijë,
jemi gjithë një fëmijë,
një mëm' e një atë kemi,
në një fytyrë po jemi.
Pa kur desh Zot' i-vërtetë,
të tfaqet në këtë jetë,
nxori në jetë njerinë,
atje e gjen Perëndinë.
Ç' do gjë, që shohëm në jetë,
na rrëfen Zotn' e-vërtetë,
më ç' do anë, që shikojmë,
atë fytyrë vështojmë.
Një zemërë të-qëruar
na kërkon Zot' i-lëvduar,
edhe punëzën' e-mirë,
dhe njerëzi e mëshirë,
dhe të-madhit t' i bënç nderë,
dhe të vogëlit nga herë
na dha mëndjenë më kokë,
e na bëri miq e shokë.
Atë që s' të vjen ty mirë,
po të duket' e-fështirë,
mos e bëj dhe ti në jetë,
në je njeri i-vërtetë.
I-ligu e gënjeshtari,
rrëmbenjësi e kusari,
vrasësi, që vret njerinë,
i prish të vëllajt shtëpinë,
ata që shajn' e qërtojnë,
dhe heqin' e kallëzojnë,
edhe bëjnë të-këqija
e rrojnë si bagëtija,
i venë pas djallëzisë,
së-rremës' e ligësisë
s' kan as njerëzi as besë
se i ngjajnë Mavijesë.
Pse e duam ne Alinë?
se ka bërë mirësinë
ashtu edhe Fatimenë,
edhe Hasan e Hysenë
dhe Imamëtë të-tërë
i duam, se kanë bërë
mirësi në këtë jetë
me të-drejt e të-vërtetë.
Mavijeja e Syfjani,
dhe Jeziti e Mervani,
ligësi kanë punuar,
pa janë të-mallëkuar.
Shih sa vlejtka pun e mirë
dh' e-liga sa 'sht' e-fështirë!
njëra është e-lëvduar,
tjatëra e mallëkuar
njëra ësht' e Perëndisë
tjatëra e djallëzisë,
e-para 'sht' e-xbukuruar,
e-dyta e shëmëtuar,
nj' ësht e-lig e nj' ësht e-mirë
një drit e një errësirë.
Ajy, që bën mirësinë,
ka në shpirtit Perëndinë,
ajy që ka ligësitë,
ka djallë dhe djallëzitë.
Zot i-math e i-vërtetë!
bë-na t' urtëth e të qetë,
fal-na gjithë mirësitë,
ep-na dituri e dritë,
dhe njerëzi e mëshirë,
mos na lerë n' errësirë,
afëro-na urtësinë,
e mërgo-na djallëzinë,
hiq-na nga makutëritë,
dhe nga gjithë marrëzitë
nga dëmi nga lakëmimi
e na shpjerë te gëzimi
udhën e-drejtë rrëfe-na,
me kamjet t' ënde ushqe-na
fal-na durime dhe shpresë
urat e shpëtim e ndjesë
mos na turpëro në jetë
Zot i-math e i vërtetë. (vazhdo leximin: kap. XXV)

Poema Qerbelaja e Naim Frasherit

COMMENTS