Shoqëria Bashkimi në Shkodër (1899)

Kur shekulli XIX ishte në vitet e fundit të tij, në Shkodër, në janarin e vitit 1899, krijohet shoqëria gjuhësore-letrare "Bashkimi", nismëtar i së cilës ishte abati i Mirditës, Imzot Preng Doçi. Ai edhe me përkrahjen e shokëve dhe të miqve të tij do të ishte në ballë të kësaj shoqërie dhe do të ishin pothuajse këta që do të plotësinin të gjitha objektivat dhe detyrimet, të miratuara që në mbledhjet e para.

Bashkëthemeluesit qenë edhe klerikët katolikë: At Gjergj Fishta, Imzot Jak Serreqi, Imzot Lazër Mjedja, Imzot Dodë Koleci, Dom Ndoc Nikaj, Dom Mark Shllaku dhe At Pashk Bardhi. Ky numër erdhi duke u rritur. Në një shkrim të botuar në revistën "Hylli i Dritës" në prag të 40-vjetorit të themelimit të kësaj shoqërie, autori Dom Ndoc Nikaj shënon 12 anëtarët e saj. Shton edhe emrat e Gjergj Kolecit, Luigj Gurakuqit, Mëhill Çunit dhe Nikollë Sheldisë. [1] (Shih fotografinë e pjesëmarrësve të shoqërisë "Bashkimi". Mungon Luigj Gurakuqi, mbasi nuk ndodhej në Shkodër dhe Lazër Mjeda që ishte larguar).

Shoqeria Bashkimi në Shkodër (1899)
Pse të gjithë anëtarët e shoqërisë ishin klerikë, me përjashtim të Luigj Gurakuqit?
Sipas Ndoc Nikajt qenë ftuar edhe disa mësues të shkollave, si: Mati Logoreci, Kolë Kodheli, Ndue Paluca, Gasper Beltoja, Gasper Mikeli etj., por nuk u aktivizuan për të mos krijuar dyshime në autoritetet e vendit. [2]

Shoqëria "Bashkimi" i vuri vetes disa objektiva për të realizuar. Për kohën kur u themelua kjo, çështja më thelbësore ishte zgjidhja e problemit të alfabetit të njësuar në gjuhën shqipe. Alfabeti i Stambollit, i krijuar më 1879, ndonëse në fillim entuziazmoi shumë shqiptarë, por më pas jehona erdh e u zbeh, duke e kufizuar rrezatimin e tij. Përveç kritikave, disa organe që botoheshin jashtë Shqipërisë në gjuhën shqipe, jo vetëm e ngritën përsëri këtë problem, duke e konsideruar të pazgjidhur çështjen e alfabetit të gjuhës sonë e duke mos pranuar atë alfabet që miratoi shoqëria e Stambollit, por hartuan edhe variante të reja që rritën numrin e alfabeteve të shqipes. [3]

Edhe alfabeti i autorëve të vjetër që në Shkodër e zbatonte ndonjë fletore e kohës apo ndonjë autor i kësaj periudhe, nuk po gjente mbështetje, ndonëse atij iu bënë disa ndryshime të vogla dhe stilizime shkronjash. E ndeshim edhe në letërkëmbimin privat, (kryesisht tregtarët) e kjo vinte jo nga dëshirat e tyre, por nga nevojat e ditës. Në të tilla rrethana, duke e parë këtë gjendje që nuk po zgjidhej, por po nderlikohej gjithnjë e më shumë dhe duke parë se çdo ditë, siç thoshte At Gjergj Fishta:

Për çdo kaçubë na bin nji letrar,
Qi ethun trush me prralla e gazeta,
Përfton n'e mbramet e pjell nji abeçedar,

u bë i domosdoshëm hartimi i një alfabeti të ri. Dhe një nismë të tillë e mori edhe shoqëria "Bashkimi".

Në këtë periudhë parapëlqehej më shumë mbështetja në alfabetin latin, alfabet të cilin e zbatonte Europa e qytetëruar, por edhe pse kishte disa përparësi, kryesisht të karakterit praktik. Në këtë alfabet u mbështet edhe shoqëria "Bashkimi", duke pasur si parim që një tingull - fonemë mund të paraqitej edhe me dyshkronja. U ndoq ajo traditë që e vëmë re edhe te autorë të tjerë të shekullit XIX, si Zef Jubani, Pashko Vasa etj. Kështu alfabeti i shoqërisë "Bashkimi" mund të konsiderohet vijim i sistemit shkrimor të këtyre autorëve. Përveç shkronjave të thjeshta, ky alfabet kishte edhe nëntë dyshkronjësha, shtatë prej të cilave të formuara me anë të faringalës h. Gjithashtu kishte dy shkronja të dyzuara: ll dhe rr.

Shoqëria "Bashkimi" dhe alfabeti i saj patën jehonë, duke e mbështetur shumë organe dhe shkrimtarë të dëgjuar. Pati përkrahje të veçantë nga Faik Konica dhe organi që ai drejtonte. Shumë shpejt me sistemin shkrimor të kësaj shoqërie, revista "Albania" gjet një gjuhë të përbashkët duke njehsuar të dy alfabetet. E kjo u arrit në fundin e vitit 1904.

Edhe At Justin Rrota, për vlerat e kësaj shoqërie dhe të alfabetit të saj, shkuante: "Ishte e para herë, qi në gji të Shqypnis, ende nën zgjedhën otomane, themelohej ballafaqe nji shoqni për t'u marrë sitematikisht me çështjen e shqypes... Alfabeti në fjalë, me gjithë mungesë të pikpamjes shkencore qi mund të kishte në vetvedi, kje fort praktik; për të parën herë librat shqyp mund të shtypeshin gjithkund ndër shtypshkronjat mbrënda e jashtë Shqypnijet." [4]

Në gusht të vitit 1908, shoqëria "Bashkimi" shpërndau një deklaratë, ku shënonte veprat që kishte botuar gjatë periudhës së ekzistencës prej 10 vjetësh, duke vënë në dukje edhe përparësitë e alfabetit të saj. Me këtë donte t'i tregonte opinionit të kohës vlerat e kësaj shoqërie, veçanërisht në fushë të alfabetit.

Cilat ishin botimet e para të shoqërisë "Bashkimi"?


Dy janë botimet që qarkulluan pak kohë pas themelimit të saj: "Abetari i citun prej shoqniet t'Bashkimit të giuhës shqype" dhe "Oroe përmbi shqyp" [5]. Të dy këto vepra, ndonëse jo me shumë faqe, do të shërbenin jo vetëm për mësimin e gjuhës shqipe, por edhe për përhapjen e alfabetit të shoqërisë "Bashkimi". Gjatë një periudhe 10-vjeçare (1899-1908) shoqëria "Bashkimi" botoi 32 vepra, kryesisht të anëtarëve të saj. Dom Ndoc Nikaj jep këtë listë botimesh:

  1. Oroe përmbi abetar shqyp.
  2. Abetari.
  3. Knnojtarja e parë.
  4. Knnojtarja e dytë.
  5. Knnojtarja e tretë.
  6. Msime t'kshtena.
  7. T'nnollunat shenjtë.
  8. Dheshkroja.
  9. Grammatika.
  10. Numërtorja.
  11. Abetari (Napoli).
  12. Knnojtorja e parë (Napoli).
  13. Msime t'Kshtêna, pjesa e parë (Napoli).
  14. Msime t'Kshtêna pjesa e dytë (Napoli).
  15. Kalendari "Shqyptari", 1904.
  16. Kalendari "Shqyptari", 1905.
  17. Kalendari "Shqyptari", 1906.
  18. Kalendari "Shqyptari", 1907.
  19. Kalendari "Shqyptari", 1908.
  20. Historija e Shqypniis e Dom Ndoc Nikaj.
  21. Historija e Turkiis e Dom Ndoc Nikajt.
  22. Lahuta e Malcis (Pjesa e dytë - Marash Utsi).
  23. Lahuta e Malcis (Pjesa e dytë - Oso Kuka).
  24. Anzat e Parnasit e At Gjergj Fishtës.
  25. Bulku.
  26. "Vargënimi" i L. Gurakuqit.
  27. Mili e Haidhia.
  28. Fjalorthi i Luigj Gurakuqit.
  29. Fjalori i gjuhës shqype (Dom Dodë Koleci).
  30. Bleta e re e Ndoc Nikajt.
  31. Vjershat e përshpirtshme të At Gjergj Fishtës.
  32. Komsia e Klerit katolik e At Gjergj Fishtës.

Por ndër veprat më të mira në fushën e gjuhës shqipe mbetet fjalori, vepër me vlera të veçanta leksikografike për kohën. Ai titullohet: "Fjaluer i ri i shqypes përbaam prei Shoqniiet t'Bashkimit", fjalor dygjjuhësh shqip-italisht që së bashku me shtesat përmbledh 13798 fjalë dhe botohej vetëm nëntë vjet pas krijimit të shoqërisë "Bashkimi", më 1908. Vepra mund të konsiderohet vepër e përbashkët, mbasi aty kanë dhënë kontribut disa autorë si Dom Ndoc Nikaj, Dom Mark Shllaku etj. Megjithatë, bibliografë e studiues të ndryshëm ia japin autorësinë Imzot Dodë Kolecit.

Por edhe Fishta duhet të ketë kontribuar në këtë fjalor. Në radhë të parë, një burim i mirë për autorët e fjalorit ka qënë edhe vepra e poetit të "Lahutës", me ato botime që kishte realizuar, më 1905 dhe 1907, respektivisht "Te Ura e Rzhanicës" dhe "Anzat e Parnasit", si dhe në shkrimet e botuara në shtypin e kohës. Fishta ndoshta nuk është marrë drejtpërsëdrejti me hartimin e tij, por ai i dha edhe një pjesë të fjalorit të veprës së tij dhe të ligjërimit popullor.

Nuk kaluan vetëm dy vjet nga themelimi i shoqërisë "Bashkimi", kur, po në Shkodër, u krijua një shoqëri tjetër, shoqëria "Agimi" (1901). Themelues qe poeti Dom Ndre Mjedja, i përkrahur edhe nga vëllai Imzot Lazër Mjedja. Një ndër qëllimet e saj ishte hartimi i një alfabeti të ri pa dyshkronjësha, por me shenja diakritike. Shoqëria "Agimi" me këtë alfabet botoi rreth 25 tekste të ndryshme për shkollat fillore katolike, kalendarin "Dija" (1906), fletoren "Dashamiri" (1908), etj. Por hartimi i një alfabeti të tillë shkaktoi mosmarrëveshje me shoqërinë "Bashkimi", mbasi ato zbatonin kritere të tjera për këtë problem. Megjithatë, pavarësisht nga kontradiktat, ato vazhduan punën paralelisht deri në vitin 1908.

Shoqëria "Bashkimi", duke pasur përkrahës, u njoh si një shoqëri me vlera dhe për këtë u ftua në Kongresin e Manastirit, ku si delegat u dërgua At Gjergj Fishta dhe Luigj Gurakuqi. Fishta luajti një rol të veçantë dhe arriti të zgjidhej kryetar i komisionit të hartimit të alfabetit të shqipes. Delegatët e ngarkuan me një detyrë të tillë për erudicionin e thellë, kulturën e gjërë, forcën e fjalës, mendjen e mprehtë dhe logjikën e fortë. Poeti ynë tashmë kishte bërë emër jo vetëm në Veri, por edhe në Jug. Edhe sistemi shkrimor i kësaj shoqërie pati ndikim te zgjidhja përfundimtare e alfabetit që u miratua në Kongresin e Manastirit. Kështu, alfabeti i sotëm u udhëhoq nga parimi i zbatuar në alfabetin e shoqërisë "Bashkimi", i përfaqësuar nga At Gjergj Fishta, në përdorimin e dyshkronjëshave, që patjetër ka luajtur rol vendimtar.

Shoqëria "Bashkimi" me punën dhe botimet që kreu, i dha një nxitje lëvrimit të gjuhës shqipe dhe zhvillimit të letërsisë dhe tekstologjisë shqiptare.

Nga Prof. Dr. Tomor Osmani

Referenca:

1. N. N. D. (D. Ndoc Nikaj), Shoqnija "Bashkimi", "Hylli i Dritës", nr. 12, 1938, fq. 69.
2. D. Ndoc Nikaj, Kujtime të nji jetes të kalueme. Trazim jete (dorëshkrim), Ruhet në Arkivin e Bibliotekës së Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi".
3. Shih: T. Osmani, Udha e shkronjave shqipe, Shkodër, 1999.
4. J. Rrota, Për historinë e alfabetit shqyp, Shkodër, 1936, fq. 80.
5. Shih: T. Osmani, Shoqëria "Bashkimi" dhe ndihmesat e saj për lëvrimin e gjuhës shqipe, "Gjuha jonë", nr. 1-2, 1999, fq. 94-100.
6. N. N. D. Shoqnija "Bashkimi"... fq. 691-692.

COMMENTS