Koha e Lules.., Martin Camaj

martin camaj
Sonte më lajmruen se ka vdekë nji njerí
prandej jam i trishtueshëm, Lule.

Dashunija âsht e vetmja shtyllë guri
kur andej gardhit fluturojnë
shëgjetat e akullit.

Dy zemra bashkë janë mâ rrufeprojse
se dy shpata tû për tû
me teha përjashta.

Ideja e sosjes, Lule,
kur je ti pranë ik si shpend i egër
andej kah vjen terri.

II

Të zit e synit tand nuk due
ta ndeshi në shtiqet e ngushta.

Flakën e synit ta due mes fushës
e zemrën tande mollë,
të ndêmun në degë, në naltsin
e krahut prej tokës.

Mos bzâj para muzgut
të njerzishëm në fushë
e erës zemërgjanë
që përqafon çdo maje bari.

Lule, hiqe pëlhurën e zbetë prej hanës
e shtroje për tokë.

III

Sy tú, lule-kadife, nuk njohin
pagjen. Mos bjer me vehte vérin e Nordit
por zjarm që ta rrisim bashkë
në kët natë të gjatë.

Lule, dashunija
rrin këtu derisa hana të jesë
përballë zjarmeve tonë
e drita e agimit të shkrijë
gacën e mbrame!

IV

Ti je në zemër teme
e me zâ s'mund të thom
qetsinë e ndjenjes mos të prishi.

Zanin tand e njoh mes tingujve
të njimij currilave.

Vjollca që nis me çelë
i ka fletzat e njoma e të zbardhemta.
Ashtu dhe buza jote e mëngjestë.

Ti mbas vetullave ke hijen e hyllit
që zbulon vetëm nji faqe
dhe shpresa eme me trajtën e siluetës sate
në duer vuen ndër dhimba,
ndoshta për vdekje.

V

Ndjesitë e mia rrjedhin e humbin
në buzqeshjen tande t'idhtë.

Çohen njimij zâne
- shpatza badrash të pjekuna -
kur dëshirave u thue jo
përmbrenda. Mandej vjen shiu
e majet e badrave zbuten.

Mes flokëve të zèz e vetullave
e ndali shikimin
për të gjetun fillin e të vetmes poezi
të kësaj moshe seme djegagure.

VI

Ashkël jam, Lule,
e shetis prej vendi në vend
i shtymë nga murrlâne, shum.

Kur ndalem këqyri në vehte
e shoh fëtyrën tande e para meje
shtiqe me oleandra anash.

Tre hapa mbas
shtrîhet nji tokë e djegun
me gûr e shkambij në pa skâj.

Eja përsri në mëngjes.

Po erdhe ti, në vend të kallijve t'djegun
kah rrâjt dalin filiza të rij.

VII

Në kohën e kangës së qokthit
drita e synit t'nji hylli
ra meteor në mue
e ndriti fëtyrën tande:
ishte mallkimi i atij që lindi natën!

Kalorës i shtigjeve t'ngushta,
kurr ma s'do ta përkas
agimin e flokve tú.

Udhtoj me hijet e natës së vonë
e shoh gishtat tú që mbyllin
fletën e bardhë t'nji jete.

COMMENTS