Mithat Araniti (1912-1992)

Mit'hat Araniti (15 mars 1912 - nëntor 1992) përktheu veprat kryesore të studimeve shqiptare, por puna e tij mbeti anonime sepse emri i tij nuk u shkrua kurrë në faqet e librave, edhe pse librat në fjalë ende sot janë duke u përdorur për hulumtime akademike. Ai kaloi dyzet vjet duke përkthyer me qindra vëllime të gjata, fjalorë dhe studime nga autorë të hershëm dhe bashkëkohorë nga të gjitha gjuhët e huaja që ai njihte. Ishte ai që bëri të njohur veprat akademike të Mayer, Russu, Krahe, Stipčević, De Simone, Jokl, Praschniker, Hahn, Šufflay, Walde dhe Pokorny duke u dhënë dijetarëve shqiptarë një pasuri të pakrahasueshme informacioni mbi arkeologjinë, numizmatikën, ilireologjinë dhe etimologjinë etj. Muzetë në Durrës dhe Tiranë kanë në zotërim mbi 250 dorëshkrime të veprave të përkthyera. Në vitet '30 ka qenë korispondent i të përjavshmes "Illyria" dhe i të përmuajshmes "Perpjekja Shqiptare". Ai u arrestua me babanë dhe vëllain e tij më 1944, duke u bërë kështu një nga viktimat e para të terrorizmit komunist. Araniti kaloi dhjetë vjet burg dhe disa vjet të tjerë në internim.
Për kontributin e përkthyesit, publicistit dhe letrarit Mithat Araniti u hodh dritë më 2012-n, në Simpoziumin Shkencor të organizuar nga Istituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të komunizmit në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së tij.
Disa nga veprat e përkthyera nga Mit'hat Araniti jane: "Gjuha e ilirëve" e Majerit, 1957; "Onomastika Dardane" e Papazoglusë, 1964; "Epigrafia antike" e Todorovës", 1969; "Fjalori etimologjik i gjuhëve indoeuropiane" me tre vëllime i etimologëve Alois Walde dhe Julius Pokorny; etj.

Mithat Araniti Mit'hat

Poezi nga Mit'hat Araniti


NDAJNATË

Ndajnatë, kur mbi natyrë zë ungjet tis' i muzgut
Dhe tej nga horizonti ndezur, flakëruar
Mijëngjyrash në venitje, diell' i perënduar
Hedh një lamtumirë mbi kangjellat e burgut,

Një ndjenjë e paemër, diçka si dhembshuri,
Si ngjyrat në venitje, e vakët, pa caktim,
Për dritën që po vdes, për ditën në mbarim,
Thuaj shpresa ime e fundit, më shtrëngon në gji.

Por vetëm për një çast, se thellë në shpirtin tim,
Një flakë që s'është shuar, një flakë që përvëlon,
Ushqen një tjetër ndjenjë, ushqen një besim!

Pandalshëm do vijë dita, më kot errësira vuan;
Si diell' i perënduar, që diell përsëri agon,
Ashtu dhe flakën time s'ka natë që e shuan...

HYMN

Mure, mure, rreth e rrotull mure.
Tiran, pregadite varrin e lirisë,
Hekur, hekur, kudo hekur thure.
Tiran, prangat i farkove njerëzisë.

Pandehe të shuash etjen për liri,
Frymën që ushqen në botë çdo krijesë,
Gjënë më të shenjtë që ka çdo njeri
Dhe për hir të asaj që pranon të vdesë.

Mure, mure rreth e rrotull mure.
Tiran fuqizove etjen për liri.
Hekur, hekur kudo hekur thure,
Tiran, u dhe shkas fatosave të ri.

Aq sa mundet era të pushojë zjarrin,
Sa mërgimi mallin që kemi në gji,
Po aq mundën prangat shpresën të na marrin,
Të na shuajnë etjen, etjen për liri.

Mure, mure, rreth e rrotull mure,
Tiranë do rrafshohen një ditë me tërbim.
Hekur, hekur, kudo hekur thure;
Tiranë do shpërthehen një ditë me rrëmbim.

At'herë do buçasë kënga e lirisë
Në çdo kënd të botës, kudo që të jetë.
Pa mure, pa pranga, pa frik'n e robrisë
Njeriu do të jetë njeri i vërtetë!

ÇASTE BURGU

Me kaltërsin' e qetë të syve t'tu një ditë,
Me kaltërsinë e thellë si det' i qetë në maj,
Më buzëqeshe ëmbël me zemër të pafaj,
Sikur të ishe ëngjëll përftuar hije-dritë.

Me rradhë ditë të tjera kaluan një nga një,
Në rrjedhën e pamatë të kohës pa mbarim,
Porsi nji çast i vetëm në tërë kët' amshim,
Një buzëqeshje e vetme dhe tjetër asgjë.

Të di nëse krahrori të rreh gjithmonë për mua
A vallë në zemrën tënde një tjetër ndjenjë u zgjua,
Në çastet ëndërrimtare mendimin s'ma mundon.

Në kaltërsinë e ëmbël të syve t'tu të qetë,
Në buzëqeshjen tënde që prap më kthen në jetë,
unë prehem dhe gëzoj. Më shpirti s'më kërkon!

RREZE DIELLI

Lehtë, drithëruar, sikur ta ketë ndjerë
Që edhe ajri i mbyllur brenda kësaj qelie,
Është ajr' i dënuar, i çveshur çdo lirie,
Dhe ka shok të vetëm një njeri të mjërë.

Nga dritarja ime, nga dritarja vrimë,
Lart atje mbi mure sa s'arrin me dorë,
Nëpër gardhin e hekurt thurur tërë katrorë,
Hyn një rreze dielli dhe ngroh shpirtin tim.

Mes mureve të ftohta, hapësirës plot lag'shti,
Udhë-tymi kaltëruar, pluhur i praruar
Shkon, dhe përkundruall, mbi murin e shkretuar
Katrori i ndezur ar, shkëlqen plot magji.

Ndarë nga bot'e tërë, në heshtjen e vetmisë,
Larg zërave të dashur, fytyrave që dua,
Larg çdo rrahje zemre që rreh dhe për mua
Mes hijeve të ftohta, mes mureve të qelisë

Një valë mallëngjimi më rrëmben fuqishëm
Dhe tretem në soditje. Dalëngadalë pastaj
Mendja m'arratiset dhe lehtë mbi krah't e saj
Lëshohem në hapësirë, e bredhërij hareshëm...

TUFAN

Potershëm përjashta tufani tërbon
në natën e zezë si shpirt' i njeriut
dhe degët kërcasin si zë që rënkon
të fshikur furishëm prej erës dhe shiut.

Me rradhë një nga një tërë dritat u shuan
dhe terri tmerronjës ka rënë mbi qytet,
një dritëz e vetme akoma po ruan
dhe ngrohët ngushllon me flakën e vet.

E njëjtë një dritë këtu brenda përgjon
dhe mes nji tufani keq epshesh shpërthyer,
simbolesh mposhtur, të ndrisë vazhdon.

Në mijëra kraharorë rri ndezur kjo dritë
që terri s'ka shojtur, rënkimet ushqyer
jan' mijëra krahërorë që presin nji ditë.

Veprat e panjohura të Mithat Aranitit


nga Prof Dr. Skënder Muça

Çfarë e ka lidhur Mithat Aranitin, një i burgosur politik, me shkencat kryesore të albanologjisë: gjuhësinë, historinë dhe arkeologjinë? Atje në barakën e fshatit Dushk, në netët pas punës në bujqësi, kanë kaluar në dorën e tij shumë e shumë autorë duke filluar me veprën Lousis Benlcew, "Greqia pas grekëve". Studime linguistike dhe etnografike. Pellazgët, lelegët, semitët dhe jonianët, të vitit 1877 dhe ta mbyllë në vitet e fundit të jetës së tij me materialet e Simpoziumit të Nishit të vitit 1989 kushtuar popullsive Paleoballkanike. Ashtu siç shprehet në hyrjen e tij L. Benlcew: "Duke filluar punën time, së pari kam menduar të trajtojë thjesht një çështje linguistike dhe etnografike, por jam gjendur vazhdimisht nën trysninë drithëruese për çështjen e një kombësie. Dhe cila kombësi? Më e vjetra e kontinentit tonë, së bashku me atë të baskëve dhe shqiptarëve".

Nga një vështrim i shpejtë i titujve të përkthyer sheh se ato të gjitha, kush më shumë e kush më pak, ishin një dritare drite që ndihmonin për të ndriçuar rrugën e gjatë nëpër të cilin ka kaluar kombi shqiptar ndër shekuj. Patriotizmi që ai e kishte trashëguar nga familja, si dhe dashuria e tij për kulturën, dhe jo ato shumë qesharake lekësh që paguheshin, kanë qenë shtysa për të përkthyer atë numër të madh librash dhe artikujsh.

Larmia e fushave që ndeshet në përkthime është aq e madhe dhe kjo kërkonte që në tavolinën e punës të kishte jo vetëm një njohës të zot të gjuhëve gjermanisht, frëngjisht, serbokroatisht, italisht, rusisht, rumanisht, por dhe një njohës shumë të mirë të shkencave përkatëse. Nëse gjuhësia dhe historia ishin të njohura dhe të lëvruara edhe në shqip, arkeologjia në vitet '60 ishte akoma në hapat e saj të para dhe mungonte terminologjia përkatëse. Le të mendojmë për një çast shoqërinë njerëzore, që nga përdorimi i veglave prej stralli tek larmia e veglave që përdorin artizanët, nga ai i përpunimit të gurit deri te prerësi monedhave; nga piktura shkëmbore e njeriut të epokës së gurit deri tek piktura në një nga kishat bizantine; nga vazot e pikturuara të neolitit tek vazot mesjetare me glazurë, nga figurinat që paraqesin gruan nënë të periudhës së gurit te përshkrimi i një togati romak; nga maskat prej ari tek zbukurimeve të bëra në prodhimet prej ari dhe argjendi të popujve nomadë të fillim mesjetës, nga paleobotanika tek paleozoologjia, nga paleontologjia tek petrografia, nga analiza e karbonit C-14 tek poleni. Dhe nëse do të vazhdonim të numëronim akoma, lista do të ishte shumë e gjatë. Pjesa më e madhe e përkthimeve, megjithëse të kërkuara nga punonjës shkencorë të ndryshëm në UT dhe më pas të ASH, për një kohë të gjatë janë porositur nga drejtori i Muzeut Arkeologjik të Durrësit, Vangjel Toçi, të daktilografuara zakonisht në katër kopje, janë bërë pjesë e fondeve të Bibliotekave Shkencore, së pari të UT dhe më pas të Akademisë së Shkencave. Krahas porosive të bëra edhe prej Muzeut Arkeologjik të Durrësit, janë bërë edhe nga Akademia e Shkencave dhe kjo ka vazhduar deri në momentet e fundit të jetës së tij. Për mungesë të emrit të përkthyesit, nga numri i madh i përkthimeve që ka bërë M. Araniti, sot kemi vetëm atë pjesë të dokumentuar në regjistrat e inventarëve të Muzeut Arkeologjik të Durrësit dhe të Institutit të Arkeologjisë. Por dhe ato nuk janë pak, më shumë se 200 tituj. Në të përfshihen studime në fushën e gjuhësisë ilire dhe lidhjet e saj me gjuhët indo-europane, studime të gjuhës mesapishte, fjalor i emrave personalë ilir, emra gjeografikë të lashtë të Ilirisë, onomastika ilire dhe dardane, fjalor krahasues i gjuhëve indo-gjermane, studime mbi onomastikën e lashtë mesdhetare, hyrje në historinë e gjuhës greke, emrat personalë historikë në greqishten.

Në fushën e historisë mund të përmendim "Luftën midis Cezarit dhe Pompeut" në bregdetin lindor të Adriatikut, kërkime ilire shqiptare, mbi territorin e fiseve ilire, organizmi politik i Ilirëve, popullsia dhe shoqëria e provincës romake të Dalmacisë, iliriciteti i popullit shqiptar, etruskët dhe qytetërimi i tyre, qytetërimet egjjeane, kronologjia pre dhe protohistorike, helenizmi i botës antike, etj.

Përkthimet në fushën e arkeologjisë përbëjnë numrin më të madh të bëra prej tij dhe përfshijnë shumë drejtime të saj. Në radhë të parë e zë ajo që quhet arkeologjia e mirëfilltë me studimin e kulturës materiale të periudhave prehistorike, antike dhe mesjetare, më tej ajo që merret me studimin e arkitekturës dhe artit, dhe më pak numizmatika dhe epigrafia greke dhe latine. Më lejoni të përmend disa prej tyre duke filluar së pari me karakteristikat themelore të kulturës materiale të ilirëve në zonën e tyre qendrore, problemi i zonës kufitare të ilirëve, kërkime arkeologjike në Shqipëri dhe në Mal të Zi, studime për anijet ilire, Sanxhaku i Beratit në Shqipëri, rrjeti rrugor romak i provincave Epirus Novo, Shkodra dhe fusha bregdetare e Shqipërisë Veriore, Epirus Vetus, Kalaja mbi Shën Erazm, buzë Liqenit të Ohrit, prehistoria e vendeve jugosllave, periudha neolitike, Evropa e vjetër, zhvillimi i kulturave dhe popujve të saj, kontribut për dokumentimin arkeologjik të dyndjeve egjeane. Studime mbi kohën e gurit dhe bakrit në Ballkanin veriperëndimor, gërmime në prehistorinë e Thesalisë, disa probleme prehistorike maqedonase, qyteti dhe territori i tij në Magnia Grecia, Halshati në Maqedoni, vendbanimet prehistorike të Vojvodinës, stavionte prehistorike të Molfetas, studime për mozaikun në Jugosllavi dhe në Greqi, piktura greke e vazove, monumentet kristiane të hershme në truallin e Maqedonisë, punime të zbukurimeve prej Bronzi të mijëvjeçarit të parë p.Kr., flijime njerëzore dhe gjurmë kanibalizmi tek disa fise të lashta të Ballkanit-meikët dhe skordiskët, Heraklea dhe Pelagonia, kolonia isajane në Korçula (Kroaci). Rrjeti rrugor romak, arkeologjia nënujore dhe historia ekonomike galeze, gjilpërat prej kocke, gjilpërat prej bronzi, sarkofagët romakë, kronologjia e amforave romake të periudhës romake, monumente kulturore dhe historike në Arbanasi (Zara), etj.

Ka përkthyer gati të gjithë veprat e shkruara në gjuhën gjermane që flasin për ilirët dhe shqiptarët: Paç, M. Mayer, Prashniker, Afwldi, Shober, Hahn, Veith, Walde, Jokli, H. Krahe, Stadmuller, Thaloçi, A. Mayer, Klaus dhe Ima Kilian, Koh, etj. Po ashtu ka dhënë një kontribut shumë të madh për përkthimin nga gjuha serbokroatisht ku mund të përmendim disa nga autorët kryesorë: Shuflai, Benac, Grarashanin, Çoviç, Mariç, Rendiç-Mioceviç, Katiçiç, Bariç, Stipceviç, Papazoglu, Çershkov, Bitrakova-Grozdanova, Milojçic, etj. Një vend të rëndësishëm zënë edhe përkthimet në gjuhën italiane: Ugolini, C. De Simone, dhe shumë të tjerë; Nga anglishtja: Hamond; nga rumanishtja Russu: nga frëngjishtja: P. Cbanes, R. Zhinuvie, etj. Së fundi, pa veprat e tij kushtuar gjuhës shqipe dhe asaj paraardhëse ilire, trashëgimisë arkeologjike jo vetëm të ilirëve por edhe të popujve të tjerë fqinj me ta, shkenca albanologjike shqiptare do të kishte hasur vështirësi në rrugën e zhvillimit të saj.

COMMENTS