Naim Frashëri - Qerbelaja, kap. 2

Poema Qerbelaja, kapitulli 2 - nga Naim Frashëri


Njerëzitë gjith' u-mblodhë,
Alinë të-par' e xgjodhë,
edhe Telhaj Zyberë
e gjithë burrat e tjerë
thanë: të vëmë Alinë,
e të zemë njerëzinë,
gjithë kush dorë të marë,
e t' a kemi për të parë.
Aliu, mua më ndjeni,
u tha, një tjetrë të gjeni,
në këtë punë s' i qeshi,
me të-vërtetë s' e deshi,
po e-tërë bota donte,
këtë barrë t' ja ngarkonte.
Kshu umbloth' e u-përmblodhë,
barrënë siprë j' a hodhë,
edhe Telhaj me Zyberë
dhe gjithë shokët e-tjerë,
thanë: Puna s' vete mbarë
po s' vum' Alinë të parë.
Ata të-tërë kshu thanë,
Ajy tha: vini Telhanë.
Telhaj tha: Përpara teje
s' dal, mos kini shpresë meje.
Ajy tha: vini Zyberë,
pa ka dhe shumë të-tjerë;
kë të doni, atë vini,
u lutem, mua më lini,
unë nga gjithë më parë
dorën e tij duke marë
dota kem mik e mi krye.
Maliq-Eshteri ju kthye,
tha: Është jotja kjo punë,
pas fjalësë, që di unë
mëmëdhenë mos e lerë
të prishet far' e të bjerë,
nuk' e la në dorët t' ënë,
m' i-pari ynë, ç' ka thënë?
punën e drothm e përdrothmë
degë më degë e hothmë,
gjer sa hynë djallëzitë,
na prunë më këtë ditë!
punës pse i rri i-huaj?
kë, pret t' a bënj as më thuaj!
s' sheh se ç' bëri ligësija?
e qysh u-bë Arabija?
Nga vdekj' e të parit t'ënë
vjet njëzet e pes u-bënë.
bota nga dale po vinë
në rripë e në greminë;
puna jon' u-çkatërrye,
edhe fat i-bardhë u-thye.
Gjithë ç' bëmë dëm na-vanë,
ligësitë në shesht janë,
puna, q' është marë xvarë
të mos përmbysetë fare.
Po s' more ti parësinë
dot' a qajmë Arabinë,
se nuk' i lë ligësija
e rremja e dhelpërija,
djallëzit' e marrëzitë,
të qasenë mirësitë!
Nuk' s' bëjnë dot të-tjerë,
pa të hysh ti këtë herë
ka nevojë njerëzija
tani ti dhe Perëndija!
Puna 'shtë më qaf t' ënde,
ç' të kanë thënë, përmënde!
në na lënç dhe këtë herë,
neve vamë në skëterrë,
gënjeshtrë të-madhe ngjallë,
se-vërtetës t' i kesh mallë!
po s' të vumë ty të parë
ne djalli do të na marë!
epna dorënë t' a zëmë,
se ne tjetrë njeri s' vëmë.
Kështu tha Maliq-Eshteri,
pa Telhaj edhe Zyberi
u lëshuan me një herë
edhe të-tjer' e të-tjerë,
e tërë ç' ish njerëzija
muarrë dorën e tija;
gjithë dorë duke marë,
e bën' Alinë të-parë;
barrënë siprë ja shtunë
Aliut me të-përdhunë.
P' ajy s' e doj madhërinë,
kish të bën me Perëndinë,
gjithënjë në këtë jetë
ishte me zotn' e-vërtetë,
kishte mik varfërinë,
e kish t' ulëtë shtëpinë,
madhërinë nuk' e donte,
përpara njeriu s' shkonte,
makutësin' e përzinte,
lakmimetë s' i dinte
të-varfëritë kujtonte,
edhe qant' e afëronte
në prakt të tij kushdo shkelte,
duar-thatë nukë delte,
e prishte gjën' e shtëpinë,
për t' ushqyer varfërinë,
dhe shpirtinë t' i kërkonin,
kurrë, jo, nukë dëgjonin,
një të dij, që s' ha një ditë,
s'vinte në gojë kafshitë;
kujdo i flit me të-mirë,
dhe me shumë ëmblësirë,
njeriu edhe t' a shante,
kurr' ajy mëri s' i mbante
gjithë ç' është njerëzija
ishte fëmijëz e-tija,
për ç' do njeri kish mëshirë,
dhe kujdo i bënte mirë.
Armik kurrë nukë kishte,
me gjithë botën mik ishte,
punonte për Perëndinë,
duke dashurë njerinë,
Perëndin' atje e gjente,
ajo udhë i pëlqente.
Diturija, njerëzija,
miqësija, dashurija,
urtësitë, mirësitë,
të gjitha ishin të titë,
ashtu edhe trimërija
ish e-tërë gjë e-tija.
Djallëzitë, ligësitë,
pabesitë, marrëzitë,
kurrë afërë s' i shkonin,
ëngjëllitë ja mërgonin
thua q' ish Zot i vërtetë
çfaqurë në këtë jetë.
Aliu kishte dëshirë,
që të bij ditën' e-mirë,
të vij ligë njerëzinë
edhe besë urtësinë.
Mëndj' e tij ish shum' e-lartë,
nukë shkruhetë në kartë!
Po njerëzit' e Mervanit,
fara e fis' i Syfjanit
përsipër e kishin marë,
sicili ish bër' i parë,
gjithëkush mbret ishte bërë,
edhe të-rëndë të-tërë
pa njëri nukë peshonin,
e fjalë nukë dëgjonin.
Po m' i-lik edhe m' i-ndyrë
dhe më djall e me myxyrë,
gjithë ligësija vetë,
që s' kishte gjë të-vërtetë,
q' e përmbysi mirësinë,
la për jetë djallëzinë
ishte i bir' i Syfjanit
m' i dashuri i-Mervanit,
Mavijeja pastë nëmë
që ishte myxyr' e gjëmë!
ish i-lik e i pabesë,
pej njerëzije s' kish pjesë
djalli vet ish faqe-ziu
me fytyrë pej njeriu!
mbledhur gjithë djallëzitë,
e të-tëra ligësitë
m' atë fytyrë të-ndyrë,
popo! e-madhe myxyrë!
Aliu ish e-vërteta,
që mbahetë soje jeta,
ishte vetë njerëzija,
q' atje është Perëndija;
Mavijeja nj' egërsirë,
shpirt-errët e pamëshirë,
ish i-rënd e i-mërzitur,
i paudh' e i-mahnitur,
s' donte të shih njeri mirë,
për të-liga kish dëshirë,
kët' armikn' e Perëndisë,
dëmëtar e njerëzisë
kush e nxori pej skëterre.
Zot i-math! ti pse t' a lere
kush e pru, q' ish i-përzënë?
ti, o shtrig o moj e-thënë!
Zot i-math e i-vërtetë!
dëm i-math u-bë në jetë!
Mavijeja marrëzitë,
dhelpërit' e ligësitë,
dhe djajtë të gjith i mblodhi,
punënë në mest e hodhi,
pa ata të-tërë ç' qenë
një ngajë mezi e gjenë!
u-ngrinë far' e Syfjanit,
kërkonin gjakn' e Osmanit.
Thoshin, Aliu t' a marë,
andaj e vumë të-parë.
Nuk' e doninë Alinë,
se s' e vrau njerëzinë!
Gjaku nga kush duhej marë?
Kë të vrisninë më parë?
Mavijenë dhe Mervanë,
q' e ngatëruan' Osmanë,
ata të dy djajt e-ndyrë
e prunë atë myxyrë!
Në shtek ish gjaku i-shkretë,
pa nuk' ish fjal' e-vërtetë
se Syfjanasit e vranë,
edhe pun' e tij, Osmanë.
Aliu njerës të-mirë
me mënt shum' e me mëshirë
xgjodhi e i vu në punë,
po të shumët ja përzunë!
se fare turp s' kishte mbetur,
i vërtetë kishte vdekur!
gënjeshtra mbretëronte,
dhe djallëzija gjykonte
bota u-bë e pabesë
për shtëpit' të Fatimesë!
Shumë të këqija bënë
popo! mos u qoftë thënë!
Pas vdekjes së Hadizhesë
nga vashat e Medinesë
Muhammeti punë-mbarë
dhe gra të-tjera kish marë,
një ng' ato ish Ajisheja
q' e gënjeu Mavijeja;
m' e-rënd' ish nga gjithë gratë
Ebabeqir' e pat atë.
Fatimeja kishte shkuar,
pas t' et më s' kishte mënuar
gjalljen pas Ati s' e deshi,
dhe më buza nuk' i qeshi!
I la fëmijënë krerë
Zonj' e-madh' e shum' e-ndjerë
Atë breng' aqe të-gjatë
t' a hiq dita, bëhej natë!
dhe e dinte Fatimeja
ç' do të bënte Mavijeja!
Aliu për Fatimenë
dhe Hasani me Hysenë
qan' e gjithë njerëzija,
pa jetën' e mbuloj zija!
O mëma jon' e vërtetë!
të qofshim falë për jetë!
ç' zëmërë të-bardhë pate!
të-keqen e baltës s' ate!
Atë q' e do Perëndija,
i ep shumë të-këqija!
shih Ibrahimn' e Musanë,
dhe Merjemen edhe Isanë
Isufnë dhe Jakupnë,
e të-varfërin Ejupnë,
dhe Dautn' e Sylejmanë
Zequrjan' e Jahjanë!
dhe Mensur' e Nesiminë,
e Myhjiddin-Arabinë!
për njerinë u-përpoqnë,
nga njeriu brengë hoqnë!
s'ja mer mëndja njerëzisë
punërat' e Perëndisë!
Ish martuar tjatrë herë
Aliu dhe djem të-tjerë
kishte, si Abas Alinë,
si Muhammet-Hanifinë,
edhe të tjer' e të-tjerë
burra të mir' e të-ndjerë.
Ngrihet' atje djallëzija
e gjettë nga Perëndija!
mer fytyrën' e Nymanit
edhe fjalët' e Mervanit
le qytetn' e Medinesë,
i derdhetë Mavijesë,
vate n' atë Shamt të-shkretë
djallëzija vet' e-qetë,
mer dhe linjën' e Osmanit,
ja sjell të birt të Syfjanit!
Linjënë në shesht e nxjerrin,
e të-rreme shumë tjerrin,
nden linjënë e Osmanit
vetë i-bir' i-Syfjanit,
dhe zë e lëvdon Osmanë
edhe shokët' e Mervanë
bota qajn' e më s' pushojnë!
edhe gjakn' e tij kërkojnë!
Pa i dërgon Ajishesë
nj' a dy a tre të-pabesë.
Si e mësoj Mavijeja,
del në Meqe Ajisheja,
edhe xegit njerëzinë,
bint të-tër ata, që s' dinë,
dhe kërkon gjakn' e Osmanit!
si tha i-bir' i-Syfjanit!
Ngrihetë djalli më këmbë,
e ha njerëzit me dhëmbë!
edhe Telhaj me Zyberë,
me dy tre shokë të tjerë
ikinë nga Medineja,
ashtu u tha Mavijeja,
në Basrë ngrihen' e venë!
marrënë dhe Ajishenë!
lenë besënë më nj' anë,
edhe fjalënë, që dhanë!
Po ajo zëmëra trime
s' bije fare në shtërngime
as prishetë as ngushtohet,
nga njerëzija s' mërgohet.
Është ngriturë rremeti,
sicili hiqet si mbreti,
kanë zënë marrëzinë,
lëftojnë me Perëndinë!
Aliu nukë lëftonte
me urtësi doj t' i shtronte
po armikëtë s' dëgjonin,
urtësinë nuk' e donin.
Ajy kish shumë dëshirë,
t' i vij në udhë të-mirë,
po ishin të-pabesë
gjithë miqt' e Mavijesë,
e kishinë me të dhënë,
me të mar' e me të ngrënë,
me të rrjepur varfërinë,
andaj s' e donin Alinë!
Ajy i mbante si shokë,
edhe miq e përmbi kokë,
ata e kishin me frikë,
edhe me kordh' e me thikë!
Mavijeja njeri s' donte,
e njeri nukë peshonte
po ng' ajy qen' i-pabesë
të-liqtë kishinë shpresë!
gjithë bota u-mahninë,
kërkoninë robërinë,
i vanë pas Mavijesë
që s' kish njerëzije pjesë!
Njeriu le njerëzinë,
edhe xgjedh makutërinë
mer të-ligën, le të-mirën
le dritën, mer errësirën!
këto i nisi Mervani,
q' e vuri më pun' Osmani.
Ajy ishte i-përzënë,
se trathëtor kishte qënë
s' bënë mirë, që e prunë
e në punëra e vunë.
Foshnjat, kur lintnin qëmoti,
ja sillninë ati Zoti,
që vu lig' e bes' e shpresë,
edhe ligësivet lesë,
e punoj për njerëzinë,
ndritoj gjithë Arabinë,
i-ati i-Fatimesë,
q' i pru njerëzija besë,
i përkëdhelt' e i donte,
i këndont' e i uronte.
Kur lindi, edhe Mervanë
ja pru e-ëma me tànë,
t' a këndont' e t' a uronte,
t' an e t' ëmën t' i gëzonte.
Po me të parë Mervanë,
thirri, mos m' a qasni pranë!
se ky është djalli vetë!
q' është çfaqurë në jetë!
ligësi dotë punonjë,
jetënë dot' a shkretonjë!
e njohu ngah fytyra,
që ishte vetë myxyra! (vazhdo leximin: kap. 3)

Naim Frasheri Naim

COMMENTS