Naim Frashëri - Qerbelaja, kap. 5

qerbelaja naim frasheri

Poema Qerbelaja, kapitulli 5 - nga Naim Frashëri


Më nesëret me gdhirë,
u-ngrit ajy zot' i-mirë,
u-fal me Zotn' e-vërtetë,
dhe hipi e dolli vetë.
Kal' i tij kur hingëlliti,
gjithësinë e trënditi!
U-tremp shumë nga dyldyli
Mavije zëmërë-fyli,
se s' e kish parë më parë
përmbi krye Zylfikarë!
aqë shumë ju-tremp syri,
sa brenda në tendët hyri,
dhjetë mijë e rrethuan,
me kordhë në dor' e ruan,
sillni, tha, kalën të hipënj,
se më s' ri dot, po dot' ikënj!
Si ljepuri ishte bërë,
edhe po dridhej i-tërë!
Amri pej krahu e zuri,
e me vrap në vënt e vuri,
i tha: pa qëndro një herë,
Aliu s' vjen të na bjerë,
Mavijeja u-qetua,
Aliu u-afërua,
tha: Pa i thoni, të dalë,
se dua t' i them dy fjalë,
ku ësht' i bir' i-Syfjanit?
që kërkon gjakn' e Osmanit.
Armikëtë zë s' i bënë
s' gjenin fjalë për të thënë.
Del! tha, pa del! o Mavije!
se unë më tjetër s' shtije.
Neve të dy të lëftojmë,
njerëzinë t' a shpëtojmë,
se s' na ka faj njerëzija,
a e gjeç nga Perëndija!
Mavijeja vdiq nga frika,
s' u-përgjiq se i ra pika.
Dyldyli u-ashpërua,
u-ngjeth edhe u-harbua,
dy, tri herë shkrefëtiti,
e një herë hingëlliti,
papo me vrap u-lëshua,
armiku u-tëmërrua!
gjithë shokëtë u-derdhë,
bashkë me Alinë erdhë,
edhe hyn' e u-përzjenë,
Aliu doj Mavijenë!
pa Maliqi me Averë
dhe të tjerëtë u-therrë!
atë dit' e ata natë
mbretëroj lufta me shpatë
sa u-bë vëndi kënetë!
thoshnje, bije gjak nga retë!
Më nesëret duke gdhirë,
u-ndes prapë lufta mirë!
ushtëri e Mavijesë
më nukë kishinë shpresë,
ikën' e muarrë dhenë,
edh' e lanë Mavijenë.
Pesë-dhjetë mijë u-vranë
të Mavijesë m' at' anë!
dhe këtej njëzet e pesë
mijë ranë miq me besë.
Mavijeja ish qetuar,
rrij si ljepuri mbuluar,
Amrit i thotë, na zunë!
nga të ikim ti dhe unë?
një të-rremë të mejtojmë
mase me atë shpëtojmë!
Amri thirri ushtëtarë!
ne na kanë për të vrarë
po lini shigjet' e pallë,
se po na zënë të-gjallë!
vini mi ushta Kuranë!
se të shumëtë na lanë!
Ata kuranëtë vunë,
dhe ulërimënë zunë!
se ish ahere kurani,
q' e pat mbledhurë Osmani.
Këta e panë kuranë,
edhe luftënë e lanë!
Thanë, ky le të ndanjë
edhe të-liknë t' a shanjë.
Ati ne i prumë besë
zihjen ajy le ta presë!
Aliu tha: O të marrë!
pse s'e bëninë më parë?
kët' e bënë si u-muntnë,
edh' e panë të lik funtnë,
këtu s' ka gjë të-vërtetë,
ësht' e-rremë kjo e shkretë,
sa gjakëra që u-derdhë!
punët gjer këtu sa erdhë
ne me fjalë po kërkonim,
edhe me gjyq të mbaronim,
ata luftënë e zunë,
më këtë shkallë e prunë,
tani gënjeshtërë gjenë,
si e panë, që më s' mbenë,
i besoni Mavijesë!
ka ajy fe edhe besë,
të-rremen Amri e gjeti,
juve mbi atë po pshteti,
e bënë sa të shpëtojnë,
pa prapë do të lëftojnë,
këta juve u-gënjejnë,
e të tilla u rrëfejnë,
po juve mos i besoni,
ngrihi me vrap e lëftoni.
Doni fjal' n' e vërtetë
njeriu është kuran vetë,
besa është në krahruar,
nuk' është në kartë shkruar
kshu njeriu i-vërtetë
tha, dhe hodhi një shigjetë,
po shokët' u-zemëruan
dhe gjith' u-ngrin' e ndaluan!
Pa u tha? qënki të-marrë!
të-tillë njerës s' kam parë!
mezi punën' e mbaruam,
pa me një her' e rrëzuam!
Kshtu u tha. Ata thanë:
S' e godijmë dot kuranë
thirrë dhe Maliq-Eshterë,
t'i ler' e të mos u bjerë!
Kshu thanë, se djallëzitë
na kallë atë ditë!
O moj djallëzi e shkretë!
të shoftë Zot' i vërtetë!
Maliqi dhe po lëftonte,
të-rremetë s' i dëgjonte.
Këta gjith u-zemëruan,
dhe Maliqnë e ndaluan.
Popo! tha Maliq-Eshteri,
e më shpëtoj nga dora derri
do ta zinja Mavijenë
e t' a ngorthnja posi qenë!
Maliqi vjen dhe u thotë:
a u-turpëruat në botë!
si i vram' e si na vranë,
pastaj nxuarrë kuranë!
Unë gjall' s' e kisha lënë!
ç' bët' a mos u qoftë thënë!
derthmë gjak edhe lëftuam,
më së fundi gjë s' fituam!
njerëzin' e gjor' e vramë,
e fajtorëtë i lamë!
qysh u mundi dhelpërija!
e u humbi marëzija!
Kshu u tha Maliq-Eshteri
e me lot qau i-mjeri!
Ata tjatrë fjalë s' thanë,
po s' e godijmë kuranë!
Këta tani po u-falë,
ta gjejmë punën me fjalë!
Maliqi tha: qënka thënë!
s' qënka në dorët t' ënë
t' i bën Zoti s' më haj malli,
po janë punë prej djalli.
Kshu tha trimi dhe pushojti,
pranë Aliut qëndrojti.
Kshu u mahnit ushtërija,
se i hyri djallëzija,
njeri më nukë dëgjonin,
punënë s' e kupëtonin,
gënjeshtrës' i prunë besë,
dhe Amrit e Mavijesë!
Aliu nis pleqësinë,
t' a pyesë faqë-zinë,
punënë si do ta bëjnë,
e ç' mënyrë do të gjejnë.
Kurani qysh do t' i ndanjë,
e të-këqijat t' i lanjë,
dhe fjala ku do të mbesë?
Kshu i thanë Mavijesë.
Mavijeja tha: Ne jemi
vëllezër' e nukë kemi
armiqësi në mes t' ënë,
po kjo punë kshu ish thënë!
Tani dy njerës të vëmë
dhe në dorët t' ua lëmë,
të atyre këtë punë,
papo Amrinë vë unë,
vini dhe ju kë të doni,
po nxitoni, mos mënoni!
Pleqtë u-kthyen' e vanë,
Aliut këto j' a thanë.
Ata q' ishinë të kthyer,
dy të marr' e të gënjyer,
me një herë gjithë thanë,
të vëmë Ebu-Musanë!
Aliu tha: ju të-tërë
at' e dini ç' na ka bërë!
Po ata me të përdhunë
prap Ebu-Musanë vunë!
Hyri në mest t' ushtërisë,
marrëzi e djallëzisë!
njeri më nukë dëgjonin,
bëninë sindëkur donin
e lidhë fjalën' e thanë;
Amri me Ebu-Musanë,
edhe gjithë pleqt' e tjerë,
që janë t' urt' e të-ndjerë,
pas dhjetë-muajsh të mblidhen,
në Xhendel gjithë të hidhen;
ata të dy të gjykojnë,
të-tjerëtë të dëgjojnë;
ata të dy si ta gjejnë
të-tjerëtë t' a pëlqejnë.
Maliqi me shokët s' donin,
po të marrëtë s' dëgjonin!
Aliu tha: kur e thoni,
le të bëhetë si doni,
se unë për ju përpiqem,
mundimitë nuk i hiqem;
po t' a dini këtë punë
nuk' e pëlqenj kurrë unë.
Këto bën' e kështu thanë,
edhe më pastaj u-ndanë.
Në Qofe erdhi Aliu,
në Sham vate faqe-ziu.
Aliu shokët' i ndjeu,
edhe grat' i përdëlleu
që qanin e s' pushonin,
se të-vrarëtë kujtonin
kush të bir' e cila t' anë,
kush të shoqn' a të vëllanë
njëri mikn' a kushërinë,
e sicilido të tinë!
Po ca nga ata, q' u-kthyen,
nga të-marrët q' u-gënjyen,
si erdh' aty u-pendohnë,
fajnë pas kohe e njohnë,
vin' e Alinë' e shtrëngojnë
dhe duanë të lëftojnë!
edhe i thonë të dalë!
Aliu tha: dhamë fjalë,
tani nukë bën t' a kthejmë,
e marrëzi të rrëfejmë,
unë për mirë s' e pashë,
dhe që ahere u thashë;
e bëtë m' të përdhunë,
tani si t' u a bënj unë!
Kështu u tha Zot' i-mirë,
me mëshir' e m' ëmblësirë,
se kishte shumë durime,
ish pa nonjë fare sqime
ajo Zemr' e-bardh' e-mirë,
që ishte plot me mëshirë,
nuk' i qasej ligësisë,
dhelpëris' e djallëzisë.
Këta gjithë krye ngrinë!
donin t' a vrisnin Alinë!
thoshnin: Na la Mavijenë,
të na Mbretëronjë, qenë,
atë qenë e-tërbuar,
njerinë e mallëkuar,
Mavijenë vet e lanë,
dhe më-së-fundi kshu thanë.
Pa këtyre që u-ndanë,
bota të dalë u thanë;
se nga udha kishin dalë,
e kishinë marë malë.
Ishte gjisht' i Mavijesë,
pa u-bënë të-pabesë.
Muajtë e shkretë rrodhë,
bota në Xhendel u mblodhë;
Amri me Ebu-Musanë
nga gjithë shokët u-ndanë,
bashkë më një tendë hynë,
shoku shoknë nga dish mbynë
dhan' e muarr' e u-zunë,
Amri thosh: Të bëhem unë
a t' ja lemë Mavijesë,
dhe puna këtu të mbesë!
Kët' Ebu-Musaj s' e deshi,
po dhelpëra plak' e qeshi,
i tha: Të nxjerrim Alinë,
dhe Mavije faqe-zinë,
të mblidhetë pleqësija,
edhe gjithë njerëzija,
kë të duanë të vënë,
dhe në parësit t' a lënë.
Fjala në funt këtu mbeti,
po pritte gjithë rremeti.
Del Ebu-Musaj së pari,
se u-gënjye i-marri!
Pleqësi! tha, pa dëgjoni!
juve vini kë të doni.
Kshu tha dhe unazën nxori,
në dorët tjatër e mori,
edhe tha, duke treguar
unazën që kish nër duar:
Unazënë si e nxorra,
edhe në dorët e mora,
ashtu nxjerr edhe Alinë,
dhe Mavije faqe-zinë,
juve një të-parë gjeni,
e vini, kë të pëlqeni.
Kështu tha plaku dhe ndejti,
edhe më nukë bëzëjti.
Dolli dhelpra rrjepacake,
shtrig' e ligë varfanjake,
Amri, djall' i-mallëkuar,
shpirt-lik e sy-xgurdulluar,
si tjatri unazën nxori,
edhe në dorët e mori.
U thotë me zë të-thatë
unazënë a e patë?
si nxorrë këtë taninë,
ashtu e nxjerr dhe Alinë!
Kshu tha, pasdaj prap e vuri
unazën' e fjalën zuri,
pa tha: e shihni, o burra!
prap unazën si e vura?
ashtu vë dhe Mavijenë,
u rroft' edh' e paçi mbrenë!
Kshu tha dhe dhelpëra dinake,
skil' e ndyrë rrjepacake,
Ebu-Musaj e dëgjojti,
pa e shau dh' e qërtojti:
Qen' i qenit, i tha, ç' thua,
Mavijen' unë s' e dua.
U-rrëmbyen' e u-zunë,
mjekëratë i këpunë,
posi qent' u-përlëfytnë,
njeri tjatrinë mbytnë,
gjykatëritë u-zunë,
edhe s' mbaruanë punë,
gjithë bota u-përndanë,
nga kishin' ardhur vanë.
U-prish gjithë jet e-shkretë,
më s' mbeti gjë e-vërtetë.
Armikët' e rinj po shtohen
të ligatë po madhohen,
i vëllaj le të vëllanë,
hidhetë më tjatrët anë,
njerëzija egërsirë
bëhet e më s' sheh të-mirë,
të pak' ishinë me besë,
dhe ata mbenë pa shpresë.
Të dalëtë u-mahninë
donin ta vrisnin Alinë!
po Aliu me të-mirë,
me mëshir' e m' ëmblësirë
doj të vinte urtësinë,
e t' a xbutte njerëzinë,
me të-mirëzë kërkonte,
zemratë t' i ëmbëlsonte,
e t' a shtronte Arabinë
duke sjellë mirësinë,
paqenë donte të vinte,
edhe luftënë t'a ngrinte,
po urtësija s' bën punë!
ata kërkoninë drunë!
gjer' sa mpshoj zëmëra-trime,
u dha nëm' e mallëkime.
Armikëtë, që e lanë,
van' e zunë Nehrivanë,
edhe luftënë kërkonin,
Alinë më nuk' e donin!
Do-mos-do kordhën u vuri,
i ndau e i përzuri,
dhe me këtë hoqi shumë,
u-derth gjaku po si lumë.
Dhe Egjypta u-trazua,
e shumë u-ngatërua,
Mavijeja zjarrë kalli,
njerëzin' e mori djalli.
E kupëtoj Mavijenë
Aliu dhe nis Mehmenë,
dërgoj Mehmenë një herë,
nisi dhe Maliq-Eshterë.
Mavijeja me të msuar,
djallëzit' i kishte ftuar;
atje tek shkon udh' e gjerë,
që vij bota kurdoherë,
ishte i-parë Zebleja,
q' e kishte mik Mavijeja;
pa Mavijeja Zeblesë,
q' ish si ajy i-pabesë,
i dërgon gjë shum' e mitë,
dhe i këllet djallëzitë,
e i thotë që t' a ftonjë
Maliqnë e t' a helmonjë!
Vërtet Zebleja e ftojti,
se Maliqi atje shkojti.
Oh! pastë nëmë për jetë!
e helmoj trimnë e-vërtetë!
Burrë si Maliq-Eshterë
mëmë më s' pjell tjatrë herë!
E bëri këtë Zebleja,
dërgoj me vrap Mavijeja
Amrinë, djall' e-vërtetë
n' atë Egjyptë të shkretë,
q' ishte shum' e-djallëzuar,
edhe fort e-trumbulluar.
Gjithë ç' qenë të-pabesë,
i ndihninë Mavijesë!
Lëftoj me Amrin Mehmeti
edhe i-tërë qyteti,
me zëmërim shum u-vranë
u-tunt vëndi an' e mb' anë,
po shokëtë me Mehmenë
n' Egjyptë të pakë qenë,
trimatë të gjith u vranë,
e armëtë nuk i dhanë!
Në një gërmadhë Mehmenë
hipurë në kal' e gjenë,
pa i ranë edh' e vranë,
dhe barkun e kalit çanë,
e atë brënda e kallë
q' i vëllaj t' a dij të gjallë.
Se i vëllaj i-Mehmetit
ishte në mest të rremetit,
ajy ish me Mavijenë,
nukë ishte me Mehmenë.
Kur hyn në mest djallëzija
s' ka duk as vëllazërija.
Aliu duke mësuar
e shumë duke helmuar,
e qau Maliq-Eshterë
dhe atë Mehmetn' e-mjerë,
disa dit' e mbajti zinë,
fare s' e hapi shtëpinë.
Abdullllah Abazi erdhi,
e bashkë me atë lot derdhi.
Dot' i vinin Mavijesë,
po s' mbet njerëzi e besë.

vazhdo leximin: [ kap. 6 ]
shko në fillim: [ kap. 1 ]

COMMENTS