Naim Frashëri - Qerbelaja, kap. 8

Poema Qerbelaja, kapitulli 8 - nga Naim Frashëri


Më nesëret në të ngdhirë
e thirrë Mehmet Qethirë!
se armikët kallëzuan,
papo erdh' e i rrethuan.
Me të vajturë Mehmeti,
prap' u-ngrit gjithë qyteti,
Ybejd' i kërkoj Myslimnë,
dhe Myhtar' e Ibrahimnë.
Mehmet-Qethiri ish burrë,
i tha: nukë t' i jap kurrë!
Kush më shkel prakn' e shtëpisë,
më vjen ng' an' e Perëndisë,
pa vrarë mua më parë,
atë s' munt njeri t' a marë.
Këta ziheshin me fjalë,
të-tjerëtë duke dalë,
Ybejdullllan' e rrethuan,
Mehmet-Qethir' i kërkuan.
E lëshoj Mehmet-Qethirë,
po i mbajti penk të-birë.
Nga të parët' e Qofesë
djal' i Ebu-Ybejdesë,
Myhtari, trim' i-vërtetë,
mblodhi dhe shokë tri-dhjetë,
e poqi Mehmet-Qethirë,
i tha, të nxjerën të-birë,
pa të mblidhenë të-tërë,
gjithë bashkë duke bërë
edhe Qofenë t' a lenë,
të gjejnë Imam-Hysenë,
si duhetë të lëftojnë,
armikëtë t' i dëbojnë.
Këta këto fjalë thanë
po kur nga Shami u-dhanë
dhjetë mijë ushtëtarë,
Amirë kishin të parë,
Ajy Ybejd' i-pështirë
e thërret Mehmet-Qethirë;
Ajy me mijë tri-dhjetë
niset' e hyn brënda vetë,
Ybejdi e shan më parë,
Ajy heq kordhën e larë,
desh t' i bij po nuk' e lanë,
e së prapësmi i-ranë,
Mehmet Qethiri u bije,
katr' a pesë posht' i shtije,
pasdaj të-tjerët' i ranë
të-gjithë bashk' edh' e vranë!
Si u-vra Mehmet-Qethiri,
mbi ta u-vërvit i-biri,
vrau disa, pa e vranë,
e të-gjallë nuk' e lanë.
Të tjerëtë u-vërvitnë,
ushtëritë u-goditnë,
atë ditë aq' u-vranë,
sa numurë nukë kanë!
Gjithë Qofeja u-shua,
u bë gjaku si përrua!
Ata që mben' u-përndanë,
prapë Myslimnë e lanë;
i-varfëri nga do vinte,
më tufë armikësh binte;
nukë del dot nga qyteti,
se ish rrethuar i-shkreti;
armikët vetëm e panë,
dhe ju qepn' e pas i ranë;
do-mos-do kalit i xbriti,
dhe u-psheh e zë më s' qiti.
Ybejdi tha: Kush t' a gjenjë,
dhe të vinj' e ta rrëfenjë,
do t' i jap ç' gjë të kërkonjë,
po ajy që të kuxonjë,
e më shtëpi t' a këllasë,
vetë vetenë të vrasë!
Si u-err, u-bë skëterrë,
del andej Myslim' i-mjerë,
edhe vete më një krua,
kur atje na gjen një grua,
ish një plakëz e-drobitur,
e-fishkur' e përzhëlitur,
e kish afrë krojt shtëpinë,
plaka, q' ish me Perëndinë;
ajo më shtëpi e kalli,
se s' kishte pjesë nga djalli,
donte Muhammet-Alinë,
andaj ja hapi shtëpinë
Myslim i-gjor' atë natë
u-mejtua gjër' e gjatë,
i erdhi nër mënt fëmija,
edhe djemthit' e shtëpija,
edhe Hyseni, që po vinte,
e në rrezik të-math binte,
pa qau e psherëtiti,
po-thua shpresën' e ngriti,
i vanë lottë si lumë,
pa s' e zu i-shkreti gjumë,
plakëz' e varfërë qante,
me shpres' e gjora e mbante,
edhe fjalënë s'e priste,
me zë të unjëtë fliste.
Djal' i plakës' i-pabesë,
që rrij xgjuarë në shtresë,
fjalëtë duke dëgjuar
i paudh' i-mallëkuar,
më nesëret kallëzojti,
e të gjitha i tregojti!
Ybejdi vesh mir' e mori,
dhe Mehmet-Eshathnë nxorri,
armikëtë me vrap vinë,
edh' e rrethojnë shtëpinë!
Myslimi armëtë mori,
edhe kordhënë e nxorri,
del me vërtik shum' e shtije
më s' vuri re se ku bije!
nja dy-qint armik' i preu,
të-tjerët gjith' i theu,
po ata më shumë u-shtuan,
gjithë bashkë e rrethuan,
pa i ranë me shigjeta,
edhe me ushtat' e shkreta,
ca me shpat' e ca me drurë
ca me balt' e ca me gurë!
kokën' e ballët ja çanë!
të dy krahëtë ja thanë,
dhe krahërorë ja çpuan,
e shumë her' e rrëzuan,
krahët' i vuri një muri,
Beqir-Hamrani i shturi,
buzënë ja pret me shpatë
një tjatr' i ra me sëpatë.
Me gjithë këto Myslimi
u-hoth së-rish si zok trimi,
Beqirit një i bije,
të-vdekur mbi dhet e shtije,
pa ç' do plag' ish bërë krua
gjaku i vij si përrua,
prapë atë murë zuri,
edhe krahëtë i vuri,
armikëtë rreth i vanë,
e së-rish sa muntn' i ranë.
Myslimi atje qëndrojti,
e një ujë u kërkojti,
ata ujë nuk' i dhanë
po së-rish të-gjith' i ranë,
tek bëhej ajo rrëmujë,
një grua i pruri ujë.
Myslimi vate ta pinte,
po gjaku ritht' e s' e linte,
rithte gjaku gjithë valë,
Zot i-math të qofshim falë.
Një armik me usht' i bije
në dhet posi lisn' e shtije,
pa të-tjerëtë e zunë,
Ybejdullllahut ja shpunë.
Ybejdullllahu j' u kthye,
i tha, përse ngrite krye?
Myslim' i tha, ju u-ngrittë,
e njerëzin' e mahnittë,
latë Muhammet-Alinë
për Mavije-faqezinë,
latë dhe Imam-Hysenë,
edhe zutë Jezit-qenë.
Ybejdi tha, pa e nxirrni,
tani kryetë t'i mirni.
Myslimi tha nga Meqeja
në ka, a nga Medineja
nonjë këtu, le të dalë,
se do t' i them dy tri fjalë
Ymer' i Sadit i vate,
duke thënë, ç' fjalë pate?
I tha: kam pakëzë hua
këtu, që m' i thanë mua,
shitni kalën' e i lani,
nënë barrë mos më mbani,
Imam-Hysenit t' i shkruash,
më tha Myslimi, t' i thuash,
të mos dalë nga Meqeja,
se s' paska besë Qofeja.
Kështu tha Myslim' i-mjerë,
dhe psherëtiti një herë,
më nukë kish fuqi trimi
gjaku i vij si burimi!
syn' e kish të-vagëlluar,
dhe trupnë të-dobëtuar!
me një ushtëri të-tërë
i-vetëm luftë kish bërë,
Ybejdi po e dëgjonte,
edhe në syt' e shikonte,
Myslimi mbaroj të flasë,
ajy tha, kush do ta vrasë?
armikëtë gjith' i thanë,
ky q' i vrau dije t' anë,
e kishte vrarë Beqirë,
pa rrëfyenë të birë.
Ky Myslimn' e gjor' e mori,
nga rrëmeti jasht' e nxorri,
pasdaj ju mat me një herë,
kokën' i kish për të prerë
po kur i çfaqet një hije,
kordha nga dora i bije,
pa iku, se u tmerrua,
tha popo ç' më gjeti mua.
Pasdaj dhe të-tjerë vanë,
po atë hijen' e panë,
dhe u-trempn' e u-tmerruan,
papo e lanë dhe shkuan.
Ybejdi të gjith' i shau,
u tha, nga frika u ngau.
Pa të gjithë bashk' i vanë,
me vrap i ranë dh' e vranë.
Myslim, o lule, sa hoqe,
për një të-drejt' u-përpoqe!
le fëmijën' e shtëpinë,
zure dhen' e Perëndinë!
O shokë! qani Myslimnë,
qani, qani me lot trimnë!
se më s' pjell mëm' e-mjerë
atë trim tjatërë herë.
Ybejdi po më s' mënojti,
në Sham kryet' i dërgojti,
të rrëfente trimërinë,
të gëzonte faqezinë!
Pasdaj të dy djemtë donte,
gjithë botën' e shtrëngonte,
Sherihu u-ngrit pa gdhirë,
dhe i nisi me të birë,
i tha, sonte pej Qofeje
tregëtarë pej Meqeje,
dalën për udhë, po shih-i,
folë me ta mir' e njih-i,
pa u ep djemtë t' i shpijen,
dhe kart' andej të na bijen.
Kshu tha, pa derdhi florinjtë,
djemet u mbushi peqinjtë,
edhe vet' u mallëngjye,
e zëmëra j' u xbërthye.
Djali s' i gjet tregëtarët,
se ikënë si kusarët,
pa i kërkoj e s' i gjeti,
kishin ikur nga qyteti.
Më të hapur ish dhe dita,
po vinte nga zoti drita.
Ajy djali i mësojti,
pas atyre i dërgojti,
djemt' ata po i kërkonin,
dhe sa muntninë nxitonin.
Po armikëtë i zunë,
Ybejdullllahut j' a prunë,
pa u lidhi këmb' e-duar,
të dy i mbylli në quar.
Qaninë foshnjat' e-mjera
n' atë burg, q' ish si skëterra.
Hapës-mbanjës' ish me besë,
e mori ndë syt' të vdesë;
tha me mënt, më të rronj s' dua,
dhe derësë j' u lëshua;
kshu u-mejtua Meshquri,
se ishte shpirt-mirë burri.
Në mest të natës i mori,
jashtë qytetit i nxorri,
pa me ta bashkë qëndrojti,
për ç' do punë i mësojti,
u tha, akëku të vini,
e kaqë kohë të rrini,
akëcilënë të gjeni,
e punënë t' j' a rrëfeni,
se ajy njeri ësht' imi,
vëlla me bes' është trimi.
Kshu tha, dh' u mejtua cazë,
pa nxjerr u ep një unazë,
dhe u thotë, po t' a shohë,
këtë, ajy dot' a njohë.
Kur shpëton nga kuvlija
ç' ndjen zogu në shpirt të-tija?
në zëmërët të-gëzuar
ndjen lirin' e dëshëruar:
Ashtu dhe djemthit' e-mjerë
u-gëzuan këtë herë,
muarrë udhën' e shkuan,
nga mundimetë shpëtuan,
si ëngjëllitë nxitonin,
nëpër erë fluturonin,
leshrat i kishin pej ari,
vështimn' e tyre pej zjari,
me frikë shumë nxitonin,
kishin shpresë të shpëtonin,
në vërsët të foshnjërisë
i zu breng' e djallëzisë,
n' atë të-bukurë ballë
ç' u kish shkruar Zoti vallë.
Ybejdi këto i mësojti,
se djalli j' a kallëzojti,
Meshqur' e-gjorë e vranë,
dhe njerës shumë përndanë,
gjithë udhëtë i zunë
e bënë të-madhe punë.
Ëngjëlli u paska thënë,
që udhëtë janë zënë,
Ibrahimi me Myhtarë
u-kthyen dyke qarë.
Dielli ishte përmbysur,
dita ishte më të ngrysur.
Vëndi ish i-tër' i-qetë,
hëna ishte pesë-mbë-dhjetë,
papo epte shumë dritë,
edhe nata ish si ditë.
Ata të dyth po nxitonin,
dhe ktheheshin' e vështonin.
Lisi, pema, shkarpa, druri,
fleta, dega, maja, guri,
përroj, rëkeja, moçali,
fushatë, gjethetë, mali,
të gjitha i frikësonin,
u vij si kur i vështonin,
zëmër' e-bardhëz' rrihte,
njëri tjatrinë shihte,
gjith' u dukeshin gogolë
po me gojë nuk' u folë,
i pandeninë armikë,
papo u vij shumë frikë,
djersë të-ftohta u binin,
nukë dijnë nga vinin!
një fletë të përpërinte
gjaku foshnjavet u ngrinte!
të-gjorëthitë sa ndezë!
pa kur zoti dha mëngjezë.
Të dy djemthit' u-qatuan,
ndëjnë pak e u-qetuan,
dhe me zëmërë të-qetë
thoshinë, Zot i-vërtetë!
nga mëngjezi u-gëzuan
se po nga frika shpëtuan,
nata ka të rëndë hije,
në të madhe frikë bije;
kur vjen e-shkretëza natë,
drurëtë duken lugatë!
gjithë të-vdekurit ngrihen,
e prapa gurëvet pshihen!
Herë qajnë, herë qeshin.
Herë llërëtë përveshin!
këto i bën frik' e shkretë,
pa s' ësht' as një e-vërtetë.
Të dy djemthitë u ç' lodhë,
dhe mëndjenë pak' e mblodhë!
të-varfëritë ç' i gjeti!
erdhë prapë te qyteti!
Në kopshë hyn' u-pshenë,
dhe qent' i pan' e s' u lehnë!
se qeni është m' i-mirë
nga njeriu pa mëshirë.
Kur një plakë shërbëtore
erth e i mori pej dore,
dhe tek e zonja i shpuri,
brënda në një dhom' i vuri.
Vate zonja dhe i biri,
dhe shërbëtori i-miri,
të dy ëngjëllit' i panë,
dhe uj' e bukëz' u dhanë.
Qau e zonj' e shtëpisë
për brengët të foshnjërisë.
Mbrëmanet i-shoqi erdhi,
helminë nga goja derdhi!
tha, na u-shua qyteti,
njeri nga trimatë s' mbeti,
atë të-madhë e vranë,
po s' di djemt' e tij ku vanë!
brengë të-madhe na prunë,
nuk' e di dot a i zunë:
pa e-zeza dot' i presë!
Kshu tha Harith' i pabesë!
Fëmijën' e kish të-mirë,
e vet' ishte shpirt-shëllirë,
qysh ish mbledhur Perëndija
më një vënt dhe djallëzija!
Të keqe ëndërrë panë,
djemt' e varfërë pa qanë;
i-paudhi i dëgjojti,
dhe punën' e kupëtojti!
U-ngrit me nat' e i mori,
m' anët të lumit i nxorri,
qiti kordhënë t' i priste!
edhe ish gati t' i vriste,
po djali me shërbëtorë
erdhë pas ata të-gjorë,
dhe e-shoqja duke qarë
për Ibrahimn' e Myhtarë,
edh' e zun' e nuk' e linin,
duartë mi djemt i vinin.
Ajy djall u-zemërua,
edhe aq' u-keqësua,
sa, si pa që s' hiqnin dorë,
pret djalën' e shërbëtorë!
dhe gruanë e plagosi,
punën' e atyr' e sosi!
pa djemet kokën' u preu!
djallë nuk' e piu dheu!
Trupat' i hodhi në lumë,
oh! e keq' e-madhe shumë!
popo! ç' bëri faqe-ziu!
s' ishte punë pej njeriu!
kokëtë Ybejdullllahut
ja pruri si zoqt' e gjahut!
Ybejdi u-zëmërua,
i tha, pa pyetur mua,
pse e bëre këtë punë?
të till' emrë s' dhashë unë,
pse i vrave? pa më thua!
djemt' unë nga ti i dua!
Mereni, tha, mos e lini,
nxireni jasht' edh' e vrini!
Njerëzit me vrap e zunë,
tek kish vrar' ata e shpunë.
Kur panë dhe dy të-tjerë
atje të vrar' e të-nderë,
pan dhe gruanë vrarë,
mësuanë ç' gjë kish ngjarë,
pa shumë u-zemëruan
e nëmnë dh' e mallëkuan,
pasandaj të-gjith i ranë,
atje tek kish vrar' e vranë!
Hiqu, djall, nga njerëzija
më të shoftë Perëndija!
Djall' është njeriu vetë,
kur nuk' është i-vërtetë,
të tëra ç' jan' an' e mb' anë,
te njeriu gjithë janë!
Zot' i-math me mirësitë,
dhe djalli me djallëzitë. (vazhdo leximin: kap. 9)

Naim Frasheri Qerbelaja

COMMENTS