Naim Frashëri - Qerbelaja, kap. XVII

Poema Qerbelaja, kapitulli XVII - nga Naim Frashëri


Zot i-math e i-vërtetë!
ç' qe kjo kaq e-keq e-shkretë!
Zëmëra më mallëngjehet,
kjo herë nukë rrëfehet!
s' ngjan dhe më herët e tjera!
popo! ç' panë grat e-mjera!
Veç ti, Zot, u dhe durime,
zëmratë i bëre trime,
kjo s' ish punë, që durohej,
zëmra soje përvëlohej!
E pritnë me shumë shpresë!
dh' e rrethuan posi shpesë,
me lot t' idhur duke qarë,
kush t' a qafonjë më parë,
një shpresë si vetëtima,
kur duket nër kërcëllima,
nga Zot i-vërtet' u xbriti,
e nër zëmëra u ndriti,
edhe një gas patnë ndjerë
m' e parë gjall dhe një herë.
Jetë; o e-shkreta jetë,
je e-rremë, s' j' e vërtetë!
gazi dhe helmi që vinë,
shkojnë prapë, shumë s' rrinë.
Kthehen ndër na duke shkuar
po t' i presim pa rënduar,
gjithë ç' pjell e-shkreta jetë,
i ha prapë ajo vetë.
Kshu dhe njerëzit e-mjerë
i ha shtriga s' do t' i lerë,
i ha po vet i pjell prapë,
atë që mer, dot' a apë;
hëna hahet' e më s' shihet,
po zë prap e përsërihet.
Dhe Imami këtë herë
nga ajo zëmër e gjerë
nxori ah e psherëtimë,
mallëngjim e gashërimë,
e lottë si shi i derdhi,
se po shumë keq i erdhi,
shum armikët e munduan,
zëmërënë j' a lënduan,
paçin nëm e Mallëkime,
dhe mundim e hidhërime.
Ëngjëlli i mirësisë,
që vjen ng' an' e Perëndisë,
xbriti e durim i pruri,
pa fjalënë prapë zuri,
ngushëlleu grarërinë,
edhe Zejnel Abidinë,
nga zëmr' e tij, q' ishte trime,
u dha durim nër mundime,
u tha ç' u kish për të thënë,
u mësoj ç' udhë të zënë,
pa u ngrit, u nis të dalë,
duke thënë shumë fjalë,
gratë nër këmbë i ranë,
e të-gjitha pas i vanë,
edhe Zejnel Abidini.
Imami u tha, ku vini?
i thanë me ty, të vdesim,
nukë duam më të mbesim,
po Imami u tha, rrini,
ju në luftë s' bën të vini,
Shehrëbanuja tha, mua
këtë fjalë mos ma thua,
dotë vinj bashkë të vdesim,
neve më s' mundim të presim
të mbes unë bijë mbreti,
në mest të këti rrëmeti!
nukë jam nga kombi juaj,
pa më kanë për të huaj.
Imami u tha: Ju rrini,
të-tilla nër mënt mos vini,
mbi ju njeri s' vë dot dorë,
kini Zotn e-math këmborë.
Tek po thoshin këto fjalë,
e derthnin lottë si valë,
kur u dha me vrap një burrë
e një Hexin duke prrurë,
q' ikën si rrufe ndë rërë,
edhe plumbi s' munt t' a zërë,
Imami i tha: pa hipë,
edhe ik' o buk e kripë,
ler-i gratë, i sjell unë,
po hiq vet' e mbaro punë.
Imami i dha uratë,
pa i tha: Ki kujdes gratë,
edhe Zejnel-Abidinë,
e mos i lerë të vinë;
un arçë për të mos kthyer
Zot' i math s' më ka gënjyer.
Më nukë tha tjatrë fjalë,
po me vrap hipi në kalë,
hyri në mest të ushtërisë,
si dragoj i-Perëndisë,
posi zjar' i-math kur bije
në pyllt e lisat i shtije
me të-madhe kërcëllimë,
e me shumë oshëtimë
nukë le as bar, as fletë,
ashtu dhe trim i-vërtetë
i shoj, i shkurtoj të-tërë,
Qerbelaja det ish bërë,
e po kërkonte Ymerë,
edhe të parët' e tjerë!
Do t' i kish të-gjithë shuar,
po për uj' ish përvëluar!
te lumi u afërua,
pa ndënj pakëz' u mejtua,
shokëtë nër mënt i erdhë,
lottë si lumi j' u derdhë!
Atje tek rrij e mejtohej,
e zëmëra i përvëlohej,
Hasir i-bir' i-Temimit
një shigjet i shtije trimit!
në buzët e zu shigjeta!
dhëmbët i shturi e shkreta!
Opopo! zot i-vërtetë!
s' e përmbysnje dhen e shkretë.
Armikët e-mallëkuar
e psholl' Imamn' e uruar,
gjithë ç' ishte ushtërija,
kalori e këmbësija,
posi galat u lëshuan,
papo në mest e rrethuan,
shtunë ushtë e shigjetë
kundrejt Zotit të vërtetë!
Një shigjet e shkret e mori
në ballë pa kur e nxorri,
gjaku rrodhi posi krua!
popo! me gjak u mbulua!
Mos më keq! se s' mer më shumë
djall o punë! fat o lumë.
Pas asaj posi dragua
mi armikët u lëshua,
me kordhët të larë shturi,
dhe kë zu në dhet e vuri
fluturonte si fajkua
lëshohej posi dragua,
armikët të gjith' i-binin,
shigjetat në trupt e zinin,
plagë kishte shtatë-dhjetë
edhe ky trim i vërtetë!
në gjak ish mbytur i-tërë
o armikë ç' kini bërë,
mallëkim paçi për jetë
nga Zot i-math i-vërtetë,
i ra i-tërë rrëmeti,
pa fuqi më nuk i mbeti,
armikëtë e rrethuan,
më tepërë e shtërnguan.
Imami prap u lëshua,
ushtërija u tmerrua,
u përhapn e prap u mblodhë
të gjithë shigjet i hodhë,
shumë shigjeta i shtunë
edhe të shumat e zunë.
Kali kishte plagë shumë,
gjaku i rrithte si lumë,
pa rënkoj e psherëtiti
Imami Hyseni i xbriti
armikët më këmb e panë,
të-tërë sipër i ranë
Ymeri j' u afërua,
e pa dhe u turpërua,
Shimr' i-lik i-mallëkuar
u derth si qen i tërbuar,
po Imami si dragua,
me kordhë drejt j' u lëshua,
posa pa Imam Hysenë
iku me vrap, mori dhenë.
Pasdaj mbloth Shimri të-titë
edhe të tjerë Jezitë,
së-largu të tër i shtijen,
shigjetat si breshrë bijen.
Kali rreth të zot i vinte,
dhe sa muntte hingëllinte.
Armikët gjith u përmblodhë
pa shigjeta shumë hodhë
gjithë së-largu i shtinin,
po afërë nuk i vinin,
Imam i-zotit të jetës,
q' ish burim i së-vërtetës,
kish marrë plagë me mijë,
gjaku i vij posi vijë,
po prap ajy poshtë s' binte,
me kordhë në dorë rrinte,
shigjetatë, që i shtinin,
si gjëmba në trup i rrinin.
Zot i math ti qysh e prure?
në mest të djajet e shture.
Me gjith ato të këqija,
i dha fuqi Perëndija,
armikëtë prap i ndoqi,
dhe kë preku kordh i hoqi.
Armikëtë u përndanë,
po prap u mblodh e i ranë,
pa Shimri i mallëkuar,
ajy djall i-tëmërruar,
me shokët' e tij thërriste,
posi qeni angulliste,
u thoshte pse nuk u bini?
edhe më të-gjall' e lini.
Ata gjithë e rrethuan
po prapë s' ju afëruan,
u zunë gjithë nga hargu,
e goditninë së largu,
shumë djaj të mallëkuar
u nisnë për t' afëruar,
j' u qasn e u turpëruan,
papo prapë u mërguan,
kishinë të-gjithë shpresë
nga i-bir i-Mavijesë
që t' u ipte pun e mitë,
kshu i mësonin djallëzitë!
Imam-Hysejni po rrinte
gjaku posi lum i vinte!
donte dhe më të qëndronte,
e plagëtë t' i duronte!
po fuqija j' u mbarua!
dhe zëmra j' u përvëlua!
Ajy Zot ç' plagë kish marrë
zëmra qysh i ish tharë!
mushkërit i ishin djegur,
atë ditë ç' kishte hequr,
sa të-këqija kish parë,
ç' myxyra i kishin ngjarë,
opopo, Zot i-vërtetë,
ç' ishte kjo e thën e shkretë.
Ng' ajy komb i Mavijesë
Dira-shtrigu i-pabesë
me një shigjet e goditi,
krahn e djathtë j' a drobiti
Sinan-Enesi së prapi,
duke nahitur si çapi,
sa mundi shtu qen i qetë,
pa ajo shigjet e-shkretë
nënë kraht të-djatht e mori
dhe i del nga krahrori,
pa ra shtyll e njerëzisë,
e drejtëz e Perëndisë,
u tunt fush e Qerbelasë,
qielli zu të kërcasë,
tërmet ra ndë gjithë jetë,
kur ra Imam i-vërtetë,
u tunt gjithësi e-tërë.
Kjo punë më s' ishte bërë,
Havli bashkë me të birrë
u lëshuanë me dëshirë,
j' u qasnë, po kur e panë,
u trëmpn e shkuan dh' e lanë
një tjatrë j' u afërua,
Imam i tha me mua
ç' ke ti? o njeri i mjerë,
pse nise për në skëterrë?
Kur ati nga Perëndija
i erth gjithë mirësija,
tha, ç' bët' o të-mallëkuar,
vratë njerin e-uruar,
paçi nëm o të-pabesë,
ky ësht' i bir i Fatimesë,
dhe i nip i Muhametit,
kshu tha dhe j' u derth rrëmetit
shturi me shpatët të gjatë,
la në vënt nja gjasht a shtatë
pa gjithë sipër i ranë,
e vran e gjall nuk e lanë.
Pasdaj të-tërë sa qenë
e pshollë Imam-Hysenë,
sicili t' i qasej donte,
po prapë nukë kuxonte,
veç Shimr i lik i tmerruar,
dhe Sinan i mallëkuar,
qent' e skëterrës së shkretë
j' u qasnë të dy të-qetë,
Shimri, djall i mallëkuar,
e shkeli në krahëruar.
Mos më keq, Zot i vërtetë,
gjer këtu kjo pun e-shkretë.
Ëngjëlli i-Perëndisë
xbriti me rrobët të zisë,
Shimrin e-nëmur e shtyti,
pa s' e shkeli për-së-dyti.
Popo, Shimr' i-mallëkuar
ishte shum i shëmëtuar,
dhëmbëtë pej derr i kishte,
ajy ish djall, njeri s' ishte
kishte dalë pej skëterre,
si derri kur del pej ferre,
kish fytyrënë myxyrë,
dhe menyrënë të-ndyrë.
Kordhënë e nxori qeni,
hapi syt Imam-Hyseni,
pa i tha: Në këtë hënë
njerëzija luftë s' zënë,
ësht e premte këjo ditë,
që i lenë djallëzitë,
i falenë Perëndisë
pas udhës së njerëzisë;
edhe t' im gjysh e lëvdojnë,
e ndihmë soje kërkojnë,
edhe fëmijës së tija
urat' i ep njerëzija,
ju kuxuat' e na shatë
dhe na shuat e na vratë,
po këtë të-madhe plagë
Zoti nuk e le pa shpagë!
Kshu tha dhe nga zëmr' e-gjerë
psherëtiti fort një herë!
pa zu ngoje Perëndinë,
dhe mblodhi gjithë fuqinë,
unji kokën, j' u fal Zotit,
fuqi-math mëshirë-plotit.
Shimri i ra! pastë nëmë!
Opopo! e madhe gjëmë!
e pa Zoti kokë prerë,
qiejtë i bëri sterrë.
Armikëtë edhe t' anë
kshu në falj' e sipër e vranë,
koka që ishte e-prerë,
duke folur tha një herë
me një zë shumë të-qetë:
Zot i-math ësht' i vërtetë. (vazhdo leximin: kap. XVIII)

Qerbelaja, Naim Frasheri Naim

COMMENTS