Shoqëria kulturore-artistike Bogdani

Shoqëria kulturore-artistike "Bogdani" - Dega muzikore


Veprimtaria e degës muzikore e shoqërisë "Bogdani" përfaqësohet kryesisht me orkestrën frymore. Në ndryshim nga dega teatrore që e filloi shumë shpejt serinë e shfaqjeve, meqë mjaft nga amatorët e parë që u angazhuan në interpretimin e roleve të ndryshme vinin nga rrethi "Oratori i Zemrës së Krishtit" ku kishin fituar një farë përvoje në mjeshtrinë e aktorit, anëtarëve të degës muzikore iu desht kohë që të përgatiteshin nga ana teorike dhe praktike, në përvetësimin e veglave muzikore.

Për ngritjen e orkestrës frymore punuan në fillim mjeshtri Frano Ndoja duke patur përkrah drejtuesin e korit të Kishës Katedrale, Dom Zef Puka. Në vitin 1925 drejtimi i orkestrës frymore i besohet muzikantit me përvojë në këtë fushë, Luigj Prela. Ndërkohë shoqëria, me ndihmat e mbledhura, arrin të zëvëndësojë veglat muzikore të marra hua nga Zyra famullitare e Shkodrës me vegla të sjella nga jashtë. Disa vite më vonë ajo siguron për pjesëtarët e orkestrës frymore edhe kostumet karakteristike unike, të qepura vullnetarisht nga anëtarët rrobaqepës të shoqërisë.

Me një efektiv të vogël në fillim, ajo arriti të bëhet në prag të viteve '30, nën drejtimin e mjeshtrit Zef Kurti, kompleksi orkestral frymor më i plotë i qytetit. Repertori koncertal, nga pjesë të vogla në formë marshi, pasurohet tani me pjesë të zgjedhura nga literatura muzikore e llojit. Në konkursin kombëtar midis orkestrave frymore të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë, organizuar në Tiranë në tetor të vitit 1930, orkestra frymore e shoqërisë "Bogdani" nderohet me çmimin e parë. Në kronikën që përshkruan këtë moment të veprimtarisë së orkestrës frymore të shoqërisë "Bogdani", ndër të tjera lexojmë: "Deputeti i Vlorës, Dr. Simon Simonidhi, duke përgëzuar mjeshtrin Zef Kurti, u shpreh me fjalët: "Jam në dyshim të besoj se një bandë e tillë mund të gjendet në Shqipëri".

Veprimtaria e orkestrës frymore të shoqërisë "Bogdani", ashtu si ajo e trupës teatrore, është mjaft e pasur. Ajo merr pjesë dhe gjallëron me tingujt e saj çdo festë, datë përkujtimore e tubim popullor. Shënojmë këtu, mes tjerash, pjesëmarrjen e orkestrës frymore në mitingun e protestës që u organizua në Shkodër me 23 shtator 1923 për çështjen e Vermoshit e të Shën Naumit që kërcënoheshin të shkëputeshin nga Atdheu dhe kronikën e mëposhtme të festimit të datës 28 Nëntor të po atij viti për të treguar dhe mësuar njëkohësisht nga përvoja e mirë e së kaluarës: "Nga Bashkia (me 27 ora 5 mbasdreke) populli i prim prej bandet të Bashkisë bani nji të sjellun neper qytet ku me'i herë mbrapa jonet e kandshme të të dy shoqnive tona shkodrane, ajo e shoqnis "Vllaznija" dhe e shoqnis "Bogdani" tuj shetitë neper qytet shtuen gzimin në popull. N'e nesre, pa dalë mirë drita, banda e shoqnis "Bogdani" ia shtite nder mend popullit agimin e ditës 28. N'oren 3 mbasdreke, mbas fjalimit të rastit, u ba parada ushtarake, mbas të cilës xasat e shkollave të Perashit e të Parrucës, luejtën nji gjymnastikë të bukur, kurse shoqnija sportive "Juventus" organizoi nji vrap, tuj grishë me marrë pjesë shokët e gjymnazit të shtetit të cilët edhe ata shi per at qellim kan formue nji shoqni me emnin "Shkodra". Populli i priti fituesit me duertrokitje ndersa banda e gjymnazit Françeskan i pershendetëte me nji marsh të bukur".

Një vend me rëndësi në veprimtarinë e orkestrës frymore të shoqërisë "Bogdani" zënë gjithashtu pritjet dhe përcjelljet me rastin e vizitave në përvjetorët e themelimit të shoqërisë, pjesëmarrja e saj në gëzimet familjare dhe në shetitjet që organizoheshin herë pas here për argëtimin e anëtarëve të shoqërisë, në procesionet masive fetare, në kortezhet e permortshme etj.

Shoqëria kulturore-artistike Bogdani, Shkoder
Më 1939 shoqëria "Bogdani" përgatitej për të festuara 20-vjetorin e themelimit. Pushtimi fashist i vendit ndërpreu veprimtarinë e shoqërisë. Në mbledhjen e përgjithëshme të datës 5 tetor të atij viti, kryetari i fundit i shoqërisë, Karlo Pistulli, njofton pjesëmarrësit në mbledhje se në bazë të urdhërit të Prefekturës nr.2880 datë 4 tetor 1939, shoqëria pushon së vepruari që nga kjo datë. Autoritetet fashiste sekuestruan të gjithë pasurinë e degës teatrore, kostume e skenarë, instrumentet e materialet tjera të degës muzikore si dhe bibliotekën e shoqërisë.

Në fjalën që mbajti nënkryetari i shoqërisë, Luigj Mjeda, ndër të tjera tha: "Mbas njizet vjet pune, flijimi, kalim kohe, argëtimi, na po ndahena. Po më duhet me ju thanë unë, shi unë, qi para njizet vjetve u thaçë të mblidhena. Nji vepër qi nisi në heshtje, vazhdoj në heshtje per me ba ato shka ju e dini mirë, per Shkodren tonë, per Shqipnin tonë, po mbaron sot... Besoj se me damjen e sotshme, po lamë vetem lokalet, por nuk i lamë e s"kemi se si t'i lamë zemrat qi per njizet vjet rrahen bashkë me ket shoqni".

Në historikun e lëvizjes kulturore-artistike të qytetit të Shkodrës në dhjetëvjeçarin e tretë e të katërt të këtij shekulli, veprimtaria e shoqërisë "Bogdani" zë një vend të rëndësishëm.

Nga Tonin Zadeja

COMMENTS