Gjuhëtari Prof. Dr. Simon Pepa

Gjuhëtari Prof. Dr. Simon Pepa, pedagogu i gjuhës shqipe në Universitetin e Shkodrës "Luigj Gurakuqi" prej 30 vjetësh, lindi në Shkodër, më 31 dhjetor 1936, duke e ndërprerë jetën në një klinikë të qytetit të Barit në Itali, më 10 maj 2002, në moshën 65-vjeçare.

Prof. Simon Pepa erdhi në Universitetin e Shkodrës mbasi kishte shërbyer për 19 vjet rresht si arsimtar në fshatrat e Shkodrës, si në Dajç të Bregut të Bunës (1954-1961), Boks-Dragoç, nëndrejtor shkolle (1961-1962), Mes-Myselim, drejtor shkolle (1962-1972), Shkodër, drejtor i shkollës 8-vjeçare "Salo Halili" (1972-1973).

Më 15 shtator 1973 Simon Pepa emërohet pedagog i gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik, sot Universiteti "Luigj Gurakuqi".

Ndonëse në moshën 37-vjeçare, por i ri në shkollën e lartë, ai, me shpejtësi të veçantë, me vullnet dhe durim, arriti që në vitet e para të punës në këtë institucion të zhvillojë lëndët: dialektologji e gjuhës shqipe, praktikum i gjuhës dhe metodikë e gjuhës shqipe. Dhe në vitet e mëvonshme, duke filluar nga viti 1976-1977 do të jetë titullar i lëndëve leksikologji dhe fonetikë e gjuhës shqipe, të cilat i zhvilloi deri në momentin e fundit të jetës së tij, deri në ato ditë të ftohta, kur vinte në Universitet me makinë, se ecjen në këmbë nuk e përballonte dhe në mësim tërhiqte zvarrë një reflektor, mbasi nuk e duronte dot të ftohtit e asaj periudhe.

Me krijimin e Sektorit Shkencor të Albanologjisë, në shtatorin e vitit 1995, Simon Pepa do të caktohet punonjës shkencor i tij, ku me përkushtim të veçantë, në bashkëpunim edhe me kolegë të tjerë, do t'i japë emër këtij sektori. Ai do të jetë në redaksinë dhe një nga redaktorët e botimeve të këtij sektori, si të monografisë së Prof. Dr. Kolë Ashtës "Leksiku historik i gjuhës shqipe", të kolanës "Studime shqiptare" etj., si dhe njëri nga recensentët e veprës madhore të profesor Kolë Kamsit "Fjalor arbërisht-shqip" etj.

Simon Pepa gëzonte disa grada dhe tituj shkencorë. Në vitin 1989 ka marrë gradën "Kandidat i shkencave", me disertacionin me temë "Leksiku bujqësor në gegërishten veriperëndimore dhe njësitë frazeologjike që lidhen me të", konvertuar në vitin 1995 në gradën "Doktor i shkencave". Më pas, në prill të vitit 1995 iu dha titulli "Asistent profesor" dhe më 1999 "Profesor".

Prof. Dr. Simon Perpa ka një veprimtari të gjerë shkencore dhe pedagogjike. Ka shkruar dhe botuar me dhjetra artikuj e studime në shtypin shkencor dhe periodik, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij.

Ka marrë pjesë në shumë veprimtari shkencore brenda dhe jashtë vendit. Ka kumtuar për tema të veçanta në Zagreb, Nju-Jork, Brozzo etj. Për shkëmbim përvoje nga fusha e gjuhësisë ka qenë i ftuar nga Departamenti i Linguistikës i Universitetit të Studimeve të Padovës (korrik, 1996) dhe për kualifikim në Universitetin e Studimeve të Barit (maj-qershor 2001).

Simon Pepa ka qenë bashkautor i katër teksteve mësimore për shkollën e lartë. Ai është autor i monografive "Gjurmime kulturore" (Shkodër, 2000), "Tabu dhe eufemizma në gjuhën shqipe" (bashkautor, Shkodër, 2000). Dhe pak ditë para se të vdiste ua dhuroi kolegëve, shokëve dhe miqve veprën më të mirë të tij, një punë e gjatë e autorit, por njëkohësisht edhe njohës i leksikut të gjuhës shqipe, veçanërisht atij të Veriut "Tradita bujqësore nëpërmjet thesarit gjuhësor", në dy vëllime, Shkodër, 2002, 430 f., duke lënë kështu një mesazh të gjallë kujtimit të tij.

Simon Pepën e karakterizonte fryma e bashkëpunimit, gjë që është reflektuar në disa shkrime e vepra, cilësi e veçantë e tij. Ai u shqua si pedagog i aftë, serioz, me vullnet, që dha një kontribut të vyer në përgatitjen e qindra mësuesve dhe specialistëve të gjuhës shqipe. Ishte pedagog i ndershëm, korrekt i këndshëm me atë humorin e tij të gjetur dhe dashamirës me të gjithë. Një vend të veçantë në veprimtarinë e Prof. Simon Pepës zë ajo editoriale. Si anëtar i kolegjiumit të redaksisë së revistës "Phoenix", ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e standarteve shkencore dhe në vijimësinë e kësaj reviste.

Prof. Dr. Tomor Osmani
Prof. Dr. Tomor Osmani
Prof. Dr. Simon Pepa u nda nga jeta, në atë kohë kur kishte projektuar edhe vepra të tjera. Me vdekjen e tij familja humbi njeriun e tij të dashur dhe të shtrenjtë, ndërsa ne humbëm kolegun tonë të dashur, njeriun e dhënë jo vetëm pas gjuhësisë, por edhe pas letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Nga Prof. Dr. Tomor Osmani

COMMENTS