Mid'hat Frashëri

Midhat Frasheri, Mithat Frasheri, Lumo Skendo
Mid'hat (apo Mit'hat) Frashëri lindi më 25 mars 1880, në Janinë. Babai i tij, Abdyl Frashëri, ishte patriot dhe demokrat i shquar, një nga ideologët përparimtarë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare e një nga udhëheqësit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, "Hero i Popullit". Naim Frashëri (poeti më i madh i rilindjes kombëtare shqiptare, atdhetar, mendimtar dhe veprimtar i shquar i arsimit e i kulturës shqiptare) dhe Sami Frashëri (rilindas i shquar, dijetar i madh, shkrimtar, publicist dhe ideologu kryesor i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare), ishin xhaxhallarët e tij.

Mid'hat Frashëri ishte publicist, shkrimtar, përkthyes, albanolog, diplomat, veprimtar i çështjes kombëtare dhe kryetar i Ballit Kombëtar e i Komitetit "Shqipëria e Lirë".
Mori pjesë në Kongresin e Alfabetit mbajtur në Manastirit më 14-22 nëntor 1908 ku u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit, kryetar i Komisionit ishte Gjergj Fishta.

Në shkrimet publicistike ai përdori pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka, ndërsa në botimet e ndryshme përdori pseudonimin Ismail Malosmani.

Ka përkthyer në shqip disa vepra, si: "Guillaume Tell" të Alphonse De Lamartine (1898), "Bëje të mirën pa hidhe në det" të Franz Hofmann - (1900), "Robinson Crusoe" të Daniel Defoe - (1909) dhe "Psikologjia e edukatës" të Gustave Le Bon - (1923).

Largohet nga Shqipëria në nëntor 1944, si kundërshtar i Partisë Komuniste.

Mid'hat Frashëri njihet edhe si një nga njerëzit që kishte një nga bibliotekat më të mëdha. Mbas çlirimit të Shqipërisë u vendos sekuestro mbi pasurinë e tij dhe një nga objektet e sekuestruara ishte edhe biblioteka personale, me rreth 40 000 vëllime.

Mit'hat Frashëri vdiq më 3 tetor 1949, në New York (Sh.B.A.).

Mid'hat Frashëri: Iluministi i fundit


Nga Çelo Hoxha/Gazeta "Standart"

Diku nga fundi i vitit 1922, në një periudhë të vështirë për politikën shqiptare, kur "formimi i një kabineti ka qenë jashtëzakonisht i vështirë", pasi nuk arriti të gjente mirëkuptim për krijimin e qeverisë as Sami Vrioni, një njeri i moderuar dhe marrëdhënie të mira me të dy krahët politikë, Mid'hat bej Frashëri, ishte shpresa e fundit për ta nxjerrë vendin nga gjendja kaotike e grindjeve për pushtet. Duke vlerësuar që gjendja ishte e pashpresë, Mid'hat Beu nuk pranoi. Përgjigjja e tij, siç e risjell Sejfi Vllamasi në kujtimet e veta, është një shprehje lapidare, por që pak ka ngjitur në kujtesën e kombit: "Unë nuk mund ta çnderoj shtëpinë time".

Këtë përgjigje mund ta jepte vetëm një njeri me vetëdije të lartë historike. Ajo përcjell ndjeshmërinë e Mid'hat Beut për të mbrojtur emrin e mirë të të parëve të familjes së tij: Abdyl Beu, babai i tij, dhe Naim Beu e Sami Beu, xhaxhallarët e shquar të tij.

Emrin e mirë të familjes së tij, sigurisht, që e nderonin dhe të tjerët. Në 1908, kur Mid'hat Beu u zgjodh kryetar i Kongresit të Manastirit në moshën 28-vjeçare, ende pa mbërritur në Manastir, mes një bashkësie njerëzish të gjithë të shquar në çështjen kombëtare, pa dyshim që emri i familjes ka pasur ndikim dhe në nderimin e lartë që iu bë kontributit të tij në çështjen kombëtare.

Katër vjet më vonë, në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, Mid'hat Beu ishte një autoritet i padiskutueshëm. Kësaj here peshonte më shumë veprimtaria e tij.

Pas vdekjes së të atit, kur Mid'hati Beu ishte veç 12 vjeç, djaloshi u rrit nën kujdesin e dy xhaxhallarëve të tij të shquar, Naim Beu dhe Sami Beu, ndikimi i të cilëve në formimin e tij ndihet gjithandej në veprimtarinë e Mid'hat Beut. "Prej Sami Beut mësova gramatikë, nga Naimi - stilistikë", - kujton më vonë Mid'hat Beu.

Në moshën 15 vjeç ai tentoi të shkruante një Dhetregonjë (enciklopedi), dorëshkrimin e të cilës ia çoi xhaxhait të shquar në lëmin e letrave. Naim Beu i hodhi një sy materialit dhe e këshilloi të lexonte "gjithë sa libra kanë dalë" dhe të mësonte rrënjën e gjuhës, "shkronjëtorenë". Këshilla për të mësuar alfabetin sot tingëllon e çuditshme t'i bëhet një adoleshenti, por në kohën e Naim Beut shqipja shkruhej e lexohej nga shumë pak vetë dhe alfabeti nuk ishte standard. Për shkollat shqipe as që mund të bëhej fjalë.

Asokohe shqiptarët mësonin më shpejt gjuhët e huaja. Në moshën 13-vjeçare, Mid'hat Beu shkruante kështu për gjuhët e huaja: "Në frëngjisht kam zotësi e kompetencë të gjerë. Persishten e marr vesh, arabishten e kuptoj, gjermanishten e greqishten i lexoj".

Në moshën 15-16-vjeçare ai shkëmben letra me personalitete të njohura të kolonive shqiptare në Rumani, Bullgari, Egjipt, Itali etj. Ja ç'i shkruan Ibrahim Temos në 14 nëntor 1896: "Në këtë breg që ndodhemi sot, na është e prerë të dalim me pushkë në dorë, sot për sot. Por në vend të armës të marrim pendën e në vend të gjakut të derdhim myreqpin (bojën). Duhet të presim çdo shpresë nga Despoti. Shpresa është te liritë".

Në 1987, në moshën 17-vjeçare, Mid'hat bej Frashëri arrin të botojë një skicë, shumë të shkurtër, në të famshmen "Albania" të të rreptit Faik bej Konica. Të pëlqeheshe nga Konica, mjeshtri i stilit në gjuhën shqipe, do të thoshte se adoleshenti kishte kaluar një test të madh.

Skica është një ese historike për lashtësinë e shqiptarëve, të cilët thirreshin shqiptarë që në kohët pagane. Në shumë pak fjalë ndihet shqetësimi i ndasive fetare dhe, për të treguar që pavarësisht besimit, shqiptarët ishin e njëjta racë dhe komb, ai i nxit shqiptarët të arsyetojnë, me një pyetje retorike: "Me të ngjyer mollë, gjysmën me një ngjyrë e gjysmën me një tjatër, a mund të themi që janë dy copa?"

Në 1898, në moshën 18-vjeçare, Mid'hat bej Frashëri filloi të shkruante rregullisht në fletoren "Kalendari Kombiar", e cila botohej nga Kristo Luarasi. "Vetëm te "Kalendari Kombiar" i motit 1898, nga tetëdhjetë faqe të tij, dyzet e dy faqe janë shkruar nga L. Skëndo", - shkruan historiani Uran Butka. Lumo Skëndo ishte emri letrar i Mid'hat bej Frashërit, të cilin më vonë e mori libraria e tij e famshme në Tiranë. Po atë vit, Faik bej Konica mendonte për krijimin e një komiteti jashtë Shqipërisë që të udhëhiqte programin e përlindjes së Shqipërisë dhe Mid'hat Beun e kishte propozuar si president të këtij komiteti.

Në 1901, Mid'hat bej Frashëri shkruan për rëndësinë e Lidhjes së Prizrenit dhe Shoqërisë së Stambollit dhe për frymëzimin që shqiptarët duhet të merrnin prej tyre në procesin e zgjimit kombëtar. Në 1902 ai ndërmori një udhëtim në Shqipërinë e Jugut dhe pastaj e braktisi Stambollin. Për të qenë afër Shqipërisë u vendos në Selanik, si nëpunës i administratës turke, por duke punuar edhe për çështjen shqiptare. Në 1908, pas daljes së kushtetutës turke, Mid'hat bej Frashëri nisi botimin e gazetës "Liria". Ai besonte se Shqipëria mund të bëhej vetëm me punë dhe dije dhe këtë e shprehu që numrin e parë të gazetës, me këshillën që u përcolli shqiptarëve: "Dyfekët, thikat, jataganët - thyejini. Ato armë bëjini plore, bëjini çekanë se tani do rrojtur me djersën e ballit, si njerëz të lirë që na ka bërë Zoti".

Në Kongresin e Manastirit, 14-22 nëntor 1908, puna e të cilit e orientoi Shqipërinë drejt pavarësisë, Mid'hat bej Frashëri, 28 vjeç, u zgjodh kryetar i tij. Sipas tij, kongresi ishte një rast i ekspozimit të qytetarisë së shqiptarëve, të shfaqjes me dinjitet në sytë e popullit shqiptar dhe botës. Përpjekja për njësimin e alfabetit ishte, sipas tij, një akt që duhej pasuar me akte të tjera qytetarie që shqiptarët të bëheshin vërtet një popull i kulturuar dhe një komb i civilizuar.

Një vit më vonë, Klubi i Selanikut, i drejtuar nga Mid'hat bej Frashëri, lëshoi thirrjen për organizmin e Kongresit të Elbasanit, i cili u mblodh më 2 shtator 1909, dhe trajtoi kryesisht çështje të arsimit shqiptar. Mid'hat Beu mori pjesë si delegat i Shkupit, Selanikut dhe Çamërisë. Herën tjetër që u kthye në Shqipëri, Mid'hat Beu kishte statusin e delegatit për në Kuvendin e Vlorës, më 28 nëntor 1912. Staturën e tij në nivel kombëtar e tregon më qartë fakti që ai ishte i vetmi delegat që përfaqësonte më shumë se një krahinë. Ai ishte delegat i Kosovës dhe Elbasanit dhe përmetarët e autorizuan, "me vota të përgjithshme", që të ishte dhe delegat i nënprefekturës së Përmetit, nëse Veli Beu (Këlcyra) nuk mbërrinte në kohë. Telegrami i përmetarëve, me nr. 1397, ishte dërguar në Vlorë në orën 5 të mëngjesit, më 28 nëntor.

Rruga e Mid'hat Beut për në Vlorë nisi nga Shkupi, kaloi nga Elbasani, ku mori mandatin e dytë dhe, së bashku me delegatët e tjerë të Kosovës e Elbasanit, vazhduan së bashku drejt vendit ku do të mblidhej kuvendi më i rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Te lundra e Petovës, në afërsi të Fierit, më 25 nëntor 1912, u takua me delegacionin e prijësit të historisë, Ismail bej Vlorës.

Në qeverinë e parë në historinë e Shqipërisë Mid'hat bej Frashëri u ngarkua me detyrën me ministrit të Punëve Botore (sot quhet Ministria e Punëve Publike). Një detyrë që nuk zgjati shumë. Tre muaj e gjysmë më vonë, më 17 mars 1913, për "disa arsye të veçanta", ai dha dorëheqjen nga detyra, duke i premtuar kryetarit të qeverisë se pavarësisht vendimit të tij, ai do të mbetej "një shërbëtor i përunjur dhe besnik i kombit" të tij. Sigurisht, ajo që nuk u shkrua në tekstin e dorëheqjes merrej me mend. Mid'hat Frashëri s'kishte pak kohë që kishte përfunduar një udhëtim në Shqipërinë e Jugut, ndërkohë që Janina ende s'kishte rënë, dhe ai ishte i pakënaqur me rolin e qeverisë së Vlorës në këtë çështje.

Pas Vlorës shkoi në Elbasan dhe punoi mësues në një shkollë fillore. Më vonë, në 1921, nga Elbasani kujton se si u përpoq me disa shokë të krijonte një parti politike dhe se si pastaj hoqën dorë prej saj, për shkak të keqkuptimeve. Shqipëria s'kishte përvojë të tillë.

Ja si e përshkruan ai: "Partija jonë u pandeh kundra Ismail Qemalit. Por kur panë se, jo që s'qemë kundra qeverisë Vlorës, po që ishim anëtarë të saj, atëherë një tok miq zunë të na ndahenë. M'anë tjatër u hoqnë dhe ata që na pandehnin anëtarë të Esat Tiranës, dhe që panë se ishin gabuarë në shpresat e tyre, po me kaqe s'u mbarua. Me qënë se partia që do të bënim në Elbasan - se atëherë ishim në Elbasan - shikohesh si një veprë kundër Ismail Qemalit dhe qeverisë, anëtarët e tij nisnë të formojnë një parti në Vlorë. Është e tepër të them se mi këtë hoqmë dorë dhe ne".

Detyra e ministrit në qeverinë e parë është posti më i lartë dhe domethënës në jetën e Mid'hat Beut. Në qeverinë e reformuar të Princ Vidit, 28 maj - 3 shtator 1914, Mid'hat bej Frashëri ishte ministër i Punëve Botore dhe Postë-Telegrafës. Në qeverinë e përkohshme të Durrësit, 25 dhjetor 1918 - 29 janar 1920, ishte ministër pa portofol.

Me fillimin e Luftës së Parë Botërore, pas largimit të Princ Vidit, Shqipëria u zhyt në kaos, u kthye në një vend të vështirë për të jetuar. "Nevoja e një pune" e detyroi Mid'hat Frashërin të shkonte në Itali, në Zvicër, në Bullgari dhe më në fund në Rumani, kur përfundoi i internuar në Moldavi. Udhëtimet e kësaj periudhe u përjetuan prej tij në një sërë artikujsh.

Në 1919, Mid'hat bej Frashëri ishte anëtar i delegacionit në Konferencën e Paqes. Veç punës diplomatike, një rol të rëndësishëm luajti në këtë periudhë dhe puna e tij publicistike, duke u përballur me propagandën e vendeve fqinje kundër Shqipërisë.

Më 25 gusht 1922, me dekret numër 224, Këshilli i Naltë e emëroi Mid'hat bej Frashërin "si Ministër fuqi-plotë të Shtetit Shqiptar në Uashington". Në vitet 1923-25 u ngarkua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Athinë, ku ka kryer një aktivitet të dendur në mbrojtje të shqiptarëve të Greqisë, të cilët shteti grek i shpërngulte drejt Turqisë. Korrespodenca e tij diplomatike me ministrinë në Tiranë dhe institucione të tjera, shqiptare ose të huaja, është një dëshmi e pasur e krimit grek që u kurorëzua me gjenocidin grek ndaj çamëve pas Luftës së Dytë Botërore. Në dhjetor 1925, Mid'hat Beu dha dorëheqjen nga detyra dhe u tërhoq nga veprimtaria zyrtare tërësisht. Në vitet 1926-1939 hapi në Tiranë librarinë "Lumo Skëndo", një nga libraritë më të njohura në Tiranë, e cila është përdorur më vonë si pikë reference në kujtimet e shumë njerëzve për atë periudhë.

Pas pushtimit italian, në 1939, së bashku me një grup miqsh, Mid'hat Beu themeloi organizatën politike Balli Kombëtar. Në qershor 1939 u shfaq programi politik i nacionalistëve si shenjë e qartë e rezistencës së organizuar të tyre. Në program flitet qartësisht për pavarësinë e Shqipërisë, zhvillimin e saj ekonomik, ruajtjen e kufijve etnikë, ruajtjen e marrëdhënieve të mira me kombet fqinje dhe mos përkrahjen e asnjë ideologjie.

Pas sulmit gjerman ndaj Bashkimit Sovjetik, me porosi të Moskës, përcjellë përmes Beogradit, në Shqipëri filluan të organizoheshin edhe komunistët në një qëndresë në dukje kundër pushtuesit fashist, por me kalimin e kohës lufta e tyre degjeneroi në një luftë civile kundër Ballit Kombëtar, me synimin për marrjen e pushtetit në Shqipëri dhe futjen e saj nën ndikimin e Jugosllavisë. Që në muajt e tyre të parë në pushtet, në 1945, komunistët shpallën kriminelët e luftës, e cila për ironi, fillonte me emrin e simbolit të paqes në skenën politike shqiptare: Mid'hat bej Frashërin. Një akuzë që ai e meritonte, vetëm nga këndvështrimi i armiqve të Shqipërisë.

Ai u largua nga Shqipëria e tij e dashur në nëntor 1944. Në mërgim krijoi komitetin "Shqipëria e lirë", në një përpjekje për të bashkuar të gjithë shqiptarët e mërguar nga terrori komunist, por aktiviteti i tij mbeti në mes, sepse vdiq papritur në 1949, në Nju Jork, në rrethana të panjohura.

Veç aktivitetit politik dhe diplomatik, Mid'hat bej Frashëri ka pasur një veprimtari në lëmin e historisë, letërsisë, tekstologjisë, publicistikës, përkthimit etj. Mid'hat Beu ka qenë një nga promovuesit dhe mbrojtësit më të mëdhenj të çështjes në botën perëndimore gjatë luftës së parë botërore. Në 1915, ai botoi në Sofje tri vepra: "Çështja e Epirit. Dhembja e një populli", "Popullsia e Epirit", dhe "Pritmi i Shqipërisë". Në 1919, botoi në Lozanë (Zvicër) tri vepra të tjera: "Shqiptarët dhe sllavët", "Shqiptarët mes tyre dhe jashtë" dhe "Rivendikimet shqiptare". Në letërsi shquhet për veprën e tij në prozë "Hi dhe shpuzë", 1915. Në publicistikë ai ka qenë aktiv, që prej moshës 17 vjeç ka shkruar me qindra artikuj, por më shumë është vlerësuar vepra e tij eseistike "Plagët tona", 1924, një analizë e realitetit shqiptar e përcjellë së bashku me këshillat për përmirësimin e tij. Vepra më hershme e Mid'hat Beut është "Naim Be Frashëri", e cila mbetet burimi kryesor informativ për jetën e poetit të shquar. Një pjesë të veprës Mid'hat Frashëri e ka shkruar në gjuhë të huaj, sidomos në frëngjisht, dhe ka qenë gjithmonë një autor i vlerësuar në botë.

Pas rënies së komunizmit, në një takim kushtuar Mid'hat bej Frashërit, ambasadori francez i kohës bëri këtë vlerësim për të: "Mid'hat Frashëri është iluministi i fundit evropian".

Shënim i autorit: Për këtë artikull janë konsultuar disa burime. Në variantin origjinal të shkrimit janë specifikuar hollësisht referencat e sakta. Burimet e konsultuara janë:
- AQSH, Fondi i Mid'hat Frashërit;
- Lef Nosi, Dokumente historike 1912-1918, Shtypshkronja Nënë Tereza, Tiranë;
- Nevila Nika, Përmbledhje dokumentesh mbi kryengritjet shqiptare, 1910-1912, botim i Institutit të Historisë-Prishtinë, 2003;
- Akademia e Shkencave e Shqipërisë, "Fjalor enciklopedik shqiptar", tre vëllime, Tiranë, 2008;
- Gazeta "Shqipëri e re", Kostancë, Rumani, disa numra të vitit 1921;
- Uran Butka, Mid'hat Frashëri, elita shqiptare;
- Gazeta "Arbënia", Nr. 427, 28 nëntor 1936;
- Uran Butka, Gjeniu i Kombit;
- Sejfi Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri, 1897-1942, NERAIDA, Tiranë, 2000.

COMMENTS