Poezi nga Robert Shvarc

Poezi nga Robert Shvarc


Eja... kokën dua ta mbështes
Mbi gjirin tënd të tallazitur...
Jam lodhur shumë, ndoshta edhe vdes -
Se kam një jetë duke të pritur!

Eja... dua të kridhem te ti,
thellë e më thellë, siç di vetë.
Në mos qoftë as kjo dashuri,
më thuaj, ç'dreqin mund të jetë?

*****

FALMË

Oh, falmë, falmë pse kërkoj
prej teje unë dashurinë
e dhëmshurisht pse të qortoj
në çastet-vrer, kur shpesh harroj
se ty ta vranë rininë...

Ësht' malli im gjithë pikëllim
që djeg e bren aq pushtetplot
e kur s'e gjen ate flijim
që e njeh aq fort në shpirtin tim,
i mbeten veçse lot!

Ësht' zemra ime q'u mësua
çdo rrahje t'sajën ta durojë,
që kurrë s'i tha njeri "të dua!"
që u ndez përherë dhe u shua...
pse di të dashurojë.

E pra më fal e dashur ti,
tani t'kuptoj unë ty më mirë:
çdo çast dhe unë po ndiej mërzi
e shpesh s'kam mall, s'kam dashuri,
s'kam gaz, s'kam më dëshirë!

Oh falmë, falmë mikja ime,
s'do t'i lëndojmë ne kurrsesi
k'to plagë që s'duan ngushëllime,
që duan t'mbeten veç jetime
ashtu si unë, ashtu si ti...

që don të mbetet si jetime,
...krenare pa njeri!

*****

TINGËLLIMET E PLAGUEME

Po flen qyteti, vlla, dremit qyteti...
Nuk ka as dritë, as hapat nuk kërcasin,
veç val't e qeta, ku andrrat i tret deti...
Sa vjet kaluen, vlla, qëkurse mbeti

nji zemër kndej plague - e nji coptue
përmbas prangoresh, n'rininë e saj shitue,
me dhimbë krenare, që asnji kangë poeti
ndër tela t'lyrës s'mundet m'e u naltue...

Po flen qyteti, vlla... Në breg ku rrimë
e lehtë përpëlitet vala-virgjineshë,
e don me folë, e don me na tregue

si netët shkojnë, e andrrat veç nji grimë
na puthin n'ballë, e ikin tue u qeshë...

- 2 -

O ti, dashnija e eme e andrrueme
ke mbetun veç e gjallë në lotin tonë,
ke mbetun si dëshira e plagueme
ndrydhë n'nji varrë të vjetër që më dhemb...

Kush je, ku je, kur vjen e kur po shkon -
pse shkon si vjen, e prap ti mue më len
n' nji terr të zi, ku drita nuk agon,
n' nji vuejtje prore, që vuejtje t'tjera m'bjen.

A thue kanë me kalue dhe shumë agime
tue t'thirrë ndër andrrat, vash'e mallit tem,
me shpresa që veniten si gjetht në vjeshtë?...

A thue gjithmonë e trishtë kanga ime,
Si kanga e bylbyl-qytetit n'gem
ka me tingllue n' kte shekull kaq të thjeshtë?!...

- 3 -

Mos pyet pse syt'e mi janë të trishtuem
n'pranver'n e bardhë të vjeteve të mia,
ata nuk dijnë t'shpërthejnë ndër mij shkëndia,
ata nuk dijnë si brof nji shpirt i gzuem...

Mos pyet pse hapat e mij i drejtoj
kah krah't e butë, përkdhelës të vetmisë -
Ç'më duhet mue njaj gazi i rinisë
Kur gazi s'asht çka unë i trishtë andrroj?

Kush gjen çka zemra i lypë në këte shekull
ku vlerë nuk kanë as lotët, as betimet,
ku jeta lot me ty porsi n'nji shrregull

e gazi lind atje ku janë idhnimet?!
Mos kqyr pra, e dashtun, ti ndër syt' e mia
unë s'mund t'dhuroj atë çka lypë rinia.

*****

KA KOHË QË YJET S'ULEN PËRMBI TOKË

Ka kohë që yjet s'ulen përmbi tokë,
ka kohë që njerëzit s'rrijnë me krye përpjetë
tue pritë me u ra ndër dhambë kafshat'e shkretë -
dhe vjershat janë lirue: pesë groshë një okë...

Me duer ndër xhepa poetët trokë
shetisin rrugve t'errta, krejt të qetë;
askush s'i nget, askush s'po don me i pyetë
ç'ka kanë në zemër e ç'ka kanë në kokë...

Urdhno, zotni, pak dritë n'mos daç errsinë!
Pesë groshë një okë. - Nji andërr e tanë rinije!
Tridhet vjet - e tridhet okë dashnije!

Urdhno, zotni, nji kangë për njerëzinë!
Pesë grosh nji okë - nji jetë e tanë dlirsije!
Tridhet vjet - e tridhet okë marrije!...

*****

MË NDJE!

Ç'kërkoj unë
në thellësitë e buta të syve të tu gjumashë...?

Unë, bresheri, s'kam ndonje punë
të bie mbi tokën tënde vlagë,
që vesën prêt me dëshirim -
dhe jo rrebeshin, shkatërrimin...

Falma përmallimin,
dobësinë
e ketij çasti çiltërsie:

Unë prapë do të marr arratinë,
e do fshihem nëpër muzgje kotësie,
e do strukem në guvën time
që të lëpij, si bisha,
ndonjë plagë
të vjetër a të re...

Jo, unë
s'kam ndonjë punë
në thellësitë e buta të syve të tu gjumashë -

Më ndje!

Poezi nga Robert Shvarc Robert Schwartz

COMMENTS