Naim Frashëri - Qerbelaja, kap. 1

naim frasheri qerbelaja

Poema Qerbelaja, kapitulli 1 - nga Naim Frashëri


Urdhëro, Zot' i vërtetë!
e më dërgo tatëpjetë
engjëllinë krah-zjartë,
fjalë-ëmbl' e këmbë-artë.
Dotë këndonj urtësinë,
e dotë rrëfenj Alinë,
edhe fëmijën' e tija,
t'i mësojnë njerëzija,
të nxjerr një pikë nga deti,
një druthezë nga rremeti,
e të tregonj trimërinë
dhe durimn' e njerëzinë
pa të them dhe Qerbe' anë,
edhe zotërinjtë t' anë.
Jakë, jak o e-vërtetë!
ulu pakë tatëpjetë,
O ëngjëlli i-uruar!
andaj të kanë dërguar,
që të ndritosh njerëzinë
e t'u rrëfesh urtësinë.
Ti me gojët t' ime fole,
se pa ty po s' hap dot gole.
Pa eja, me ëmblësirë
na rrëfe bukur' e mirë,
ç' hoqnë Zotërinjtë t' anë,
edhe ç' na lan' e na thanë.
Komb i Arabit një herë
ish i-qet' e i-pandjerë,
dhe i-dobët' e i-shkretë,
sikur s' ish fare në jetë,
edhe kishte marrëzitë,
po më pasdaj erth një ditë,
Zoti dërgoj urtësinë,
që e naltëson njerinë,
pa qëndroj në mest të tyre,
ishte njeri pej fytyre.
Ajy ishte Muhammeti,
po s' e besonte rremeti,
edhe zunë t' a mundonin,
zëmrënë j' a përvëlonin,
si e bënin kurdoherë
për shokët' e tij të-tjerë,
q' i munduan' e i vranë,
dhe gjë pa-bërë s' u lanë,
i mbërthyen' e i varrë,
i ther' i çanë me sharrë,
këtë me gurë e zunë,
e me shigjetë i-shtunë,
i bënë shumë mundime,
të-këqija hidhërime.
Ebu-zhehti dhe Lehepi,
të pa tundurë si plepi
shumë më qafë i ranë,
nonjë kursim nukë lanë,
sa mundim' e të-këqija
hoqi Zotëri e tija!
po më shumë me Syfjanë,
ndezi, q' i vrau Hamzanë,
të ungjin' e tij të ndjerë,
q' ish trim mi trimat' e tjerë,
pa Hinduja e pabesë,
q' ishte mëm' e Mavijesë,
i pat ngrënë mushkërinë,
e çqeu si ujku dhinë!
O Hindu! moj egërsirë,
gjakn' e njerëzet ke pirë!
Kështu zëmrënë j' a doqnë,
nga mëmëdheu e ndoqnë,
e la do-mos-do Meqenë,
vate të zij Medinenë.
Ajy shkoj, po pas i ranë
armikët e nuk' e lanë,
pa upsheh ndënë një shpellë
mb' anë nj' arë, q' ish e-mbjellë;
merimaga leshë thuri
pëllumbi zoqthitë shpuri
armikëtë atje vanë,
po s' ka njeri këtu, thanë,
panë cergën e folenë,
edhe me mënt kshu e gjenë.
Këta ng' armikët shpëtuan
edhe në Medine shkuan,
Medineja mir' i priti,
dhe armikët' i goditi.
Zot' i-math, q'e do njerinë,
i fali ndihmës Alinë,
q' ish dragoj i Perëndisë,
edhe mbret' i trimërisë,
ishte një mëngë nga deti,
që kishte dalë së qeti,
brënda n' urtësi të tija
dukej fjeshtë Perëndija.
Muhammeti me Alinë
u përpoqnë për njerinë.
Ata të-dy një trup ishin,
dhe një shpirt të vetëm kishin,
ishin kushërinj të-parë,
dhe t' afërt e të-pandarë,
të dy bashk' ata një janë,
Muhammet-Ali, u thanë.
Atje ish zot' i-vërtetë,
edhe Krisht' i-gjallë vetë,
njër' ish krej i gjithësisë,
i-dashur' i Perëndisë,
njër' ish rrënj' e njerëzisë,
i afërt' i Perëndisë.
Kishin Zotërinjtë t' anë
ungjë Abasn' e Hamzanë;
Alin Xafer Tajarë
kish vëlla, që është vrarë,
ish njeri shum' i-lëvduar,
edhe zot' i zotëruar,
kish dhe Ykajlin' e-ndjerë,
q' ish i-butë posi shqerë;
m' i dashur nga miqt' e tija
ish Selmani nga Persija.
Ata kishin miqësinë
më të tërë njerëzinë,
po armikëtë s' i linin,
ngado vijnë, pas u binin,
papo të gjithë u derdhë,
edhe përsipër' u erdhë,
po, kur pan' atje Alinë,
muarrë dh' agjirratinë,
sa muntn' e shtuanë vrrapnë
s' mbet as një, po u-përhapnë.
Ca i bëri trimërija,
të tjeratë urtësija,
Arabija, q' ish e-shuar,
e në bot' e-padëgjuar,
me një her' u-lulëzua.
Vunë ligj' e fe e besë,
njeriut i dhanë shpresë.
Arabëtë më ç' do anë
gjith' u-bënë Myslimanë.
Muhammeti ca më parë
ish martuar' e kish marë
grua Mëmë-Hadixenë,
me të bëri Fatimenë.
Aliu me Fatimenë
bënë Hasan' e Hysenë;
njer' ish diell, njeri hënë,
dhe ata dy yj u-bënë.
Kur erth koha për të ndarë,
Muhammeti duke marë
Alinë me Fatimenë,
edhe Hasan' e Hysenë,
posi squka zoqt' i mblodhi,
peqinjtë siprë u hodhi;
djemt' e mij, tha, këta janë,
Ali-Aba ndaj u thanë.
Mblodhi shokëtë në mbledhë,
dh' ata erdh' e bënë rredhë,
u tha: këta të m'i doni,
kurrë të mos m'i mundoni,
kush më ka dashur mua,
të dojë këta që dua!
Të parë u lë Alinë,
t' a kini si Perëndinë.
Kështu tha dhe pshërëtiti,
e një pikë lot' i xbriti!
Gjithë shokët' e tij qanë,
dhe u-ndan' e më s'e panë.
E mbaroj punën' e tija,
dhe vate te Perëndija,
shpirti me trupt u-xbërthyen,
dhe prapë nga erdh' u-kthyen,
njëri nga Zoti kish xbritur,
tjatri nga dheu ish ngritur.
U mbloth gjithë njerëzija
pleqësi e vegjëlija,
ca të urt' e ca të-marrë,
të vininë një të-parë!
thanë shumë thash' e theme
të vërteta e të rreme,
u-bënë fjal' e trazime,
dhe hoqnë shumë mundime,
xgjuadhë Ebabeqirë,
atë gjenë më të mirë.
Pa Beqiri la Ymerë
q' ishte ndaj soje m' i-ndjerë;
pas ati vunë Osmanë,
q' e kishte ungjë Syfjanë!
Me qën' Ajiu në jetë
burr' i urt' e i vërtetë,
tjetrë njeri s' duhej vënë,
po ç' të duash! ishte thënë.
Vërtet i par' ish Osmani,
po mbretëronte Mervani,
q' ishte i nip' i Syfjanit,
kushrir' i-par' i Osmanit,
njeri shum' i-mallëkuar,
dhe i-lik e i dëbuar
fajëtor i-keq kish qënë
pa e-kishinë përzënë,
Osmani atë e solli,
gjithë ligësit' i ndolli,
ç'hoqnë vëndësit e-gjorë,
q' i pat Mervani në dorë!
Kish Jemen' e Arabinë,
Persini Iraknë, Syrinë,
Egjyptënë e të tjera
mbretëri shumë të gjëra.
Mblodhi Mervan' i Osmanit
gjithë farën' e Syfjanit,
edhe i vuri në punë,
pa ata kosënë vunë!
ishinë të liq të tërë,
nukë lanë dhe pa bërë
botën gjith' e munduan,
e rropnë dh' e përvëluan,
Mavijes' i dha Syrinë
e lartësoj faqe-zinë!
q' ishte i bir i Syfjanit
i-kushërir' i-Mervanit,
i bir' i Hindusë shtrigë
q' ish e nëmurë dh' e-ligë.
Hoqi shumë njerëzija
mori këmbë ligësija!
Bota më këmbë u-ngrinë,
dhe Osmanit po i vinë,
Egjyptasitë më parë
po vininë duke sharë,
me të gjeturë Osmanë,
gjithë me një her' i ranë.
E kish keq punën' Osmani,
të mos ish Imam-Hasani;
ashpëruarë të-tërë
rrëmuj' e-madhe ish bërë.
Në mest të ati rrëmeti,
që zjente gjithë qyteti,
del Aliu me të mirë,
e me shumë ëmblësirë,
fjalë të bukurë zuri,
punënë ndë udh' e vuri.
E-tërë bota pushuan,
e fjalë tej' a dëgjuan,
u-bint gjithë njerëzija
në fjalët t' ëmblë të-tija,
sicili i-urtë ndejti
e njeri nukë bëzëjti,
po të-tërë u-qëtuan,
unjnë kryet' e pushuan.
Atë rrëmuj' e pushojti
dhe u ngrit' e më s'mënojti,
vate të shihte Osmanë,
aty la Imam-Hasanë.
I thot' Osmanit Aliu,
është si foshnjë njeriu,
po t' i këllaç djallëzinë,
e mahnit fare njerinë,
bëhetë si egërsirë,
dhe soje s' vjen pun' e-mirë,
kur t' i tregosh urtësinë,
e bën si ëngjëll njerinë.
Ligësi shum' u-rrëfye
andaj bota ngriti krye.
Një njeri që ësht' i-parë,
është shumë nënë barrë
dhe ndaj zotit të-vërtetë,
dhe ndaj njeriut në jetë,
bariu ka bagëtinë,
i madhi sheh njerëzinë,
s' i bëjnë dëm bagëtisë,
qysh t' i bëjmë njerëzisë!
sillej mirë Muhammeti,
pa e doj gjithë rremeti,
e di ç' hoqmë ti dhe unë,
sa i ndrejtmë këto punë
në kohëzët të atija,
që na shihte Perëndija?
Kush i bën liksht njerëzisë,
ka nëmën' e Perëndisë,
janë shumë të-këqija;
rëndësi e marrëzija,
në mest t' ënë ndryshim s' kemi
të gjithë vëllezrë-jemi,
duhet të jemi të mirë,
të kemi dhembj' e mëshirë.
Me njerëzit, që dërgoni,
botënë po e mundoni.
Abdullllahu, që ka vatur
n' Egjyptë, dorën' ka xgjatur,
pa rënkim' i varfërisë,
çpejt i vete Perëndisë.
Dëgjo dhe neve një herë,
Abdullllahn' andej e ngrerë
m' atë vënt dërgo-Mehmenë,
t' ardhurit bashkë të venë,
e deshnë Ebabeqirë,
dota duan dhe të birë.
Ky n' Egjyptë të dërgohet,
rrëmuja kshu të qetohet.
Atje të zër' urtësinë,
të dëbonjë marrëzinë,
të përzërë ligësitë,
dhe gjithë makutëritë,
me Perëndi të punonjë,
gjithë punët t'i ndërtonjë,
të vështrojë varfërinë
edhe gjithë njerëzinë
pas udhës së Perëndisë
pas mëndjes' e urtësisë.
Lakmim të mos bënjë kurrë,
po të jet' i-drejt e burrë.
S' heth poshtë Perëndija
atë, q' e do njerëzija.
Kshu tha mbret i urtësisë,
shtyll' e lart' e njerëzisë.
Ç'fjalë the të qofsha falë!
fjala jote tuntte malë!
erdhi e-shoq' e Osmanit,
Najleja si ftuj' e stanit;
i tha, plak! dëgjo Alinë,
që të tregon urtësinë,
mos dëgjo Mervan' e-marrë
që rreh të të bënjë varrë.
Kështu e bintnë Osmanë,
bëri sindëkur i thanë.
U-ngrit e hipi Mehmeti,
edhe dolli nga qyteti,
Egjyptasit pas i ranë,
dhe të tjerët' u-përndanë,
u-hap gjithë ç'ish rremeti
qyteti në prehje mbeti.
Po nukë flij djallëzija,
që lint soje ligësija
u-ngrit shum' e-shëmëtuar
myxyra e-mallëkuar,
djallëzija fjeshtë vetë,
dhe po vij rrotull' e qetë!
ndenj në zëmrët të Mervanit,
q' ishte i zot' i Ozmanit.
Papo erth u-zgurdullua,
edhe qëndroj u-mejtua,
djallëzija e mësonte
dhe ajy po më s' mënonte.
Njeri n' Egjyptë dërguan
dhe Abdullllahut i shkruan:
Po të vjen aty Mehmeti,
bashkë me të dhe rremeti,
ti vështro t' a vraç Mehmetnë,
edhe t' a përndash rremetnë,
se u-bë me të përdhunë
pa dashurë ne këjo punë,
dhe vështro e mos i lerë
të vinë tjatërë herë
njerëzija këtu kurrë,
po qëndro trim edhe burrë.
Kartënë e shkroj Mervani,
edh' e vulosi Osmani,
nuk' e dimë vetë deshi,
apo Mervani e qeshi.
I dërguari s' mënojti,
po mori kartën e shkrojti.
Tek vij njeriu i-gjorë,
të mos na bjerë në dorë!
mun në dorët të Mehmetit,
në mest të gjithë rremetit!
papo, kartënë ja gjenë,
edhe kokënë j' a prenë!
Kartën' në dor' e rrëmbyen;
të-tërë prapë u-kthyen,
thanë: opopo ç' na qeshnë!
edhe na bënë si deshnë.
Këta shumë t' ashpëruar,
edhe fort të-idhënuar,
e rrethuan Medinenë,
dh' e tuntnë gjithë qytenë.
U-mblyll në shtëpit Osmani,
me ca shokë dhe Mervani,
se ata Mervanë donin,
pa Osmanë s' e kërkonin.
Të dy zotërinjtë t'anë
Hasani, Hysejni vanë
muarrë edhe Kamberë
e qëndruanë më derë,
që të ruanin Osmanë,
edhe shokët e Mervanë,
pa armë në derë rrinin,
njeri të hyj nukë linin,
pa rën' unë; tha Hasani,
nukë vritetë Osmani
djal' i mëmë Fatimesë
nga dera më s' u la shpresë.
Bota gjithë e mësuan
dhe armikëtë u-shtuan
u-bënë si mizërija,
u-mbloth gjithë njerëzija.
Një rremet i njerëzisë
i vanë prapa shtëpisë
pa e rëzuanë murë,
e duke hequrë gurë,
bënë shtekn' i hynë Osmanit,
gjenë shokët' e Mervanit
me vërtik të-math u ranë,
e të-tërë ç' qen' i vranë.
Njëri heq kordhën e prehtë,
q' ishte posi pend' e-lehtë,
edhe Mervanit i bije,
si shakull për dhe' e shtije!
pastaj shtinë më Kamberë,
u-plagos dhe ra në derë,
e Hysejni me Hasanë,
të dy bashkë brënda vanë,
në mest të tyre u hynë,
e në gjak të dy u-mbynë;
ca nga armikët' i vanë
dhe tek rrij e vran' Osmanë.
Aliu me armë dolli,
dhe pakë shokë pas solli,
po armikët u-përndanë,
si e vranë dhe Osmanë,
as një aty nukë mbeti,
po duallë nga qyteti.
Aliu vdekurë plaknë,
e gjet, e topilë gjaknë
i erth keq pa afr' i erdhi,
qau e lot shumë derdhi,
pasdaj e qërtoj Hasanë,
që s' e shpëtoj dot Osmanë.
Pa Telhanë, q' u-gëzua
pa shumë j' u-zemërua,
tha: e patmë shok në jetë,
dhe ish njeri shum' i-qetë,
miku për miknë helmohet,
s' është mirë të gëzohet,
pa dhe vdekja s' është bërë
për një, është për të tërë.
Po Mervani ç'bënet vallë?
Ra, po-edhe ish i-gjallë!
Qafënë j'a kishin prerë,
pa kish rën' e ishte nderë,
kur hyri brënda Hasani,
u-përmënt pakë Mervani,
shërbëtor' i-tij e mori,
pshehtazi më krah' e nxori
tek një plak' e-ve e shpuri,
ajo plagënë j'a zuri,
qafa e-shtrembër' i mbeti
një vdekj' e-zezë s' e gjeti!
E shpëtoj Imam Hasani,
pa kish vaturi Mervani;
kish më punë të punonte,
andaj e thëna s' nxitonte!

vazhdo leximin: [ kap. 2 ]

COMMENTS