Naim Frashëri - Qerbelaja, kap. 4

Poema Qerbelaja, kapitulli 4 - nga Naim Frashëri


I dashur' i Perëndisë,
q' ish miku i njerëzisë,
kart' i dërgoj Mavijesë,
asaj bushtrës' së pabesë,
po i biri i Syfjanit
s' ju përgjiq t' et të Hasanit.
Amr' i-Asit i pabesë
ish miku i-Mavijesë,
ish njeri i-mallëkuar,
e fort shumë i-djallëzuar,
s' kish nga njerëzija pjesë
pa desh t' i vij Mavijesë,
të bijt' e-tij nuk e lanë,
të dy me një her' i thanë:
Mos u-bëj me Mavijenë,
që ka rrjepur mëmëdhenë,
të bëhemi me Alinë,
që është me Perëndinë.
Amri u tha, Mavijesë
dot' i vet' e të mar pjesë
nga ç' ka mar' e do të marë
këtë punë shoh të-mbarë!
Mavijeja e pat bërë
këtë, q' ishte djall' i-tërë,
shumë të math e të-parë,
se po shum' i kishte ngarë,
e pyetnë dh' e dëgjonte,
punë pa atë s' punonte.
I thotë, tani ç' të bëjmë?
e ç' ngajë vallë të gjejmë?
kshu tha i-bir i Syfjanit,
Ajy tha, gjakn' e Osmanit!
atë neve të kërkojmë
kurrë të mos e harrojmë,
linjënë, me gjak t' a nxjerrim
e injët, t' ona t' i çjerrim,
duke thirur nat' e ditë,
dhe me, të dhën' e me mitë
t' i gëxitim njerëzinë,
e të ngrehim mbretërinë.
Këto punëra punuan
njerëzinë e marruan,
kushdo, q' ishte i-pabesë,
i vate pas Mavijesë,
ca me frikë ca me mitë
i mbaruan djallëzitë
humbi fare urtësija!
e drejta e njerëzija,
ç' erdhi një e-zezë ditë
që s' vleninë mirësitë,
Aliu luftë po s' donte,
po këto gjith' i mësonte
u dërgoj fjalë të vinë,
edhe mblodhi ushtërinë,
pej Meq' e pej Medineje,
pej Basre e pej Qofeje,
papo j' u-derth Mavijesë,
asaj dhelprës' së-pabesë.
O moj dhelpëra dinake!
të vërtetënë e flake,
edhe të-rremënë prure,
e në vënt t' asaj e vure!
njerëzinë e shkretove!
dhe besën' e turpërove!
Syfjanasitë u ngrinë,
mblodhë gjithë ushtërinë,
Mavijeja vu të-parë
Amrinë mi ushtëtarë.
Amri nga ata, që mblodhi,
një mijë të-fortë xgjodhi
mbi ata vuri Verdanë,
edhe i dërgoj më nj'anë,
pas ati dhe Amri vetë,
u-nis me mijë tri-dhjetë;
pas ati dhe Mavijeja
dolli me rrëmet si reja!
Aliu nisi Kamberë
me dy tri mijë të-tjerë,
vu mbi të-tjer' ushtëtarë
të bir' e Nasrit të-parë,
dhe i nxori nga qyteti,
vetë me të tjerët mbeti,
pasdaj dhe vetë s' qëndrojti,
nga ur' e Beskësë shkojti.
Mavijeja dhe të tjerë
dërgoj me Ebu-Averë!
Aliu kundrejt Averit
nisi të bir' e Eshterit,
këtë trimnë vu të-parë
përmbi gjithë ushtëtarë.
Nga nj' anë vinte Averi,
nga tjatra Maliq-Eshteri
papo të dy ushtëritë
u afruanë një ditë;
një më nj' an e një më nj' anë
përtej e përkëtej ranë,
nëpër bregore u-hodhë,
ndenjnë një dit e u-çlodhë.
Dërgoj i bir' i Eshterit
një kart' e i shkroj Averit.
Nukë erthmë të lëftojmë,
kemi ardhur të gjykojmë,
njerëzija të mos vritet,
gjaku të mos përsëritet,
nuk' i do Zot' i-vërtetë
të këqijatë në jetë,
ka besuar Perëndinë
ajy, që e do Alinë,
në dashtë bota t'i mbesë
këjo punë Mavijesë,
edhe neve ndryshe s' themi
e nga erthmë prapë vemi,
po njerëzija e dinë,
nuk' e çkëmbejnë Alinë,
gjithë kush po dotë shohë,
të drejtënë dot' a njohë.
Maliq-Eshteri kshu shkrojti,
shpejt kartënë j' a dërgojti,
Aliu u kishte thënë,
luftë kurrë të mos zënë,
potë dërgojn' e t' a thresin,
të qëndrojnë e t' a presin,
ajy luftënë s' e donte,
gjak e dëm nukë kërkonte,
i vij keq për njerëzinë
e kish të-tërë të-tinë.
J'a dhanë kartën' Averit,
pa i shkroj Maliq-Eshterit.
Neve erthmë të lëftojmë,
pa të këtilla s' dëgjojmë,
duam luftë, nukë fjalë,
kush është burrë të dalë!
Maliqi duke kënduar
kartënë i-zemëruar,
me vrap e nisi një djalë,
Averit i dërgoj fjalë:
Ne të mos vim' e të vemi,
këto sy-për-sy t' i themi.
Averi këtë s' e deshi,
dëgjoj fjalënë dhe qeshi.
Ahere u-ashpërua,
hipi dhe u-afërua
Maliq i-bir i Eshterit,
papo i thiri Averit:
Del, i tha, del, të lëftojmë,
ne të dy të mos mënojmë,
se kam turp nga Perëndija,
të vritenë njerëzija,
janë vëllezërit t' anë,
këta neve faj s' na kanë.
Kështu tha Maliq Eshteri.
Birruni! thirri Averi,
Averi i vëngër' ishte,
mëndjen të-verbër' e kishte.
Gjith ushtarët, që qenë,
si greratë u-përzjenë;
u-therr', u-prenë, u-vranë,
me mijë të-vrarë ranë!
Maliqi kordhën e hoqi,
armikëtë gjith' i ndoqi,
të shumët syresh i preu,
dhe të tjerëtë i theu.
Burr' o i bir' i Eshterit!
ç' i dhe dërmënë Averit!
Averi do-mos-do iku,
se më s' qëndroj dot armiku.
Në Siffin vate Averi,
aty mbet Maliq-Eshteri,
Averi me shokë venë,
gjejn' atje dhe Mavijenë
Aliu duke arritur
e nga kali duke xbritur,
i dërgoj fjalë, t' a presë
me një djalë Mavijesë.
Po Mavijeja s' dëgjonte,
në jetë njeri s' peshonte,
ushtëri e Mavijesë,
balt' e Shamit e-pabesë,
anë lumit kishte rënë,
ujëtë e kishin zënë.
Shokët' e Aliut vanë,
dhe përtej atyre ranë
u-bë e-madhe rrëmujë
se s' donin t' u epin ujë!
këta për ujë po vinin,
ata s' doninë t' i linin!
Aliu të gjith' i mblodhi,
parësin' e pleqtë xgjodhi,
pa ja dërgoj Mavijesë,
tha: ujët të mos e presë,
këtu as ajy, as unë,
nuk' erthmë për këtë punë,
në mest t' ënë një gjyq kemi,
po armikë nukë jemi,
në mest t' ënë s' ka të-ndarë,
dhe të-pasdajm' e të parë,
pleqësija të ta gjenjë,
të xgjedhë kë të pëlqenjë,
neve s' erthmë për rrëmujë,
e të zihemi për ujë,
s' vuajmë për veten t' ënë,
se kështu s' na kanë thënë,
po vetëm për njerëzinë
se besojmë Perëndinë;
për udhët të Perëndisë
pas ligjës' së urtësisë
për komp e për mëmëdhenë,
për bes' e për Muhammenë.
Mavije zemërë-guri
pleqësinë e përzuri,
u tha prapë të mos vini,
ujë nga unë ju s' kini!
kshu tha djall' i mallëkuar!
Maliqi me të-dëgjuar
këtë fjal' u-ashpërua,
dhe u-bë posi dragua,
s' kishte nge për të mejtuar,
se ish shum' i-zemëruar,
hoqi kordhën' u lëshua
mi armikët si fajkua.
I ndoqi si shqipia zoknë,
më s' e panë shoku shoknë,
të-gjithë në armë erdhë,
shumë gjakëra u-derdhë!
armikëtë i përzunë,
edhe përpara i vunë,
Maliqi ujët' e zuri
ushtërin' atje e shpuri.
Këta etjenë e shuan,
u-prehnë e u-qetuan,
ushtëri e Mavijesë
mbeti pa uj' e pa shpresë.
Mavijeja pleqësinë
e dërgoj e pan' Alinë,
përpara soje qëndruan,
edhe ujë i kërkuan.
Aliu tha: Le të vinë,
të marën' uj' e të pinë,
neve ujëtë s' e zemë
pa atë juve s' u lemë.
Uji ësht' i Perëndisë,
nuk' është i njerëzisë,
ç' bëtë ju neve s' e bëjmë,
se atë të lig' e gjejmë,
një, që beson Perëndinë,
s' e mundon kurrë njerinë,
shithin' e shtijenë retë,
lumën' e bëjnë rëketë,
lumi, që vjen valë-valë,
edhe çan fushën' e malë,
del të nginjë njerëzinë,
dhe kafshët' e bagëtinë,
edhe ajy zokth i-qetë
pi e ngre sytë përpjetë,
po ju këtë t' a kujtoni,
kurrë të mos e harroni!
Me të thënë këtë fjalë
lott' i vanë posi valë!
pa vështoj Fyratn' e-shkretë,
edhe tha: Zot i-vërtetë!
Se atje tek ajy lumë
do të ngjanin punë shumë!
Fyrati rrjeth dhe taninë,
njerëzitë ven' e s' vinë!
po të drejtënë të themi,
si ajy dhe neve vemi,
ajy vet' e vjen ne deti,
edhe ne tek i-Vërteti,
sindëkur nukë shtron lumi,
kshu dhe njeri brengë-shumi!
Lum kush është zemrë-qruar,
posi lumi i-kulluar,
mjerë kush vete ngarkuar
si lumi i-trubulluar!
Katr' a pesë ditë shkuan,
që ndenjn' e nukë lëftuan.
Aliu nisi Besherë
me shtat' a tetë të-tjerë
këta pleq të-mirë vanë
e Mavijesë i thanë:
ç' po bën kshu ti? o i-gjorë
pendohu edhe hiq dorë,
se te Zoti kur të vemi,
ne të-mjerëtë ç' ti themi?
pa nukë do Perëndija
të vritetë njerëzija,
të rrish pak' e të mejtohesh,
nga këto do të pendohesh.
Ti të zihesh me Alinë!
e të mundosh njerëzinë!
s' ke frikë nga Perëndija?
edhe turp nga njerëzija.
Kshu i thanë pleqt' e-ndjerë
ajy kthenet me një herë:
Duamë gjakn' e Osmanit!
u thot' i-bir' i Syfjanit!
P' ati i thotë Besheri:
Dhelpëritë tani leri,
jak' u-bëj mik me Alinë,
hidhe poshtë djallëzinë,
pa ajy gjyq do të shihet,
dh' e-vërteta do të njihet,
si j' a zunë gjithë shtigjet,
Mavijeja u-përgjigjet,
duamë gjakn' e Osmanit!
kshu tha i-bir' i Syfjanit!
pa tha, kordha do t'a ndanjë,
gjaku gjaknë do t'a lanjë!
kjo fjal' e zemëroj plaknë,
tha, nga kush e kërkon gjaknë?
Atë le t' a gjenj Aliu,
tha Mavijeja faqe-ziu,
këtë fjalë e dëgjuan
pleqtë, dhe s' dënjnë po shkuan.
Aliut van' e i thanë,
qëllim për paq' ata s' kanë
gjithë duan të lëftojnë,
dhe s' e dinë ç' gjë kërkojnë!
Pas kësaj luftënë zunë,
opopo! e-madhe punë!
përpiqeshin' ushtëritë,
e lëftoninë për ditë!
u-vran' u-therrë, u-prenë,
u-shuanë e më s' benë!
Katrë muaj ushtëritë
lëftoninë nat' e ditë!
qenë tetë-dhet' e shtatë
luftëra më të-mbëdhatë!
Aliu luftën' e preu,
prapë pleqësin' e kreu,
van' i thanë Mavijesë:
Në ke Perëndi e besë!
fjalët' e të-parit t' ënë
nuk' i mba mënt, një ka thënë?
Ti ç' kërkon në këtë jetë,
duke qën' Aliu vetë?
pa hiqu, për Perëndinë!
mos e vra kshu njerëzinë!
Kshu i thanë Mavijesë
pleqt' e-urtë paçin ndjesë!
Mavijeja u tha: mua
vallë më pandehtë grua,
apo të mitur e djalë,
të më gënjeni me fjalë?
Pleqtë te Aliu vanë,
të gjitha ç' u tha j' a thanë.
Aliu tha: Unë donja
këto punë t' i drejtonja
me fjalë e me të mirë,
për luftë s' kisha dëshirë;
më mirë le parësinë,
se të shuanj njerëzinë,
po e shoh që t' qënka thënë,
dhe s' është në dorët t' ënë,
nuk e le dot Mavijenë
që ta prishnjë mëmëdhenë.
J' a rrëfej gjakn' e Osmanit
unë të-birt të-Syfjanit.
Kshu tha pa zu luft' e-zezë,
vdekja zbriti posi rezë
lëftoninë dit' e natë,
mbretëront' e shkreta shpatë,
gjer sa vranë dhe Amarë!
plakn' e-urtë! kordhëtarë!
Dolli edhe fjal' e-thënë
e ati të parit t' ënë:
Ana, që të vras' Amarë,
nëmën' e ka për të marë.
Oh! ç' u-vra Amar-Iasiri!
ra i-vdekurë i miri!
Amar' e doj Muhammeti,
Aliu edhe rremeti.
Aliu kur pa Amarë,
plakn' e-varfërë të-vrarë,
qau shum' e psherëtiti,
dhe sytë përpjet' i ngriti,
deti p' an' u-trumbullua!
edhe shum' u-ashpërua!
Tha: Kordhë s' donja të shinja,
e mi djemt' e-mij të shtinja,
po më qaf' i past' armiku!
se zëmërënë ma pshiku. (vazhdo leximin: kap. 5)

naim frasheri qerbelaja

COMMENTS