Naim Frashëri - Qerbelaja, kap. 13

naim frasheri qerbelaja

Poema Qerbelaja, kapitulli 13 - nga Naim Frashëri


Abdullllahu i-Myslimit,
trim' i-mir i-bir' i-trimit,
dolli nga gjithë më parë,
nga shokëtë duke ndarë!
kal i tija tundi dhenë,
dhe armikët gjithë ç' qenë.
Abdullllahu u afrua
u tha: A më njihni mua?
jam i-biri i-Myslimit,
jam i-bir' i-ati trimit,
q' e vratë me të pabesë,
ju njerëzit' e Qofesë!
dhe ne ju këtu na prutë,
pa udhëtë na i zutë!
s' pattë turp nga Perëndija,
se u mbuloj ligësija!
latë fen' e Perëndinë
edhe Muhammet-Alinë,
dhe Fatimen' e Hysenë,
u bëtë me Mavijenë,
të-vërtetën nuk' e njihni,
sot Jezitit po i ndihni,
që përmbysi mëmëdhenë,
prishi dhe besën e fenë,
dhe njerëzin' e mahniti,
edhe jetën' e mërziti,
me djallëzi e me mitë
u bëtë gjithë jezitë!
e di që s' dëgjoni fjalë,
po kush është trim të dalë!
Kshu tha trim' i zotëruar,
dhe po rrij kundrejt kaluar.
Ymer' i tha ushtërisë,
armiku i Perëndisë:
Dëgjoni këtu, o shokë!
mblithni mëndjenë më kokë
këta janë trima shumë,
do të na bëjnë për lumë,
ujët të mos u ish prerë,
gjithë ne na kishin nderë,
etja u' a pret fuqinë,
pa ndryshe gjith' ushtërinë
këta do t' a kishin shuar,
dot' ishimë turpëruar.
Kshu tha dhe çoj Kudamenë,
q' ish' më trim nga gjithë ç' qenë.
Kudameja u lëshua,
Abdullahut j' u afrua,
pa një ushtë i vërviti,
sa mundi, po s' e goditi,
Abdullahu hoqi shpatën,
Kudamesë i dha datën,
pa ajy dyke gënjyer
me të kthyer, me të thyer,
një copë herë u mburua,
p' Abdullllahu j' u lëshua,
me shpatët i ra dh' e preu,
të-vdekur mbi dhet e ndeu!
Punën ati j' a mbarojti,
tjatrë luftëtar kërkojti,
po ng' armikët njeri s' vinte,
e lan e vetëm po rrinte,
dielli e përvëlonte,
etj' e-shkretë e mundonte!
papo j' u derth ushtërisë
si rrebesh' i-Perëndisë,
preu, ndeu, çqeu, vrau,
u shtritnë gjithë si kau,
pa s' ra i gjallë nër duar
n' ushtërit të mallëkuar,
po kish marrë plagë shumë,
gjaku i vinte si lumë,
prapë shumë luftëtarë,
vrau, pa ra vet i-vrarë!
Dolli i-ungji, Xhaferi,
dh' ajy shum' armikë therri,
pa vate në atë jetë
tek ajy Zot i-vërtetë!
Pasdaj si u vra Xhaferi,
dolli i vëllaj i-mjeri,
shum armikë në dhet shtije,
pa dhe vetë atje bije.
Shpirt' i njerëzet t' uruar
nga trupi duke shpëtuar,
ëngjëlli shpejt e rrëmbente
nër duar edh' e dëfrente,
përpara Zotit e shpinte,
edhe në parajs e linte,
nd' atë jetë posa delte,
Zot' i math e përkëdhelte,
po shpirtin e-mallëkuar
djalli e merte nër duar,
si ujku kur rrëmben qenë,
edhe ikën e mer dhenë,
ashtu djall i shëmëtuar
e merte duke munduar,
edh' e hithte në skëterrët,
pa e lij atje në t' errët!
në një sterrë errësirë
ndë natë, që s' ka të-gdhirë,
në të-keq e në mundime,
në të-mbëdhenj idhërime!
Mirësija del në dritë,
në t' errëtë ligësitë!
Zot i math e i vërtetë!
fal-na dritënë në jetë!
mos na lerë n' errësirë,
rrëfe-na udhën e-mirë,
mos na lerë në skëterrë,
në arrati mos na lerë.
Pas fëmijës së Myslimit
i erth radha Mehmet trimit,
të nipt të Xhafer-Tajarit,
t' ati burrë kordhëtarit,
q' e kishte vëlla Alinë,
e pat gjithë trimërinë.
Ajy në kohët të-parë
me Vizandinj ish vrarë,
krahn e djatht i patnë prerë,
fjamurinë s' e la të bjerë,
me të mëngjërin e mori,
luftënë prap e përdori,
të-mëngjërinë ja prenë,
edhe duar më si mbenë,
në dhëmb e rrëmben e iku,
pa s' ja mori dot armiku!
Shëmbëllente gjyshn e tija
Mehmeti nga trimërija,
armikëvet u dha datë,
u hoqi si duhej shpatë.
Pas ati i vëllaj dolli,
armikëvet dëm u solli,
pas ati i vëllaj tjatrë,
q' ishin rritur me një vatrë,
pa të-tre në luft' u vranë,
shokëtë të pak' i lanë!
Djemthit e Imam-Hasanit
ju, që ëngjëjvet u ngjanit!
për vdekje u erdhi radha!
trupat t' i lini gërmadha!
armikëtë, qysh kuxuan?
zemrënë u përvëluan!
Abdullllahu del më parë,
e le gratë duke qarë,
ish si yll i-gjori djalë!
hipi dhe dolli me kalë,
pa kali kur hingëlliti,
dheu i-tër' oshëtiti!
nga ajy komp i-pabesë
i Shamit e i Qofesë,
plot një qint' e tetë-dhjetë
vret ajy trim i-vërtetë!
edhe gjithë kordhëtarë
me emërë e të-parë,
një pas njëji i goditi,
të gjithë mbi dhet i shtriti!
Pasdaj njeri më s' kuxonte,
t' i dil kundrejt të lëftonte,
po vetëm në shesh e lanë,
dhe në mest të tyre thanë:
Lereni atje të mbesë,
se nga etja dotë vdesë.
Abdullllahu qëndroj pakë,
pa u derth me vrap si flakë,
me usht' e me shpatë shturi,
trima shumë në dhet vuri,
hyri në mest t' ushtërisë
e armikut të Perëndisë,
si shkurtoj shumë të tjerë,
u lëshua mi Ymerë,
q' ishte krej i ushtërisë,
dhe i-par i ligësisë,
Ymeri e pa dhe iku,
u thy' e s' qëndroj armiku
se shumë u frikësua,
u psheh e u turpërua!
Prap u kthye Abdullllahu,
se ju loth së shtëni krahu.
Pa Bahteriu Ymerit
i tha, kjo s' qe udh' e nderit,
ligësi të-madhe tfaqe,
më s' na le as sy, as faqe,
ti, që të bënë të parë
përmbi kaqe ushtëtarë,
të ikësh e të març malë,
të tmerrohesh nga një djalë,
urdhëro, i tha Ymeri,
ja ku është hiq dhe bjeri.
Armiku u turpërua,
me pesë qint u lëshua.
Këtej nisnë Furuzanë,
edhe Mehmetn' e Esanë,
q' ishin të tre shërbëtorë,
dalën me kordhë në dorë,
këta të katër u ranë,
të-pesë qintt' i përndanë,
edhe pesë-qint të-tjerë
u lëshuan me një herë,
ata katrë dhen' e tundë
dhe të-një-mijët' i muntnë.
Furuzani vrau shumë,
gjakn e bëri posi lumë,
si e panë Furuzanë,
q' e bëri pellk Qerbelanë,
shum armikë u lëshuan,
me shigjeta e mbuluan,
ju vra kali, mbet më këmbë
shpatën e mori në dhëmbë.
Esati, që më s' e shite,
u derth e vate t' i ndihte,
u lëshua Bahtëriu,
së pshehtazi faqe ziu,
bashkë me Ezrak-Hashimnë,
e vran atje Esat-trimnë,
ushtërija erth e-tërë,
s' kish ku të hithnje gjilpërë,
pasdaj vran edhe Mehmenë
edhe Furuzan e prenë.
Në mest të ati rrëmeti,
q' u bë gjaku posi deti,
Abdullahu po përpiqej,
dhe zemra për uj' i digjej,
Shith' i Rabias i shtije,
prapa krahëvet i bije,
i ep plagë shtat' a tetë
ati trimit të vërtetë,
edhe kalënë, ja vranë,
më këmb atë Zotn e lanë,
Ashni i-Aliut dolli,
me vrap një kalë i solli.
Abdullllahu s' desh të dinte
armikëtë po i shtinte.
Ymeri Isuf-Hizharë
e dërgoj për kordhëtarë,
po Abdullahu një herë
i shturi dh' e la të nderë,
pasdaj vrau dhe Tariknë,
e bëri copë armiknë,
pas ati edhe të-tjerë
shumë dërgoj në Skëterrë.
Pasdaj njeri s' desh të dalë,
se panë gjaknë si valë.
Armikët i bëri trokë
Abdullahu dhe erth nër shokë,
zëmrënë e kishte flakë!
tha: të kisha ujë pakë!
oh! nj' ujë si kur të pinja!
dhe dy kaqë do të ngrinja!
Me gjak ish mbytur i tërë,
veç etja keq i kish bërë!
Nukë muntte të qëndronte,
më nukë duhej të rronte!
pa u nis e dolli prapë
me etje shum e me vapë!
Pesë mijë nxjerr Ymeri
dhe u tha në mest t' a merri.
Ajy u hoth si fajkua,
mi të gjithë u lëshua,
armikët për mes i çau,
gjith i ndeu e i ndau,
po nga plagët, që kish marë
dhe më pasdaj dhe më parë
i vate gjaku si lumë,
u loth e u këput shumë!
pa vate Abas-Aliu,
edhe Ashni vetull-ziu,
të dy të ungjit i vanë
ndihmës, e vetëm s' e lanë.
Ahere Mehal-Zehiri
edhe Hamzaj, q' ish i-biri,
bashk Abdullllahut i ranë,
shpirtin nga trupi ja ndanë.
T' ungjitë Mehal-Zhehirë,
edhe Hamzanë, të-birë,
i vran e në vënt i lanë
muarr Abdullllahn e vanë.
Pa-zë po me psherëtime,
me zëmr' e pa ulërime
gratë Abdullan' e qanë
plagëtë me lot ja lanë!
idhërim e ati loti
mos pandeh q' e harroj zoti!
Kasëmi i vate pranë,
edh' e qau të vëllanë.
Nga Imam-Hysejni lejë
kërkoj në luftë të vejë,
u nis e donte të vinte,
Imam-Hysejni s' e linte,
i tha: kur të kam ty pranë,
si kur kam Imam-Hasanë!
Kasëmi i tha: Im atë
m' i pat thënë gjer e gjatë,
të gjitha këto, që ngjanë,
m' i kish thënë an e mb' anë,
këto gjitha mi ka thënë,
edhe fjalë më ka lënë,
më tha: Për Imam-Hysenë
të mos e kursesh vehtehnë.
Imami tha: Mirë thua,
po im vëlla edhe mua
një fjalëzë më ka thënë,
e më qafë ma ka lënë.
Kshu tha pa Kasëmn e mori
dhe vashën e vet e nxorri,
për dore të dy i zuri,
edhe afërë i pruri,
u tha: Të dy u bashkova,
se fjalënë s' e harrova,
q' im vëlla më porositi.
Kshu u tha dhe psherëtiti,
e i zu dorë-për-dorë
të-dy engjëllit e-gjorë!
kjo qe vles, e kjo martesë
fjala fjal e besa besë.
Kasëmi nuses i thotë:
Më s' më gjen këtu në botë,
po më kërko nd' atë jetë,
pranë Zotit të-vërtetë.
Kshu tha edhe me të ndarë
nga fëmija dyke qarë,
u lëshua si hastriti,
kordh' e larë vetëtiti.
Gjithë sa gjeti përpara,
i përhapi punë-mbara,
në mest vate si fajkua,
Ymerit j' u afërua,
njeri udhënë s' ja thuri,
pa thirri me zë pe burri
u tha: O komb' i-pabesë!
q' i ratë pas Mavijesë,
vallë edhe s' u pendohtë?
të vërtetënë s' e njohtë?
s' ish i-at' i Fatimesë
ajy zot q' u vu ju besë?
Ç' është kjo që punoni?
nuk u nginjtë? pa më thoni.
Kërkoni nga Zoti ndjesë,
o njerëzit e-pabesë,
hiqni dorë dhe pendohi,
dhe rrini pak e mejtohi.
Kshu u the të qofsha falë!
fjala plak e t' ishe djalë.
Po ata ishin shurdhuar,
lakëmim' i kish verbuar,
as dëgjoninë, as shihnin,
pa të-mirën s' e njihnin.
Ymeri u turpërua,
dhe u psheh e u qetua,
dhe tha: Ky është trim djalë
pa njeri të mos i dalë,
se të gjithë dot' i vrasë,
e ndë dhet dot' i këllasë,
po ushtërija e-tërë
ta pshjellë mir' e ta zërë
ky-djalë ngjan më Alinë,
pa ka gjithë trimërinë.
Kshu tha Ymer i-pabesë
se njerëzije s' kish pjesë.
Si tha bënë ushtëtarët
bashkë dhe gjithë të-parët;
pa Kasëmnë e rrethojnë,
edhe udhë s' i lëshojnë,
Kasëmi sa munt u bije,
shum armikë në dhet shtije
pa sicili mori frikë,
shokut të tij i thosh ikë!
I-tha Ezrakut Ymeri
me zemërim posi derri:
Ti që je trim i dëgjuar,
i parë dhe i-lëvduar
pse s' i dhe po rri i-qetë,
s' qënke trim me të vërtetë!
Ezraku dërgoj të-birë,
q' e pandehte trim të-mirë,
po Kasëmi me një herë,
at' e dërgoj në skëterrë,
pas ati i-dyti vate
po nukë shpëtoj pej shpate,
pas ati vajti i-treti,
dhe ajy vdekjenë gjeti,
në funt i-katërti dolli,
e-thëna atje e solli,
të katrë djemtë j' u vranë,
Ezraknë vetëm e lanë,
pa dolli dhe ajy vetë,
ishte trim me të-vërtetë,
me Kasëmnë shum u zunë,
me zëmërim të math shtunë,
Kasëmit i ndihu Zoti,
fuqi-madhi, vertik ploti.
Kur panë q' u vra Ezraku,
mbenë, se u ngriu gjaku!
Vrau Ezraknë nga Shami
Kasëmi dhe erth te Imami
me mushkërizë të djegur,
me buzë shumë të pjekur!
për ujë i përvëluar,
e për miqt i dëshëruar!
Pa e la prapë për jetë
fëmijënë si të shkretë,
në mest t' armikëvet hyri
pa tremburë fare syri,
se u nis për atë jetë,
vinte te Zot' i vërtetë
me zëmërim të-math shtinte,
armiku s' dij nga të vinte;
gjithë ç' ishin u mahnitnë
pej një trimi u habitnë!
Tek i vij përpara burri,
Shithi së-prapi i shturi,
plagë kish njëzet e tetë,
gjaku i rrith si rrëketë,
u këput e ra nga kali,
si lisi pej majë-mali,
Imami vet' u lëshua
mbi armikët si dragua,
me shokët Kasëmn' e mori,
jasht' armikëvet e nxorri,
e prunë ashtu të prerë,
hapi sytë dhe një herë,
edhe i mbylli për jetë,
opopo, Zot i-vërtetë.
Ah! o moj ti vdekj' e-shkretë,
ç' le një hidhërim për jetë!
Njeriu me kaqë shpresë,
qysh të bjerë e të vdesë?
vallë si ti bëhetë fundi?
kemi tjatrë vënt gjëkundi?
a këtu kthehemi prapë
përgjigje kush munt të m' apë?
Mbahu ti, o zëmra ime,
që shkel tek do e je trime,
thuaj si thoshin qëmoti,
nga Zoti prapë te Zoti,
në prehje, te Perëndija
dotë vejë mirësija
ligësija në skëterrë
do të vej e do të bjerë.
Trëndafilëtë q' u thanë,
thua se më nukë janë,
i sjell me lulet e tjera,
gjithënjë vin edhe venë,
janë prap ato që qenë.
Zot i-math e i-vërtetë!
gjithësija je ti vetë!
më ç' do anë, që vërejmë,
fytyrënë t' ënde gjejmë.
Mirësi e ligësija,
djalli edhe Perëndija,
dhe parajsa e skëterra,
e gjithë ç' janë të tjera,
te njeriu gjithë janë,
ata që dinë, kshu thanë,
i gjen ndaj teje të-tërë
kë të duash atë zërë.
Do zërë Imam-Hysenë,
do Jezitn' e Mavijenë,
njëri të nxjerr te shpëtimi
e tjatëri ne mundimi.

vazhdo leximin: [ kap. 14 ]
shko në fillim: [ kap. 1 ]

COMMENTS