Naim Frashëri - Qerbelaja, kap. 22

Poema Qerbelaja, kapitulli 22 - nga Naim Frashëri


Gënjeshtra me të-vërtetën
po haheshin gjithë jetën,
e-vërteta kish Alinë,
gënjeshtra jezitërinë,
po dha dritë Perëndija,
dhe u xgjua njerëzija,
kupëtuan mirësinë,
prunë nër mënt dhe lirinë,
se po i shoj djallëzija,
i përmbysi rrobërija,
pa e lanë Mavijenë,
zunë mëmë-Fatimenë,
hodhë poshtë djallëzinë,
zunë Muhamet Alinë
xgjodhë Hysejn' e Hasanë
lanë Jezitn e Mervanë,
të-vërtetënë e njohnë,
me zëmërë u pendohnë,
të gjithë më këmb' u ngrinë,
u bënë me Perëndinë.
Në qytett të Horasanit
ishte i-par' i-Mervanit
Nasrë-Sejar' i-pabesë,
q' ish miku i-Mavijesë.
Pa në Horasan Jahjanë
armikët e-ndyr' e vranë,
dhe varur e kishin lënë!
me dorë s' e kishin zënë!
edhe shumë kordhëtarë
Nasrë Sejjari kish vrarë,
pasdaj vrau dhe Qethirë,
q' ish një burrë shum i mirë!
Djemt e vashatë mësonte,
një njeri me ujë shkonte,
u ngrit nga vëndi, që rrinte
një ujë kërkoj të pinte,
ujëtë në dor' e mbante,
dhe me lot kish zën e qante,
lottë si krua i vanë,
se pru nër mënt Qerbelanë
s' e mbajti dot mallëngjimnë
pa dha edhe mallëkimnë.
Nga ata miqt e Syfjanit
ish atje djal i Sinanit,
me një tjatrë van e thanë,
që mallëkoj pa e vranë!
Hadi Gjermani me besë,
q' i doj djemt e Fatimesë,
e xgjoj botën q' ish në gjumë
edhe mblodhi shokë shumë,
lëftoj me Nasrë-Sejjarë,
edhe me Mervan-Gomarë,
të-liqt' u ndanë më nj' anë,
edhe prapë shum u vranë,
pas besës' së Mavijesë
e vranë me të pabesë
Hadi Gjerman kordhëtarë!
si dhe Qethirë më parë.
Kur në mest të njerëzisë
del dragoj i Perëndisë!
q' ish i bukur si pallua,
i-fortë posi fajkua!
O ëngjëll! që vjen nga Zoti
edh' e di ç' u bë qëmoti,
ç' ish ky burrë? as më thua,
q' ish i-fortë si dragua!
Ky ishte Eba-Myslimi,
nga gjithë trimat më trimi,
të-keqen e dorës' s' ate,
i qofsha fal asaj shpate.
Shokë! tha, nër mënt të vimë
gjer kur të poshtër të rrimë,
në xgjedhët të Mavijesë,
të Mervanit të-pabesë,
gjer kur njerëzi e mjerë
në një brëngë të-paprerë,
dhe në dëm e në mëkatë,
e në frikë dit' e natë.
Të-mirëtë duke vrarë
u bënë këta të parë,
kanë vrarë të vërtetën,
e-rremja ka nxirë jetën,
njerëzija sa ka vuar,
ç' të-këqija ka pësuar,
se orët e kanë zënë,
edhe sot s' duan t' a lënë,
lanë dritëzën e-mirë,
u futnë në errësirë,
lanë djemt e Fatimesë,
aq' bënë të-pabesë,
zunë Syfjan' e Mervanë,
pa në rrobëri na lanë,
do t' a përmbys këtë jetë,
për atë Zotn e vërtetë,
nga njerëzit e pabesë
as një nukë dotë mbesë.
Kush do Muhamet Alinë,
edhe le jezitërinë,
kush të dojë Fatimenë,
dhe heth poshtë Mavijenë
kush të besonjë Hasanë,
të mallëkonjë Mervanë,
edhe gjithë ligësitë,
dhe dëmet e djallëzitë,
kush beson Imam-Hysenë,
kush do nder e Mëmëdhenë
le të nisetë me mua,
se gjë tjatrë nukë dua,
po të vras jezitërinë,
e të përmbys ligësinë,
të nxjerr në shesht mirësinë,
e t' a shpëtoj njerëzinë,
që është në të këqija,
edhe lark nga Perëndija.
Kështu tha burr' i-vërtetë,
që s' ka shok në këtë jetë,
shokët' e tij pas i ranë,
së-pari xbritnë Jahjanë,
atë shpejt në dhet e vunë,
dhe me vrap luftën e zunë.
Kshu j' a dil Eba Myslimit,
koha ishte koh e trimit,
e vërteta vate mbarë
se gënjeshtra ish e-sharë,
u shua fat' i Syfjanit,
perëndoj yll' i Mervanit,
edhe djalli ishte pshehur,
rrinte i qet e i dehur,
dha urdhërë Perëndija,
pa u zgjua njerëzija,
trimat e-mirë dhe djallë
me pahir në dhet e kallë.
Nga gjithë shokët m' i miri
ishte Sylejman Qethiri,
edhe Kahtabe-Shebipi
e Mehmet-Hadi-Dalipi
dhe shumë burra të tjerë,
të dëgjuar e të vlerë,
po më trim ish Katabeja,
që hidhej posi rrufeja.
Këta vetëm për Jahjanë
tetë dhjetë mijë vranë,
dhen e qiellin e tuntnë,
dhe Nasrë Sejjar e muntnë
me tridhjetë shokë iku
pshetazi natën armiku,
po i ranë pas dh' e zunë
Eba Myslimit j' a prunë,
pa e varrë edh' e lanë
tek kish lën' ajy Jahjanë.
U kthye jeta si rrota,
pa u përmënt e gjithë bota
kujtuanë Perëndinë,
dhe prunë nër mënt Alinë,
edhe kohëzën e tija,
që mbretëronte lirija.
Ata zotërinjt' e mirë,
që lan emrë të pavdirë,
gjith' ato që kishin vuar,
bota s' i kishte harruar,
ç' hoqnë djemt e Fatimesë
nga komb i-lik i pabesë,
vjershëtorët i vjershëronin,
njerëzija i-mësonin,
dhe duke dëgjuar qanin,
të-parëvet nuk u ngjanin,
që vunë dorë dhe vetë
mi zotërinjt' e vërtetë.
Zoti ndonëse mënonte,
punënë nuk' e harronte
po duhet Eba-Myslimi,
ky nder j' u fal ati trimi.
Pa buçiti njerëzija,
u mbloth posi mizërija,
e lanë jezitërinë
edhe Mervan-faqe-zinë,
se xgjedh e rënd i këputi,
kurti në skëterr i futi,
papo të-gjith u përveshnë
gjalljenë më nuk e deshnë,
lirin e bukurë xgjodhë,
robërinë posht e hodhë,
van e gjetn Eba-Myslimnë
u bënë shokë me trimnë.
Trimi zinë kishte zënë,
rroba të-zeza kish vënë,
vanilet e-zeza sterrë
i kishinë nderrë nd' erë
posi korbi fluturonin,
armikët i frikësonin!
Bir! o bir! Eba-Myslimi!
sa ish burr i-fortë trimi!
si shqipja n' armikë binte!
shpat e shigjetë s' e zinte!
qytetet i kish shpëtuar,
armikët i kish tmerruar!
kush kish të bënj më Syfjanë,
me Jezitn e me Mervanë
dhe si shpes të fluturonte,
nga kordh e ati s' shpëtonte.
Xgjodh nga gjithë kordhëtarët
më trimat e vu të parët,
përhapi gjith' ushtërinë,
dhe thirri ndihmës Alinë.
Ishinë trima të parët
edhe gjithë luftëtarët,
gjithë kush nga parësija
shkoj me ushtërit të tija,
më të gjith anët u ndanë,
vetë zuri Horasanë,
trimi mi trimat e tjerë,
Zot i-math e shum i ndjerë.
Trimatë luftën e zunë
dhe gjaknë më gjut e shpunë
armikëtë i tmerruan,
i vran i pren e i shuan!
nga ajy komb i pabesë,
që j' u falë Mavijesë
një më këmbë nukë lanë
i rrëzuan e i vranë!
se ashtu kish'në vrarë
pa s' mbetetë shpagë pa marë
është gjall Zot i-vërtetë,
mos e dish jetën të shkretë!
armikëtë shum u mburrë
po e liga s' del tej kurrë.
Trimatë, që u përndanë,
sicili mori më nj' anë,
armikëtë i dërmuan,
dhe më ç' do luftë fituan,
të shumët syresh i prenë,
e bënë det edhe dhenë,
të pakëtë që shpëtuan
lanë vëndetë dhe shkuan,
trimat e Eba-Myslimit,
shokët e mirë të trimit,
duke përhapur si drita,
mbuluan dhenë si dita,
më njanë zunë Qofenë,
m' anët tjatrë Medinenë!
Punëtorët e Mervanit
i tërë komb i Syfjanit
ikënin të turpëruar,
njerëzit e mallëkuar!
ata të pakët që mbenë,
muarrë fshehtazi dhenë,
n' atë Shamt të shkretë vanë,
të piqëshin me Mervanë!
Gënjeshtra mbë dhet po binte
e vërteta zu të ndrinte,
dimri ish më të mbaruar,
po vinte ver e uruar
nata ishte duke ngdhirë
po lintte një dit e mirë.
Trimat u dhanë më derë,
edh' e ngrin Imamt-Zhaferë,
ishin të tërë me shpata,
edhe me ushta të gjata
duke falurë i vanë,
të-gjithë nër këmb i ranë
i thanë: Na dërgoj trimi,
miku yt Eba-Myslimi,
që të të vëmë të parë,
e puna të vejë mbarë,
se neve veç derës s' uaj
s' vëmë tjatër e të huaj,
pa erthmë të marrim dorë,
po mos na lerë të gjorë.
Këta këto fjal' i thanë,
po kur dhe të-tjer u dhanë,
erdhi gjithë parësija,
dh' e rrethoj shtëpin e tija.
Falësor i Perëndisë,
shtyll e gjithë njerëzisë,
me nder të math shum i priti
me dashuri i gostiti.
Ata në krahror ju futnë
gjithë me një zë ju lutnë,
donin t' a bënin të parë,
e t' a vinin nënë barrë,
si e pa që nuk e linin,
me pahir donin t' a vinin,
u tha: Mua mos më ngini,
në këtë punë s' më kini,
po ju mua në më doni,
fjalënë në ma dëgjoni,
një tjatrë t' u gjej unë,
e të mbarohet kjo punë,
dhe unë t' u ap uratë.
Kshu tha Zoti jetë gjatë,
si e bindi njerëzinë,
u vuri të-kushërinë.
Ajy ishte Abdullllahu,
ishte Abdullllah-Safahu,
Abaz' ish stërgjysh i tija,
pa e donte njerëzija,
Muhammeti me Alinë
Abazë ungj e kishinë.
Këtu u bë Abdyllllahu,
pa gjithëkush e përkrahu,
në Qofe pasdaj e shpunë,
atje të-parë e vunë.
Sylejman-Ebu-Selmeja,
vu fjalë, q' u tunt Qofeja,
më parë plaku i-gjorë
nga të gjithë mori dorë;
numëroj ç' kishinë bërë
Syfjanasit gjat e gjërë,
njerëzija vuri veshnë,
atë të-parë e deshnë.
Po punën e bëri trimi,
Zot' i math Eba-Muslimi,
të mos ish kordh e atija,
nukë ngrihej rrobërija,
ajy rrëzoj mbretërinë,
edhe nderoj njerëzinë,
shoj farën e Mavijesë,
q' ish e-lig' edh' e pabesë.
S' i harronte Perëndija
aqë shumë të-këqija,
pa kush e bën dot' a gjenjë,
Zotn e-math s' mun ta gënjenjë,
s' gënjen dot dhe njerëzinë,
q' e njohnë ligësinë,
gënjeshtra dhe ligësitë
s' dalënë kurrë në dritë,
pa të lenë n' errësirë
e vërteta ësht' e pavdirë,
kurdoherë mirësitë
i mundinë djallëzitë
e-drejta dhe e vërteta
s' mbetenë kurrë të shkreta,
tek mbretëron urtësija,
atje është Perëndija. (vazhdo leximin: kap. 23)

naim frasheri qerbelaja

COMMENTS