Tipologjia e interpretuesit të këngëve kreshnike

Në veprën e tij "Çështje të poetikës" R. Jakobsoni shkruan se roli i një interpretuesi të veprave folklorike nuk duhet të asimilohet as me rolin e lexuesit, as me atë të recituesit të veprave letrare, por as me atë të autorëve të tyre. Studiuesi i poezisë mesjetare M. Stanesco shprehet se midis krijuesit dhe interpretuesit nuk kishte një ndarje si të prerë me thikë. Dallimi midis trubadurit apo truverit që ishin krijues dhe zhonglerit që ishte ekzekutues, ishte fare relativ dhe midis këtyre dy regjistrave kishte interferenca të shumta. Peter Burke saktëson se interpretuesi tradicional nuk ishte as "ekzekutues", as "kompozitor" në kuptimin e sotëm të këtyre termave; "Ai prodhonte variacionet e tij, por brenda një kornize tradicionale".

Po atë status që ka qenë tipik në Evropë dhe më gjerë, ka pasur edhe interpretuesi i këngëve kreshnike shqiptare. Kjo nuk do të thotë se lahutarët tanë kanë qenë të gjithë të njëllojtë. Në qoftë se një pjesë e tyre kanë qenë riprodhues të traditës, të teksteve e të muzikës së trashëguar, një pjesë tjetër e ka pasur më të zhvilluar aftësinë për t'i modifikuar dhe për t'i rinovuar tekstet apo muzikën, madje edhe për të krijuar tekste të reja apo motive muzikore të reja.

Duke u nisur nga kriteri i autorësisë, lahutarët shqiptarë ndahen në:

1. Lahutarë interpretues


Kësaj kategorie i përkasin më të shumtët e bartësve të këngëve tona kreshnike. Pas hulumtimeve të gjata në terren, në këtë përfundim ka arritur edhe Ernest Koliqi: "Kangatari ma të shumtën e herve nuk këndon kangët e qituna (e krijuara, A.P.) prej tij". Rolin e tyre thjesht si bartës të një tradite të lashtë, lahutarët shqiptarë e vënë në dukje në mbyllje të këngëve të tyre, e cila shndërrohet në një klishe epike.

Mar Kola i Kolë Nikës, Theth:

"Na atje, bre shokë, nuk jem kanë,
Por njeshtu neve na kanë thanë,
Gojë mbas goje të parët si na e kanë lanë".

Selman Arif Bashota, Bubavec-Llapushë:

"Kshtu kam ditun, qeshtu e kam knue,
Kshtu kanë thanë, se atje s'jam shkue,
Prej ma t' moçmve na e kena msue,
Vetë prej veti s'e kena marue...".

Lam S. Morina, Ostrozub-Podrime:

"Qeshtu ditëm, qeshtu e kemi knue,
Tybe n' zotin vetë s' e kem' marue".

Hulumtuesit apo mbledhësit e këngëve kreshnike kanë grumbulluar të dhëna të shumta që vërtetojnë se përgjithësisht lahutarët i kishin mësuar nga dikush tjetër këngët që i këndonin.

2. Lahutarë krijues


Pasi shkruan se fjalën poet e ka përdorur për të shenjuar atë mashkull ose atë femër që, duke qenë ekzekutues i performancës, është në zanafillë të poemës gojore, P. Zumthor shton:

"Fjala poet nënkupton disa role, sipas asaj kur është fjala për të hartuar apo për të recituar; dhe në rastet më komplekse (dhe më të shumta) të hartojë tekstin, të kompozojë muzikën e tij, ta këndojë apo ta shoqërojë me instrument".

Rastet kur bartësit e eposit tonë heroik jo vetëm këndojnë e u bien veglave, por edhe krijojnë këngë të reja, Ramadan Sokoli i ka quajtur veprimtari të trefishtë.

Duke pranuar se ka pasur lahutarë krijues, domethënë poetë popullorë të mirëfilltë, duhet të ruhemi nga ngatërrimi i koncepteve. Burkeja na tërheq vëmendjen për këtë dukuri dhe na thotë se ekzistenca e poetëve popullorë nuk duhet të na bëjë që të nxjerrim përfundimin se autorësia individuale e një varianti të një kënge ose rrëfenje tradicionale ishte si autorësia e një vepre letrare të asaj kohe.

Mendoj se lahutarë krijues kanë qenë ata këngëtarë që i modeluan këngët kreshnike ashtu siç i njohim sot. Për shkak të mospërdorimit të shkrimit dhe të mbledhjes me vonesë të epikës sonë legjendare, emrat e atyre këngëtarëve janë harruar. Edhe në rrethana të tilla, mund të themi se një krijim unikal si kënga "Ajkuna kjan Omerin", është krijuar nga lahutari Mirash Gjoni nga Currajt e Epër. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për rapsodinë paradigmatike "Martesa e Halilit". Krijim origjinal i lahutarit Sefer B. Krasniqi nga Juniku i Deçanit duhet të jetë kënga "Muja e mbyt djalin e vet tue e shtrëngue prej malli" etj.

Referencat për ekzistencën e lahutarëve krijues nuk mungojnë as në tekstet e këngëve kreshnike:

"... Shnosh e mirë-o ata n'Utbinë kur janë dalë,
U martue Alija pa kujtue,
Boll zahmet, o besa, paskan hjekë.
M'at ven kajkën-o ja paskan vnue,
Kajkatart-o gjithmonë për me knue".

Në një këngë tjetër, aftësia për të krijuar këngë të reja apo për të përdorur termin teknik të lahutarit shqiptar "me vu në kangë" i atribuohet vetë kryekreshnikut Muj:
"Qatherë Muji Halilin ma pajton:
Mos ki gajle trimit i ka thanë,
Larg, o Zot, trimninë me ta humbë!
Bash në kangë Muja don me t' vu.
Për shum vjet Muja ka me t' kndue".

Studiuesit e poezisë mesjetare kanë vënë theksin te diversiteti i madh shoqëror i trubadurëve, të cilët kanë qenë mbretër, princër, kryezotër, dukë, kontë, kalorës të thjeshtë, murgj, borgjezë, bij shërbëtorësh. Nga të dhënat që kemi në dorë, del se lahutarët shqiptarë kryesisht kanë qenë kalorës dhe malësorë të thjeshtë, barinj apo bujq.

Tipologjia e interpretuesit te kengeve kreshnike
"Rapsodi..." - nga Dhimiter Mborja

Sipas kriterit të përkatësisë shoqërore, interpretuesit e këngëve tona kreshnike ndahen në:

1. Lahutarë kreshnikë


Tipi i kreshnikut lahutar të sjell ndër mend trubadurët truverët, e zhonglerët kalorës apo kryqtarë që kanë luajtur rol të rëndësishëm në poezinë mesjetare evropiane. Për tipin e luftëtarit poet, oralisti amerikan Gregory Nagy shkruan: "Në kapitujt e mëparshëm kam treguar se luftëtari poet gjinisor, si terapon i Aresit i Muzave, në mënyrë të vetëkuptueshme është i denjë të bëhet hero kulti pas vdekjes".

Nga materialet e mbledhura apo të botuara deri sot, vihet re se tipi i lahutarit kreshnik ka qenë i pranishëm në të gjitha viset ku praktikoheshin këngët kreshnike. Si të tillë përmenden disa kreshnikë:

1. Muji

Mhill Preka, nga Curraj i Epër:

"Merr lahutën Muja për me i ra,
N' dyzen Muja e ka vndue.
Mirë ai gishtat na i shtërgon,
Por ma mirë me za i ndihmon,
Tre sahat zani po i shkon".

Haxhi Meta-Nilaj nga Rugova, Kosovë:

"O bukur n' qef, e he, Muji-e ish ba,
E, o, e ka marr-e sharkin n' dor,
E, o, ka nis' more, o Muji e po i bje,
Eje, po sa bukur, qe besa-e, i kno".

2. Halili

Muho Zeqir Ademi nga Repishti-Shkodër:

"E ka marr' Halili lahutën në dorë,
Mir' po i bjen Halili, mir' po i kndon
E i ka kndu Jutbin' e krahinë,
E i ka kndu Galiqe Galanin".

3. Tali

Riza Selim Bllaca nga Bllaca e Suharekës:

"Eu, pa kqyr Tala aty shka po ban,
t' mirë ni kangë, more, Tala e ka marrë,
'i kangë të mirë, more, Tala që po e knon...".

4. Gjergj Elez Alia

"... tri dit, tri net për drum po shetit,
ai (Kraleviqe Marku, A.P.) po lyp ndoj shqyptar t'ri,
ma kish pasun nji kalë dori,
doria jelen dori n'oblluk të shalës.
Ai (Gjergj Elez Alia, A.P.) kambëkryq mbi dori ish ungjun
E tamurit mir-e po m' i bike,
Po ma mirë kangës po ja thotë."

5. Ramë Bajraktari

Islam Kasumi nga Tuxhevci i Gollakut:

"Eu, prej shpie Rama kanka dalë,
se tri vjet-o n' shpi t' vet s'ka shkue:
Ni par petka t' maxharve i ka marrë,
Ni llaut-o t' mir e ka marue,
Me llaut-o kajka shkon tu knue."

6. Ashike Ymeri

"Kur ka kanë ashike Ymeri...
Mir' i bjen lautës, ma mir i knon,
Të gjitha varzat ma nigiojnë."

2. Lahutarët shëtitës


Sipas P. Burkes, në Evropën mesjetare ka qenë shumë i njohur tipi i këngëtarit shëtitës: "Në Itali, cantastorie ose këngëtarët e rrëfenjave endeshin nga një vend në një tjetër, duke kënduar në pjacë dhe duke e shoqëruar veten me njëfarë instrumenti, zakonisht viola". Nga ana e tij, P. Zumthor-i pohon se deri më 1850, poetë, këngëtarë, recitues nomadë bridhnin jo vetëm nëpër tërë Evropën, por edhe deri në skajet e Euroazisë, siç ishin akinët kirgizë apo këngëtarët e Heike-së që me biwan krahaqafë përshkonin fushat e Japonisë. Ai sqaron se krahas nomadizmit të njëmendët ka ekzistuar edhe një mininomadizëm që përfshinte një areal të kufizuar.

Për ekzistencën e lahutarëve shqiptarë që karakterizoheshin nga dukuria e nomadizmit ose së paku e mininomadizmit, gjejmë të dhëna në tekstet e këngëve kreshnike: për të kërkuar gruan që ia kanë rrëmbyer, Muji maskohet si lahutar endacak dhe merr rrugët e kralive:

"N' tesha t' lypcit Muji ka hi,
Lahutën n' strajc trimi e ka shti,
Ka marrë dromin për krajli.
T' tana krajlitë po i shetit,
Po e kërkon at vashën e vet,
N' der' të Filit vend ka zanë,
E ka marrë lahutën në dorë,
Mir' po i bjen, ma mir po i kndon..."

Në këngën e lahutarit Zef Gjeloshi nga Lotajt e Dukagjinit, Muji e mban lahutën krahaqafë:

"Qyr çka bani njaj Bylykbashe Muji,
M' i ka vesh' ai petkat maxharisht,
Ma punon ai lahutën të bukur...
Krah' e qafa ai lahutën po e vnon".

Të dhëna për nomadizmin apo mininomadizmin e lahutarëve shqiptarë ka edhe në shënimet e folkloristëve. Alois Schmaus shkruan se lahutari nga Mitrovica Zeqir Beqiri, kur shkonte nga një vend në tjetrin, lahutën e mbante të mbështjellë me rubë (pëlhurë, shami e madhe). Lahutari Sokol Martini nga Brisa e Nikaj-Merturit ka kënduar në Shalë, në Shosh, në Toplanë, në Krasniqe, në rrethinat e Gjakovës, në Plavë e në Guci. Për lëvizjen e lahutarëve na informojnë edhe të dhënat e disa interpretuesve për mësuesit e tyre, të cilët kanë qenë nga krahina të tjera.

Në një shoqëri patriarkale, siç ka qenë shoqëria shqiptare në të kaluarën, vetëkuptohet se kanë mbizotëruar lahutarët meshkuj. Këtë gjë e vërtetojnë më së miri botimet e derisotme dhe materialet që ruhen në arkiv.

P. Zumthor vëren se në Azinë Qendrore të shekullit XIX, poemat heroike të turkmenëve e të kirgizëve i recitonin vetëm meshkuj të specializuar, por te jakutët dhe kunguzët, po këtë veprim e kryenin femrat. Ka dëshmi se edhe në Shqipëri, femrat nuk kanë qenë vetëm dëgjuese, por edhe interpretuese të këngëve kreshnike. Nga vëzhgimet e tij, Q. Haxhihasani arrin në këtë përfundim: "Po edhe gratë, edhe pse s'kanë pasë zakon të dalin para popullit, me përjashtim të virgjërave, vajzave që s'martoheshin e visheshin si burra, dinë përmendsh me qindra dhe mijëra vargje nga këto këngë, madje ka asosh që i bien edhe lahutës". Dukurinë e lahutareve femra e ka përmendur edhe etnomuzikologu Ramadan Sokoli.

Si lahutare, tradita ruan emrin e Prenda Frrokut nga Puka, Sabile Fetahut nga Prishtina, të Katrinës së Zikut, të Frangë Currit, të Cungë Smajles, të Dile Gjonit. Në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, zhvilluar në vitin 2005, këndoi me lahutë Lumturie Nonaj nga Lezha. Lahutaret femra janë të pranishme edhe në tekstet e këngëve kreshnike.

Dedë Gjergji, nga Thethi-Shkodër:

"Qyr me pa çikën ç'ka punue!
I ka marr fyell e çifteli,
U bjen çika për bukuri.
E ka marrë lahutën, po, në dorë
Ja ka nisë he bukur po i këndon".

Rexhep Ukshini nga Berisha-Tropojë:

"Mir' çika vesh e kish marrë,
Se zanat çika lahutën e kish pasë..."

Po të kemi parasysh se në gjeografinë e qarkullimit të tyre, këngët kreshnike janë praktikuar në mënyrë masive, është e kuptueshme se më të shumtit e interpretuesve të tyre kanë qenë amatorë. Sipas Mathias Murkos, te sllavët e jugut kanë ekzistuar edhe interpretues profesionistë: "Përveç këtyre amatorëve, ndeshen edhe këngëtarë profesionistë, sidomos te myslimanët, në veriperëndim të Bosnjës dhe më larg drejt jugut".

Të shtyrë nga qëllimi për të nxjerrë në pah sa më shumë dallimin apo opozicionin midis guslarëve të epikës në gjuhën serbokroate dhe lahutarëve shqiptarë, folkloristët tanë kanë mbrojtur hipotezën, sipas së cilës në Shqipëri ka pasur vetëm lahutarë amatorë: "Ata (lahutarët, A.P.) nuk janë profesionistë, nuk e ushtrojnë mjeshtërinë e tyre nën stimule materiale, po këndojnë ku t'u epet rasti në familje a ndër miq, në fis të tyre a ndër fise të tjera ku shkojnë për festa të ndryshme familjare e popullore". Të dhënat nga terreni na bindin se nuk ka qenë plotësisht kështu, se të gjithë interpretuesit e këngëve kreshnike shqiptare nuk kanë qenë amatorë.

Përveç dhuntive të lindura që duhej të kishe për t'u bërë lahutar i zoti, duhej ta mësoje nga dikush mjeshtërinë e të kënduarit, të rënies së lahutës dhe të ushtroheshe për një kohë të gjatë. Për këtë çështje, P. Zumthor thotë: "Format e gjata kërkojnë zotërimin e teknikave të sakta: ekzekutuesi është një specialist, shpeshherë një profesionist". Ai përmend guslarët serbë, të pyetur nga Parry dhe Lord, të cilët e ushtronin profesionalisht artin epik në raste të përcaktuara, por ata praktikonin edhe një zeje fitimprurëse, ishin bujq, bari, mësues, kafexhi.

Në fillimet e kohës së re, në Evropë, këngëtari gjuante, peshkonte ose punonte tokën si anëtarët e tjerë të bashkësisë. Sipas Burkes, midis këngëtarëve kishte diferencime: "Kishte amatorë dhe kishte gjysmëprofesionistë, specialistë vetëm një pjesë të kohës, të cilët kishin një zanat tjetër, por që mund të nxirrnin të ardhura plotësuese nga të kënduarit, dhënia shfaqje ose mjekimet".

Më 1844, Cyprien Robert shkruan se në Shqipëri, bard nuk ishte dokushdo, por i tillë ishte një njeri i veçantë, i specializuar për të kënduar trimëritë e stërgjyshërve. Këtë dukuri, A. Schmaus e ka vënë re në ato vise shqiptare ku ka bërë kërkime folklorike. Pasi pohon se nuk ka profesionistë të njëmendtë, ai shton: "Si kemi për ta pa ma përtej, u krijue në rasën ma të mirë nji lloj kangëtarësh gjysë-profesionarë. Këta janë njerëz që merren me punët e veta të zakonshme e të cilët në kët punë e gjejnë gurrën e parë të fitimit".

Për të vërtetuar se lahutarët shqiptarë nuk kanë qenë vetëm amatorë, por midis tyre ka pasur edhe gjysmëprofesionistë, ashtu si në vendet e tjera të Ballkanit, po radhitim këto argumente:

a. Përgjithësisht, lahutarët shqiptarë kanë filluar t'i bien lahutës dhe të këndojnë këngë kreshnike në moshë të re, kur mund të zhvillohen më mirë dhuntitë e lindura dhe të fitohen shprehitë teknike.

b. Për përgatitjen e interpretuesve të poezisë gojore, ka luajtur një rol të madh tradita familjare. Nga materialet që ndodhen në arkiv, del se lahutarët e rinj kanë mësuar nga babai, nga xhaxhai, nga vëllai më i madh, nga ndonjë lahutar i përmendur nga po ajo krahinë ose nga krahina të tjera.

c. Një element i rëndësishëm i profesionalizmit ka qenë edhe pagesa, shpërblimi që i jepej interpretuesit të këngëve kreshnike. Duke u nisur nga opozicioni midis lahutarëve shqiptarë dhe atyre serbokroatë, por sidomos nga ideologjia sunduese, folkloristët tanë e kanë mohuar në mënyrë kategorike se lahutarët shqiptarë merrnin ndonjë shpërblim për performancën e tyre. Të dhënat nga terreni e hedhin poshtë këtë pikëpamje. E. Koliqi shkruan se lahutarit Gjergj Pllumi i dhuronin veshmbathje të ndryshme. Për disa rapsodë të Krasniqes, ai shton: "Krejt nji vllazni, e njoftun me emnin Qorrat e Kolgecajve, qitte kangë herë me pare mbas porosisë së të tjerëve, herë për mirakandje të vet".

Duke folur për lahutarin Prendush Gega, Lazër Shantoja thotë:

"Ndonëse bejtet që i porosisin, i qet me pare (e tash merrte 60 k. serm për një bejtë), i shkreti Prendush Gegë s'ka mujtë ende me vu në brez livore (revole) me dorcë të argjanët...". Të dhëna të rëndësishme për shpërblimin e lahutarëve kosovarë sjell A. Schmaus: "Në këtë rasë, ata marrin, së paku në kohë ma të reja, nji shpërblim (sot zakonisht të holla)". Ai shkruan se kur grisheshin në argëtime, sidomos në dasma, Hysejn e Hasan Sadria shpërblimin e merrnin në të holla, zakonisht 20 dinarë.

d. Interpretuesit e këngëve tona kreshnike kanë pasur një repertor të gjerë dhe kanë treguar një virtuozitet të lartë gjatë performancës së tyre, atribute që nuk janë karakteristike për një amator. Q. Haxhihasani shkruan: "Repertori i një këngëtari shkon 40-50 këngë me rrotull 10 000 vargje gjithsej. Ky ka qenë një repertor i zakonshëm që e kemi gjetur në këngëtarët e njohur, me të cilët kemi punuar pas Çlirimit, si p.sh., te Sokol Martini, Ndue Lulashi, Osman Arifi, Mirash Ndou etj.

Edhe A. Schmaus, që nuk dallohet për dashamirësi ndaj shqiptarëve, është detyruar të pranojë mjeshtërinë e lartë të lahutarëve shqiptarë. Ai thotë se shembulli i Ajet Bilalit prej Çuprelje dëshmon se ka këngëtarë shqiptarë shumë të mirë, të cilët mund të maten me guslarët më të mirë me kombësi serbe. Atëherë, në qoftë se pranohet botërisht që guslarët e epikës serbokroate kanë karakteristika profesionalizmi dhe lahutarët shqiptarë mund të maten denjësisht me ta, a nuk kanë karakteristika profesionalizmi edhe këta të fundit?

Të shpeshta janë rastet kur lahutarët shqiptarë e mahnitin auditorin me virtuozitetin e tyre, aq sa të kujtojnë Orfeun mitik:

"E ka marrë lahutën në dorë,
E ka marrë lahutën tuj ra,
Mirë po i bjen me gishtat e dorës,
Mirë po i këndoke me gjuhën e gojës,
E t' gjith' hallkun pa mend e ka lanë".

Në një tekst tjetër, nga të kënduarit e lahutarit, mahniten edhe shpezëria:

"Del ma i mbrami Ali Bajraktari,
Kam turqisht n' at gjok ish ken' hipë,
Mirë i bjen, ma mirë i këndon,
Zogjtë e malit mbrapa po e ndjekin."

E njëjta pamje përsëritet edhe në tekstin e mëposhtëm:

"Kanka mbledhë shehri mbarë,
I madh e i vogël kush qe i gjallë,
Po e kërkojnë at kangatar,
Shoq më shoq janë grumbullue,
Zogjtë e malit iu kanë afrue.
Ma rrethojnë kta zogjtë e malit,
I ranë pllumat në shalën e kalit".

Interesimi i një mase të gjerë të popullsisë shqiptare për performancën e këngëve kreshnike, përfshirja në këtë performancë e individëve nga shtresa të ndryshme shoqërore, dëshmojnë se kjo traditë poetiko-muzikore ka qenë e lashtë dhe e rrënjosur thellë.

Nga Prof. As. Dr. Anton Papleka

COMMENTS