Hasan Smaja

Hasan Smaja aktori i pantomimës në skenë me mbi 100 role


- E përbashkëta e një familjeje...

Zakonisht në fushën teatrore nuk ndodh dhe aq shpesh, por ja që ndodh në një familje, e cila jeton në Shkodër.

E, kjo është familja Smaja. Në këtë familje, brezat i "dorëzojnë" si amanet, si testament njëri-tjetrit; profesionin e bukur, gjurmëlënës por fisnik të AKTORIT.

Ky amanet bëhet vazhdimësi në kohë dhe në hapësirë, kur... papritur një ditë... në shtëpinë e kësaj familjeje, edhe nusja që vjen nga larg, qëllon që të jetë me profesion: aktore. Pra, në pemën e familjes Smaja, dallojmë e shquhen:

Hasani aktor, i biri Bardhi aktor e regjisor, e mbesa Sara aktore dhe nusja e shtëpisë, Merita, po gjithashtu, aktore dhe regjisore. Pra, një familje që për shumë vite me radhë së bashku që në mëngjes, i janë drejtuar të njëjtit institucion, - teatri është shtëpia e tyre e përbashkët. Aty falin dhe marrin magjinë që të fal teatri, skena, arti teatror.

Ndonëse, disa prej anëtarëve të familjes Smaja kanë ndërruar jetë, duket... (por kjo është e vërtetë) nëpër vite, ata, përsëri, vazhdojnë "të bisedojnë", "të rikujtojnë batutat, dialogët, monologët.., të rikujtojnë lëvizjet skenike, mizanskenat dhe interpretimet e personazheve...", etj., etj.

Kujtojnë e rikujtojnë nëpër vite, kujtojnë e rikujtojnë çdo çast...

Një ritual i përhershëm dhe i pandalshëm. E tillë është skena e teatrit, por e tillë është edhe skena e jetës... Skena e jetës... por edhe skena e teatrit. Skena e teatrit që s'të harron, të përjetëson, të rikujton pandërprerë... E kur ndodh kjo?.. - sa herë që ti, i dashur dhe i nderuar spektator a telespektator, ashtu thjesht në mënyrë njerëzore përmend emrin e një personazhi, kujton një batutë të tij, e përsërit, - dhe qesh me vete.

Gjithashtu, kujton një pjesëz të dramës së personazhit, dhe tund kokën në heshtje, plot dhimbje por me shumë dashuri. Kujton e kujton interpretimin... dhe, s'ke bërë asgjë tjetër, por po në mënyrë njerëzore, ashtu, përsëri, thjeshtë, i ke falur aktorit pavdekësinë. E, kjo gjen përligjje edhe me familjen Smaja, e cila do të përjetësohet në skenën e teatrit "Migjeni" ..., ndonëse përjetësimi ka filluar...

Koha, "shenjat" e saj dhe... ëndrra drejt skenës

Hasan Smaja Hasan
Aktori, Artisti i Merituar Hasan Smaja u lind më 25 korrik 1922 në Shkodër. Po në qytetin e tij të lindjes kreu shkollën fillore e 7-vjeçare.

Që në moshë të njomë do ta "jetonte" e "përjetonte" pamundësinë ekonomike. Për këtë arsye u detyrua të punonte si shegert në një manifakturë. Ec-e-jaket e shegertit, e djaloshit që rritej dita-ditës, që zgjonte nga "gjumi" mëngjeset dhe kthehej mbrëmjeve vonë; i lodhur dhe i drobitur, në të shumtën pa buzëqeshje në fytyrë; bënë që edhe në shpirtin e tij "të trokiste" era e luftës, në fillim si pakuptuar, por pastaj në ditët e mëvonshme do të kishte marrëdhëniet, aktivitetin e tij dhe shtjellat e saj.

Në një nga kujtimet, Hasani thotë:

"Unë i bija kitarës, disa shokë të mi dinin nga një vegël tjetër dhe..., kështu krijuam një orkestër të vogël, me të cilën luanim këngë e melodi popullore shkodrane. Paralelisht me këtë grup "muzikantësh", kishim ngritur edhe një skuadër futbolli, që i vumë emrin kuptimplotë "Rilindja". Këto dy grupe me aktivitetin e tyre dhanë ndihmesa të vlefshme në shërbim të lëvizjes e luftës, që tashmë, era e barutit dëgjohej qartë edhe në qytet."

Vitet kalonin. Hasani nisi punën si agjitator për kulturën dhe artin. Por ëndrra e tij e kahershme e, që nuk e linte rehat, ishte skena. Kështu, në vitin 1945, ai organizoi vetë një shfaqje teatrore, ku mori edhe një rol për ta interpretuar vetë.

Përsëri, në një nga kujtimet, Hasani thotë:

"37-vjet kanë kaluar, dhe... ndoshta nuk mbaj mend shumë hollësina, por emocionet e asaj shfaqjeje më duket sikur i ndiej edhe sot, pas një jete të tërë në skenë. Pjesa, në vetvete, pati shumë sukses. Vetë niveli i kërkesave të kohës ishte i tillë, sa në fakt ajo shfaqje mbeti thjeshtë një shfaqje amatorësh, që ishim përpjekun të interpretonim lirshëm."

Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, Hasani punoi si inspektor për problemet e kulturës e të artit, dhe pastaj si punëtor në Fabrikën e Fermentimit të Duhanit. Nisi të aktivizohet me pasion në grupin amator teatral të ndërmarrjes. Më vonë bëhet vetë organizator i kësaj lëvizjeje artistike në fabrikë.

Gjatë marrjes me aktivitet skenik, Hasani vëren tek vetja se atë e tërhiqte humori.

"Zanati" i vjetër i kitaristit e ngacmonte shpesh për të krijuar e muzikuar ndonjë gjë. Aty nga viti 1954, kur punonte në Shtëpinë e kulturës, mori disa tekste të poetit humorist Tonin Miloti dhe krijoi me to disa parodi. Ky sukses që ia "ndriti" më shumë talentin e tij, ia shtoi më shumë dëshirën Hasanit, për t'u marrë me artin skenik, e veçanërisht me estradën.

Me të drejtë studiuesi Salvator Gjeçi thotë:

"Të bën përshtypje fakti që, edhe pas 28 vjetësh, ai mban mend disa nga paroditë e tij, të krijuara në vitet e para të deputimit të vet."

Duke parë talentin e tij si aktor, të cilin e kishte shfaqur që me grupet amatore në të cilat ishte aktivizuar, në vitin 1955 pranohet në teatër. Kjo ndjenjë përgjegjësie e bëri Hasanin që të jetë gjithnjë kërkues ndaj vetes.

Teksa mblidhja detaje rreth jetës aktoriale të Smajës, gjeta edhe një shënim të regjisorit të parë të Estradës profesioniste Paulin Sekuj (i ndarë nga jeta më 26.06.2003, në moshën 76-vjeçare) bashkudhëtar me aktorin në jetën artistike për afro 30 vjet; i cili thotë kështu:

"Aktori Hasan Smaja ka ditur të jetë gjithmonë i ri për spektatorin dhe askush nuk tha qoftë edhe një herë se, arti i tij u konsumua. Dhe kjo ka ardhur, sepse Hasani ka ndjekur evoluimin dhe rritjen e shijeve të spektatorit."

- Krijues dhe origjinal në skenë

Hasani, në procesin e tij krijues si aktor, i ka kushtuar vëmendje personazhit që do të interpretonte. Ndaj, pa u lodhur, ka punuar për të gjetur për të (personazhin):
a) elemente e "dramca" nga gurra e humorit popullor;
b) mënyrën e të konceptuarit të fenomeneve e dukurive komike e humoristike të gaztorëve e të bejtarëve shkodranë.
Të gjitha këto, duke i shestuar me kujdes përbënin "tharmin" brenda hapësirë teksa "shëtiste" origjinaliteti i tij.

Kështu, të gjitha këto detaje erdhën duke u forcuar me kalimin e viteve, bashkëngjizur edhe me rritjen e nivelit artistik e professional të tij. Tani, në skenë, Hasani si aktor hynte më krijues, më original, më i pranueshëm, e më i duartrokitur nga spektatori.

Tregojnë disa nga ish-moshatarët e tij që e kanë njohur aq mirë:

"Që në fëmijëri Hasani mblidhte bejte të bejtexhinjve të njohur shkodranë, si: të Osos së Falltores, Molla Sali Patës, Kolë Shirokës, e shumë të tjerëve, që ishin të përmendur për humorin e tyre me "kripë". Na i recitonte. Shpesh vargjet na i shoqëronte si me lëvizje të gjymtyrëve të trupit, ashtu edhe me mimikën e fytyrës. Na bënte, vërtet, për të qeshur."

Gjatë punës dhe jetës së tij si aktor estrade, Hasani punoi dhe interpretoi në të gjitha gjinitë dhe zhanret që përbëjnë një shfaqje estrade.

Atë e shihje dinjitetshëm, si në skeçe, në monologë, në tregime të ndryshme, në poezi humoristike, në "qit e prit", në grimca humoristike, në skeçe të muzikuara, etj,; por në veçanti atje ku shndritte edhe "kurora" e tij: në pantomimat e befta, në numrat e shpejtësisë me atë buzagazin e tij që dukej sikur nuk mbaronte kurrë... E, mendoj se e ka gjetur "maja-në" në portretin e tij artistik, studiuesi Salvator Gjeçi, kur thotë:

"Kjo është shprehje e talentit të shumanshëm të tij. Ai ishte gjithnjë në gjendje që brenda një numri të gërshetonte me mjeshtëri dhe, të kalonte me finesë nga skeçi në parodi, në monolog, apo në tregim dhe të përshtatej drejt me materialin letrar; të lidhej bukur e me elegancë mendimi e fjala me partnerët e tij në skenë. Ai kalonte me lehtësi nga skeçi që kërkon lojë e interpretim të natyrshëm realist, duke krijuar figurë artistike aq sa lejon kjo gjini e artit; në kuplet që kërkon një interpretim kompleks me gjeste e me melodi muzikore, dhe përsëri nga kupleti në tregim, në monolog, apo në poezi humoristike."

Hasani ka interpretuar mbi 100 role të ndryshme për galerinë e gjerë e të madhe të tipave e karaktereve që ai ka sjellë në skenën tonë në përgjithësi dhe shkodrane në veçanti. Në galerinë e tipave të tij hyjnë: shërbëtorë, xhandarë, milicë, nëpunës burokratë, servilë, arrogantë, prepotentë, hileqarë, fshatarë, punëtorë, etj. Kjo ka bërë që gjatë jetës në skenë "të ndërrojë" me dhjetra zanate e me dhjetra fytyra.

Dhe për këtë "ndërrim" nuk të ndihmojnë vetëm rrobat, paraqitja e jashtme, apo plastika e grimi. Kryesorja është përshtatja e karakterit sipas thelbit të brendshëm të personazhit që interpreton, njohja e rolit, depërtim në thellësi të botës së brendshme të personazhit, njohja e profesionit e zanatit që ushtron personazhi i inskenuar.

Janë shumë të rralla ato premiera të Estradës profesioniste të qytetit të Shkodrës, ku të mos ketë marrë pjesë Hasani. Gjithashtu, janë tepër të rralla ato premiera që të mos kenë patur në repertorin e tyre parodi e intermexo muzikore. Dhe Hasani gjithmonë me një "profil të ri" larg skemës e përsëritjes së vetvetes, interpretonte me një dritësim hasanian.

Hasan Smaja!... Dikur në rininë e tij, i binte kitarës. Por kitara nuk mbeti vetëm një kujtim i bukur e i largët i rinisë tek ai, por e shoqëroi gjatë gjithë jetës së tij në skenë.

- Aktor plot kolorit karakteresh, dhe thënie përmes kujtimeve...

Duke parë punën shumëvjeçare të Hasan Smajës (aktorit me zërin melodik), vërejmë se ai është një aktor plot kolorit karakteresh. Karakteret, tipat dhe rolet e realizuara prej tij, janë të binshëm, pa sfumatura e jetësorë.

Që në shfaqjen e parë që u dha më 14 shtator 1958, vënë në skenë nga regjisori Paulin Sekuj me titull: "Reparti i operacionit të zemrës", spikat loja e aktorit Hasan Smaja, veçanërisht në skeçin "Flamuri i pastërtisë" (në tekst roli i kryetarit paraqitej skematik, por loja e aktorit Smaja e kapërcen skematizmin e të shkruarit të tekstit).

Jo vetëm e bën të gjallërueshëm, por krijon profilin e një tipi interesant. Më vonë, në skeçin "Prezantimi", Hasani-drejtor mbetet një figurë e interpretuar me dinjitet, duke krijuar situata plot humor. E, për ecurinë dhe profilin e aktorit Smaja, regjisori Sekuj shprehet:

"Në pamjen e parë duket sikur ecën ngadalë në procesin e punës. Kjo ndodh për arsye se ai punon duke mos ia lënë punën e vet spontanitetit dhe intuitës në çastin për të dalë atje ku është objektivi i tij, por e studion hollësisht çdo fjalë, çdo mendim, studion mirë domethënien e saj. Kështu, kur vjen prova e përgjithshme, aktori Hasan Smaja është i gatshëm dhe i sigurtë për të dalë përpara spektatorit. Është nga ata aktorë që nuk e lë rolin e tij të vyshket, nuk e lë të vjetërohet, nuk mekanizohet, por gjatë gjithë kohës ruan freskinë e figurës e të interpretimit."

Ndërsa kolegu i tij Tano Banushi, Artist i Popullit, do të thoshte:

"Hasani ka aftësinë të akumulojë me frymëzim dhe me ndjenjë kulminanten dhe ta japë atë kurdoherë me emocion."

Po, vetë, Hasani çfarë thoshte?... "Figurat në letër që jep autori i materialit letrar kërkojnë jetë që ta bëjnë spektatorin për vete. Dhe këtë jetë ne nuk mund ta marrim askund tjetër më mirë se nga JETA."

Teksa shkruaj këto rreshta për aktorin Smaja, mendoj se, portreti i tij artistik nuk mund të kuptohet pa ca sekrete të punës së tij individuale, të cilat, mendoj se janë:

- Gjithnjë është thelluar në njohjen me hollësi të të "panjohurave" të personazheve që do të interpretonte.
- Rrallë herë ka shkuar në prova pa një punë paraprake individuale.
- Përherë ka ballafaquar veten me personazhin.

(Unë... filan personazh... nga vij, me çfarë CV-je paraqitem, në çfarë rrethanash jam, çfarë do të bëj e me kë kam të bëj, qëllimin që ndodhem këtu dhe, si do t'ja arrij këtij qëllimi?). Këto pyetje ia bënte vetes aktori Hasan Smaja para se të fillonte punën e tij artistike.

E, unë do t'i referohem, përsëri, kujtimeve të regjisorit Paulin Sekuj, i cili thoshte:

"Së bashku me Hasanin, Tano Banushin e të tjerë ishim nga të parët që themeluam Estradën profesioniste. Kemi punuar më tepër se 20 vjet bashkë, pa u ndarë për asnjë çast, asnjë ditë. Por dua të them se gjatë tërë kësaj jete së bashku, unë si regjisor e ata si aktorë, ruajmë kujtimet më të bukura. Jetë pune me të vërtetë e këndshme!"

Dhe...

"Hasanin e dallon si aktor i mirë jo vetëm kur interpreton fjalën e artikuluar, por edhe atëhere kur nuk flet. Edhe kur nuk fliste, atij i bëheshin shprehës sytë, shprehnin diçka gjestet, mimika, e përligjte në çdo kohë qëndrimin e tij në skenë dhe lidhej në mënyrë origjinale me partnerët, me spektatorin, duke qenë shumë komunikues. Këtë aftësi të tijën, ai e ka manifestuar në dhjetra skeçe që ishin më shumë pantomime, pasi kishin pak ose aspak fjalë."

Do ta kujtojmë aktorin Hasan Smaja jo vetëm tek pantomima ku shndriti e rrezatoi, por edhe te komedia "Prefekti" në rolin e Beqir agës; edhe te "Shtatë shaljanët", edhe tek komedia "Fejesa", edhe tek "Gropat e bullicave", edhe tek komedia "Dopiogjashta" në rolin e baba Tushit, etj.

Do ta kujtojmë... Dhe Prof. Dr. Josif Papagjoni shenjon kështu, teksa analizon portretin e tij artistik:

"Aktrimi i tij (Hasanit - shënimi im Xh. B.) u shqua posaçërisht për tipizimin e disa figurave nga fshati..., si dhe për skeçet: "Po të këndoj këngën me saze", "Karafilat", "Brigada e elektrifikimit", "Rreth pemës së Vitit të Ri", "Mirë se të vini", "Hallet e hallkave", "Ju lutem, buzëqeshni,"Me laps në dorë", "Erdhi ustai", etj. Ishte i hollë në përdorimin e detajeve dhe shfrytëzimin e situatës komike, duke parapëlqyer jo elementet e grosteskut dhe të karikaturizimit se sa paraqitjen e personazheve në mënyrë realiste, me nje një besueshmëri të dukshme, por plot gjetje e sens humoristik që buronte nga natyra e tij, sikundër edhe nga kundërvënia me gjendjen ku ndodhej e vepronte ky personazh."

Nga Xhahid Bushati

COMMENTS