Pashallëku i Shkodrës

Pashallëku i Shkodrës - Sfida shqiptare ndaj shtetit osman


Dobësimi i pandërprerë i sistemit të timarit, e bashkë me të, edhe thellimi i krizës politike dhe ekonomike të Perandorisë Osmane u reflektua me një varg ndryshimesh në gjendjen politike të viseve shqiptare gjatë shek. XVIII. Shtresa sipërore e shoqërisë shqiptare, duke përfituar nga blerja në kushte mjaft të favorëshme e taksave shtetërore (iltizami), zgjerimi i sipërfaqeve të pronave tokësore nëpërmjet blerjes së çifligjeve, si dhe privilegje të tjera të akorduara nga pushteti qendror, u fuqizua së tepërmi, jo vetëm ekonomikisht, por edhe politikisht.

Të gjitha këto dukuri çuan në një rivalitet të ashpër midis njerëzve influentë (ajanëve) në krahina të ndryshme shqiptare, gjë që u shoqërua me një sërë konfliktesh të armatosura. Pashallarët dhe bejlerët që mundën të dalin fitues në këtë rrëmujë politike, që mbizotëroi më se gjysëm shekulli në tokat shqiptare, i konsoliduan më shumë pozitat e veta politike dhe ekonomike në vend.

Pashallëku i Shkodrës Kara Mahmut Pasha
Në sanxhakun e Shkodrës, për një kohë të gjatë, rivalizuan midis tyre familjet e fuqishme të Begollajve të Pejës, Çaushollajve dhe Bushatllinjve të Shkodrës. Më së fundi, familja e Bushatllinjve arriti të triumfojë dhe përfaqësuesi i saj Mehmet Bej Bushatlliu, më 1757, arriti të shkëpusë nga sulltani titullin "Pashë" dhe të emërohet mytesarrif i sanxhakut të Shkodrës. Me ardhjen në krye të sanxhakut të këtij pinjolli të familjes së Bushatllinjve, në të vërtetë, u përurua sundimi i pandërprerë 75-vjeçar i Bushatllinjve në hapësirën e sanxhakut të Shkodrës, duke themeluar në këtë mënyrë pashallëkun me të njëjtin emër.

Brenda disa vitesh, Mehmet Pashë Bushatlliu mundi të likujdojë kundërshtarët e vet dhe të vendosë rregull dhe qetësi në territorin e pashallëkut. Ai mundi të bëjë për vete malësorët, të cilët i ofruan kontigjentet e nevojshme për të krijuar një ushtri të fuqishme për kohën. Kjo i shërbeu Mehmet Pashës si avantazh për të nisur luftën kundër pashallarëve të tjerë shqiptarë, duke zgjeruar ndikimin e vet deri në Shqipërinë e Mesme. Për këtë qëllim, ai mundi ta bindë sulltanin që të emëronte të birin Mustafa Pashën, mytesarrif të Dukagjinit e, më pas, të sanxhakut të Elbasanit. Mirëpo synimet e pashait shkodran për ta shtrirë pushtetin e vet drejt jugut ndeshën jo vetëm në reagimin e sundimtarit të Beratit Ahmet Kurt Pashës, por ngallën dyshime edhe në oborrin e sulltanit. Për këtë arësye, më 1775, Porta e Lartë e eleminoi Mehmet Pashën me anë të helmimit dhe në vend të tij emëroi Mehmet Pashë Kystendilin. Ky emërim nuk u pranua nga qarqet influente të Shkodrës, prandaj, më në fund, sulltani emëroi si mytesarrif të Shkodrës, Mahmut Pashë Bushatlliun, një nga djemtë e Mehmet Pashës.

Mahmut Pasha i vuri vetes si qëllim themelor zgjerimin progresiv te kufinjve të pashallëkut, duke e dobësuar gjithnjë e më tepër vartësinë e tij ndaj pushtetit qëndror osman. Me një energji të jashtëzakonshme Mahmut Pasha korri një varg fitoresh të rëndësishme, përsa i përket zgjerimit dhe forcimit të pashallëkut të Shkodrës, gjë për të cilën ai fitoi dhe epitetin "Kara" (i zi, i tmerrshëm), çka do të bëhet këtej e tutje pjesë e pandarë e emrit të tij. Në qershor të vitit 1785, ai futi nën sundimin e vet Malin e Zi, popullsinë e të cilit e detyroi t'i paguante një tribut të caktuar. Më pas, Kara Mahmut Pasha marshoi me ushtrinë e vet drejt jugut, duke thyer rezistencën e rivalëve të vet në Shqipërinë e Mesme. Ai doli, gjithashtu, fitues në betejat me rivalin e tij kryesor, Ahmet Kurt Pashën, duke arritur me ushtrinë e tij deri në Lushnje, Elbasan dhe Korçë.

Forcimi i shpejtë i pushtetit të Kara Mahmut Pashës shkaktoi shqetësim në Stamboll. Sulltani me ferman të veçantë shpalli shkarkimin e pashait nga posti i kreut të pashallëkut dhe nisi kundër tij një ekspeditë ushtarake. Mirëpo në betejën e zhvilluar në Kosovë me forcat osmane, në vitin 1785, Kara Mahmut Pasha doli triumfues. Kjo ia shtoi famën pashait shkodran, ndaj dhe disa fuqi evropiane, kundërshtare të Perandorisë Osmane, tentuan të hyjnë në lidhje me të.

Duke sfiduar gjithnjë e më shumë pushtetin qëndror, më 1786, Kara Mahmut Pasha thirri në Podgoricë një kuvend të përgjithshëm, me përfaqësues shqiptarë nga pashallëku, ku morën pjesë edhe përfaqësues nga Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina. Pjesëmarrësit e kësaj mbledhjeje u morën vesh për bashkimin në luftë kundër shtetit osman, duke formuar edhe një lloj aleance të quajtur "Konfederata Ilirike".

Një vit më vonë, duke përfituar nga angazhimi i shtetit osman në luftën me Rusinë, Kara Mahmut Pasha nisi kryengritjen kundër Portës së Lartë. Beteja që u zhvillua midis forcave të tij dhe atyre qeveritare u fitua përsëri nga të parat. Pas disa vitesh qeverisjeje gjysëm të pavarur, Kara Mahmut Pasha u shkaktoi një tjetër humbje të rëndë forcave të Portës së Lartë, më 28 nëntor 1793. Më pas, ai e shtriu me tej sundimin e vet duke marrë Dibrën dhe Prizrenin, mirëpo më 1796, gjatë një sulmi kundër Malit të Zi, Kara Mahmut Pasha mbeti i vrarë, duke mbyllur kështu kapitullin më të lavdishëm të historisë së Pashallëkut të Shkodrës. Pas vdekjes së Kara Mahmut Pashës, pashallëku i Shkodrës shkoi drejt rënies. Pasardhësit e tij në krye të pashallëkut qeverisën përgjithësisht duke iu bindur Portës së Lartë. Sundimtari i fundit i pashallëkut të Shkodrës Mustafa Pashë Bushatlliu (1811-1831) arriti ta rimëkëmbë në një farë mënyre pashallëkun, por ai, duke pasur frikë nga rivali i tij jugor Ali Pashë Tepelena, u përpoq të kishte marrëdhënie besnikërie me Stambollin. Madje, Porta e përkrahu pashain shkodran për forcimin dhe zgjerimin e pashallëkut të tij drejt jugut, per ta patur si kundërpeshë ndaj Ali Pashës.
Gjatë viteve 1821-22, sundimtari i Shkodrës mori pjesë në ekspeditat e sulltanit kundër Ali Pashë Tepelenës dhe kundër revolucionit grek. Veçse pas një kohe të shkurtër, kundër dëshirës së Portës së Lartë, ai me forcat e veta braktisi frontin e luftimeve. Kundërshtar i reformave të ndërmara nga sultan Mahmudi II, Mustafa Pasha gjatë luftës ruso-osmane të vitit 1828-29 u përpoq që në fillim të mbajë anën e rusëve, e më pas marshoi kundër tyre. Pas një disfate në Stamboll, në tetor 1829, u detyrua të tërhiqet në Shkodër.

Në kuadër të operacionit të përgjithshëm për rivendosjen e autoritetit të Portës së Lartë në Shqipëri, sulltani dërgoi kundër sundimtarit të Shkodrës një ekspeditë ushtarake të kryesuar prej Mehmet Reshit Pashës. Pas disa betejave që u zhvilluan midis dy palëve, Mustafa Bushatlliu u detyrua të tërhiqej në Shkodër dhe të mbyllej në kala. Pasi qëndroi i rrethuar për 6 muaj, në nëntor të vitit 1831, ai u dorëzua dhe me ndërmjetësinë e kancelarit austriak Meternih-ut, siguroi faljen nga sulltani. Kjo ngjarje shënoi fundin e pashallëkut të Shkodrës, e bashkë me të, edhe fundin e sundimit të Bushatllinjve.

Bushatllinjtë u larguan nga skena politike e Shqipërisë osmane, por emri i kësaj familjeje, bashkë me trashëgiminë e vyer që vjen nga koha e pashallëkut, mbeten edhe sot e kësaj dite të ngulitur në kujtesën e shqiptarëve. Sundimtarët Bushatllinj zhvilluan më tej kulturën e tolerancës dhe të respektit të ndërsjelltë midis komuniteteve fetare, duke i kushtuar rëndësi të veçantë afrimit të elementit katolik dhe rritjes së rolit të tij si faktor politik dhe ushtarak në territorin brenda juridiksionit të pashallëkut të tyre.

Kur flitet për familjen e Bushatllinjve dhe rolin e saj në historinë shqiptare është e pamundur të mos vihet në dukje interesimi që pinjollët e saj të shquar treguan për kulturën, letërsinë dhe artin. Në sarajet e pashallëkut u krijua një bibliotekë me një fond të pasur librash e dorëshkrimesh, të cilat fatmirësisht kanë mbrritur deri në ditët tona dhe sot janë bërë pjesë e fondeve të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë.

Nga Prof. Dr. Ferit Duka

COMMENTS