Zef Mala, komunist i orëve të para

zef mala, zef malaj
Zef Mala lindi më 14 prill 1915, në lagjen Skënderbeg të qytetit të Shkodrës. Ishte publicist, themelues dhe kryetar i Grupit Komunist të Shkodrës dhe i Partisë Komuniste Shqiptare. I ati quhej Gjon dhe e ëma Shaqe, kurse gjyshi i tij (nga ka marrë dhe mbiemrin) ka qenë Mal Jaku, i fisit Pepaj në Plan të Pultit, patriot e luftëtar në mbrojtje të trojeve amtare.

Më 1933 kreu mësimet shkëlqyeshëm në Kolegjin Saverian në Shkodër. Në vitin 1934, vendoset të jetojë në Tiranë, publikon në gazetën "Besa" artikuj tematik mbi shoqëritë rinore dhe shkruan në rubrikën "Jetë shkrimtarësh të mëdhenj". Shfaq mendime letrare për shkrimtarët italo-arbëreshë e bashkëkohorë si: Et'hem Haxhiademi, Ernest Koliqi, etj.

Në vitet 1935-37 punon dhe si redaktor në gazetën "Arbnia" në Tiranë, bashkëpunon me revistat; "Minerva", "ABC...". Fiton një bursë shtetërore nga qeveria e Zogut për studime në Universitetin e Vienës në Fakultetin e Filozofisë e cila do t'i ndërprehej pas dy vjetëve më 1936.

Në vitin 1937 themelon grupin komunist të Shkodrës me ndihmesën e Vasil Shantos, Qemal Stafës, Gjovalin Lukës, Tuk Jakovës, Niko Xoxit, etj. Boton materiale propagandistike komuniste e analiza sociale për Shqipërinë. Kritikon sistemin monarkist dhe kërkon organizimin sindikal kundër regjimit të Zogut. Kërkon përfaqësimin e krahut të majtë në parlamentin shqiptar.

Në dhjetor 1938 boton organin politik të grupit komunist të Shkodrës, "Buletini jeshil", që zgjati dy numra.

Në shkurt të 1939 hapet një gjyq i posaçëm për 73 njerëz të dyshuar për veprimtari komuniste dhe përhapje propagande, bashkë me Niko Xoxin ishte i vetmi që mbajti qëndrim konseguent ndaj idealeve të veta. Mes të akuzuarve ishte Tuk Jakova, Vojo Kushi, Vasil Shànto, Branko Kadia, Qemal Stafa. dhe Emin Duraku. Dënohet me 10 vjet burg, burgoset në Mbreshtan të Beratit. Përfiton prej pushtimit italian duke u arratisur më 6 prill 1939 së bashku me Vasil Shanton, dhe përpiqet të kalojë në Jugosllavi si azilant politik, por nuk e pranojnë.

Në korrikun e 1939 themelon Partinë Komuniste Shqiptare. Por për arsye veprimtarie antifashiste arrestohet edhe nga italianët në nëntor të po atij viti, të cilët e internojnë në kampin e internimit të ishullit të Shën Shtjefnit në periudhën 1940-43.

Në verën e 1943 e kthejnë në Shqipëri për t'i rishqyrtuar çështjen, ridënohet me 15 vjet burgim. Ia del të arratiset sërish dhe pasi shkon në Pezë, Myslym Peza e këshillon të strehohet në Tiranë ndër dajat e tij.

Verën e 1944 pasi Zefi shprehet se çështja e Kosovës do të zgjidhej me anë të një plebishiti. Enver Hoxha kishte porositur Nako Spiron që Zefin nuk duhej ta nisnin në Kosovë, por duhet ta dekoronin me plumb kresë.

Më 1944 Enver Hoxha urdhëron pushkatimin e tij, por Mala arrin t'i shpëtojë vdekjes. I cilësuar si antimarksist konfuz nga Enveri, pas luftës e dërgojnë në Itali për t'i kuruar shikimin që i ishte bjerrur tepër.

Me t'u kthyer, më 1945 nisi të punojë në Bibliotekën Kombëtare.

Më 1946 arrestohet dhe dënohet me 10 vjet burg. Motivi i dënimit: "Për qëndrimet politike kundër bashkëpunimit me partinë komuniste jugosllave". Kryen 2 vjet dënim e lirohet më 19 janar 1949 përmes amnistisë nga ndryshimi i qëndrimit dhe bashkëpunimit me Jugosllavinë, si viktimë e Koçi Xoxes.

Me urdhëresën e Kryeministrit nr.21 datë 8.6.1949, pavarësohet si institucion Arkivi i Shtetit. Ky institucion e kishte vartësinë nga Kryeministria, drejtor u emërua Zef Mala, si themeluesi kryesor, si personalitet me kulturë e vizion, si njeri erudit e njohës i disa gjuhëve të huaja. Në këtë detyrë, ai punon me pasion dhe profesionalizëm. Grumbullon fondet arkivorë të shpërndarë e të shkatërruar në gjithë Shqipërinë, bën kodifikimin sipas sistemit austriak. Bashkëpunoi me specialistët në arkiv; Injac Zamputti - latinisht, Sotir Papahristo - greqisht, Jonuz Tafilaj - osmanisht.

Zef Mala merrej vetë me dokumentet gjermanisht-anglisht, ai krijoi fondet arkivore të Lumo Skëndos, Mirash Ivanajt, Mehdi Frashërit, Mustafa Krujës, Gjergj Fishtës, Mëkëmbësit Jacomoni, Lef Nosit dhe të gjithë ministrave që u qenë konfiskuar arkivat. Gjithashtu arkivoi kodikët e regjistrat e kishave të Elbasanit, Tiranës dhe shkresat zyrtare të Bashkisë të shkruara osmanisht etj. Bashkëpunoi ngushtë me Aleks Budën që asokohe ishte shefi i seksionit të Historisë në Institutin e Shkencave. Zef Mala për pasurimin Arkivit te Shtetit, nisi të blejë materiale të ndryshme me vlera të mëdha nga antikuaristët privatë si: Teki Selenica, Jashar Erebara.

Më 1950 përgatiti një dispencë historie për Institutin Pedagogjik "Mbi Shqipërinë e viteve 1912-1924", e konfiskuar dhe e humbur. Po atë vit martohet me Afërdita Shahinin, nga kjo martesë i lindin dy vajza, Maria dhe Esmeralda. E shkolluar për mjekësi në Francë, Afërdita kishte marrë pjesë në luftën NÇL. Petro Marko e kujtonte kështu:

"Më kujtohen vitet tridhjetë: kisha vajtur në Korçë për të bërë një anketë për gazetën "Vatra", ku punoja. Kisha njohur Viti (Afërdita) Shahinin, një shoqe shumë e mirë që studionte në Francë, ku pati njohur Halim Xhelon, i cili i jepte materiale për mua. (Ajo më vonë u martua me mikun tim të dashur Zef Mala, njeri shumë i kulturuar, themelues i grupit komunist të Shkodrës që më 1937). Njoha dhe vëllanë e saj Ilo Shahinin, të cilit i mësova të këndonte "Internacionalen". Plaku Vangjel, i ati i Vitit dhe i Ilos, pyeti se ç'ishte kjo këngë. Ia shpjeguam dhe ai menjëherë thirri: "Aman, mos e mësoni, se kur të shkoni në Tiranë, në hotel, mund ta këndoni në gjumë e pastaj na merr lumi! Ja ç'frikë na kishte hyrë në palcë".

Më 1955, Zef Mala arrestohet e dënohet me 5 vjet burg, motivacioni: "I dyshuar për lidhje me eksponentë të së majtës në perëndim", burgoset në burgun e Burrelit.

Më 1958, një delegacion italian dërguar nga L. Longo i kërkon Enver Hoxhës lirimin e Zefit nga burgu, lejimin e tij për të shkuar në Itali.

Në vitet 1961-64, internohet në Zvërnec të Vlorës ku gjeti dhe krijoi shoqëri me: Kasëm Trebeshinën, S. Gjokën, gazetarin Foto Proko, etj. Aty shkroi një traktat filozofik prej rreth 140 faqe të cilin e mori me vete pas dënimit, ky është zhdukur në rrethana të panjohura. Lirohet në vjeshtë të 1964.

Në vitin 1965 e thërret në takim kryeministri Mehmet Shehu dhe e paralajmëron: "Po të mos na ngacmosh, as ne nuk do të ngacmojmë më".

Ndonëse jashtë burgut në këtë periudhë, Zef Mala ishte nën kontroll, lëvizje të kufizuara vetëm brenda Tiranës, me banim te rruga e Saraçëve. Ai shëtiste gjithmonë i vetmuar me një nënqeshje filozofike e sytë depërtues nën lentet me skelet të zi.

Më 1977, me urdhër të Enver Hoxhës internohet familjarisht për 5 vjet në fshatin Labova e Zhapës (Labova e Madhe, Rrethi i Gjirokastrës).

Më 15 korrik 1978, nga Labova e Zhapës shkruan një Promemorie emblematike drejtuar kryeministrit Mehmet Shehu, pasi ai vite me parë kishte ndërprerë çdo komunikim me Enver Hoxhën.

Në zgjedhjet e vitit 1978 Zefi nuk pranon të votojë. E arrestojnë dhe e dërgojnë në Tiranë, ku ridënohet me 10 vjet burg. E vuan këtë dënim në burgun e Ballshit ku u verbua krejtësisht, ecte me shkop dhe bashkëvuajtësit e ndihmonin për çdo nevojë - kujton gazetari Foto Proko.

Më 26 dhjetor 1979, i sëmurë rëndë, i verbuar, ndërron jetë në spitalin e Tiranës.

Atë Zef Pllumi, në veprën e tij "Rrno për me tregue", e ka vlerësuar Zef Maljen si njërin ndër intelektualët dhe personalitet më të rëndësishëm të kohës.

zef mala vox populi

Me kontributin e dy vajzave të tij dhe të studiuesit Leka Ndoja, është botuar vëllimi "Vox Populi" (Zëri i Popullit), me përmbledhje të disa shkrimeve të Zef Malës.

Disa fragmente nga libri i lartpërmendur:

- Për rininë

"Në rininë tonë shifet nji plogështi që të merr frymën. E kalon motin tue u endë rrugash ose tue ndejtë ndër vende dëfrimi, kurse i duhet me u ndry mbrenda tue mendue se si kishte mund me i zgjidhë në mënyrë të dobishme çështjet që i përkasin jetës së përbashkët. Nuk kemi kohë me u tallë". (Botuar në vitin 1934.)

- Kristalizimi i ideologjisë shqiptare

"Po kërkuem Zotin e gjejmë në "Njerzinë" po kërkuem idealin e gjejmë në "Dashurinë". Pra të kërkojmë me dashtë atdheun tonë, të bukurën Shqypni e frymëzimi i kësaj Zoje të shenjtë ka me na ba dashunorë për mbarë njerëzimin e për mbarë botën. Të heqim paragjykimet, ambicjet e egoizmat që na kufizojnë... Të përqafojmë sa ma shumë mundemi. S'ka Zot tjetër përveç dashunisë, s'ka Dashuri tjetër përveç asaj të Njerëzisë e s'ka Njerëzi pa Atdhe". (Botuar në vitin 1934.)

- Për politikën

"Në Shqipni, ka pasun kurdoherë grupe dhe parti politike në kundërshtim me programet, në qëllimet, në nevojat dhe në interesat. Edhe pse në të shumtën e herëve luftimi nuk ka qenë e mundum të bahet çiltaz, secili grup asht përpjekë nën dhe, me i ba vorrin tjetrit, e triumfue mbi të". (Botuar në vitin 1935.)

- Shoqnia shqiptare

"Kështu morali ynë shoqënor sot për sot gjendet në nji gjendje tranzicioni, këndej shpjegohet dhe moskënaqësia e ditëve tona, shrregullimi në të gjitha pikpamjet e jetës shqiptare... Por me çlirimin politik dhe gjendja morale e popullit pati tronditje të thella, sepse përdhunimi që e mbante të lidhun deri atëhere u shkatërrue tue lëshue shoqëninë shqiptare në nji shregull që ndërronte herë pas here, simbas duerve që merrnin në dorë frenat si drejtues të shumicës. Fati ynë solli që drejtimet e ndryshme politike të jenë shpesh herë edhe në kundërshtim në mes tyne kështu nuk qe e mundun me u konsolidue hëpërhë ajo harmoni që dikush shpresonte se do të arrihej, dhe e cila harmoni do të ishte vetëm vijimi i gjendjes së vjetër, plot korrupsion në çdo shfaqje të sajën. Por megjithate korrupsioni u zhvillue edhe ma tepër tash vonë tue arritë kulmin gja që ndihmoi shumë për të dhanë shkasin për kërkesa të reja". Mjerimi që po qajmë përditë, në realitet qe nji fat për ne, sepse mospërkimi me frymën e maparëshme ndihmoi me u zhvillue ndjenja e së resë, ndjenja e moskënaqjes me gjendjen e sotme. ..."Jeta shqiptare, meqë nuk kemi pasë kurrë nji frymë krejt tonën, nji ideologji që të pasqyrojë aspiratat e popullit shqiptar, të veçuem si shqiptar, nuk mund të sinkronizohet me çdo rrymë tjetër, koha që jetojmë e vendi ku gjindemi, kanë nevojë për baza morale shoqënore krejt të reja që të përfaqësojnë jo të shkuemen por të ardhmen". (Botuar në vitin 1935.)

COMMENTS