Frati Shqyptar.., Aleksander Sirdani

aleksander sirdani, marin, gjergj fishta, vincec prenushi, anton harapi, justin rrota, bernadin palaj
Me zhgun i veshun, në litár i njeshun,
E kambësh i zdathun e në buzë i qeshun,
Âsht frati i dashtun - frati shqyptár
Krejt në zêmer ár.

Në qelí të pervujtë e kalon jeten,
E me pendesa e mundon vehten,
Nuk âsht per veti, per tjerë unjí
Të tanë dashtuní.

Oh! jo në plogtí nuk i shkon dita!
Janë fretnit t'onë porsi petrita,
N' uratë e msime u kalon moti
Te robi e Zoti.

Kto flakë per fé, per atme flakë,
Të pervujtë e t' ambel, edhe idhnakë
Kundra anmiqve fretnit shqyptár
Janë të rrebtë ajár.

Nên hije të paqta rritun të kuvendit,
Kan' në loçke të zêmres balçmin e shendit,
Janë të tanë vllazen me dashtní njitun,
Lakmí me të qitun.

E veprat e tyne porsi rrathë árit
Shkëlxejnë e ndrisin sŷve shqyptarit,
Janë porsi rreze qi në qiell lshon hana
Në hapsire të gjana.

Lumní i apin fés e atdheut,
Të rrebtë fatosa, e burra të dheut:
S'e topitë penda kundershtare
Ket çetë luftare.

Ndër lule të zgiedhuna po më ndalet sŷni
Mbi Atë Gjergj Fishten poet i yni,
Qi ushqej e rriti në Lahutë të Malsís
Shkndín e lirís.

Vjollcë e pervujtë me ambelcí
Dhe Atë Vinçenci per bukurí,
Tue lujtun harpen per mote të larta
Dha vepra t' árta.

Shkrimtár i vlershëm Pater Antoni,
Din si â burrnija, si âsht zakoni:
Me daltë me i gdhênun dó në shpírt të shqyptarit
Me shkrojla árit.

E Atë Justini me të madhe imtí
Tue 'himun shqypes në mâ të thelltin gjí,
Na mson m' e njoftun ket shqype nânë,
Me Orë e Zânë.

Si heroina e si kreshniku
Te Atë Marini, i madh besniku,
Shkëlxejnë e ndrisin në dritë të historís
Burra të Shqypnís.

Në folklore i njoftun, Atë Bernardini,
Mbledhë lule të bukra kah Dukagjini
Si bletë e censhme punon per herë
Ky frat me vlerë.

E tjerë sa uji qi ka fretnija,
N' urtí të pikatun edhe kah dija:
M' e shkrimun vehten të tanë janë perbé
Per Atme e Fé.

Oh! mure shêjte, ledhe kreshnike!
Mbi çdo banesa jeni fisnike,
Sa të ndrisin dielli mbi ket Shqypní,
U kjoftë lumní!

Bogë, 1 - 1 - 1937

Shkruar nga Dom Aleksandër Sirdani me rastin e 75 vjetorit të kuvendit të Gjuhadolit.

COMMENTS