Riza Lushta (1916-1997)

Libri për Riza Lushtën dhe Naim Kryeziun po më mbetet në arkiv. Nuk ka gjë. Sot, në 2017, kur një shqiptar i ri me emrin Thomas Strakosha luajti finalen e Kupës së Italisë, vetvetiu më shkoi mendja te shqiptari i madh i futbollit, Riza Lushta, i Mitrovicës së Kosovës dhe i Sportklub Tiranës së Shqipërisë, i cili 75 vjet më parë i dha Kupën e Italisë skuadrës së tij, Juventus.

Kam vite që kërkoj të gjej skedat e këtyre dy finaleve të 21 dhe 28 qershorit 1942. Më në fund i gjeta dhe po i botoj sot i bindur se kur t'i ribotojë kopjuesi shembullor, nuk do të guxojë t'i quajë si zbulimin e vet. Se në të vërtetë, as unë nuk i kam zbuluar sepse ato aty kanë qenë, në arkivin e tyre, e unë veç i kam gjetë. Aq më tepër që këto "zbulime" janë bashkudhëtare të profesionit të gazetarit e historianit... Që përherë zbulojnë.

Si bie fjala, ajo çka papritmas zbulova te libri i kujtimeve të Fadil Hoxhës (moshatar (1916) i Lushtës) - kryetari i parë i Kosovës, zëvendëspresidenti i Jugosllavisë, anëtari i Kryesisë së KQ të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, Heroi i Popujve të Jugosllavisë, i cili të befason teksa në librin e tij "Fadil Hoxha" në vetën e parë (2010), ai shkruan: "Në konvikt ka pasur futbollistë të mirënjohur: Riza Lushta, Mazllum Xërxa, Skender Gjinali, Naim Kryeziu..."

E ka fjalën për konviktin "Malet Tona" në Shkodër, siç shkruan vetë autori. Kësisoj na delka se të gjithë këta futbollistë, madje themelues të Kombëtares së Shqipërisë në 1936, i paskan bërë në Shkodër hapat e parë të futbollit të tyre!.. Ndonëse me Vllazninë kanë luajtur vetëm dy prej tyre: Xërxa e Gjinali...

Kështu pra, 75 vjet më parë, shqiptari Riza Lushta - krijim i Sportklub Tiranës - ishte njeriu kyç që i dha Juventusit Kupën e Italisë, e dyta për klubin mbas asaj të vitit 1938. Dhe u kthehemi dy skedave të finaleve të Kupës së Italisë 1942. Tek janë ("Milan" asokohe quhej "Milano"):

MILANO - JUVENTUS 1-1

21.06.1942. Milano. St. "Civica Arena".

GOLAT: Bellini 67', Capello IV 83'.

MILANO: Rosetti - Boniforti II, Guagnetti - Antonini I, Remondini I, Toppan - Trapanelli, Meazza, Capello IV, Granata, Rosellini.

TRAJNER: Magnozzi II.

JUVENTUS: Peruchetti - Foni, Rava - Parola, Olmi, Locatelli - Colaneri, Varglien II, Lushta, Sentimenti III, Bellini.

TRAJNER: Monti.

GJYQTAR: Dattilo.

JUVENTUS - MILANO 4-1

28.06.1942. Torino. St. "Mussolini".

GOLAT: Lushta 29', Sentimenti III 34' (11-m), Boffi 56', Lushta 69', Lushta 71'.

JUVENTUS: Peruchetti - Foni, Rava - Depetrini, Parola, Locatelli - Colaneri, Varglien II, Lushta, Sentimenti III, Bellini.

TRAJNER: Monti.

MILANO: Rosetti - Boniforti II, Guagnetti - Antonini I, Remondini I, Toppan - Trapanelli, Todeschini, Boffi, Capello IV, Rosellini.

TRAJNER: Magnozzi II.

Përkimi i këtij botimi është vërtet i rrallë: sapo na ka kaluar 100-vjetori i lindjes së Riza Lushtës. Për fat, pa ia kujtuar askush: as në Kosovë e as në Shqipëri! E pra, për ne, Riza Lushta është më i madhi. Duket si paradoksale që sot, një shekull mbas lindjes së tij, më 22 shkurt 1916, në Mitrovicë të Kosovës, ose 63 vjet mbas largimit të tij nga futbolli (1954), të kërkosh, të guxosh e të krahasosh me kaq forcë kësisoj. Aq më tepër kur mbas tij Shqipëria ka nxjerrë disa futbollistë vërtet të mëdhenj e të nivelit europian, të cilët për fatin e tyre kanë luajtur në vite të tjera, kohëra kur futbolli u rrit dhe u zhvillua tejet, kur shkenca e ndryshoi gjithë arsenalin, gamën, cilësitë e tij, sidomos ato atletikofizike.

Riza Lushta (1916-1997)
E të ndërmarrësh pra, këtë sprovë historike për të të bindur se Riza Lushta është vërtet edhe sot e kësaj dite më i madhi, duket vërtet disi e çuditshme. Mirëpo, kur di mirë kuptimin e përcaktimit "më i madhi" dhe me mend në krye këtë kuptim nuk e redukton vetëm te një teknikë apo taktikë futbolli, te një ritëm apo aftësi shënuese, por te më e rëndësishmja e "së madhes": "për dimensionet përtej masës së zakonshme, të një njeriu që shkëlqen mbi të tjerët për merita, cilësi e sidomos famë, për rëndësi, tituj, dinjitet e admirim", siç e përcakton këtë fjalë një fjalor i rangut më të lartë, atëherë e përligj këtë guxim që ndërmerr.

Kësisoj për ne, Riza Lushta është vërtet më i madhi. Riza Lushta është më i madhi sepse të lësh Shallvaret e Tiranës në fund të vitit 1939, një fushë historike për Shqipërinë, por krejt modeste, të lësh një kampionat po modest shqiptar të Shqipërisë të vetëm 25 vjetëve Pavarësi, të rrëmbeshesh nga Bari mbasi i ke mahnitë specialistët italianë në vetëm një ndeshje (SK Tirana - Bari 2-0, më 26 prill 1938) dhe vetëm mbas një viti të të blejë Juventusi i Torinos për 400.000 lireta - shifra rekord e kohës për blerjen e një lojtar të Serisë A të Italisë, shtet i cili vetëm dy vjet më parë ishte shpallë kampion i botës për herë të dytë, më duket se edhe vetëm kaq mjafton të thuash se talenti ynë legjendar është vërtet më i madhi.

Siç kam treguar me kohë, kur kam qenë në Lojërat Mesdhetare të Barit, pata synimin të bëja një vizitë në Stadiumin "Della Vittoria" të këtij qyteti vetëm për një qëllim: "të prekja" sado pak atë fushë të blertë, atë mjedis historik edhe për sportin shqiptar, ku më 7 janar 1940 kishte zhvilluar ndeshjen e parë Riza Lushta. E, "Della Vittoria"-n, një ndër të shumtit stadiume musoliniane i përuruar më 6 shtator 1934, e gjeta të përtërirë për Lojërat Mesdhetare.

Hyra në fushë, eca mbi barin e blertë dhe vështroja tribunat bosh, që asokohe arrinin deri në mbi 40.000 spektatorë, ndërsa me mend më dukej se ndieja duartrokitjet e thirrjet e pafund që ka korrë Lushta në atë 7 janar 1940 në ndeshjen e tij të parë, atë Bari-Venezia 3-0. Çka një ditë më mbas është mbushur me epitetet e përcaktimet më të pakursyera të shtypit italian të epokës. ("La rovesciata del centro attacco albanese"!).

Dhe profesioni i gazetarit dhe i historianit më mëson ta respektoj fort këtë ditë unikale të të largëtit 1940, sepse përbën episodin më shprehës publik të dukjes së futbollit shqiptar në Europë, madje të vetë gjenit shqiptar në tanësi. Për fatin e madh, njëra nga të 22 portat e "Della Vittoria"-s sapo ishte emërtuar si "Porta e Shqipërisë", siç ishte bërë për të 22 vendet mesdhetare. Ndërsa mua më dukej se "Porta e Shqipërisë" në stadiumin "Della Vittoria" të Barit ishte përuruar qysh atë 7 janar 1940 prej Lushtës sonë...

Edhe për këto them se Riza Lushta është më i madhi. "Një përpjekje lushtjane ala Piola", siç e përcaktonte deri në qiell shtypi i kohës, shqiptarin tonë, të cilit "Guerin Sportive" do t'i vinte epitetin "Riza Pasha"! Vështroni se si e ka përcaktuar më tej shtypi i kohës: "E përdor topin me lehtësi, me një finesë e me një âmbëlsi të pashoqe, me një dribling të shpejtë, me një rreze veprimi të gjatë... Mjeshtër në goditjen me krye... Shut i tmerrshëm... Qendërsulmues ideal... Një kryevepër inteligjence të hollë sa herë duhet me i zbulue shokët ose me kalue kundërshtarin... Armik i çdo individualizmi!"

Ndërsa, kur papritmas, më 11 korrik 1939, ai shfaqet në një ndeshje prove si lojtar i Montpellier në Francë mbas fitores kundër Toulouse, e famshmja "L'Auto" paraardhësja e "L'EQUIPE" të sotëm, e përcakton "Impitoyable" - "i pamshirshëm" për gjuajtjen e tij. Dhe qysh në ndeshjen e tij të parë me Barin, trajneri Costantino, ish-sulmuesi i djathtë i Italisë, thuajse buçiste në "Corriere della Sera" me këtë përcaktim sublim: "Attleta perfetto, stoccatore imparegiabile" - "sportist i përsosur, goditës i pakrahasueshëm".

Më 17 nëntor 1940, në javën e 7-të të kampionatit është ndeshja Juventus - Livorno 2-1, me dy gola të Lushtës, për të cilën thuhet se mu kjo e ka bindë përfundimisht trajnerin e kampiones së botës në fuqi, Vittorio Pozzo, ta përzgjedhë në Kombëtare për duelin Italia-Hungaria 1-1 të 1 dhjetorit 1940. "Per la Juventus Lushta va in gol al 15', - shkruan historiani Giuseppe Matarrese, - con un tiro al volo di passaggio di Borel. Il secondo punto per i bianconeri lo realizzo ancora Lushta che precede l'uscita di Silingardi e infila la rete ospite".

***

Stili i një ritmike lushtjane!

Më 14 qershor 1942, shqiptari tjetër i madh i futbollit Naim Kryeziu shpallej kampion i Italisë me Romën (do t'i rikthehem pak më vonë Naimit) dhe 14 ditë mbas triumfit të Kryeziut, më 28 qershor 1942, data është po kaq historike, Riza Lushta i jep kupën e Italisë, Juventusit, me tre golat e tij të rrufeshëm në finalen kundër Milanit. Kishte qenë ndër më të mirët e Serisë A edhe në kampionatin e sapopërfunduar, i fituar nga Roma e shokut të tij Naim Kryeziu dhe me 16 gola të shënuar ishte midis kryeshënuesve të Kampionatit.

Kupa e Italisë 1941-42 ka filluar më 5 tetor 1941 me dy ndeshje paraeliminatore. Juventus del në fushën e lojës më 12 tetor 1941 në ndeshjen e parë për të 1/16-at në Torino kundër ProPatria-s. Është një 5-0 i papërmbajtshëm, ku shpërthimi i Lushtës shfaqet nën tonet e shënimit të tre golave të tij brenda 11 minutave (75-86). Në 1/8-at finale, Juventus ndodhet përballë një ndeshjeje tejet të fortë ndaj Genoa-s dhe 2-1, e të dy golat janë të Lushtës në minutat 12 dhe 81.

Në gjysmëfinale, Juventus fiton 4-1 me Modena-n, më 12 prill. Milan i udhëhequr nga ylli i futbollit botëror, Giuseppe Meazza, ka mbërritur në finale mbasi ka eliminuar me fitore 4-1 Fiorentinën, 4-2 Lazio-n, 6-0 Reggiana-n, 2- 1 Venezia-n. Më 21 qershor 1942 është ndeshja e parë në Milano. Është 1-1. Dhe ja, pas shtatë ditëve në Torino, vjen kthimi dramatik.

Këtu është kulmi i Riza Lushtës. E hap ai serinë e golave në të 29', e çon në dy Sentimenti III me 11- metërsh, shkurton Boffi për Milanin në të 56' dhe për 13 minuta rezultati mbetet disi pezull, duke dyshuar në përsëritjen e rezultatit të Milanos. Por Lushta është i papërmbajtshëm dhe brenda tre minutave (69', 71') ai shpërthen në dy golat e tjerë të tij që hyjnë në histori: 4-1!

Juventusi fiton një nga kupat më të bukura në historinë e tij, falë lojës së mrekullueshme të shqiptarit. Në përkthimin e Anton Mazrrekut "La Gazzetta dello Sport" e Milanos, nën titullimin "Mrekullitë e Lushtës", shkruan: "Enthuzjazmin dhe duartrokitjet i shkaktoi gadi gjithmonë Lushta me mrekullitë e veta në seri, me fintet, me dredhimet, me gjuejtjet, dhe me golat e vet. Nuk e teprojmë aspak po të thomi se qendërsulmuesi bardhezi e ka decidue ndeshjen. Shënoi tre gola - e çfarë golash! - dhe goli tjetër (ai i shkelmit të rreptësis-nënkupto 11-m) asht krijue prej nji veprimi krejtësisht të tij".

Ai ka përkrah emra legjendarë. Janë aty tre kampionët e mëdhenj të botës 1938, Foni, Rava, Locatelli. Por edhe Peruchetti, Depetrini, Parola, Varglien që e çojnë në 7 numrin e lojtarëve të Kombëtares së Italisë. Me ta, edhe Riza Lushta - golshënuesi më i mirë i Kupës së Italisë 1941-42 me 8 gola.

Në tanësi Lushta ka bilancin 10 ndeshje dhe 9 gola - duke mbetur një nga 14 shënuesit më të mirë juventin në gjithë historinë e Kupës së Italisë, të paktën deri më 2005:

1. Anastasi 30; 2. Sivori 24; 3. Bettega 22; 4. Platini 16; 5. Baggio R.15; 6. Causio; 7. Gabetto 12; 8. Charles 12; 9. Nicolé 12; 10. Zalajeta 12; 11. Del Piero 11; 12. Amaruso 10; 13. Borel 9; 14. LUSHTA 9; 15. Menicheli 9; 16. Serena 9; 17. Cabrini 9.

Portretizimi në "La Stampa" i trajnerit të Italisë, Vittorio Pozzo-s, gjithnjë nën përkthimin e asokohe të shqipes mazrrekiane, është ky: "Në ma të parën rradhë ndër auktorët e këtyne mrekullive individuale, Lushta. Fitimi i Juventus-it në lojën e djeshme, e ka emnin Lushta. Ndeshja Juventus - Milano ka qenë ndera e nderi i qendërsulmuesit bardhezi. Temperatura e nxehtë dhe gjendja shumë e mirë e fushës e transportuen aty për aty lojtarin shqiptar n'ambjentin ma të përshtatun të punës dhe të frytit të tij.

Shkathtësija, zotnimi i topit, aftësija dhe sigurimi i gjuajtjeve, besimi në vetvete ju kthyen si me magji repertorit tekniko - moral të këtij athleti. Lushta shënoi tre ndër katër golat e skuadrës së tij, shkaktoi të katërtin, ate të shkelmit të rreptësisë (11-m), rrahi shtyllën kur qe i mujtun portjeri, u dha jetë të gjitha veprimeve sulmuese ma të randësishme të vijës së parë bardhezi."

"... Qendërsulmuesi juventin, - vazhdon Pozzo në "Il Calcio Illustrato", - ka qenë njeriu i ditës. E ka ba çdo gja ai vetë. Vetë ai ka vendosë fatin e përfundimit të ndeshjes. Ka shënue tre gola, ka ba që të shënohet i katërti, do të kishte mujtë me korrë edhe një gol të pestë. Aq sa na bahet me mendue se çdo të kishte ngja, sikur mos t'ishte ndodhë në nji gjendje kaq të ndritëshme".

Në modestinë time, nja dhjetë vjet më parë e pata përcaktuar kështu Lushtên:

"RIZA LUSHTA (1916-1997). Lindur në Mitrovicë (Kosovë). Futbollist i SK Tiranës, Barit, Juventusit, Napolit, Alessandria, Cannes (Francë), Siena, Forli, Rapallo. Kampion me SK Tiranën 4 herë (1934, 1936, 1937, 1939). Golshënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar në dy edicione: 1936 (11 gola) dhe 1937 (25 gola).

I pari futbollist shqiptar i përmasave europiane me një karrierë të shkëlqyer edhe në Itali. Qendërsulmes dhe golashënues i madh. Dy herë (1942, 1943) golshënuesi më i mirë i lojtarëve të huaj në kampionatin italian. Me 85 ndeshje dhe 47 gola të shënuar ai është midis 23 shënuesve më të mëdhenj për të gjitha kohërat në historinë e Juventusit, gjithnjë deri më 2005.
Fitues i Kupës së parë të Shqipërisë (1938-39) me SK Tiranën. Fitues i Kupës së Italisë më 1942 me Juventusin në finalen 4-1 kundër Milanit, tre gola të tij. Luajti si titullar i madh në 175 ndeshje dhe shënoi 73 gola në 8 kampionate të Serie A të Italisë, duke e mbyllur karrierën më 1954 me Rapallo-n në moshën 38 vjeç.

Themelues dhe lojtari kryesor i Kombëtares së Shqipërisë, kur ajo doli për herë të parë në fushën e lojës më 1936. I thirrur në Kombëtaren e Italisë".

Them se edhe kjo përmbledhje e imja si një biografi e shkurtër kur propozova (e për këtë ndihem krenar) që t'i kushtohet një pullë poste, çka u realizua, vërteton se Riza Lushta është më i madhi. Të paktën deri atë ditë të këtyre radhëve, ai ishte në 23-she të shënuesve më të mirë të Juventusit:

1. Boniperti 178; 2. Borel F. 140; 3. Sivori 135; 4. Bettega 129; 5. Hansen J.124; 6. Del Piero 122; 7. Munerati 111; 8. Charles 93; 9. Gabetto 85; 10. Anastasi 78; 11. Baggio R. 78; 12. Orsi 77; 13. Trezeguet 72; 14. Muccinelli 69; 15. Platini 68; 16. Ferrari 67; 17. Sentimenti V 62; 18. Inzaghi 57; 19. Pastore 55; 20. Preast 51; 21. Hirzer 50; 22. Causio 49; 23. LUSHTA 47; 24. Cesarini 46; 25. Nicole 46.

Nuk ia ka arritur asnjë futbollist i derisotëm shqiptar të bëjë pjesë në këto shoqëri të nivelit botëror si Riza Lushta. Vështroni emrat që e rrethojnë: Boniperti, Borel, Sivori, Bettega, Del Piero, Charles, Baggio, Trezeguet, Orsi, Platini, Ferrari, Inzaghi, Preast, Causio...

Janë ndër më të mëdhenjtë e botës. Dhe nuk mbaron këtu. Nëse do të ndalemi te mesatarja e golave për ndeshje, 47 gola pjesëtuar me 85 ndeshje, na del shifra 0.55 gola për ndeshje, çka e vë Riza Lushtën në katër më të mëdhenjtë e Juventusit në këtë tregues deri më 2005:

1. Hansen J. 0.66; 2. Charles 0.64; 3. Sivori 0.62; 4. LUSHTA 0.55; 5. Baggio R. 0.55.

Riza Lushta, i cili për fat ndeshjen e parë të tij e ka zhvilluar më 1933 me skuadrën e Shijakut, është një prej 11 themeluesve të Kombëtares Shqiptare në ndeshjen e parë po themeluese të saj, më 12 mars 1936, nën drejtimin e trajnerit hungarez Samo Singer. Kanë qenë: Dovana, F.Janku, Maluçi, Pizha, Karapici, Xërxa, Kryeziu, Lushta, Korça, M.Gurashi, H.Begeja! Dhe dihet që themeluesit janë përherë më të mëdhenjtë. Pra, edhe për këtë!

Katër vjet më vonë Lushta arrin të veshë edhe fanelën e kampiones së botës në fuqi, Italisë së Vittorio Pozzo-s. E megjithate Lushta nuk ka luajtur me Kombëtaren e Italisë, pra as në ndeshjen e 1 dhjetorit 1940 me Hungarinë. Dhe po aq është e vërtetuar se ai ka luajtur ndeshjen përgatitore.

Ai është në foton midis të 11-tëve të kampiones së botës, pranë një Silvio Piola legjendar dhe diçitura e "La Gazzetta dello Sport" që i vë vulën, ndërsa në tjetrën Lushta e Piola aty pranë, teksa Lushta është po aq nën fanelën e kaltërt të Kombëtares së Italisë - kampione e botës në 1934 dhe 1938, pra një kampione në pushtet edhe në këtë 1940: Ferrari, Brunella, Piola, Olmi, Grifanti, Bertoni, Biavati, LUSHTA, Dr. Foni, Locatelli, Ferraris II, Campatelli!

Këtë foto që i bën nderin e madh Shqipërisë e kam botuar në dy faqe të librit tim të fundit "Kupa e Botës dhe Shqipëria" (2015). E kam dhuratë të çmueshme prej nipti të tij të paharrueshëm Ing. Mehmet Lushta. Për fatalitetin e tij, Riza Lushta është shuar po në muajin e lindjes së tij: 6 shkurt 1997 - çka do të thotë se është 20-vjetori i ndarjes së tij nga jeta në moshën 81-vjeçare, në qetësi në shtëpinë e tij në Via San Pio 6 në Torino, duke ndier pranë shoqen e tij të jetës dhe sidomos me përkujdesjen e nipit të saj, intelektualit Claudio Casinelli, ai u varros në Torino.

Ky personazh i parival na ka lënë një letër të rrallë publike, botuar në gazetën "Sporti" të Tiranës, për habinë e rastit mu më 8 nëntor 1945, mbas ftesës që iu bë për ta bindur për t'u kthyer në Shqipëri dhe për të luajtur me Kombëtaren:

Me anën e kësaj letre më jepet rasti t'ju shpall ndjenjat e përshtypjet e mija më të mira për luftën heroike që keni bërë në lidhje me popullin t'onë kundra okupatorit nazifashtë, kundra tradhtarëve. Kam kënduar gazetat dhe jam tepër i gëzuar duke vënë re sukseset e sportit që ju kini në çdo fushë.

Do të isha i lumtur të isha edhe unë midis jush, por për fat, këte vit jam i zënë në kontratë me skuadrën e Napolit. Kini vullnet e zell! Suksesi diftohet me lojën teknike e jo me fitimin. Ju uroj thellë nga zemra ime, çdo përparim, në çdo fushë, kështu që Atdheu të ketë mundësi të përfaqësohet me sukses edhe ndër kampjonate jashta shtetit.

Riza Lushta

Edhe kjo letër që përmban brenda atdhetarinë e pastër dhe filozofinë më të përparuar të sportit, e cila me siguri duhet të ketë pësuar ndopak redaktim, na shërben për të pohuar edhe një herë se Riza Lushta është më i madhi. Një natë marsi 1984 këtë ma ka pohuar në hotel "Dajti" edhe një bashkëlojtar i tij në Forli, më mbas një gazetar i madh: Sandro Ciotti. Ndërsa unë vetëm arrita të shkëmbeja dy fjalë me Lushtën përmes telefonit, më 16 prill 1996, duke marrë me vete një "faleminderës" dhe "grazie" për shkrimin që kisha botuar në "Sporti Shqiptar", e që sot më duket si një lamtumirë e tij ndaj Shqipërisë.

Megjithatë, nuk do ta harronte Shqipërinë, ndërsa bashkëkampionin e SK Tiranës, mësuesin dhe trajnerin e tij Selman Stërmasi do ta nderonte fort dhe në raste do të dinte t'i blatonte mirësinë e tij të rrallë në ato kohëra të rrezikshme që Riza Lushta pati fatin e madh të mos i përjetonte. I mjaftoi harrimi 45-vjeçar. Edhe pse qe më i madhi.

Stadiumi i ri i Tiranës meriton të quhet Stadiumi Kombëtar "Riza Lushta".

Nga Besnik Dizdari

COMMENTS