Na ishte njëherë një përrallëtar... Teufik Gjyli

Teufik Gjyli lindi në Shkodër më 29 janar 1903. Arsimin fillor dhe të mesëm e kreu në vendlindje. Punoi si mësues në disa zona të Rrethit të Shkodrës, para dhe pas çlirimit të Shqipërisë. Për veprimtarinë e gjatë dhe për kontributin e çmuar në fushën e arsimit dhe të edukimit, Presidiumi i Kuvendit Popullor i akordoi titullin "Mësues i Merituar". Por ajo çka e bëri atë të njohur dhe të dashur në mbarë vendin është krijimtaria e tij letrare. Si krijues, Teufik Gjyli për më shumë se 40 vjet shkroi fabula, tregime, novela, skica letrare, reportazhe, artikuj, etj; por talenti i tij shkëlqeu në botën e përrallës.
Teufik Gjyli vdiq më 6 shkurt 1969, në Shkodër.

Rrëfime dhe refleksione rreth krijimtarisë së shkrimtarit Teufik Gjyli në gjininë e përrallës

- Nga Xhahid Bushati

Krijimtaria për fëmijë e shkrimtarit Teufik Gjyli më ka tërhequr si me magnet. Gjithnjë më ka tërhequr, (edhe sot e kësaj dite...). Me kalimin e viteve u kthye në një dëshirë, ëndërr, peng... U përsërit e u përsërit shumë herë. Si një ritual sa poetik aq dhe përrallor. Më pas mori ngjyrat e mallit!... Të një malli, era e të cilit fryn parreshtur...

I them të gjitha këto, dhe nuk gaboj se, fillesat a bulëzimi i kësaj marrëdhëniejeje, në qoftë se do më pyesni, i kërkoj dhe i gjej te fëmijëria ime, një fëmijëri e lumtur atje në lagjen "Perash", ku në mes shumë folezave dhe ëndërrimeve ështe edhe ajo e lidhur me dashurinë për librin artistik. (Dritarja e parë... e hapur ku një fëmijë kureshtar po shihte dhe po "bisedonte" me botën e pafund...). E, përmes dashurie-magji për librin, autori i këtyre radhëve njohu të parin shkrimtar të vendlindjes: Teufik Gjyli. Për këtë jam fatlum! Një pasuri që jo çdo kush e merr dhe jo çdo kush e ka...

Zotni Teufiku, kështu e thërrisnim atëhere, (kështu e thërras edhe sot në heshtje e përmallje...) na e shpaloste botën e tij të bukur e të çuditshme pastërtisht si një pikë loti. Ajo botë aq e pasur poetike komunikonte me ne (lexuesit e vegjël) gjatë takimeve të herëpashershme në një nga sallat e bibliotekës së qytetit tim, Shkodrës, ku punonte në repartin e fëmijëve.
Edhe pse kanë kaluar dekada e vite, e kujtoj si sot zotni Teufikun: serioz dhe fëmijëror. Në atë "seriozitet" që shquhej deri në pafajësi fëmije, fshihej bota e tij prej përralle. (Se edhe vjershën, edhe tregimin e vishte me ngjyra përralle). Kishte një ecje të ngadaltë. Ashtu edhe të folurin. Zërin e kishte plot ngjyresa dhe me një diksion aktori, fjalët i artikulonte qartë e kumbueshëm.

Mezi prisnim ditën e takimit me të...! Kishte një thjeshtësi, që si pakuptuar të ftonte në sofrën e asaj pasdite letrare: në krijimin e radhës që kishte përgatitur për ne... Dhe ne... e ndiqnim në heshtje, me kureshtje e të magjepsur... Në fakt, ne ëndërronim...! Ndoshta fëmijërinë tonë, edhe pse ishim moshatarë me të, na e bënte të jetueshme ky shkrimtar, rrëfimi i tij..! Ndoshta përkon edhe me këtë fragment, të cilin e kisha lexuar afro një dekadë më parë, që thoshte: "Një meditim i gjatë mbi fëmijërinë e vet dhe dashurinë për të rriturit e bënin të thoshte: "Fëmijët na shtyjnë drejt një të vërtete aq të brendshme saqë e tejkalojnë vetë njohjen që kemi, duke na vënë thellësisht në pikëpyetje." (Dolto, Françoise: "Etapat kryesore të fëmijërisë", Botimet Toena & Shtëpia e Librit dhe e Komunikimit, Tiranë, 2001; Parathënie, fq. 8).

Që nga fëmijëria ime..., do të kalonin vite..., dhe... siç thoshte Lasgushi "...më qëndruan për zemre" krijimet e befta e kujtesore të Teufik Gjylit. Kishte ardhur koha siç duket, t'i laja një "borxh" të vjetër këtij prozatori të talentuar e të palodhur të letrave shqipe për fëmijë e të rinj, "borxh" që zëri i fëmijërisë ma kujtonte herë pas here... Dhe koha kishte ardhur..., tani, që flokët e mi: ku një pjesë kanë rënë e ku një një pjesë janë zbardhur...
Po bëj përpjekje për të realizuar këtë peng, edhe pse i vonshëm. Shpresoj...

Shpesh, në hulumtimet dhe studimet e mia letrare, që kanë pasur për objekt librin për fëmijë e të rinj, jam ndeshur, krahas shumë dukurive, edhe me dy nocione: Harresa dhe Kujtesa, nocione që një autor dhe krijimtarinë e tij e bëjnë: sa fatkeq aq dhe fatlum. Kjo është arsyeja që, për Mosharresën si Kujtesë teksti, me të drejtë thuhet: "... është formulimi që nënkupton dialogun ndërmjet teksteve në kohë e plane të ndryshme, relacionet transtekstuale." [1]

Por ka edhe një arsye tjetër që e themi, e cila është: "... veprat e traditës, gjithmonë e shtysin bashkëkohësinë, çfarë del edhe nga vepra jote, sepse ajo u muar fort mirë dhe ashpërsisht me bashkëkohësinë e vet. Prandaj... veprat e mëdha janë ndërmjetësues dhe iniciues në raportet midis bashkëkohësive të ndryshme, të kohëve dhe epokave të ndryshme." [2]

Kjo vlen edhe për letërsinë e vërtetë për fëmijë e të rinj, kjo vlen edhe për përrallat magjike të rrëfyera me aq dashuri e ngrohtësi nga Teufik Gjyli, i cili ishte nga të parët që vuri shenjën artistikisht formimit të traditës sonë letrare si fytyrë e parë krijuese e letërsisë shqipe për fëmijë dhe të rinj.

Krijimtaria për fëmijë e shkrimtarit Teufik Gjyli ka si zanafillë dhe shtysë të mëtejshme që nuk iu shkëput, realitetin e të parëve të tij, që lindën në Ulqin. Ai zë i hershëm, i përhershëm dhe i paplakur, thirrës brenda vetes dhe gjallërues në vetëdijen e tij, është pjesë e biografisë jetësore dhe artistike të shkrimtarit, ku "... menjëherë emri lidhet me vepra letrare, madje me forma të veçanta, duke pretenduar një njësim të autorit me veprën." [3]

Është kjo arsyeja, që në kujtimet e tij të çmueshme dhe të patjetërsueshme që lidhen me rrënjët prindërore, në mes të tjerave thotë: "... unë provova për të shkruar bukuritë e një qyteti të vogël bregdetar të Kolkasve të vjetër, meqë nga ai qytet ishin prindërit e mi, edhe nëna, edhe baba. Edhe unë vetë, vegjëlinë për disa vite, e kisha kaluar në kalanë e atij qyteti e, gjithkund, bregut që prej gjeranave e deri në Lima. Kuptohet se ky qytet është Ulqini".

Kjo bukuri mahnitëse bregdetare me hiret e misteret e saj, të cilat fshehën së thelli në kohë edhe elementë mitologjikë, gojëdhënarë, fantastikë, legjendarë, mrekullitarë, etj., elemente që në procesin krijues të shkrimtarit Teufik Gjylit gjetën pasqyrim më të gjerë e të dukshëm në gjininë e përrallës. E lëvroi me sukses, i dha asaj tipare të mëvetësishme, veçanti në krahasim me krijuesit e tjerë të aradhës së tij e origjinalitet. I përfaqësuar kryesisht me këtë gjini, ku dhe ka arritjet më të mira, (më vonë dhe me tregimin) dha një kontribut të rëndësishëm në krijimin, formimin dhe pasurimin e mozaikut të traditës së re të letërsisë për fëmijë e të rinj, traditë që "... u krijua... me përpjekjet dhe pasionin e nisiatorëve të parë të kësaj krijimtarie... Q. Guranjakut, Z. Sakos, H. Stërmillit, T. Gjyli, S. Çomorës, D. Siliqit e të tjerëve." [4]

Mënyra e rrëfimit lirik të përrallës, poetika e saj, i dhanë shkas autorit të dallohej në këtë plejadë shkrimtarësh, në të cilën hyri dhe u radhit. Krijoi pa vonesë individualitetin e tij krijues, që do ta thellonte nga njëri vëllim me përralla në tjetrin. Përmendëm këtë gjini jo vetëm se ishte më e spikatura e autorit, porse ai pa se: "Tek përralla... del veçanësia e letërsisë për fëmijë me mundësitë e saj të shumta..." [5]

Këto mundësi Teufik Gjyli i shfrytëzoi dhe realizoi në subjektet interesante e magjiplote të përrallave që krijoi. E jetoi përrallën dhe e bëri të jetojë përrallën përmes rrëfimit të tij.

Krijimtaria për fëmijë e shkrimtarit Teufik Gjyli ka edhe një zanafillë tjetër, një tjetër realitet, dhe ky i përket Shkodrës. Në këtë qytet me emër dhe traditë edhe në fushën e letërsisë për fëmijë, autori jetoi, punoi, shkroi e ëndërroi..., deri sa një ditë u nda nga kjo jetë.

Këto dy realitete, nga mënyra se si janë krijuar e pasqyruar, nuk janë ishuj në vete, të ndarë me kufij e në largësi. Ata kanë një shkrirje harmonike, marrin e japin me njëri-tjetrin në kohë dhe hapësirë, përmes tekstit, nëntekstit dhe intertekstualitetit të tij. Në këtë marrëdhënie "lëvizin" e fokusohen problematika të caktuara, që lindën në një realitet dhe vazhdojnë "jetën" në realitetin tjetër. Sido që të jetë realiteti, nga vjen dhe ku shkon, magjia buron sa nga Vendlindja e të parëve aq edhe nga Vendlindja e autorit. Kjo magji që kthehet në "realitet" përrallor merr "jetë", shfaqet e lulëzon: te subjekti, fabula, përshkrimi i natyrës, te cilësitë dhe veçoritë e personazheve, mjediset dhe ngjyrat që bashkëshoqërojnë personazhet në ecurinë e misionit, aventurës, peripecive, situatave të jashtëzakonshme, përpjekjeve dhe fatit të tyre, etj., etj. Të gjitha këta elementë lëvizin nëpër hapësira të njohura e të panjohura, të dashura, të shtrenjta, romantike, të përmalluara, përmes mallit dhe kujtimeve të shtrenjta, si gjithnjë, për autorin. Janë pjesë të vetvetes, vetvetja si identitet e mënyrë rrëfimi, të vetëdijes njerëzore e artistike, ku s'pushojnë së lëvizuri subjektet si dëshmitarë të patjetërsueshëm artistikë. Te këto subjekte përrallore gjenden: "Forcimi i elementëve lirikë si dhe poetizimi i ngjarjeve dhe i figurave të personazheve (që) është një nga veçoritë e krijimtarisë letrare të këtij shkrimtari." [6]

Ndaj, dhe "Trëndafilin e artë" të përrallave të shkrimtarit Teufik Gjyli, duhet ta kërkojmë dhe doemos e gjejmë, së pari, në marrëdhëniet e tij me Vendlindjen e të parëve, që ishte një trevë e pasur me histori të moçme, mite, gojëdhëna, përralla, rrëfenja e legjenda. Ky thesar e ushqeu shkrimtarin me fabula e subjekte të shumta, me larminë e formave të gatshme e të përpunuara të përrallave popullore të krijuara gjatë shekujve, etj. Në këtë rrugëtim të gjatë autori njohu edhe përvoja dhe ndikime letrare, të cilat i pasuroi, i zgjeroi si nga pikëpamja tematike ashtu edhe estetike. Dhe ky rrugëtim shtrihet për dyzet e pesë vjet me radhë veprimtari letrare, e shpërndarë ndër tridhjetë organe të ndryshme, në vitet 1923-1968.

"Kacimicrri" qe novela e parë, e gjatë për fëmijë, që u botua në vendin tonë. Ajo e popullarizoi emrin e Teufik Gjylit. Libri i dytë është "Trëndafili i artë", botuar më 1957. Përmban 18 përralla, legjenda dhe tregime për të vegjël. Disa nga pjesët e përfshira në vëllim janë nga krijimet më të para të Teufik Gjylit, botuar më parë edhe në shtypin periodik.

Në vitin 1966, Teufik Gjyli botoi vëllimin "Tregime të zgjedhura" për moshën e mesme shkollore. Në këtë libër gjenden disa copa të zgjedhura nga proza e tij tregimtare. Ato nuk janë renditur sipas viteve të botimit, por sipas llojit letrar, duke filluar me përrallën dhe duke mbaruar me tregimet rreth jetës së sotme të vendit. Kështu, nga "Dhelpra e argjantë" (1961) është ribotuar "Përrallë", përpunim sipas tregimit që i bën populli i krahinave të Veriut. Nga "Jani dhe Piku" (1962-1965) janë zgjedhur disa ngjarje fantastike. Nga "Trëndafili i artë" (1957) është riprodhuar përralla e bukur "Sheboja". Nga "Kacimicrri" (1954) është dhënë kapitulli XI, ai i parafundit, me titull: "Fshatari plak çlirohet nga vargojt". Në vëllim janë përfshirë gjithashtu pjesë nga libri me tregime "Piciruku" dhe pjesa teatrale "Pranë kufirit".

Teufik Gjyli u mbështet dhe "përvetësoi" imazhin e përrallës popullore, duke i dhënë asaj një konfiguracion të dallueshëm dhe origjinar. Do të thoshim i një lloj idealizmi të pranuar me vetveten dhe i një romantizmi në kufijtë e të përligjshmes. Kështu, autori duke qenë njohës i hollë i kësaj pasurie lëndore, autoktone, jetese e mbijetese e njohjeje të Vendlindjes së prindërve (prej nga vinin rrënjët), ka ditur ta shfrytëzojë atë dhe ta mbartë në krijimet e veta me shumë finesë, ngrohtësi e drithërima-meditative poetike. Kjo është arsyeja që "... trillimi poetik, fantazia e përrallës e çon heroin (nënkupto heronjtë) e saj në vende nga më të çuditshmet, e bën të kryejë aventura e të kalojë peripeci nga më interesantet dhe akte nga më të guximshmet e nga më tërheqëset. Ai thyen monotoninë lodhëse të tregimit, duke kryer përmbysje kurioze të aksionit dhe duke krijuar situata krejt të papritura... veçse këto elemente nuk paraqiten në përrallë si qëllim në vetvete ose thjesht si mjete për të bërë efekt. Ato kanë vendin e tyre të caktuar, lidhen me logjikën ideoartistike të përrallës dhe shërbejnë për të theksuar e për të kuptuar sa më mirë ide e karakteristika të caktuara të personazheve." [7]

Krijimet përrallore që na paraqet shkrimtari Teufik Gjyli, përfshijnë në thelbin e vet si elementin fantastik, si elementin mitik, si elementin realist, të cilët lidhin, ndërlidhin dhe zgjidhin pikat kryesore të rrëfimit dhe formojnë portretin e strukturës përrallore. Është kjo arsyeja që "Subjektet e këtyre përrallave zbulojnë tipare të njerëzve të thjeshtë të popullit, si ndershmërinë, zgjuarsinë, dashurinë dhe sinqeritetin midis tyre. Por, me gjithë përpunimin e kujdesshëm, ato nuk janë zhveshur plotësisht nga elementët idealistë që i ndeshim në përrallat popullore. Herë-herë idetë jepen hapur, me anë të sentencave. Sidoqoftë, përrallat e kësaj përmbledhjeje ("Trëndafili i artë", - nënvizimi i im Xh. B.) ruajnë bukurinë e tyre që u jep gjuha e krehur dhe përshkrimet tërheqëse." [8]

"Trëndafili i artë" përmban tetëmbëdhjetë përralla, legjenda dhe tregime për të vegjël. Në parathënien që kanë shkruar për lexuesit e vegjël redaktorët e librit, shkrimtarët e studiuesit Bedri Dedja e Nasho Jorgaqi, ndër të tjera thonë edhe këto fjalë:

"... në këtë vëllim të ri, ju përsëri do të takoheni me heronjtë e përrallave tona popullore, do të njihni heroizmat, përpjekjen dhe luftën e tyre për një jetë më të lumtur.., luftën për të drejtën dhe të vërtetën, për lumtërinë dhe gëzimin. E patjetër, edhe këto përralla do t'i pëlqeni shumë. Autori i këtij libri, Teufik Gjyli, na ka thënë se këto përralla i ka pasë treguar një kopshtar dhe bahçevan plak. Dhe me të vërtetë, po të lexoni librin me vëmendje, ju do të vini re se aty ka edhe disa legjenda popullore mbi lulet, të cilat gjithashtu janë të bukura."

teufik gjyli perrala dhe tregime
Krijimtaria letrare e shkrimtarit Teufik Gjyli nuk është anashkaluar nga studiuesit e letrave shqipe për fëmijë. Realisht, më gjerë është folur për kohën kur autori krijonte e botonte. Pastaj, në vitet e mëvonshme si për këtë autor, ashtu edhe për disa autorë të tjerë të këtij brezi që meritojnë vëmendje për kontributet letrare që kanë dhënë, kujtesa letrare fillon e zbehet... Për ndonjë autor kujtesa zbehet aq shumë sa kthehet në harresë. Realisht, edhe sot mungojnë studimet analitike dhe krahasuese në këto lamije. Për vlerat e këtyre studimeve, studiuesi Shaban Sinani thekson:

"Krahasimet përgjithësisht provokojnë, cënojnë, përafrojnë e po aq mosbarazojnë. Por krahasimeve dhe metodës krahasuese, megjithëse moda mund t'u ketë shkuar, mundësitë nuk u kanë shterruar. Në filozofinë e botës së sotme është "të shohësh veten tek tjetri". Kjo filozofi është themeli i eurokulturës dhe eurocentrizmit."

Përmes studimeve letrare (aq sa ishin) dhe shqyrtimeve të veprave të autorit në shtypin e revistat të kohës; kemi vrojtuar me vëmendje mënyrën se si është evidentuar figura e tij, problematikat që janë cekur, këndi i shikimit dhe i trajtimit të krijimtarisë së këtij autori, etj., etj. Në ecurinë dhe në arritjet e këtyre studimeve, në zbërthimet dhe në konkluzionet për krijimtarinë dhe vlerat e saj të autorit Gjyli, mendojmë se nganjëherë trajtesat nuk janë dhe aq të thelluara. Na preokupon empirizmi problemor dhe historizmi si dukuri pranimore e diktuar nga koha. Gjithashtu na preokupon edhe shikimi i disa studiuesve se, krijimtarinë e autorit e kanë vendosur vetëm në rrafshin e traditës, aty e kanë qarkuar, vetëm aty e nënvizojnë, pa i dhënë një kapërcim të mëtejshëm në kohë, gjë që veprat e tij na thonë të kundërtën.

Lënda përrallore që na la shkrimtari Teufik Gjyli, për vlerat njohëse, artistike e edukative që sjellin dhe flasin ato, mendojmë se e ka kapërcyer kohën kur u shkruan, ashtu si e thashë më lart. Të jetuarit e veprës, ka qenë ndërmjet të tjerave edhe shtysa që më nxitën për t'u dhënë optikë tjetër leximi dhe rileximi krijimtarisë së këtij shkrimtari.

Studiuesi Ramazan Çadri, i shenjon si tipar themelor krijimtarisë të Teufik Gjylit, këtë fakt:

"Ndihmesën më të madhe T. Gjyli e solli me përrallat e legjendat e bukura të frymëzuara nga motive popullore, përmbajtjen e të cilave autori e përpunoi me mjeshtëri në përputhje me kërkesat e moralit bashkëkohor, duke u dhënë atyre formën e krijimeve të mirëfillta artistike për të vegjëlit."

Veprimtarinë letrare të këtij autori, me qëllime studimi e kanë parë disa autorë, si Vehbi Bala, Hamid Boriçi, Bedri Dedja, Gjergj Vlashi, Nasho Jorgaqi, Muharrem Xhaxho, etj., por në mënyrë të veçantë, të herëpashershme e analitike është studiuar nga Profesor doktor Jup Kastrati e më pas nga Prof. as. Dr. Astrit Bishqemi e Prof. As. Dr. Ramazan Çadri. I përmenda këta tre studiues si në veçanti, për të thënë se gjykimet e tyre studimore paraqesin interes, vërtetësi dhe konkluzione shkencore të drejta lidhur me interpretimin e dukurive të përrallës që solli në letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj shkrimtari Teufik Gjyli.

Studimet e Profesor doktor Jup Kastratit të botuara në gazetat "Drita", "Puna", almanakun "Shkodra" - 1961, në "Simpoziumi i parë kombëtar për problemet e letërsisë për fëmijë" (Tiranë, 27-28 maj 1974, fq. 66), flasin për një njohje të thelluar, të detajuar, gjykim prej eruditi dhe albanologu, prej bibliografi dhe shkencëtari. Të gjitha shqyrtimet, rrafshet apo këndet se si e ka parë Profesor Kastrati krijimtarinë e Teufik Gjylit në gjininë e përrallës, gjithherë është bashkëshoqëruar me një pasuri bibliografike të plotë e përkushtuese, të lakmueshme e të detajueshme, si dhe prej një skrupuloziteti (përpikëri) të admirueshme.

Mendimet e studiuesve, emrat e të cilëve i shënuam më sipër, për shkrimtarin Teufik Gjyli ndriçojnë në dy vatra.

Vatra e parë udhëhiqet nga mendimi i studiuesit Vehbi Bala, që thotë: "Studimi i traditës së re do të nxjerr në shesh meritën e shkrimtarëve Q. Guranjaku, Z. Sako, D. Siliqi, S. Çomora, K. Jakova, H. Stërmilli, T. Gjyli... që të parët iu vunë krijimit të letërsisë së re shqiptare për fëmijë pas çlirimit të atdheut".

Vatra e dytë mbart mendimin e shkrimtarit Bedri Dedja, i cili vë theksin, se: "Në këtë periudhë (është fjala për vitet 1949-1954, - nënvizimi im, Xh. B.) aktivizohen mbi dymbëdhjetë shkrimtarë në fushën e letërsisë për fëmijë dhe krijohen vepra të tilla, pa të cilat nuk mund të përfytyrohen fillimet e letërsisë shqipe... për të vegjëlit, siç janë librat: "Tetë ditë pa bukë", "Foleja e dallëndyshes", "Shkolla jonë", "Zgjimi i pranverës", "Zemër shqiptare", "Kacamicrri", "Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit", "Na hoqën çatinë", "Përrallëza e gjëza"...

Të dy këto vatra-mendimesh të mbledhura së bashku plotësojnë më dukshëm e më thellë portretin e këtij shkrimtari. Mendojmë, se ata prekin më shumë të jetuarin e tij në një cak kohor si krijues e si pasurues i traditës së letërsisë për fëmijë e të rinj. Ndaj, e ndiejmë të nevojshme të pohojmë se, marrëdhëniet e shkrimtarit veçanërisht me përrallën që e kishte "dobësi" kërkojnë një vizion gjykimi më të gjerë dhe një interpretim të mëtejshëm.

Teufik Gjyli, si krijues, lëvroi disa gjini e zhanre letrare, si: fabulën në vargje, apologun, tregimin e shkurtër, kallëzimin apo rrëfenjën, novelën e gjatë, skeçin, dramën, melodramën, skicën, vizatimin letrar, reportazhin, artikullin; por talenti i tij u shqua, shkëlqeu dhe shëtiti në universin e përrallës, ku dhe mbeti përrallëtar. Te kjo gjini shfaqen e përftohen dukuri e cilësi të personalitetit të tij krijues, të cilat na ofrojnë mendimin se Teufik Gjyli e njeh mirë botën e përrallave dhe në veçanti përrallën popullore, hapësirën, domethënien, ngjyrat, karakteristikat, idetë universale dhe kodet e saj. Është i drejtë pohimi për këtë shkrimtar, kur thuhet se:

"Teufik Gjyli është bërë i njohur, përveç të tjerave, si autori i dy prej personazheve më të njohur, më popullorë e më të realizuar në krijimtarinë e tij, por edhe në letërsinë tonë për fëmijë, siç janë Kacimicrri dhe Piciruku, dy figura tërheqëse dhe mjaft simpatike për lexuesit e vegjël, i pari trajtuar te përrallat dhe i dyti tek tregimet e tij."

Edhe sot lexohen me ëndje libra, si: "Kacimicrri" (një novelë-përrallë, ku figura kryesore është huazuar nga letërsia gojore, por me një këndvështrim të ri: në përpjekjet e tij për të luftuar drejt së mirës, e në këtë luftë aventura e bashkëshoqëron heroin në realizimin e qëllimeve të mira, të virtytshme e me vlera fisnike. Siç thotë Prof. dr. Jup Kastrati:

"... emën të mirë ai fitoi që me librin "Kacamicrri", të cilin e pat nisë që më 1934 dhe botue përfundimisht në vitin 1954 nga N.Sh.B. (152 faqe)"

- dhe më tej:

"Kacimicrri qe novela e parë e gjatë për fëmijë, që u botua në vendin tonë. Ajo e popullarizoi shumë autorin. Me të Teufik Gjyli u fut një herë e përgjithmonë në letërsinë shqipe si shkrimtar i letërsisë për fëmijë. Dhe hyri me një vepër madhore për të vegjëlit."

Kacamicrri me të gjitha versionet e emrit të tij është një figurë tipike, e njohur dhe interesante në folkloristikën tonë. Është një figurë e dashur popullore, sepse populli në krijimtarinë e tij përrallore e gdhendi me dashuri. Po me dashuri e gdhendi edhe në novelën e tij me të njëjtin emër edhe shkrimtari Teufik Gjyli.

Autori ruajti të njëjtën marrëdhënie me këtë personazh të krijuar nga populli. E mori të gatshëm si personazh, pa vënë "dorë" mbi të. Ruajti lindjen e tij, koncepti zhvillues e përfytyrues, funksionet, pra: "... bën trimëri, ballafaqohet me kundërshtarë, i mposht dhe vazhdon veprimin". Kjo "paprekje" dhe ruajtje e identitetit të personazhit shfaqet edhe në titull, edhe në përmbajtjen që fshihet brenda librit, sigurisht, për të zgjuar kërshërinë e lexuesve të vegjël.

Një tipar tjetër i përbashkët është se personazhin, si në përrallën popullore ashtu edhe në krijimin artistik, e gjejmë: 1) Kur fushëveprimi i përgjigjet personazhit; 2) Kur një personazh i përfshin disa fushëveprime.

Dhe për ta përmbyllur këtë marrëdhënie, shënojmë se: "Tiparet e veçoritë e personazheve tregohen nëpërmjet aksionit dhe aventurave" dhe "Heroi i përrallës kur nis rrugën e shtegtimit-aventurave, gjithnjë e zgjedh rrugën e rreziqeve...".

Kacamicrri është një personazh, ku elementi fantastik zë fill që në lindjen e këtij fëmije kaq të vockël. Te kjo figurë, e pabesueshmja bëhet e besueshme, e besueshmja bëhet e pabesueshme, e jashtëzakonshmja bëhet e zakonshme, e zakonshmja bëhet e jashtëzakonshme. Shkrimtari Teufik Gjyli mbeti "fanatik" i këtij personazhi të krijuar më parë nga letërsia popullore. Si i tillë ruajti të njëjtin linjë personazh, edhe në atë që kërkonte të nënvizonte populli, se është zgjuarsia, trimëria dhe virtytet e tjera që vendosin dhe jo forca fizike dhe përpjestimet e mëdha trupore. Me një modulim të tillë e mori këtë personazh Teufik Gjyli dhe e shpërfaqi bukur artistikisht në një realitet të caktuar kohor, ku fëmijët nuk e kanë të vështirë të njihen me heroizmat dhe përpjekjet e tij në favor të së mirës dhe të së drejtës. Kështu duhet ta pranojmë Kacamicrrin e Teufik Gjylit, sepse ky është i mirëpranuar më parë si personazh i krijuar nga populli. S'mund t'i ofrojmë atij asnjë lloj "biografie" tjetër, veç asaj që ai e ka në të vërtetë që në lindjen e tij. Për këtë arsye ne nuk mund të pajtohemi me koncepte të tilla të hamendësuara, si këto që janë shfaqur vite me parë në shtyp, si: "Kacamicri është në përgjithësi një personazh pozitiv...", ose "Pra, ai ka elementë pozitivë..." ose me një gjykim të tillë që shpreh pavërtetësinë e funksionit real e kohor të këtij personazhi, si këtë që po citojmë:

"Po është krejt e gabuar që duke e marrë këtë personazh si krijim të një rendit të vjetër shoqëror, fisnor ose patriarkal, të vihet ky në po këto rrethana e si mishërim i idealizuar i rendit dhe i zakoneve të mykura patriarkale. Autori që shkruan një vepër të tillë, nuk e shikon traditën popullore me syrin e njeriut të kohës sonë, me tendenciozitetin klasor revolucionar, prandaj një vepër e tillë bie në kosh, për arkaizmin, tradicionalizmin e vet."

Edhe dy veprat e tjera me përralla "Trëndafili i artë" e "Vjollca e kujtimit", mbështeten në thesarin popullor, ku shquhen: veçoritë e botës përrallore, përdorimi i drejtë i simbolikës, i raportit të fantastikes me realen, i raportit si ngjarje ndërlidhëse të përrallës, mitit dhe gojëdhënës, të strukturave të njohura kompozicionale, të funksioneve të personazheve, si dhe trajtimi shumëngjyrësh i subjektit lirik.

Veçantitë në krijimtarinë e shkrimtarit Teufik Gjyli


1. Nuk është e vështirë të dallosh veçantitë e mënyrës së të rrëfyerit të Teufik Gjylit në librin e tij "Vjollca e kujtimit", që mendojmë se është më i arriri në vlerat artistike. Një rrëfim që njeh psikologjinë e moshës së cilës i drejtohet. Si i tillë ai bart emocion, lirizëm, ngrohtësi, me strukturë mbi modele e skema, të cilat i kanë përkatësisht përrallat tona popullore. Autori i njeh mirë ato, veçanërisht larminë ndërtimore të tyre, të cilat kanë reflektuar qartazi në krijimtarinë e tij. Por shkrimtari nuk ka mbetur besnik i atyre kornizave, që e kanë shoqëruar në fillesat e krijimtarisë së tij. Një thyerje kornize tip klishe është edhe mënyra e të rrëfyerit.

Në krijimet e librit "Vjollca e kujtimeve" autori mbart njëlloj si te përrallat popullore, formulat hyrëse, të cilat "... kanë rolin e sinjaleve të veçanta që tregojnë se nga të folurit e zakonshëm kalohet në rrëfim të organizuar artistik".

Sipas studiuesit Val Cordum formula "Ka qenë një herë..." shënon ekzistencën e një sistemi tradicional... "Një dukuri e tillë është evidente në krijimtarinë e shkrimtarit dhe lë shenja të dukshme, veçanërisht në librin "Vjollca e kujtimit". S'mund t'i kuptosh këto krijime, pa të tilla poliforma hyrëse, të cilat bartin një cak kohor.

Më konkretisht po japim disa prej tyre, të cilat shprehin secila në mënyrën e vet marrëdhëniet e komunikimit, praninë e kohës shpesh herë si një nocion abstrakt e pa dimension kohor të zhvillimit të ngjarjes:

"Jetonte në kohë shumë të vjetra një mbret". ("Përdredhsa")

"Rriteshin ndër ato kohë të lashta - si i thonë të vjetrit - gjithë këto lule vathe tejet krenare mbi bisqe të vjetra...". ("Lulevathe")

"Një herë - ndër kohë shumë të lashta - ...". (Lulekurpna")

"Na ishte njiherë një pasanik, i cili kishte shtatë djem e një vajzë të vetme". ("Lavanda")

"Na ishte njiherë një shpirt i keq". ("Vjollca e kujtimit")

"Motit - në një krahinë - jetonte një vajzë shumë e hieshme". ("Lulesansa")

Ndërsa te novela "Kacimicrri" (1954), heroi kryesor i veprës simbolizon njeriun e punës dhe të vullnetit, njeriun e sakrificës dhe të mirëbërësit për të mirën e të tjerëve. Ai i frymëzon fëmijët për ndërmarrje fisnike, i bën të vegjlit të jenë të fortë, guximtarë, trima, luftëtarë të paepur për çështjen e së drejtës dhe të së mirës. Edhe te ky krijim gjejmë poliforma hyrëse, të cilat janë të ngjashme me ato të përrallave të këtij autori, por që ruajnë e flasin për një element tradicional të komunikimit të përrallës si vjetërsi moshe. Po sjellim si shembuj:

"Na ishte njëherë një plak e një plakë". (Kështu fillon vepra e shkrimtarit Teufik Gjyli).

Kurse te përralla: "Dhelpna e argjantë" "diktojmë":

"Na ishte një herë një gjuetar." (faqe 119); "Një ditë prej ditësh..." (faqe 119).

Disa nga këto modele formulash hyrëse që paraqita më lart e, që shumë të tjera gjenden në përrallat e shkrimtarit, janë "shenja" që na tregojnë se kështu fillojnë përrallat tona popullore. Krahas këtij elementi njohës, te Gjyli në të shumtën e rasteve kanë dhe funksionin e mënyrës së prezantimit të personazheve, të rolit të tyre që luajnë në përrallë.

Kjo dukuri nuk është vetëm te Gjyli, por te të gjithë shkrimtarët e plejadës së tij që lëvrojnë gjininë e përrallës, e, që gjejnë frymëzim e mbështetje te thesari ynë popullor.

2. Novela-përrallë "Dhelpna e argjantë" bën pjesë në krijimtarinë e shkrimtarit Teufik Gjyli. Ndryshe nga një pjesë e lëndës krijuese, ky krijim ka pasur një zbehtësi shqyrtimi në përkatësinë e vlerave që mbart. Për këtë novelë-përrallë është dhënë ky mendim, i shprehur në këtë mënyrë:

"Në mjaft vepra për fëmijë përrallat nuk shfrytëzohen drejt dhe nuk i përgjigjen aktualitetit. Nuk është aspak aktual ribotimi i përrallës nga "Dhelpra e argjantë" e Teufik Gjylit, ku na paraqitet një mbret i mirë, por me një vezir të keq. Mbreti qe i mirë dhe kishte asnjë faj për vuajtjet e popullit. Fajtor për të gjitha qe veziri. Me zhdukjen e tij çdo gjë filloi të shkonte sa më mirë në këtë mbretëri. Ky është morali i fabulës. Me këtë moral nuk mund të jesh dakort. Ai është i dëmshëm për fëmijët tanë. Nuk i mëson të urrejnë deri në fund klasat shfrytëzuese. Po aq të panevojshme janë edhe ato legjendat, të cilat fshehin në vetvete veshjen mistike, jo shkencore, si vihet re kjo p.sh. te "Sheboja" e po këtij autori, e botuar, ashtu si e parë, në librin "Tregime të zgjedhura"... Por shkrimtarët që shkruajnë për fëmijë duhet të kenë shumë kujdes në zgjedhjen e përrallave dhe në përpunimin e tyre. Në radhë të parë duhet parë se sa ato tingëllojnë aktuale, se sa ato i përgjigjen kërkesave aktuale të edukimit të fëmijëve tanë."

Nuk është e vështirë të kuptosh qëndrimin e studiuesit ndaj këtyre dy krijimeve. Më parë se marrëdhënia me letërsinë artistike të kohës, ai ka vendosur një marrëdhënie me sistemin e kohës soc-realiste. Atë ka busull orientuese dhe busull vepruese dhe zbatuese. Mbi bazën e kësaj filozofie gjykon, interpreton veprat artistike, vlerat dhe moralin e tyre. Ky qëndrim, i cili s'mund të jetë jashtë këtij sistemi, mbahet edhe ndaj kësaj pjese të krijimtarisë së shkrimtarit Teufik Gjyli.

Në mënyrë sintetike po japim edhe një herë argumentet që shtron studiuesi V. K. në mbrojtje të realitetit socialist:
* Krijimet nuk i përgjigjen stadit dhe zhvillimit aktual të realitetit.
* Nuk është aspak aktual ribotimi i këtyre dy krijimeve.
* Nuk është dakort me moralin e fabulës "Dhelpra e argjantë".
* Përralla "Sheboja" ka veshje mistike, jo shkencore.
* Duhet të zgjedhim përrallat popullore dhe mënyrën e përpunimit të tyre.

Dhe duke shkuar deri në ekstremin e alogjikes artistike e perceptimit deri-diku jonjerëzor, studiuesi i cakton vetes të rreshtohet në atë pjesë të kritikës: "... e cila bazën e vet e ka pasur në imitimin nga importi i doktrinës zhdanoviste, që ishte shndërruar në platformë zyrtare në letërsinë shqiptare që krijohej në Shqipëri, lidhjen me realitetin e shihte si një kërkesë për zbatimin e së njëjtës doktrinim, në letërsinë e këtij krahu."

Studiuesi V. K., duke gjykuar në këtë mënyrë, mendojmë se, nuk njeh si proces krijimtarinë në gjininë e përrallës të shkrimtarit Teufik Gjyli. Më tej, do të thoshim, nuk njeh cilësitë, veçoritë dhe tiparet e këtyre përrallave; karakteristikat e kësaj përralle të kultivuar dhe marrëdhëniet e saj me përrallën popullore, në ç'raporte është dhe si është ky raport gjatë përpunimit përrallor. Së fundi nuk njeh konceptet estetike të gjinisë së përrallës dhe në veçanti të konfiguracionit të përrallës gjyliane, sepse nuk përmend asnjëherë ndikimin e vlerave të saj ("Dhelpra e argjantë", - nënvizimi i im) në opusin përrallor të autorit. Edhe pse i ndan një hapësirë kohore, është e rëndësishme të shikohet kjo vepër në marrëdhënie me"Kacimicrrin"brenda procesit krijues të shkrimtarit, pasi, që të dy këto vepra kanë pothuaj të njëjtën mënyrë rrëfimi, stil e gjuhë artistike.

Tani po zbërthejmë disa tipareve të këtyre dy krijimeve.
Po të njihte sadopak krijimtarinë përrallore të Teufik Gjylit, studiuesi do të kuptonte sadopak natyrën e saj, metodologjinë, morfologjinë dhe mënyrat e rrëfimit. Do të kuptonte se autori Gjyli krijon një përrallë ku vështrimi i tij është universal si vetë gjinia, po edhe universale janë mesazhet që përçon në këto përralla, pa përjashtuar edhe këto dy krijime. "E mira lufton të keqen dhe triumfon mbi të", "E drejta lufton të padrejtën dhe triumfon mbi të" etj., qëndron në themel të krijimtarisë së Teufik Gjylit. Duke i sjellë artistikisht e me nivel në kohë, ato janë aktuale dhe i përgjigjen aktualitetit; pa thënë se ky përrallëtar është mjeshtër në përpunimin e përrallës popullore.

Personazhi kryesor i novelës-përrallë "Dhelpra e argjantë" është Ko-ko-ja. Për këtë personazh ka një përkujdesje dashurie prej shkrimtari. Një të tillë përkujdesje e pati për personazhin me emrin Kacamicrri. Po i përmend se ata "njihen" përmes krijimtarisë së autorit. Kanë pothuajse të njëjtat plane konceptimi e krijimi, si: në ndërtimin arkitekturor të përrallës, në ec e jaket çudibërëse të aventurës e bëmave, të skalitjeve të personazheve, etj. Te ky krijim ngjarjet zhvillohet në një largësi më të madhe kohore sesa te "Kacamicrri".

Ko-ko-ja është një model personazhi i nxjerrë nga visaret e popullit, nga urtësia, zgjuarsia e mençuria e tij. Hera-herë të kujton vetë Kacamicrrin. Me të njëjtin imazh, do të thosha, është konceptuar e shkruar dhe përkushtimi. Jo më kot autori thotë që në fillim të krijimit të tij: "Unë kam një shok. Emnin e ka Ko - Ko."

Nocioni i së "moçmes" në përrallë, gjithashtu, është në natyrën krijuese të autorit. E gjejmë edhe në këtë përkushtim. Përrallëtari thotë: "... gjyshi i tij ka jetue shumë dhe ka vdesë 103 vjeç. Ko - Ko ka qenë 10 vjeç kur e ka pasë ndëgjue këte përrallë nga gjyshi i tij. Një natë dimni ai ma tregoi mue dhe unë sot po jua rrëfej ashtu si e kam ndëgjue prej goje së tij...".

Teoria e "shtegtimit në brezni" e përrallës, pra brenda një qerthulli, si subjekt, mesazh e personazh, gjithashtu zë vend në krijimtarinë e autorit dhe në rastin konkret, është një refleks nga vetë subjekti i përrallës "Dhelpna e argjantë", në të cilën gjuetari (babai) vdes që në fillim të ngjarjes, duke i dhënë mundësi të birit "t'i marr hakun", duke realizuar kështu amanetin, e njëkohësisht duke e bërë protagonist e hero të përrallës, triumfues i së mirës. Nga pikëpamja kohore dhe e viteve të përrallës, prania e djalit si personazh afron kohën dhe vitet (ik nga koha dhe vitet e babait), i bën më të perceptueshme dhe më realiste, larg legjendarizimit. Rrugën plot peripeci e aventura e shoqëron si një bashkudhëtar edhe përshkrimi, që mendojmë se shërben si "parathënie" dhe "mantel" për personazhet që veprojnë në këtë përrallë të gjatë, e cila edhe kjo nuk përjashtohet nga "injektimi" nga "tharmi" i përrallave tona popullore, ku struktura, mesazhi dhe filozofia nuk janë vështirë të mos duken.

Duke iu sjell edhe një herë sintagmës që përmend studiuesi: "... ku na paraqitet një mbret i mirë, por me një vezir të keq", novela-përrallë nuk i ka këto dy personazhe kryesorë, por është Ko-Ko-ja heroi që mbart gjithë ngjarjet që pasqyrohen në vepër.

Si Kacamicrri ashtu dhe Ko-Ko-ja, duke i parë si personazh në thellësi të botës që shpalosin dhe të veprimeve që bëjnë, të akteve që kryejnë dhe të mesazheve që përçojnë, në thelb kanë "biografinë" e personazheve realistë. Dhe për një moment sikur ofrojnë me tregimet popullore realiste. Por, kur ato hyjnë në marrëdhënie me përrallën dhe humbasin në "detin" e saj, duan apo s'duan veshin kostumin e saj përrallor që u rri hijshëm e plot nur-drite. Me të drejtë studiuesi Agron Xhagolli thotë: "Karakteristikë kryesore e këtyre përrallave është dhënia e elementit aventuror në kufijtë e së mundshmes. Pra, ato përralla (novelistike, - shënim i im Xh. B.) kanë një karakter aventuror, i cili shprehet në kalimin e personazhit kryesor në një varg aventurash të papritura."

Ndërsa përralla "Sheboja", mendojmë se, nuk ka veshje mistike. Kjo përrallë zë vend si motrat e saj tek zhanri i përrallës floreale, ku autori i këtyre radhëve ka folur gjatë në këtë shkrim dhe ka bërë një analizë të plotë.

3. Një veçori e krijimtarisë përrallore të Teufik Gjylit është dhe lëvrimi i përrallës floreale, i cili përqendrohet brenda një fushe veprimi dhe i përgjigjet një personazhi-lule. Brenda kësaj fushe mësojmë ndodhinë apo historinë e këtij personazhi-lule.

Historitë magjepsëse të luleve, të mbledhura në simbolikën e gjetur të librit e, që aq bukur i rrëfen autori janë të lidhura drejtpërsëdrejti me personazhet, të cilët, për ngarkesën që mbartin në përrallë dhe mënyrën si e mbartin atë, krijojnë disa funksione sipas këtij klasifikimi, që nga ana tipologjike i mbart dhe përralla popullore.
* Funksioni i dhënësit të lajmit ose të parashikuesit.
* Funksioni dëshmues ose i dëshmitarit.
* Funksioni i bartësit total ose të pjesshëm të ngjarjes.
* Funksioni përjetësues.

Funksioni i dhënësit të lajmit ose të parashikuesit në legjendën "Përdredhsa" realizohet nëpërmjet personazhit të ndërmjetëm, siç është plaka. Ajo është nyja lidhëse në mes historisë tragjike të çiftit mbretëror që nuk kishte fëmijë, me ndodhinë përfundimtare, por tragjike të vajzës që erdhi në jetë e që vdiq pas shtatë vjetësh. Momenti i fundit është përceptuar me ngjyra legjendare e tone lirike. Ky rrafsh ruhet edhe kur shfaqet në mënyrë të papritur shpirtëzimi i lule përdredhses. Në këtë rast ajo mbart edhe funksionin e përjetësisë në historinë e vajzës së vogël. Po i njëjti përceptim ndodh respektivisht te Lulemullaga e te Lule Kalthi. Te e para, ajo lind nga lotët përvëluese të nënës, e cila humb birin e saj; te e dyta, ajo lind kur nëna ndjeh rahanë e bijve të saj. Zakonisht në këto legjenda e në disa të tjera, funksioni i përjetësisë shërben si kurorë përmbyllëse e krijimit. Këto krijimi kanë të përbashkët edhe të njëjtin ndërtim kompozicional.

Në qoftë se te "Përdredhsa" plaka (personazhi i ndërmjetëm) rrit intrigën në fabul, te "Lulezana" kaprolli bëhet "çelës" për zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjes. Po te kjo përrallë, Zana e më pas Lulezana (shfaqja të elementit mitologjik) si personazh kryesor mbart ngjarjen e vetvetes, që zhvillohet në një qytet nënujor. Personazhi (Zana) shndrrohet nga një krijesë reale në ireale (lulezanë), por pa humbur njësinë e vendndodhjes si element real: një lule që rritet pranë bregut të liqenit. Ndryshe ndodh me figurën e floçkës te "Zojëmirana". Gjatë gjithë rrëfimit të ngjarjes, edhe atëherë kur humb emrin e vërtetë, autori procedon që nga fillimi deri në fund duke ruajtur një plan: atë ireal. Në këtë rast, aroma e legjendës është më e ndjeshme dhe dukuria e saj është më e pranishme. Mjafton të kujtojmë këtë copëz pasazhi: "Kur ai zbriti në vendin tek i cili pa të amen, s'e gjeti ma, pse motrat, trupin e saj të vdekun e kishin marrë me vete për ta varrosë në fund të detit. Vetëm një bimë me gjethe të vegjël mbiu aty dhe Urani i shkretë, në të, ndiente erën e së amës.
Në atë çast mandej, që gjindja u mblodhën për të pa, se ç'qe ajo britëm, gjetën djalin që kishte rrokë lulen me gjethe të vegjël e me lulza të imta e të bardha e qante gjithnji tue thirrë të amen. Më mbrapa, atë lule e thirrën: Zojëmiranë".

Në disa legjenda dhe përralla, autori zgjedh një mënyrë tjetër për të komunikuar me lexuesin. Që në hyrje e njeh me personazhin. Karakteri i tij zbërthehet gjatë rrjedhës së ngjarjeve, e njëkohësisht është bartës i saj. E vërejmë me zanën te "Lulezana", me vajzën te "Lavanda". Këto personazhe shquhen edhe për një veçori tjetër. Ata, nuk janë të vetmit bartës të ngjarjes, në këtë rrjedhë lëvizin edhe personazhe të tjerë që, me veprimet e tyre janë në funksion të personazhit kryesor. Kështu ndodh p. sh. me vëllain e vogël që mposht rreziqet që i kanosen vetëm që të realizojë dëshirën e qëllimin e motrës.

Personazheve-lule shkrimtari Teufik Gjyli u ka dhënë edhe fusha të tjera veprimi. Ato nuk kanë funksionin dëshmues, por janë pjesë aktive në zgjidhjen e shumë momenteve të vështira, që u paraqiten personazheve të tjerë. Kështu Lulekumbona u vjen në ndihmë dy vajzave të vogla për të gjetur udhën, të cilën e kanë humbur. Ndërsa Lulengishtëza i vjen në ndihmë Miços, që të punojë e të mos jetë dembel në jetë.

Një veçori tjetër është se, legjendave dhe gojëdhënat me ngjarjet që trajtojnë, me mënyrën se si zgjidhen, karakteristika e stilit me të cilin shkruhet, na kujtojnë baladat popullore, imazhin dhe parafytyrën e tyre.
Lule borziloku bëhet simbol shpëtimi. Ajo ndihmon djalin për të mos rënë në fund të greminës. Kurse Lule jasmina me bukuritë e saj bëhet urë pajtimi mes zemrave të qytetit të Kështjellës së Bardhë. Te këto dy krijime, ndërtimi dhe ngjyrimi figurativ përkon me natyrën e baladës, më konkretisht të Baladës së rinjohjes.

Personazhet-lule, që përgjithësisht mbartin ngjarjen kryesore, brenda fushës së veprimit, ballafaqohen dhe ndeshen me figurën e shtrigës, simbol i së keqes.
Kjo figurë, e ka një mënyrë se si vjen në përrallën e Teufik Gjylit. Një e folur dhe lëvizje dredharake, po me këtë status dialogon edhe me personazhet e tjerë. Arsyetimi, fjalori i përzgjedhur, mendësia, atmosfera që e rrethon, etj. E bëjnë këtë figurë të jetë krijim larg tradicionales, që jemi mësuar ta vizatojmë e ta shikojmë. Por gjithësesi, autori nuk mund t'i largohet ngjyrimit të portretit të jashtëm, të cilin pothuajse të njëjtë e kanë të theksuar ato përralla popullore, ku shtriga është i pranishëm si personazh. Mjafton të kujtojmë këtë fragment: "...një grue me një fytyrë të verdhë porsi të vdekunve e të shemtueme, me flokë të lëshuem e të ngatrruem, që dilte prej një çufrre". ("Lulekrupna")
Te kjo përrallë, pikësynimi dhe qëllimi i Shtrigës është të eleminojë zanën. Këtu, brenda fushës së veprimit që ka përralla, autori i jep më shumë fushëveprimi dhuratëdhënësit, që është zana. Për të shprehur triumfin e zanës, autori me mjeshtëri e fuqizon atë si personazh nëpërmjet ngarkesës që depoziton te ajo mjeti dhe fuqia mitike. Teufik Gjyli në këtë përrallë thotë: "... kishte me vete të drejtën e fuqinë e një hyjneshe, që për të kishte qenë shërbëtorja ruajtëse e fëminisë".
Për rrjedhojë zana triumfon mbi shtrigën, dhe autori përsërit, si në shumë përralla të tij, modulin: E mira mund të keqen. Autori në fund të përrallës rikonfirmon triumfin në këtë mënyrë: "E tash, sa herë që boçet e lulekrupnës janë në lulëzim e sipër, gjithnji shihen tue u përkundë në ajri zylyfet e shtrigës smirëzezë".
Këtu vëmë re edhe dy elementë të tjerë me të cilët operon autori: *) lënia e personazhit pa emër dhe *) ndërtimi i sintagmës me një plotëri e thellësi të së keqes edhe si kategori estetike: shtrigë smirëzezë!
Në këtë përrallë (e në shumë të tjera) shohim të realizuar dukurinë që ka vërejtur në këtë gjini studiuesja Dr. Myzafere Mustafa, e cila thotë: "E mira dhe e keqja mishërohen në personazhe të caktuara dhe në veprimet e tyre, ashtu siç janë të pranishëm e mira dhe e keqja çdo herë në jetë, ndërsa paradispozitat për njërën dhe tjetrën janë të pranishme në secilin njeri".

Në përfundim themi se, në legjendat, përrallat e kallzimet e tij, (ku ka edhe motive me qendërzim magjik e mitologjik), Teufik Gjyli shfaqet si veçori parësore e personalitetit të tij, si një krijues lirik. Lulet-personazhe me historinë e tyre që rrëfyen mbeten një tufë "vjollcash kujtimi" në kujtesën e lexuesve të vegjël. Dhe kjo nuk është pak, sepse ka të bëjë me misionin e një krijuesit të vërtetë. Dhe kjo është meritë e shkrimtarit Teufik Gjyli, që "... përrallat... (të) ruajnë bukurinë, që u jep gjuha e krehur dhe përshkrimet tërheqëse."

Prof. Vehbi Bala thekson:

"Proza tregimtare e shkrimtarit Teufik Gjyli dallohet për stilin e rrjedhshëm, për paraqitjen tërheqëse të viseve, njerëzve, kafshëve dhe bimëve, për ndjenjën e ngrohtë, me të cilën ai u rrëfen fëmijëve".

Duke selektuar përrallën, në trinitetin autor-rrëfimtar-përrallëtar, shkrimtari Teufik Gjyli përdori në raporte të caktuara e të drejta elementet fantastike që ia dhuroi tradita, por kurrë se humbi vështrimin në temën aktuale. Ndaj dhe kjo është arsyeja që së bashku me shkrimtarët Spiro Çomora, Qamil Guranjaku, Bedri Dedja, Drago Siliqi, Zihni Sako, Vehbi Bala, etj., sollën në letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj mjaft elemente te reja.

Dhe ndalemi konkretisht te Teufik Gjyli, që me talentin e një shkrimtari pasionant për fëmijët, pa të cilat nuk mund të kuptohet jeta e tij artistike, ai e zhveshi përrallën nga koncepti i vjetër dhe e veshi me interpretim të ri. Kjo është arsyeja që legjendat e luleve kanë në themel rrëfime e përshkrime të një bukurie të rrallë që shpirtëzon e frymon përjetësisht Vendlindjen e të parëve e Vendlindjen e poetit, që shpirtëzon dhe frymon përjetësisht amanetin dhe testamentin artistik i shkrimtarit. Ndaj, studiuesi Bedri Dedja thotë me të drejtë:

"Mjafton të thuash se ne kemi pasur autorë jashtëzakonisht të pasionuar për letërsinë e të vegjëlve, që kanë hedhur gurët e parë në themelet e saj dhe kanë bërë një punë shumë të kujdesshme, ..."

dhe më tej vazhdon:

"Të tilla janë dy figurat e paharruara të letërsisë sonë të re për fëmijë, Q. Guranjaku dhe T. Gjyli."

Të mos harrojmë se, shkrimtari Teufik Gjyli na dha një model përralle. Ndikimi i përrallës popullore shfaqet në to, në dy drejtime: a) "ndihet në mënyrën e trajtimit të fabulës dhe subjektit, (si dhe) në rrjedhën kompozicionale,... veçanërisht në tipin e figuracionit dhe detajet poetike, në qartësinë dhe forcën komunikuese të mjeteve shprehëse." dhe b) në "një brendi realiste, (në) një shpirt të dukshëm popullor...". E gjitha kjo i përgjigjet një momenti të rëndësishëm të letërsisë sonë për fëmijë dhe të rinj, letërsi edhe pse kanë kaluar dy dekada të një realiteti të ri historik demokratik, nga librat që botohen, gjenden ende me shumicë krijime që nuk i kanë shkëputur lidhjet me letërsinë e soc-realizmit, të cilat përkojnë si në: konceptim, në atmosferë, në zgjidhje të konfliktit, etj.

Duke parë këtë gjendje që realisht nuk është dhe aq entuziaste, studiuesi dhe kritiku i njohur Ramadan Musliu shprehet me të drejtë:

"Fryma e krizës së letërsisë së realizmit socialist, sikundër edhe modelit letrar të mbështetur mbi figurën, është më i fuqishëm se ndikimi i këtij perceptimi ekzistent në këtë kohë, por jo aktiv. Që të krijohet prioriteti i ekspresionit të ri estetik duhet që edhe lexuesi të lirohet nga bagazhi ideologjik i veprës letrare, që të krijojë vetëdijen mbi vlerën e traditës dhe që përmes përvojave të reja të arrijë të komunikojë me ide dhe koncepte të reja që mund të ofrojë letërsia e periudhës së fundit."

__________

[1] Shala, M. Kujtim: "Kujtesa e tekstit" - Mitrush Kuteli -, Ndërmarrja Botuese "Gjon Buzuku", Prishtinë / Kosovë, 2003. Shkrimi si parathënie i titulluar: "Argument", fq. 7.

[2] Rugova, Ibrahim: "Kode të shkrimit letrar", Prishtinë, 2009; Shkrimi: "Një kryevepër e Letërsisë shqiptare ose Çeta e profetëve - Pjetër Bogdanit", pjesa e parë (Hyrje), fq. 11.

[3] Hamiti, Sabri: "Albanizma", Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Botime të veçanta CIII, Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Libri 42, Prishtinë, 2009; (kapitulli: Letërsia autobiografike, fq. 77.

[4] Simpoziumi i parë kombëtar për problemet e Letërsisë për fëmijë (27-28 maj 1974), Naim Frashëri, Tiranë, 1975; B. Dedja "Mbi disa probleme aktuale teorike të Letërsisë sonë të realizmit socialist për fëmijë", fq. 8.

[5] Malo, Foto: "Për forcimin e realizmit në përrallën tonë", Drita, 26.09.1976.

[6] Çadri, Prof. As. Dr. Ramazan: "Letërsia shqipe për fëmijë" - Probleme, autorë, vepra", Tiranë, SHBLSH, 2001, fq. 112.

[7] Panajoti, Jorgo: "Përralla popullore dhe fëmija", fq. 34-35; nga libri: "Probleme të traditës dhe të aktualitetit në letërsinë tonë për fëmijë", Shtëpia Botuese "Naim Frashëri", Tiranë, 1976.

[8] Çadri, Prof. As. Dr. Ramazan: "Letërsia shqipe për fëmijë" (Probleme, autorë, vepra), Tiranë, SHBLSH, 2001, fq. 113.

COMMENTS