Amaneti që më la Zef Mala

Ngjela Spartak Ngjela
Av. Spartak Ngjela
Avokati i njohur, Spartak Ngjela, ka rrëfyer për herë të parë mbi letrën që i ka dërguar Ramiz Alisë nga Burgu i Burrelit në 1986-n për vendin ku ndodhet procesverbali origjinal i themelimit të PKSH-së më 8 nëntor 1941.

Ngjela, i burgosur politik i regjimit komunist, tregon se informacionin e ka marrë si amanet nga Zef Mala, ish-kryetar i Grupit Komunist të Shkodrës, i cili ishte njohur me procesverbalin kur ishte dënuar nga fashistët në Itali. Sipas Ngjelës, Zef Mala, i cili e kishte lexuar procesverbalin, ishte njohur me fakte të panjohura më parë se kryetar provizor i PKSH-së në mbledhjen e 8 nëntorit 1941 ishte zgjedhur Miladin Popoviçi dhe jo Enver Hoxha, siç e ka përshkruar historiografia zyrtare e regjimit.

Sipas dëshmisë së Zef Malës disa ditë para vdekjes, Enver Hoxha kishte qenë i pranishëm në mbledhje, por kishte pasur një rol pa peshë. Ngjela i kërkon qeverisë shqiptare që të kërkojë zyrtarisht dokumentin nga pala italiane, pasi e konsideron një dokument të rëndësishëm historik për Shqipërinë.

Pyetje - Z. Ngjela, "Panorama" ka botuar një letër që Ju i keni dërguar Ramiz Alisë nga Burgu i Burrelit në vitin 1986, ku bëhet fjalë për një dokument historik që dihej i humbur: procesverbali i mbajtur në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare. Pse e shpallët pikërisht në këtë kohë, domethënë pas vdekjes së Enver Hoxhës?

Përgjigje - Kishte dy arsye: e para ishte se unë ndihesha i sigurt se ai procesverbal ekzistonte në arkivat italiane. Në fakt, humbja e këtij dokumenti dihej si rast historik, se ai procesverbal ishte marrë nga arkivat e Partisë Komuniste nga Policia italiane, pas një kontrolli në arkivat e asaj partie. Kurse isha i sigurt gjithashtu se Enver Hoxha nuk kishte asnjë rol të veçantë në atë themelim. Arsyeja e dytë ishte fakti që duhej provuar Ramiz Alia politikisht: do ta godiste periudhën e Enver Hoxhës si kriminale, apo jo. Nëse ai vërtet do të donte ta kishte atë procesverbal ku errësohej historikisht Enver Hoxha; do të kuptohej se do të kishim ndryshime politike në Shqipëri. Në të kundërt: Jo.

Letra drejtuar Ramiz Alise nga Spartak Ngjela
Burrel me 5.3.1986

Zotit Ramiz Alia
Sekretar i Parë i Komitetit Qëndror

Po ju njoftoj se procesverbali i mbledhjes së themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare (nëntor 1941), i cili deri tani është konsideruar si i humbur, ekziston. Bashkë me të gjëndet edhe një material prej disa qindra faqesh, i cili ka të bëjë me veprimtarinë e grupeve komuniste para themelimit në fjalë.

Unë në këto çaste jam në dijeni të plotë për vendin e saktë ku ndodhet i gjithë ai material dokumentar që flet per faktogjenezën e partisë suaj. Nëse ju nevojitet për ta pasur, jam i predespozuar të bisedoj.

Spartak Ngjela
I burgosur politik në burgun e Burrelit.

Ps: Kjo letër iu dërgua njëkohësisht edhe zotit Manush Myftiu dhe Foto Çamit.

Pyetje - Po Ju nga e dinit vendin ku ndodhej ky dokument kaq i rëndësishëm?

Përgjigje - Në burg kisha miqësi shumë të afërt me Zef Malën, që e njoha në Burgun e Ballshit, me të cilin kemi shkëmbyer shumë biseda. Zef Mala ishte perkursori i komunizmit në Shqipëri, ndonëse gjatë viteve 1979-1980 kur unë e njoha, ai ishte deklaruar socialdemokrat. Kishte shumë informacion Zefi, dhe në bisedat me të njoha që ai ishte një person me kapacitet intelektual shumë të lartë: FILOZOF, SOCIOLOG dhe ESTET. Esencialisht ishte edhe politolog me nivel të lartë. Ndër të tjera, ai më kishte thënë se Enver Hoxha nuk kishte asnjë rol në themelimin e Partisë Komuniste. Zef Mala ishte kryetar i Grupit Komunist të Shkodrës dhe i Partisë Komuniste Shqiptare, të cilin ai e kishte krijuar para se të krijohej Partia e 8 nëntorit 1941. Dhe ky njihej si fakt, se nuk e mohonte as historia e PPSH-së. Sipas tij, Enver Hoxha e kishte nisur aktivitetin komunist, por nuk kishte asnjë rol protagonisti, e aq më pak drejtuesi të lëvizjes komuniste dhe kryetarit të PKSH-së. Dhe kjo del nga procesverbali në fjalë.

Pyetje - Si e mësuat për procesverbalin e mbledhjes së themelimit të PKSH-së?

Përgjigje - Nga fillimi i vitit 1980, Zef Mala u ekzaminua me kancer në mushkëri. Befas unë e takova atë në Burgun e Tiranës, ku që të dy ishim tranzitë: unë shkoja për në Burgun e Burrelit, kurse ai mbas spitalit për në një burg tjetër. Takimi ishte i përditshëm. Ai e dinte se do të vdiste; dhe në këto çaste më dha dy porosi të njeriut që po priste vdekjen: kishte një vepër voluminoze prej 1000 faqesh për Kushtetutën e Shqipërisë, të cilën ia kishte marrë Sigurimi i Shtetit; dhe e dyta porosi ose amanet ishte vendi ku ndodhej procesverbali i mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare, më 8 nëntor të vitit 1941.

Zef Mala
Më duhet të theksoj se Zef Mala, si një lider kryesor i komunizmit shqiptar dhe antifashist i shpallur, ishte internuar në Ventotene të Italisë që në vitin 1940, si kundërshtar i regjimit fashist italian. Befas, thotë Zefi, vijnë edhe më arrestojnë në Ventotene. Por kur më paraqitën akuzën në Romë, në organet e hetuesisë fashiste, brenda procedurës, më njohën me provat shkresore akuzuese.

Dhe këto ishin një mori faqesh të veprimtarisë së grupeve komuniste në Shqipëri, dhe procesverbali i themelimit të Partisë Komuniste. Ishte një material prej qindra faqesh; por unë, thotë Zefi, u përqendrova te procesverbali i themelimit të Partisë në nëntor të vitit 1941. E lexova krejt. Aty, theksoi ai, përmendesha unë edhe si një organizator i revoltave kundër fashizmit, dhe si perkursor i komunizmit në Shqipëri.

Përfundimisht ai më tha: u habita kur pashë prezencën kryesore të Miladin Popoviçit, një komunist jugosllav në atë mbledhje themeluese, dhe sidomos edhe potencën e tij, derisa ai ishte zgjedhur kryetari provizor i Partisë Komuniste Shqiptare. Kurse Enver Hoxha kishte marrë pjesë në diskutime shumë pak, dhe pa peshë. Më foli edhe për konfliktet e liderëve të grupeve në këtë mbledhje, por unë kisha neveri atëherë për ato grupe, dhe as që e ndoqa me ndonjë vëmendje bisedën.

E vetmja gjë që më interesonte ishte procesverbali i themelimit të Partisë Komuniste. Në fund Zefi më tha: "Nesër do të ndahemi. Vdekja është konsum biologjik i jetës. Jetën mund ta konsumosh në një ditë, në tridhjetë vjet, por edhe në gjashtëdhjetë e pesë vjet, sikurse jam unë sot". Mbahej mirë me kurajë solide para vdekjes. Vuajtjet dhe idetë e kishin lartësuar deri në njësimin e jetës me vdekjen: e shihte këtë të fundit si gjë normale. Pastaj shtoi: "Procesverbali i themelimit është në dosjen time penale në Romë. Nuk ka zot që ta humbasë, dhe nuk e kanë vrarë mendjen italianët që ta kërkojnë. Ai procesverbal i duhet historisë.
Mbaje si fakt dhe përdore, edhe për të siguruar veten, por edhe që ta nxjerrësh në kohën e duhur; sepse unë të kërkoj një kusht thelbësor: Ai dokument nuk duhet të bjerë në dorë të jugosllavëve, domethënë të Beogradit."
E kuptova që ai ishte një patriot i madh.

Pyetje - Atëherë, kjo është historia e shkurtër e këtij dokumenti?

Përgjigje - Po, ai ndodhet në arkivat italiane të dosjeve penale të të dënuarve në kohën e fashizmit. Italianët i kanë arkivuar me shumë profesionalizëm ato dosje. Atje është edhe dosja e Zef Malës, si i dënuar me disa vjet burg dhe, edhe procesverbali i themelimit të PKSH-së. Ky dokument është një domosdoshmëri historike. Duhet bërë publik.

Me anë të kësaj interviste dhe të tjerave që do të jap, i kërkoj qeverisë shqiptare të marrë zyrtarisht në arkivat italiane, me marrëveshje të veçantë po të jetë nevoja, dokumentin e historisë tragjike të Shqipërisë komuniste.

Hekuran Isai: Ngjela, shantazh armiqësor

Ministri i Brendshëm i kohës, Hekuran Isai, e cilësoi shantazhuese letrën që Spartak Ngjela i dërgonte Ramiz Alisë. Sipas tij, Ngjela nuk pranon të flasë me asnjë nga udhëheqësit komunistë të kohës, por vetëm me një nga komunistët e kohës së themelimit të partisë ose drejtuesit e lartë të shtetit.

Hekuran Isai
Hekuran Isai
"Në lidhje me letrën që i ka dërguar shokut Ramiz Alia, u takua i dënuari Spartak Kiço Ngjela dhe pretendoi se shpjegimet për dokumentet që bëjnë fjalë për themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare nuk dëshiron t'ia japë cilido punonjës të organeve të Punëve të Brendshme, por vetëm një të dërguari, i cili të jetë APPSH që nga themelimi i saj, intelektual dhe të ketë ndonjë funksion shtetëror ose partie. Të përmendurit iu kërkua që t'i jepte të shkruara ato që donte të thoshte, për t'ia dërguar cilido prej shokëve që i ka shkruar letër për këtë problem, por refuzoi edhe këtë formë komunikimi. Theksojmë se Spartak Ngjela edhe gjatë kohës së vuajtjes së dënimit zhvillon veprimtari të hapur armiqësore. Për këtë është ridënuar dhe kohët e fundit është demaskuar para të dënuarve e është paralajmëruar. Kemi mendimin që letra e Spartak Ngjelës është shantazh, që bëhet me qëllime të caktuara armiqësore", - shkruan Isai në informacionin e tij.

Nga Aristir Lumezi

COMMENTS