' Çmenduria e urtë ' e Don Kishotit

Mbi simbolikën proverbiale të fjalëve "donkishot", "donkishotizëm" dhe "donkishoteske"


- Nga Agron Tufa

Fjalët "donkishot", "donkishoteske" apo "donkishotizëm", kanë hyrë me kohë në përdorimin e përditshëm në çdo vend e çdo kulturë të botës, duke u veshur këtyre fjalëve kuptime të ndryshme, shpesh edhe pa e lexuar fare romanin e Servantesit "Don Kishoti i Mançës". Në kulturat e Europës këto fjalë nuk përdoren doemos me kuptim negativ, sikundërse ndodh në Shqipëri. Ne e dimë se t'i thuash dikujt "donkishot", e ke fyer, nënvleftësuar apo zhvlerësuar, njësoj sikur t'i kesh thënë "i trashë", "derdimen" apo "i marrë". Kjo lidhet me fatin e receptimit të këtij romani në kulturën tonë, për shkak se, qysh në botimin e parë, pioneri i përkthimeve tona, F.S. Noli, në introduktën shoqëruese të përkthimit të tij në shqip, e ka interpretuar simbolikën e Don Kishotit kështu:

"Servantesi zgjodhi si heronj të veprës së tij dy nga tipat më reaksionarë dhe mesjetarë: bejlurçinën, sojliun e fandaksur të katundit, Don Kishotin e Mançës, dhe laron, sejmenin, fshatarin e varfër e të paditur, Sanço Pançën, që marrin përsipër ta kthejnë prapa botën".

Por a është menjëmend kjo simbolika që shpreh Servantesi me Don Kishotin në veprën e tij? Pavarësisht interpretimeve dhe përkufizimeve të ndryshme kontradiktore që i kanë bërë simbolikës së Don Kishotit - "kalorësit të Fytyrës së Vrerosur", thelbi metaforik i kryepersonazhit të veprës nuk e ka atë kuptim të prerë pezhorativ në kulturat perëndimore, siç e ka në Shqipëri.

Si çdo vepër letrare e përmasave botërore që zgjon diskutime, të cilat lidhen me plagët e realiteteve bashkëkohore në kohën kur krijohen, ashtu edhe përkthimet e tyre ndikohen nga kontekstet politike e sociale në momentin e botimit - më saktë, shoqërimi me parathënie që orienton leximin sefte në kulturën marrëse. Në fakt, duhet patur një vigjilencë e kthjelltësi e pamanipulueshme nga kontekstet që shoqërojnë momentin e botimit të veprave, për ta shpëtuar thelbin e tyre të përjetshëm artistik. Si duket, Noli ynë, nuk i ka shpëtuar dëshirës për ta orientuar leximin e kryeveprave që përkthente në dobi të bindjeve të veta politike të kontekstit kur i botonte ato. Sidoqoftë, ne na duhet të komunikojmë me vlerat artistike të veprës, me simbolikën, metaforën dhe alegorinë e tyre, që i bën ato aktuale dhe të përjetshme në çdo kohë. Prandaj na duhet të rishikojmë raportet tradicionale që kemi krijuar me përjetimin e disa miteve letrare, duke e vendosur thelbin e tyre artistik brenda një konteksti të drejtë, të pandikuar nga mënyra e servirjes.

Vetë fjalët "donkishot" apo "donkishotizëm" shprehin më së shumti një vatër kuptimore të përafërt me nocionet "haluçinant", "i hipnotizuar" apo "ëndërronjës i pandreqshëm", duke shprehur kështu dëshirën naive, ndonëse të parealizueshme, të triumfit të së mirës, drejtësisë dhe dinjitetit fisnik e të përnaltësuar të njeriut në shoqëri. Pra kemi të bëjmë me idealizmin e brishtë e utopik në një realitet të vrazhdtë e të shëmtuar vrastar.
Përhapje të gjerë ka patur komenti thjesht psikologjik, që Don Kishotin dhe Sanço Pançon i sheh si natyra të ndryshme njerëzish: i pari ëndërrimtar, i ekzaltuar dhe ekspresiv, i dyti praktik, njeri esëll dhe përllogaritës.
Janë të shumtë ata që i veshin në mendje këtij romani optikën e ngjarjeve zbavitëse: legeni i pehlivanit që shndërrohet në helmetën e Mambrinit, lufta me mullinjtë e erës (e cila bëhet kuintesencë e librit), sulmi mbi kopenë e deleve, etj.
Në llojin e tij ky libër paraqet diç të ngjashme me një traktat, që shpjegon se si domethëniet depërtojnë në gjësende dhe në jetë.
Është një libër mbi magjepsjen, mbi magjepsjen e pavend në një botë të pamagjepsur dhe për absurditetin e magjepsjes në tërësi.

Lexuesit e parë të romanit, vërtet kanë qeshur me gjithë zemër me fshikullimin e pamëshirshëm të realeve të asaj kohe. Megjithatë, në botë pati edhe një tjetër mënyrë leximi. Libri i dha shkas romanit bashkëkohor nëpër gjithë Europën. Filldingu, Smoleti, Gogoli, Dostojevski, Dodeja dhe Floberi e morën këtë histori spanjolle dhe e zbatuan për qëllimet e tyre në mjediset e kulturës së tyre nacionale. Heroi, që nën penën e Servantesit doli një gaztor, me kohë u shndërrua në shenjt. Vladimir Nabokovi ka thënë: "Ne nuk qeshim më me Don Kishotin. Bëmat e tij janë për t'u mëshiruar, kredoja e tij, është bukuria. Ai është simbol i fisnikërisë, përvujtnisë, pastërtisë, shpirtmirësisë dhe altruizmit".

Tema e "çmendurisë së urtë" në romanin "Don Kishoti i Mançës"


Bjelinski: "Çdo njeri është nga pak Don Kishot..."

Bajroni: "Nga të gjitha rrëfimet, ky është rrëfimi më i pikëlluar dhe megjithëse i pikëlluar, na shtrëngon të qeshim".

Miguel de Cervantes Saavedra (29 shtator 1547, Alkala de Enares - 22 prill 1616, Madrid), është shkrimtar spanjoll, klasik i letërsisë botërore, një mjeshtër i shquar i Rilindjes së vonë, krijuesi i "Don Kishotit", vepër që shtron lindjen dhe formësimin e romanit të ri europian - "romanit të ndërgjegjegjes" apo "metaromanit".
Servantesi e ka shkruar "Don Kishotin" në epokën e Kundrareformës katolike, në vitet e ndalimit të plotë të "erazmizmit", ai deshifron idealin e unitetit universal me imazhet që lidhen me romanin kalorsiak mesjetar (së këndejmi, në vepër kemi identifikimin metaforik të "trupit mistik të Krishtit" dhe "trupin" e kalorësit shtegtar). Njëkohësisht autori na e përcjell utopinë kristiano-humaniste në gjuhën e veprimeve karnavaleske në sheshe dhe të ritualeve festive, sipas stinëve të ndryshme të vitit. E qeshura që kumbon në faqet e romanit, nuk është një e qeshur e keqe, fyese, gajasëse turmash, por një e qeshur ritualore festive, demaskuese dhe aprovuese njëherazi.

Servantesi krijoi personazhin e Don Kishotit dhe shqytarin e tij, Sanço Pançën, duke shfrytëzuar përvojën e teatrove të shesheve. Studiuesit thonë se një ndikim të drejtpërdrejtë mbi Servantesin ka luajtur një poemë anonime "Intermexo mbi romancat" (1590-91?), heroi i së cilës, Bartolo, i ngopur me leximin e romaneve kalorsiake, merr përsipër të kryejë vetë bëma heroike të ngjashme. Duke shtjelluar situatën absurde, bruleske e komike të kësaj poeme në një rrëfim të begatë në prozë me penën e autorit-ironik, Servantesi zbulon aventurat e heroit, që mishëron me pamjen, gjuhën dhe bëmat e tij parodinë ndaj etikës kalorsiake. Nëpërmjet një rrëfimi ironik dhe alegorik, autori na ofron personazhe të tëhuajësuar, të cilët nuk përkojnë me realitetin dhe kontekstin e përditshmërisë. Kështu, duke iu përmbajtur qëllimit të tij për të vënë në lojë dhe diskredituar romanet kalorsiake në sytë e lexuesit të tij, gjë të cilën Servantesi e shpall hapur qysh në Prologun e pjesës së parë të "Don Kishotit", ai krijon jo vetëm një letërsi parodizuese si të tillë (vetë fjalën "parodi" ai nuk e përdor askund), por edhe një tip krejt të ri të rrëfimit. Duke e transformuar motivin e "paranojës" së heroit në çmenduri sakrale, Servantesi e paraqet "çmendurinë meditative" të Don Kishotit si një gjendje të vetëdijes së njeriut, i cili gjendet në konditat e lexuesit të krijuar prej tij në procesin e leximit të tekstit. Kjo i hap udhë romancierit për paraqitjen e vetë strukturës së ndërgjegjes së heroit.

Në rradhën e episodeve kyçe të pjesës së dytë (takimi i Don Kishotit me aktorët endacakë, me kalorësin e pelerinës së gjelbër, zbritja e Don Kishotit në shpellën e Montesinosit, shfaqja e lojës me kukulla në barakën e Maese Pedros, fluturimi i Don Kishotit dhe Sanço Pançës në Klavilenjo etj) një vend të veçantë zë rrëfimi mbi qeverisjen e Sanços në ishullin Barataria. Aty Sanço demonstron gjithë thellësinë e tij karnavaleske të "urtësisë naive", që përplotësohet në kontrast me "çmendurinë e urtë" të Don Kishotit. Në finale të pjesës së dytë, kur Din Kishtoti-Alonso Kishano është në çastet e vdekjes, figura e Sanços përfton një domethënie të veçantë: ai mishëron pavdekësinë e popullit, tërësinë e tij trupore të pavdekshme (sipas formulimit të saktë të Migel de Unamunos), trashëgimtarin shpirtëror të zotëriut të tij, bartësin e gjallë të pikëpamjes donkishotiste ndaj botës.

Servantesi na ka paraqitur gjendjen dramatike të njeriut në një botë, që e ka humbur thelbin dhe harmoninë patriarkale të mesjetës dhe renesancës, unitetin e "fjalëve" dhe "gjërave", "shpirtit" dhe "materies", qëllimit dhe bëmave. Realiteti në kompozicionin "perspektivor" të "Don Kishotit" na del i copëzuar në një shumësi pikëpamjesh individuale, në lojëra "opinionesh" dhe "gjykimesh", çka zbulon një hapësirë të gjerë për interpretime nga më të ndryshmet.

Don Kishoti i Mances, Miguel de Servantes, Don Quixote of La Mancha
"Heroizmat" e Don Kishot janë absurdë dhe gajasës. Ai deshi ta shikonte dhe e pa botën, të tillë siç ia paraqisnin romanet kalorsiake. Bujtina atij i dukej kështjellë me katër kulla dhe me shtiza vezulluese argjendi, laviret e zakonshme - zonja fisnike të kështjellës, tregtarët e Toledos - kalorës shtegtarë, mullinjtë me erë - katallanë me shumë duar, etj.

Njëkohësisht Servantesi kishte parasysh jo vetëm skemën e përgjithshme të romanit kalorsiak (princeshat magjepsëse, katallanët dhe xhuxhmaxhuxhët, kalorësit e arratisur etj.), por edhe episodet e veçanta të librave popullorë. Kështu, ndërsa gjendet në malet e Sierra-Morenës, Don Kishoti vendos të imitojë vetë Amadisin e Galisë, i cili, sipas fjalëve të tij, ishte një "yll udhërrëfyes, një diell ndriçues, dielli i kalorësve të dashuruar e guximtarë". Njëherë, i refuzuar nga princesha Orianë, Amadisi e dënoi veten duke marrë mbi vete emrin Bukuroshi i Ngrysur e duke u arratisur në male. Don Kishotin askush nuk e ka refuzuar, megjithatë, i gjendur midis shkëmbinjve, ai ka ndërmend të përsërisë veprimet e Amadisit dhe, duke iu drejtuar Sanço Panços, thotë: "Tani do t'i gris rrobat, do ta flak uniformën dhe do ta përplas kokën pas shkëmbinjve..." Por Sançoja shpirtmirë që s'ka lexuar romane kalorsiake, i thotë: "Për hir të atij Krishti, mos e bëni, hiqni dorë dhe ruajeni kokën, shkëlqesia juaj, përndryshe po u turrët me kokë në shkëmbinj, do të marrë fund vajtueshëm kjo punë që me herën e parë".

Vërejtja e dhembshur e Sanços, e diktuar nga mendja e shëndoshë, na shpall menjëherë gjithë artificën e skajshme të romantikës libreske. Situatat tradicionale të romanit kalorsiak pushojnë së qeni të lavdishme dhe shndërrohen thjesht në situata që të shkulin gazit. Romantika kalorsiake e zbritur me "këmbë në tokë" është truku i përhershëm artistik që përdor Servantesi. Aventurat e heronjve nga kulmi i tyre "heroik" dhe i jashtëzakonshëm, "përkthehen" në gjuhën prozaike të përditshmërisë së gjallë, dhe atëherë katallanët përrallorë na dalin mullinj me erë, luftëtarët e magjistarit të madh - një kope delesh etj. Vetëm në trurin anormal të Don Kishotit bota virtuale e romaneve kalorsiake ruan "realitetin" e vet. Vetë Servantesi bën gjithçka, që ta diskretitojë këtë botë në sytë e lexuesve.

Megjithatë në fillim të romanit Servantesi pothuajse nuk i kalon kufijtë e parodisë letrare. Dalëngadalë, Don Kishoti fillon të rritet e të përftojë përmasa të tjera, jo vetëm të një figure komike. Para lexuesit shfaqen cilësi të tilla, të cilat na ndihmojnë ta shohim Don Kishotin në një dritë krejt tjetër. Me një frymëzim të vërtetë poetik i rrëfen kanonikut të habitur historinë magjike të Kalorësit të liqenit (I, 50). Në këtë episod, mund të themi se çmenduria e tij ka një bazë poetike, madje kjo çmenduri është në llojin e vet një apel botës së privuar nga bukuria dhe frymëzimi. Sigurisht, Dylqinja e Tobozës ekziston vetëm në imagjinatën e fantazistit të Mançës, por Dylqinjën mund ta imagjonojë vetëm ai që e poetizon femrën, të tregojë fisnikëri para saj, qoftë kjo e adhuruar një vashë e thjeshtë fshatare, e shndërruar në princeshë të mrekullueshme. Kujtojmë gjithashtu, që Don Kishotit i pëlqente të dëgjonte këngë dhe poezi, dinte përmendësh dyzina të tëra romancash të vjetra popullore dhe shkruante edhe vetë vargje.

Por Don Kishoti është jo vetëm poet, ai, me gjithë çmendurinë e tij, është dhe një mendimtar fisnik, një njeri i mendimeve të mëdha. Sipas vërejtjeve të priftit, "ky hidalgo i mirë këput broçkulla, vetëm atëherë kur bëhet fjalë për temat e kokëkrisjes së tij, por, kur biseda është për diçka tjetër, ai arsyeton me mendje jashtëzakonisht të shëndoshë, duke dhënë gjykime të kthjellta e mendjemprehta në të gjitha pikëpamjet..." (I, 30). Jo më kot e dëgjojnë të habitur fjalën e Don Kishotit artin e luftës dhe dijes. Duke parapëlqyer profesionin e ushtarakut, Don Kishoti flet edhe për mundimet dhe rreziqet që i kanosen ushtarit, për fatkeqësitë që e shoqërojnë atë. Por as vetë ai nuk kërkon prehje pasive, sikundërse edhe tek të tjerët vlerëson më shumë shërbimin sakrifikues për të mirën e përbashkët. Sepse qëllimi i artit ushtarak, është, sipas tij, "e mira më e lartë mes të gjitha virtyteve tokësore" (I, 37).

Po fjalimi i frymëzuar për shekullin e artë, të cilin Don Kishoti ua drejton barinjve të dhive? "E bekuar ishte ajo kohë dhe i bekuar ai shekull, të cilin të vjetrit e quajtën të artë, - jo për shkak se ari, që në shekullin tonë të hekurt përfaqëson një vlerë kaq të madhe, atëherë jepej falas, por për shkak se njerëzit që jetonin në atë kohë nuk dinin dy fjalë: e imja dhe e jotja. Atëherë mbretëronte gjithkund miqësia, paqja dhe harmonia". Por me kalimin e kohës "bota gjithnjë e më tepër u pushtua nga e keqja", derisa, më në fund, "mbërriu koha jonë e poshtër, të cilën me të drejtë mund ta quajmë shekulli i hekurt" (I, 11).

Për shekullin e artë, të cilit i kishin kënduar poetët e lashtësisë klasike, flisnin shpesh humanistët e epokës së Rilindjes. Kjo legjendë e bukur ua përforconte atyre besimin në virtytet "zanafillore" të njeriut, të lindur për lumturinë dhe lirinë. Dhe Don Kishoti njëlloj si humanistët kërkon, që njerëzit ta rigjejnë harmoninë e tyre të natyrshme. Pikërisht për hir të këtij ideali, ai ka marrë mbi vete barrën e rëndë të kalorësit të arratisur (I, 20). Për të, kalorësi i arratisur është një luftëtar vetmohues, që lufton për drejtësinë, i cili ka për detyrë "të mbrojë të fyerit dhe të shtypurit nga pushteti mizor i pasanikëve" (I, 22). Në shekullin e hekurt humanizmi i vërtetë duhet t'ia hypë kalit dhe të ngjeshë shpatën e mprehtë të kalorësit.

Ky hero tragjikomik nuk kërkonte asgjë për veten e tij. Sigurisht, ai e konsideronte veten krejt të denjë për kurorën e Trapezundës. Por nuk e braktisi për hir të saj oxhakun e ngrohtë shtëpiak për t'i dalë ballë rreziqeve. Sa më afër të njihemi me të, aq më qartë e shquajmë fisnikërinë e tij shpirtërore. Don Kishoti është një përparimtar i vërtetë. Ai i shërben Dylqinjës së Tobozës, por, me një pasion akoma më të madh ai i shërben drejtësisë, të cilën e ka shpërfytyruar shekulli i hekurt. Të gjitha forcat e tij ai është i gatshëm t'ua japë njerëzve, të cilët, sikundër shprehet ai, kanë nevojë për ndihmën e tij. Zor se mund të gjesh në epokën e Rilindjes një hero tjetër që të luftojë me një entuziazëm të tillë për të mirën e përgjithshme.

Në masën e shtjellimit të romanit, figura e Don Kishotit përfton gjithnjë e më fort karakter patetik. Çmenduria e tij gjithë e më shpesh fiton tiparet e urtësisë. Kjo bie në sy veçanërisht në pjesën e dytë të romanit që botua menjëherë pasi njëfarë Aveljaned-i kishte botuar në 1614 pjesën e dytë (të rreme) të "Don Kishotit", ku paraqitej kalorësi gjysmëbudalla i Mançës dhe shqytari i tij - një grykës kokëkdhë. Në pjesën e dytë të romanit të Servantesit Don Kishoti i mahnit bashkëbiseduesit me vrullin e arsyetimeve të tij fisnikëruese. Kjo i jep shkas don Diegos së mirë ta quajë çmendurinë e tij "fisnike" (II, 18), ndërsa vetë Servantesi duke iu drejtuar lexuesve shprehet në mënyrë të drejtpërdrejtë për "çmenduritë e tij urtake" (II, Prologu).

Figura e Don Kishotit përfton gjithnjë e më qartë tipare humaniste. Herë-herë ai arsyeton njëlloj siç arsyetonin zakonisht humanistët e epokës së Rilindjes. Vetëm një njeri shumë i zgjuar dhe i ditur mund të gjykonte aq me finesë mbi poezinë (II, 16), trimërinë (II, 17), dashurinë, bukurinë, mosmirënjohjen (II, 58) dhe shumë gjëra të tjera. "Djalli ta marrë këtë kalorës të arratisur, - thotë i habitur Sanço Pança, - çfarë nuk di! Në fillim kujtova se ka haber vetëm në punët e kalorësisë, por paskam gabuar: këtij çdo gjë i intereson, dhe gjithkund i fut hundët" (II, 22).

Kur në bisedën me dukën Don Kishoti shpall me guxim, se "gjakun e fisnikërojnë virtytet" dhe që "nderimin më të madh e meriton varfanjaku i drejtë, sesa mëkatari pasanik" (II, 32), ai, në thelb, shpreh një mendim, i cili që nga koha e Dantes dhe Petrarkës i përkiste të vërtetave kardinale të humanizmit të Rilindjes. Dhe duke theksuar me indinjatë, se "në kohën tonë plogështia ngadhënjen mbi dëshirën, kotësia mbi punën e zellshme, vesi mbi virtytin, arroganca mbi trimërinë" (II, 1), a nuk ka krijuar ai atë tablo, të cilën na e ka vizatuar Shekspiri në sonetin 66? Veçse ndryshe nga heroi lirik i Shekspirit, Don Kishoti nuk mediton për vdekjen. Ai shkonte drejt rrezikut, shpresonte që me forcën e shpatës së tij kalorsiake të pastronte botën nga veset, ngase besonte në mënyrë të dhimbshme e naive në fuqinë e virtytit, i cili me kohë "do të dalë nga kthetrat e intrigës dhe do të shkëlqejë në tokë ashtu si dielli në kupë të qiellit" (I, 47). Duke pohuar se "shkenca e kalorësit të arratisur" përfshin në vetevete "të gjitha ose pothuaj të gjitha shkencat e botës, Don Kishoti proklamonte imazhin e "njeriut universal", të hymnizuar prej disa brezave të humanistëve. A nuk është vallë ky kalorës i përsosur një vëlla gjaku me "homo universale" të Rilindjes europiane? Sepse ai duhet të jetë edhe ligjvënës, edhe teolog, edhe mjek, edhe botanist, edhe astrolog, edhe matematicien. Përveç kësaj gojës së tij i përket "të jesh i pastër në qëllime, i përmbajtur në fjalime, shpirtmadh në veprime, i guximshëm në sakrifica, i durueshëm në punë, i mëshirshëm me të papjesin dhe, së mbrami, të jesh luftëtar i së vërtetës, edhe në rast se kjo të kushton jetën" (II, 18).

Një njeri i tillë "universal" ishte dhe vetë Don Kishoti. Sipas Sanço Pançës, për oratori dhe urtësi ai nuk mbetej prapa me predikuesit më të famshëm të kishës. Don Kishoti nuk ëndërronte për lumturinë qiellore dhe ishte i gatshëm gjithmonë t'i jepte këshilla të mira gjithkujt që kishte nevojë. Në këtë pikëpamje janë të famshme këshillat që i jep Don Kishoti Sanços kur ky niset në cilësinë e gubernatorit të drejtojë ishullin Baratarino. Këto këshilla - janë dëshmitë më të habitshme të mendjemprehtësisë së papritur të kalorësit të Mançës. Në bazën e tyre qëndron mendimi, se madhështia e vërtetë e një udhëheqësi matet me njohjen dhe respektimin e parisë, jo me përpjekjen për t'u ngritur mbi njerëzit, por me punët e mira e të vitytshme. "Mbaje mend, o Sanço, - i thotë Don Kishoti, - nëse ti shkel në rrugën e virtytit dhe do mundohesh të bësh punë të mira, atëherë ti s'ke pse i lakmon punët e princave dhe senjorëve, sepse gjaku trashëgohet, ndërsa virtyti fitohet, dhe ai ka vlerë autentike, ndryshe nga gjaku, i cili nuk e ka këtë vlerë". Në lidhje me këtë Don Kishoti i bën thirrje Sanço Pançës të mos udhëhiqet nga "ligji i arbitraritetit personal", i përhapur gjithkund "midis injorantëve që e shesin veten për të mençur", por t'i gjykojë të gjitha të këqijat, duke u kujdesur para së gjithash për të vërtetën dhe drejtësinë. Dhe le të mos të të shamngë interesi nga rruga e drejtë, por zemra jote të preket më shumë nga loti i varfanjakut se sa nga ankesat e të pasurve (II, 42).

Po kur heronjtë e romanit e lënë kështjellën e dukës, Don Kishoti thotë i lehtësuar: "Liria, Sanço, është një nga dhuratat më të çmuara që ua dhuron qielli njerëzve; me të nuk mund të krahasohet asnjë lloj thesari: as ato që fshihen në gji të tokës, as ato që gjenden në fund të detit. Për hir të lirisë, ashtu si për hir të nderit, mund dhe duhet të rrezikosh jetën, dhe, përkundër kësaj, robëria është fatkeqësia më e madhe që mund t'i ndodhë njeriut... lum kujt i fal qielli një copë bukë, për të cilën ai s'është i detyruar të falenderojë kënd, përveç vetes së vet" (II, 58).

Ndërkaq, duke i dhënë Don Kishotit tipare aq simpatike, duke e paraqitur atë si përparimtar, luftëtar i drejtësisë, Servantesi në të njëjtën kohë e vendos heroin e tij vazhdimisht në situata qesharake dhe absurde. Kjo shpjegohet jo vetëm me tendencën parodike që përshkon romanin. Sepse shpirti i bukur i Don Kishotit është i pafuqishëm të ndryshojë ndonjë gjë në këtë botë ku mbretëron egoizmi dhe hipokrizia. E vërtetë është, se Don Kishoti pati ndikimin më fisnikërues tek Sanço Pança. Në një farë mënyre Don Kishotit i detyrohen dhe bukuroshja Kitera dhe varfanjaku Basilo (II, 19-22). Por ama, shekullin e artë, kalorësi i Mançës, nuk mundi ta ringjallë. Vetëmse naiviteti i skajshëm mund t'i bënte të besojë, se me shpatën e tij kalorsiake, të mbetur trashëgim prej të parëve, do t'i jepte një goditje vdekjeprurëse padrejtësisë gjithësunduese. Ai gjithë kohës ishte nën pushtetin e iluzioneve, të cilat, nga njëra anë ia shumëfishonin forcat, nga ana tjetër - ia bënin të pafrytshme përpjekjet e tij. Jo vetëm mullinjtë me erë i merrte për katallanë përrallash, por edhe njerëzit ai i shihte shpesh jo ashtu siç ishin në të vërtetë. Prandaj jo rrallë shkulmet e pasionit e sillnin në rezultate krejt të kundërta. Mjafton të kujtojmë episodin me bariun, të cilin ai ia hoqi duarsh padronit mizor (I, 4). Dihet se si mbaroi kjo histori. Me të pritur largimin e dalëzotësit Don Kishot, fshatari i tërbuar iu lëshua djaloshit dhe për pak sa s'e vrau. Prandaj, kur më vonë djaloshi e ndesh rastësisht Don Kishotin, e mallkon atë bashkë me soj-sorollopin e "kalorësve të arratisur, qëkurëse ata kanë ardhur në këtë botë" (I, 31). Largpamësia e madhe kombinohej tek Don Kishoti me një verbëri tronditëse. Kjo verbëri e ndëshkon atë me tallje, grushta, shkopinj e shqelma. Të burgosurit që ai çliron, i veshen me gurë (I, 22). Krahët e mullinjve me erë për pak sa s'i morën jetën. Akoma më keq i ra me barinjtë, që mbronin delet e tufave të tyre (I, 18). Me kalorësin dhe shqytarin tallen shërbëtorë e zotërinj. Si të mos mjaftonte kaq, një kope bulëritëse derrash kalon përsipër kalorësit të lavdishëm (II, 68).

Në cilësinë e njeriut të privuar "nga çdo ndjenjë realiteti, i fandaksuri i Mançës u bë nën penën e Servantesit mishëruesi tipik i "donkishotizmit", thelbi i të cilit përfaqëson një përmbajtje jetësore tepër reale. Don Kishotët u shfaqën në shekuj të ndryshëm tek popuj të ndryshëm. Donkishotizmi është i mundshëm si në jetën personale, aq dhe në atë kolektive. Me të mund të ndeshesh edhe në politikë, edhe në art, edhe në shkencë. Por, sigurisht, një shprehje e tille klasike e donkishotizmit nuk lindi rastësisht në Spanjën e epokës së Rilindjes.

Don Kishoti (dhe këtu qëndron sekreti i arketipit të tij në civilizimin perendimor) realizon atë që ai ka grumbulluar në imagjinatë. "Shkurt, pasi e humbi fare toruan, i mbiu në kokë ideja më e çuditshme dhe më e çmendur në botë. Iu duk e drejtë dhe nevojshme, për nderin e tij dhe për shërbimin e shtetit, të bëhej kalorës i arratisur dhe të shëtiste nëpër tërë botën, i armatosur dhe kaluar, dhe të kërkonte aventura, dhe të stërvitej në të gjitha ato që kishte kënduar se bënin kalorësit e arratisur, duke ndrequr çdo padrejtësi, duke përballuar çdo andrrallë dhe çdo rrezik dhe duke fituar famë e nam të përjetshëm". Përderisa kalorësi i arratisur duhet të ketë damën e vet të zemrës, ai vendosi t'ia dalë edhe kësaj punë. "Duke pastruar ca armë, duke ndrequr një helmetë të vjetër, duke zgjedhur emrin për kalin e tij dhe duke e pagëzuar veten, ai mbërriti në përfundimin se i mungonte vetëm dama e zemrës, në të cilën ai do të dashurohej, sepse një kalorës i arratisur pa dashuri, është një si një pemë pa kokrra e gjethe apo si një trup pa shpirt". Kështu lind e adhuruara e Don Kishotit - Dylqinja e Tobozës. Dylqinja nga Toboza - është një imazh libresk që kurrë nuk ka ekzistuar, përpos se në imagjinatën e Don Kishotit. Dhe pikërisht asaj Don Kishoti i kushton një romancë:

Me shigjetën e helmuar
E jam djegur, përvëluar,
Dhe kështu i dëshpëruar,
Këtu qan trim Don Kishoti te dëllinja
Për largimin nga Dylqinja
E Tobozës

"Besim naiv e qesharak, pa të cilin askush nuk mund të jetojë. Pa këtë pafajësi naive nuk ka shpirt; mbetet vetëm trupi, i cili e bren njeriun. Çdo njeri është ngapak Don Kishot. Ndërsa I.S. Turgenievi në esenë e tij të njohur "Don Kishoti dhe Hamleti" shkruan kështu për Don Kishotin: "E përsërisim: Çfarë shpreh në vetvete Don Kishoti? Para së gjithash besimin; besimin në diçka të përjetshme, të palëkundshme, tek e vërteta, me një fjalë, në të vërtetën që gjendet jashtë njeriut të përveçëm. Don Kishoti është i mbushur me përkushtimin ndaj idealit, për të cilin ai është gati t'i nështrohet privimeve të gjithëmundshme, të flijojë jetën; vetë jetën e tij ai e vlerëson për aq sa ajo mund të shërbejë si mjet për realizimin e idealit, për triumfin e të vërtetës, drejtësisë mes njerëzve. Na thonë se ky ideal na qenkësh sajuar prej imagjinatës së tij të sëmurë gjatë leximeve të romaneve kalorsiake; e pranojmë - dhe këtu është ana komike e Don Kishotit; por vetë ideali mbetet i paprekur me gjithë pastërtinë e tij".

Këtu mund të ishim ndalur. Në sipërfaqe të "Hidalgos mendjemprehtë" - kemi thuajse historinë e një njeriu që beson lehtë, që i merrte krejt të mirëqena bëmat e romaneve kalorsiake dhe vihet të kërkojë aventura heroike apo çudira, ndërsa përgjatë rrëfimit imagjinata e tij e ndezur i merr mullinjtë me erë për katallanë, kodrat për koka viganësh, delet për luftëtarë. Ai ndeshet me një realitet të vrazhdë, i cili nuk ka asgjë të përbashkët me romanet kalorsiake. Por e vërteta paradigmatike e Don Kishotit në kornizat e civilizimit perëndimor, ka të bëjë me faktin, se Don Kishoti, duke lëvizur nga teksti tek imagjinata, shkon më përtej saj - vjel frutat e fantazisë së vet, të përcaktuara nga teksti dhe, duke nisur nga vetja, ndryshon botën përreth, duke e njehësuar atë në pajtim me frutat e fantazisë së vet, të cilat qenë pjekur nga receptimi i tekstit.

Teksti tranformon realitetin. Ky proces paradigmatik për civilizimin perëndimor demonstrohet në "Hidalgon mendjemprehtë" nëpër dy linja. Njëra linjë është shndërrimi në llojin e vet i realitetit në kontekstin e romaneve kalorsiake, në të cilin Don Kishoti menjëmend është një kalorës i arratisur. Personazhet e tjerë që e rrethojnë Don Kishotin, janë njerëz jo të thjeshtë, të paditur, të cilët nuk kanë lexuar libra, por njerëz të ditur e të arsimuar, që kanë lexuar libra dhe i njohin mirë përmbajtjet e romaneve kalorsiake, - prifti, pehlivani, baçeleri që shfaqet në pjesën e parë, konti dhe kontesha, - të gjithë ata ia përforcojnë bindjen Don Kishotit se ai është pikërisht kalorës i arratisur. Dhe kështu, pak nga pak, bota përreth tij, falë zellit të këtyre lexuesve, shndërrohet në anturazh të romaneve kalorsiakë.

Kjo ngjet si rrjedhojë e njerëzve që e rrethojnë, të cilët duke dashur të zbaviten me çmendurinë që e ka pushtuar, në vend që ta bindin të heqë dorë, i ngjallin besimin në realitetin e botës së kalorësve të arratisur. Kështu, duke arsyetuar në frymën tipike perëndimore me kategoritë e përgjithshme ("që, nëse heqim shkakun, pasoja vetvetiu shmanget"), njerëzit e tij, në fund të romanit, ia djegin të gjitha romanet kalorsiake dhe, derisa Don Kishoti lëngonte në shtrat, e ndajnë dhomën e tij nga biblioteka me mur, madje duke e muruar atë. Zhdukjen e derës që të çonte në bibliotekë, ia shpjegojnë duke i thënë, se gjysmën e dhomës e rrëmbeu një magjistar i keq. Pjesa e dytë e romanit (e botuar dhjetë vjet pas pjesës së parë, më 1615) fillon me një kombinim akoma më dinak, në të cilin fryn një çmenduri më e madhe, - baçeleri Samson Karrasko ia mbush mendjen Don Kishotit të ndërmarrin një fushatë të re - me qëllim që, pastaj, duke u veshur si kalorës i arratisur, t'i vihet pas, t'i shpallë duel, ta fitojë duelin dhe, sipas kushteve të vëna para duelit, ta shtrëngojë të mposhturin të bëjë çfarë dëshiron fitimtari - ta urdhërojë Don Kishotin të kthehet në vatrën familjare, nga e cila të mos largohet për dy vjet. Plani nuk u përmbush pikpërpikë siç ishte menduar, ngase në pyjet e Spanjës, përveç Don Kishotit shfaqet edhe një tjetër kalorës i arratisur (Kalorësi i Pasqyrave), i cili e përmbush planin e vet të çmendur vetëm në fund të pjesës së dytë të romanit.

Më së shumti në realizimin e anturazhit (sfondit) të romaneve mbi kalorësit e arratisur shquhen konti me konteshën, të cilët, nga dëshira për t'u zbavitur, nuk i kursejnë mjetet dhe përpjekjet, - deri në atë shkallë sa sajojnë një inskenim me pjesëmarrjen e Merlinit dhe Dylqinjës së Tobozëz, konteshën e rreme Trifaldinë, kalin magjik të Klavinjelos etj. përveç të tjerash ata inskenojnë deri atje, sa në pajtim me premtimin e hershëm që Don Kishoti i kishte dhënë Sanços, ai të bëhej gjithsesi gubernator, dhe gubernator jo i keq - i drejtë, i urtë dhe i pakorruptuar.

Por jo vetëm kaq. Don Kishotin e pranojnë menjëmend kalorës të arratisur. Don Diego de Maranda, një njeri aktorial, i arsimuar dhe mendjemprehtë, i cili bëhet dëshmitar i ndeshjes së Don Kishotit me luanin, ia paraqet së shoqes Don Kishotin pa as më të voglën hije ironie si "kalorës i arratisur, më trimin e trimave dhe më dijetarin që ka parë kjo tokë". Ndërsa Don Kishotit ai i drejtohet me fjalë mahnitëse e nderime si bartësi i idealeve të kalorësisë së arratisur: "Nëse regullat dhe ligjet e kalorësisë së arratisur të ishin humbur përgjithnjë, ato mund t'i gjenim në zemrën e shkëlqesisë suaj, mu sikur enkas të jetë krijuar për t'i ruajtur si një depo apo arkivë". Puna shkon gjer atje, sa Don Kishotin e kërkojnë si kalorës fisnik të arratisur, si mbrojtës e dalëzotës - sikundër vepron donja Rodriges, e cila e ka humbur besimin në drejtësinë e dukës ("të shpresosh në një gjyq të drejtë të senjora dukeshës - është njëlloj si të kërkosh gjilpërën në kashtë").

Servantesi na tregon, se të luash mendsh dhe pastaj në gjendje çmendurie - në fillim individuale, më pas kolektive - të realizosh njëfarë bote, burim parësor i së cilës është diskursi - është prerogativë jo vetëm e lexuesve të romaneve kalorsiake dhe e romaneve mbi lexuesit e romaneve kalorsiake (Don Kishotit). Në roman ka dhe tema të tjera, si ajo e barinjve që presin të mahnitur Don Kishotin si kalorës i arratisur, të cilët së bashku me shokët e tyre janë të zënë me realizimin e një teksti tjetër, atë të krijimit të një "Arkadie idilike pastorale". "Në një fshat që shtrihet dy milje prej këtej, banojnë shumë fisnikë, hidalgo dhe pasanikë, dhe ja ne bashkë me shokët dhe farefisin tonë, me gratë, bijtë e bijat tona, ramë në ujdi ta kalojmë këtu kohën... dhe të ngremë një Arkadi të re baritore (Arkadia në mitologjinë greke ishte vendi ideal ku kalohej një jetë e qetë idilike)". Spanja po çmendej nga leximi i librave.

Dhe, së fundi, më kryesorja. Paradoksi didaktik më madhështor i "hidalgos mendjemprehtë Don Kishotit të Mançës" qëndron në faktin, se Don Kishoti, i nginjur me leximet e romaneve kalorsiake, e realizoi gjithsesi trillin e tij të çmendur. Ai, sikundër e kishte shestuar, "i siguroi vetes nderim dhe emër të pavdekshëm" - përveç faktit që Don Kishoti nuk është më shumë se sa një diskurs, që ndikon mbi realitetin e kulturës europiane.

Don Kishoti fillon të na duket "korrekt" që nga momenti kur atë e rrethon aparenca e rreme, kur vegimin e tij të mëparshëm, të realizuar në mënyrë artificiale, me mistifikim në vend të vërtetësisë, siç është maskimi mjaft i vrazhdë i Dylqinjës (në spektaklin tek duka), e cila flet më një zë të ulët jofemëror dhe me një gjuhë rrugësh. Don Kishoti i gjysmës së dytë është veçanërisht largpamës, i urtë e i gjerë. Kur dukesha e pyet për Dylqinjën e Tobozës, ai befas i përgjigjet dukeshës, se një Zot e di në ekziston ajo në faqe të dheut, "imagjinare është vallë krijesa e saj jo imagjinare; gjëra të tilla nuk ia vlen t'i rrëmosh gjer në fund". Romani Don Kishoti është real, nëse jo realisht, atëherë virtualisht (në trajtë të fshehtë, potencialisht), ashtu siç i thotë ai dukeshës në bisedën për Dylqinjën. Kështu pra, Don Kishoti jo vetëm paraqet një realitet të caktuar, por në këtë libër hulumtohet vetë problemi i realitetit. Këtë kërkojnë të dëshmojnë të gjithë personazhet e romanit, jo vetëm çifti qëndror i tyre; mjafton të hapësh kuturu cilëndo faqe, dhe patjetër do të ndeshësh dikë që betohet për të vërtetën, vërtetësinë. Sepse e vërteta është e dukshme, prandaj në përgënjeshtrimin e jermive donkishotiane një argument i tillë është popullor, ngase të gjitha këto janë aq larg së vërtetës, sa ç'është gënjeshtra nga jogënjeshtra; megjithatë kalorësi i Fytyrës së Vrerosur mund t'u përgjigjet po kështu personazheve të tjerë. Edhe Sanço, kur të vetmen herë shfaqet si "magjistar" dhe për hir të Don Kishotit e shndërron një femër të thjeshtë në Dylqinjën e Tobozës, argumenton se "kësisoj nuk është e vështirë ta zbulosh të vërtetën"; dhe Don Kishoti megjithëse nuk sheh, beson. Dukshmëria është po aq argument i kundërshtarëve të Don Kishotit, sa edhe argument i tij personal. Komopozicioni i romanit të Servantesit është "prova dhe prova e provës", analiza e problemit të realitetit; por përveç kësaj tabloja e botës na shfaqet si një tërësi e qartë dhe e pangatërruar. Në ndërtimin e veprës është mishëruar "kontrapunkti" i botës reale empirike dhe romani i ndërgjegjes së Don Kishotit, vegimi i tij mbi botën.

COMMENTS