Populli fitoi... Rrnoftë Populli

"Në Shqipni nuk ka opinion publik; populli shqiptar nuk ka mendim e vullnet të vetin..."

Kështu thërriste, kështu pleqnonte nji herë në Parlament nji deputet ish-Popullores, i cili, duket, nuk kishte pasun kurrë kujdes me njohun popullin që përfaqësonte.

"Juve të Shkodrës ju kam frikën; nuk keni për të dalë mâ deputet. Ju përfaqësoni nji krahinë malsorësh e katundarësh të mësuem me u rrejtun mbas pares. Proqeveritarët levdohen se do të ndajnë nji shumë të madhe të hollash për me kundërshtuem me to zgjedhjen tuej."

Kështu më thoshte, pakëz ditë përpara se të përndahej Parlamenti i vjetër, nji shok i emi i Opozitës; e nuk kishte faj, pse tue qenë prej Shqipnisë jugore nuk njifte mirë popullin e Shkodrës.

Luigj Gurakuqi, Kthimi ne Shkoder, Pikture

Unë, që kam pasë fatin me i ramë Shqipnisë kryq e tërthuer, me rrojtun në mes të popullit e me ndamë bashkë me te të mirat e të këqijat - të këqija mâ shum se të mira - unë nuk u vuna vesh këtyne fjalve. M'u helmue shpirti prej së fyemes që i bante popullit deputeti i ish-Popullores dhe protestova rrebtësisht kundër tij. Bana buzën në gaz e vuna qeleshen më njenin sy, e me kaqë i u përgjigja shokut tem t'Opozitës.

Nuk due të flas përgjithsisht mbi zhvillimin e çuditshëm të popullit shqiptar, pse punët flasin vetë. Mjafton të kujtoj luftën e ashpër të bame prej shokëvet të "Xhokës" në Tiranë e ngadhnjimin e saj në zgjedhjet e para të Nënprefekturës së Shjakut, t'asaj krahine ku, disa muej përpara, mbretnonte anmiku i "Orës së Maleve" e populli i shtypun kishte edhe qetësinë shtëpiake. Do të thom vetëm pak fjalë mbi luftën elektorale e mbi fitimin e Opozitës në Shkodër, fitim, që âsht nji ndér për popullin e kësaj Prefekture, fitim, që âsht prova mâ e shkelqyeshme se në Shqipni ka nji opinion publik, se populli shqiptar ka nji vullnet të vetin e âsht i zoti i mendimevet të veta.

Në prefekturë të Shkodrës nuk punuen të hollat, nuk patën ç'bâjnë premtimet. Popullin e kësaj prefekture nuk e trembën friksimet, nuk e penguen ndërhyrjet, nuk e ndaluen shpërdorimet. Luftën elektorale e bâni gjithnji me mjete ligjore, me nji guxim qytetnuer të çuditshëm. Besa, burrnija, urtija e vjetër e këtij populli shkëlqyen, në kohën e zgjedhjevet, mâ tepër se kurr. Malsorë, katundarë, qytetarë qindruen burrnisht të gjithë së bashku, edhe prapë së bashku fituen lumnisht.

Lufta elektorale në Prefekturë të Shkodrës âsht nji dishmi e kjartë e përparimit dhe e zhvillimit shoqnuer të popullit shqiptar.

Luigj Gurakuqi / "Ora e maleve", 1 Kallnduer 1924.

COMMENTS