Kleopatra - poezi nga Ali Asllani

ali asllani poezi kleopatra
Kleopatra mbretëreshë,
Ti - i thosh, atij që deshë -
Sonte eja rri me mua;
Nesër: vdis se ashtu dua!

Cilido që "Ai" ish,
Quhej lindur me këmish';
Dhe sado që ajo piekje,
Do mbaronte me një vdekje!

S'të pëlqeu?
- jo
- çudi;
Çfarë ësht' jeta a e di?
Një pik' prushi, në një natë,
Me miljarda vjet e gjatë,
Ësht' një dritëz bukureze,
Befas fale sa u ndeze!

Dhe njeriu,
Pika e shiu, val' veriu;
Pik' e shiut, pik' e diellit,
Robëruar në dor' të qiellit,
I gatuar me lule loti,
Për t'u bër' kafshita moti!

E pra duhet një kujtim,
Që të mer me një rrëmbim
Dhe të heth mbi sup të flladit,
Kryefron i kryefatit;
E të tund e të lëkund,
Ku gjen Zotin mu në fund!

Si nashti,
Un' dhe ti,
Un' poet, ti poezi;
Syri yt, ulli i zi;
Atë sy e atë vetull,
Dhe... m'u bëft' kurban një shekull!

__________

bukurezë = xixëllonjë

COMMENTS