Motiv i dikurshëm Shkodran.., Anton Çefa

pazari shkodres pikture nga pjerin sheldija
Drini i lau kambët Kalasë
e dielli, tue u rrëzue mbas Taraboshit,
ia fali lulkuqin e fundit
të ditës.
Puthin aroma lulesh
muret e oborreve të randueme nga shermasheku
e shtëpitë, të mbetuna në gryka blerimesh,
kërrusen
nën peshën e lodhjes së mbramjes
e të qiellit në perëndim.
Krismat e dyerve, që mbyllen njena mbas tjetrës,
dhe të gjitha zhurmat tjera
shuhen ngadalë në valët e liqenit.
Nën nina - nanën e bulkut të natës
dremitin rrugët e vetmueme.
E Shkodra flen.

__________

Në foto, pazari i vjetër i Shkodrës. Pikturë nga Pjerin Sheldija.

COMMENTS