Naim Frashëri - Shqipëria

naim frasheri poezi shqiperia
Bota që kur është zënë,
Shqipëria gjall ka qënë.
Pellazg' u thoshin më parë,
Më së fundi Shqipëtarë.

Gjuh' që flisnin Perënditë,
Atë flisnin Pellazgjitë;
Atë kanë Shqipëtarët,
Siç' e kishin dhe të parët.
Greqishten ajo e polli,
Llatinishtja andej dolli.

Bijtë tanë jan' Elinët
Si ndë-kur edhe Llatinët,
Edhe gjithë Evropjanët,
Që duallë nga Romanët.
Neve jemi më të parë,
Në Evropë nga ç' do farë,
Gjithë bota vij qëmoti,
Në Tomor tek ishte Zoti,
I faleshin Perëndisë,
Zotit math të Shqipërisë,
Zëri dhe flaka s' ish kot,
Që nxier Tomori dhe sot.
Ahere kish di se cinë,
Tani ka Abas-Alinë.

Shqipëtari trim me fletë
Ka rrojtur në këtë jetë.
Kemi pasur mbretërira,
Edhe fort shumë të mira;
Kemi bërë shumë punë,
Po gjithë vanë për lumë!
Aleksandri qe Shqipëtar,
Q' u tha i math e kordhëtar.
Selefkët' e Ptolemenjtë,
Edhe gjithë të mëdhenjtë,
S' qenë grekër s' qenë bullgarë,
Ata ishinë Shqipëtarë.
Pirrua ish nga Shqipëria,
Trim q' e lëvdon istoria.
Skander Begu Kastrioti,
Q' u rrëfye aq' i zoti,
Ishte burr' i Shqipërisë.

Ç' burra nxori Shqipëria,
Që i shkruan istoria:
Bajraktar' e Qyprylinë,
Shkodran' e Mehmet-Alinë,
Xavellën e Marko Sulë,
Bubulin' e Miaulë,
Q' i dhanë dërmën Turqisë,
I vunë nder trimërisë,
Si këta e si të tjerë,
Që qenë shumë të ndjerë.

Po nga gjithë trimëria,
S' fitoi gjë dot Shqipëria.
Për këdo që ne lëftuam,
Gjithë ç' u bëm' i harruan,
Dhe të ligënë na e duan.

Me kaqë burra të vyer
Qysh dualmë të gënjyer?
E ç' e dua trimërinë,
Kur s' m' u ndoth për Shqipërinë?

Me nder tënë rroj Turqia,
Po soje voj Shqipëria;
Ka vuar edhe po vuan,
Tyrqtë neve a na duan?

Neve e bëmë Greqinë,
Po Grekërtë na e dinë?
S' duan fare të na shohin
Shqipërinë sot s' e njohin.

Shqipëria rron si ropi,
Mejtohet për te Evropi!
Mos durofsh o i madhi Zot,
Të jet' në zgjedhë dhe sot
Burr' i math që lëftuar,
E botënë ka liruar!

Ç' të të bënjë trimëria,
Sa me qënë gjallë padija?
Shqipëri, pse s' qe e zonja,
Të bënje tri katrë shkronja?
Se ti punët i mbarove,
E të tjerëtë nderove.

Sikur të paskëshe shkruar,
Gjësendi s' të ish harruar,
Do të kishimë Pllatonë,
Aristotel e Strabonë,
Omir, Pindar e Esqillë,
Dant' e Senek e Virgjillë,
Do të ish sot Shqipëria,
Që t' i mir' botën zilia.
Po të shkuarat i lerë,
E mso mënt për tjatër herë.

O vëllezër Shqipëtarë,
Lereni kohën e parë!
Ejani tani të msojmë,
Paskëtaj të trashëgojmë.
Se në ndenjçim të pamsuar,
Kështu kemi për të vuar.
Është turp për farën tënë,
Të mos nxierim fare zënë.
Po të rronjë e pandjerë,
E shkret' e varfër' e mjerë!

Pse të jesë Shqipëria,
Tà mbulonjë babëzia?
Duke pasur burra trima,
Të humbet si vetëtima?

Ah! Mos! Zoti mos e dhentë!
Ejani, të mbledhim mëntë.

COMMENTS