Ndre Mjeda - Në dekë të shoqit tim Gj. S.

ndre mjeda poezi ne deke te shoqit tim

Në dekë të shoqit tim Gj. S. - Dom Ndre Mjeda


Ishte tu' u errun nata,
E permbí krye ngurue
I rrishe kúr lingata
Shkrîte njatë jetë të dishrue;
E thoshe: prá s' do të desin
Nji qi sá shokë mbë tê shpresin,

Shpreson nji atdhé per dije
E harte qi në tê shndrisin;
Per atë dashtní e shije
Qi zêmren ja stolisin;
E i veton rrebtë nji mênde
Nder shkrime e nder kuvênde.

Por ai mbí nkrejca pshtetun
Rryeshem e ngrehi shtatin,
E sŷt, perpara mbetun,
I njálli prep, e shtratin
I trandi nji fuqí
Ardhun n' atë ças per së rí.

E më thote: o vllá, nji teje
Këto zêmra per gjithë herë,
Të forcueme prei nji féje,
Rrahne në ketë jetë te mjerë;
Nji caku kje, nji shëndija
E zêmrës: Shqiptarija.

Per mue këjo jetë po soset,
O vllá, pá u sosun nata;
Këjo tymen do të paloset
Pá u êndun mirë e ngrata.
Por jo, per këta s' merzitem,
Se 'j jetës mâ së mirë i avitem.

Vetëm nder dhéna të hueja
Me dekun, o Shqipní!?
Para se në fusha të túja
Të ndeshem nji herë per së rí,
Të falem me bjesht' e ngrîne
Qi ti në lulzim pertrîne,

O príll i rí, kû Iliri
Zotnoi nji ditë mâ së parit,
E kombi i huej s' e shtiri
Détin per në tokë të shqiptarit;
Por lír e fuqí plote
Shqipja dýkrénshe urdhnote;

Kû Topja i madh flamorin
Tând kundra të huejit qiti,
Shqipe, e kah ti krahnorin
Të mësuemit nën zgiedhë valviti,
E ndrroi në lirí robnimin
Nën Vérin e Prêndimin.

Pá puthë njato shkambîje
Të láme me gjak të Shqiptarit;
Pá u hjekë mbí giûj në vallnije
Qi eshtnat vorruen të barbarit,
Kúr mnérshem si rrufé
Per kryq e per atdhé

Lëshohej kû i dekës ish shtegu
Mbí çeta t' Anadollit
I rrmyeshem Skanderbegu
Si shkulmat e Devollit,
Si valët e 'j prrojt qi mâja
Lëshon, e nper fushë bje rrkaja.

Pá të gëzue per së rí, moj Shkodrë,
Qi më bâne djalë të Shqipnís,
E në hije të njasaj kodrë,
Urojmes s' Ilirís,
Eshtnat me i lanë, e urime
Me pritë prej kúj në giûhë time.

E u pak: me dorë ja shkova
Djersen e ftoftë, e më zbritshin
Lott kúr mahnit e vrova.
Hyjzit qi nêlt shetitshin,
Neper dritsore e vruene
Me sŷ të perlotët, e shkuene.

Ngrîmun si 'j gúr, mbí krye
Kqyrshe atà vol trishtimi;
Kúr ai, si t'i ish tuj kthye
Shpírti prej ndo 'j udhtimi,
Tuj çilun sŷt per së rí,
Tha të mbramen fjalë: Shqipní!

COMMENTS