Injac Zamputti - Si të duen të tjerët (novelë)

Si të duen të tjerët - novelë nga Injac Zamputti


Dritsoret e shtëpís së sajë bijshin në rrugë. Në rrugën e parë të qytetit. Gjith herë kur gjindej në shtëpi e nuk kish punë, hiqte merzín tue shikjuem gjindt qi shkojn e vîjn në shetí. E nder dit kremtje kënaqej tue ndiem muzikën qi bjen në lulishtën aty afer.

injac zamputti si te duen te tjeret novele
Jeta e sajë ish shum e thjeshtë. Në shkollë e në shtëpi. Në shkollë ish gjithmonë e urtë e studjonte me qéf, e në shtëpi nuk u merzitëte kur nana kerkonte ndimën e sajë në ndo'i punë. Prej shtëpije shkonte në shkollë e percjellun. Prej shkollet vînte në shtëpi me shoqe.

Ajo e dinte edhè se natyra i kish falë bukurín qi ia ruen vetun disavet. E pasqyra nuk ishte sakt shoqja mâ e lânuna e saja. Donte edhè ajo me ngulun sŷt e vet mbî atë fëtyrë kû ndaleshin me shikjuem sá e sá sŷ të tjerë. E kënaqej tue vrejtë, se kot nuk e shikjojshin.

Nder sá sŷ të tjerë, dy qi ia ndezen flakë fëtyrën që me të parin të këqyrun, nuk mund i harrojë kurr. I ká përorë perpara. E nuk e trazojn. Madje kur gjindet tu dritsorja e i sheh ata dy sŷ tue u sjellë kah ajo, nji forcë e mëshehtë e shtyn t' a qesë kryet mâ jashtë. E prá edhè ajo e din e e ká ndie shum herë se nji vajzë e urtë nuk do të rrîj teper në dritsore. As nuk âsht mirë t' a shohë kush.

Nji vajzë e urtë?

A nuk ish prá ajo vajzë e urtë? A shum keq bânte pse rrînte në dritsore?

Shpesh herë në vetmí prêmtoj mos me u dukë mâ. Por pá dobí. Vijoi per të gjatë kohë.

Nji ditë djali kaloi rrugës tue qeshë e tue këndue me shokë ... Qeshi e këndoi edhè ajo, aty mbas xhamit të dritsores.

Nji ditë tjeter kaloi rrugës djali mbas nji funerali, me sŷ per dhé e tue kjá ... Edhè ajo mbas dritsores uli kryet e kjau.

Pse qeshte e kjante?

Nji ditë i thane vajzës mos të shkonte mâ në shkollë. Ajo kjau pse do të lênte shoqet e edhè pse kishte shum qéf me studjue. Por kush nuk i vûni vesh. Ajo uli kryet e ndigjoi. Ndêi në shtëpi.

Me t' âmën rrîn shpesh tue shikjuem në dritsore gjindt qi kalojn rrugës. E nji ditë e âma i kallxon me gisht nji djalë qi po kalonte.

- Njaj, i tha, të ká lypë per grue e un e yt atë jemi kondend.

Aj më ká lypë mue per grue?

Prá un kênkam gadi per martesë?

Do të veshem nji ditë ne e bardha ... do të ndrroi shtëpi...

Oh, andrrat e vetmís s' ême! Por aj qi kaloi tash nuk âsht aj qi un due! ...

Sŷt qi mue më shikjojn veç njêni i ká... Pak perpara kaloi per nen dritsore.

Ti nanë, nuk e vúne oroe parë ... të më kishe shikjue ti parë, kishe pá se sá fort ishem kuqë ...

Mendime por jo fjalë.

Mendoi por nuk foli.

Kjau pá e diejtë psehin. Kjau prap. Kjau edhè nder dit të tjera. Të tjerët kujtojn se kján pse ká marre e pse i duhet të lâjë familjen. Edhe ajo vetë kujton se per ketë arësye kján. Por lodja qi rigon neper mollxa të faqevet ká të dhênun ata dy sŷ.

Nuk ndêi mâ kurr në dritsore.

U martue.

Kerkoi pagjën në martesë, edhè e gjet, si mund t' a gjêjë nji qi i shtrohet fatit të vet.

U bâ nanë.

Kerkoi pagjën në dashtní të fëmijvet, edhè e gjet, si mund t' a gjêjë nji nanë e kujdesshme.

*****

Nji ditë shkon me ndêjë në gjiní. Âsht me t' âmën në dritsore e shikjon në rrugë, si atëherë kur ish vajzë. E, si atëherë i kuqet fëtyra kur i ndeshen sŷt në dy sŷ qi e shikjojn. Por sot shmanget permbrenda. T' ish kênë si dikur, e kish qitun kryet mâ jashta. E âma, pá u kujtue, i thotë:

- A e sheh njatë trim qi kaloi? Njai të ká pasë lypë ty dikur per grue, por un e yt atë nuk të kemi thanë gjâ pse nuk na pelqente. E prá çfarë djali e me çë punë!...

Nuk u çudit aspak. Nuk dha kurrnji shëj qi t'u dukte e trazueme. Ish mësue të vuej.

COMMENTS