Tahir Kolgjini - historian, studiues, gjuhëtar, shkrimtar

Hafiz Tahir Kolgjini ka qenë hoxhë, hafiz, por ka shërbye si mësues, shkrues publik, kryetar bashkie në Kukës e Prizren. Ka qenë prefekt në disa qytete të Shqipërisë; prefekt në Prishtinë, Gjirokastër e Shkodër dhe më në fund Drejtor i Përgjithshëm i Policisë. Ka qenë anti-komunist, atdhetar-nacionalist, por edhe krijues, letrar, poet, studiues, shkrimtar, historian, gjuhëtar.

tahir kolgjini studiues shkrimtar historian gjuhetar
Për herë të parë Hafiz Tahirin e kam takur në New York, në vitin 1977, gjatë një Seminari, ku na afroi, na prezentoi e na bashkoi z. Ago Agaj, apo siç e quejshin "kosovari nga Vlora"...
Hafiz Tahiri, edhe pse ishte plakur, dukej fort i mbajtur, në pamje të jashtme zotni, në muhabet bënte edhe mahi, kishte një fjalor të pasun e të pastër si gurra, ishte burrë mbi burra...!

Tahir Kolgjini lindi më 24 prill 1903, në katundin Lusën të Lumës. Mësimet fillestare i kreu në vendlindje, ku mësuesi i parë i tij ishte hoxha Mulla Ademi, nga rrethi Shkupit.

Në vitin 1913 shkoi në Stamboll, ku vazhdoi mësimet në shkollën "Sulltan Mahmud", ku krahas mësimeve e mësoi përmendësh Kur'anin e Madhnueshën dhe e fitoi titullin e nderuem: Hafiz. Po në Stamboll e kreu edhe Medresenë e Lartë, e cila quhej: Dar-ul Hilafet-ul Aliyye.

Në vitin 1924 kthehet në Shqipni, në Lusën, katundi i tij.

Në vitët 1925-1928 shërbeu si mësues e kryemësues në Bicaj, Lusën, Kolesian e Kukës. Në fund të vitit 1928 emërohet si sekretar i gjyqit në Himarë, ndërsa nga prilli i vitit 1929 emërohet si Sekretar i Gjyqit të Shkallës së Parë në Kukës...

Në vitët 1939-1944, Hafiz Tahir Kolgjini u emërue në detyra të larta, me shumë rëndësi, me shumë përgjegjësi. Në fillim emërohet Kryetar Bashkie në Kukës.

Më 15 prill 1941, kur Jugosllavia e Kralit u shkatërrue e Kosova, kryesisht, me Shqipni u bashkue, por nën Italinë fashiste, hafiz Tahir Kolgjini e mori në dorëzim Bashkinë e Prizrenit, për të ndihmue, vendosjën e administratën në gjuhën shqipe...

Në nëntor të vitit 1941, pas bisedimeve që bëri me Bashkësinë Islame të Gjakovë e Prizrenit dhe në marrëveshje me Hafiz Abdullah Telakun, organizon Kongresin e Myslimanëve të Kosovës, për të cilin u çortue rëndë nga Komisari i Lartë në Tiranë, për Kosovë, Fejzi Alizoti, tek Kryeministri, Mustafa Kruja, i cili e ftoi në Tiranë...

Në Tiranë, pyetja e parë që i bëri kryeministri ishte:

- "Ç'asht Kongresi i Klerit Mysliman në Prizren"?

Hafiz Tahir Kolgjini ia shpjegoi me këto fjalë:

- "Po të mos e kishte fitue Sulltan Murati betejën e Kosovës dhe po të kishin qëndrue shqiptarët pa e pranue Islamizmin, me kohë do të ishin bamë serb, tue u sllavizue."

Më këto fjalë, Kryeministri, Mustafa Kruja u bind dhe iu përgjegj: - "Keni të drejtë."

Gjatë vitëve 1942-1943 Hafiz Tahir Kolgjini ka shërbye si Kryetar Bashkie në Gjirokastër dhe në Prishtinë, ku shërbeu deri në shtator, 1943, kur erdhën gjermanët...

Kur erdhën gjermanët, Xhafer Deva, Ministër i Brendshëm, e caktoi me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, të cilën e kreu deri në muajin gusht, 1944.

Në muajin gusht, 1944, caktohet Prefekt i Shkodrës, ku shërbeu deri më 24 nëntor 1944.

Më 24 gusht 1944, Hafiz Tahir Kolgjini, bashkë me Kapedanin e Mirditës, Gjon Marka Gjonin, largohen nga Shkodra, nga Shqipnija dhe nisen për në Vjenë, Austri... Nga kryeqyteti i Austrisë, Vjena, shkon në Milano, mandej në Romë, kryeqytetin e Italisë dhe ma në fund, me shumë shqiptarë të tjerë anti-komunistë, vendoset në Reggio Emiglia, ku qëndron deri më 1948.

Në vitin 1948 shkon në Stamboll, aty ku ishte shkollue dhe aty ka jetue dhe veprue edhe 40 vjetë, derisa ndrroi jetë, më 12 dhjetor 1988.

Hafiz Tahir Kolgjini, ndër të gjithë shqiptarët që kishin emigruar, për shkak se me komunizmin nuk ishin pajtuar, ka qenë një nga burrat më të shquar, më të kulturuar, këte ai me veprimtarinë e tij e ka dëshmuar.

Përveç që ishte një anti-komunist i përbetuar, përveç që ishte një atdhetar-nacionalisht i dëshmuar, Tahir Kolgjini ishte edhe krijues, studiues, shkrimtar, poet, letrar, historian, gjuhëtar. Ka shkruar shumë artikuj, punime, studime në fusha të ndryshme, në gjuhë të ndryshme, me përmbajtje letrare, politike, kulturore e shkencore. Këto janë botuar nëpër gazeta e revista nëpër Evropë, Amerikë... Janë botuar, me pseudonimin Lok Limthi, Dylej, Dashamiri, por edhe me emrin e tij, në revistën "Shejzat" të Romës, që e drejtonte Prof. Ernest Koliqi, në revistën "Koha e Jonë", Paris, që e drejtonte Prof. Lec Shllaku, në gazetën "Dielli", Boston, Mass. (SHBA), organ i Federatës Pan-Shqiptare "Vatra", në gazetat "Vardari" e "Besa" të Stambollit etj.

Ndërsa, vepra e botuara të Hafiz Tahir Kolgjinit janë:

1. "Shpalime rreth Lahutës së Malësisë", mbi 300 faqe, botue në Stamboll, 1969.
2. "Esad Pashë Toptani dhe akuzat q'i bahen", botuar në Stamboll, 1977.
3. "Të vërtetat shqiptaro-greke", (Arnavutluk ve Yuninistan Gerçekleri), Stamboll, 1968. Kjo vepër është përkthye në gjuhën shqipe e ribotuar në Tiranë, 1997, me një parathënie shkruar nga Dr. Hysamedin Feraj, nga Godeni i Gjakovës.
4. "Fjalët turkisht në Lahutën e Malësisë", "Shejzat", Romë, Itali, 1962.
5. "Luma dhe luftat e saj", Stamboll, 1970.
6. "Po vajtojmë Gjon Gjinin", Stamboll, 1979.
7. "Poezi" (është vepra ku janë të përbledhuna vjershat e tij nën kujdesin e Agim Spahiut), Tiranë, 1993.

Këto vepra, që i ka shkruar e botuar, pa dyshim, emrin e Hafiz Tahir Kolgjinit e kanë përjetësuar. Ai që i lexon, me siguri, këtë edhe më mirë do ta kuptojë...!

Nga Mexhid Yvejsi, Gjakovë

__________

Dy dialektet kryesore dhe pikëpamja e jonë


Shqiptarët në Jugosllavi dhe gjuha e unjisuar - Nga Tahir Kolgjini (Stamboll, 25 shkurt 1974)*

tahir kolgjini historian studiues gjuhetar shkrimtar
Para disa vjetve, në Prishtinë, qè mârrun nji vendim. Simbas këtij vendimi, aty - e prá, prej të gjithë shqiptarëve ne Jugosllaví - si gjuhë shkrimi do të përdorej gjuha e unjisuar, ecilla, e imponueme prej regjimit komunist, âsht përdorun dhe po përdoret në Shqipní. Kjo shprehje, qi âsht pagzue « gjuhë e unjisuar », paraqet të gjitha tiparet e dialektit toskënisht.

Vendimi i mârrun si mâ sipër, ndoshta, mund të jetë ndikue nga ndonji rrethânë. Aj, mund të ketë parapamë, ndoshta, ndonji përfundim dobípruës, qi unë, ose nuk mund t'a çmoj, ose nuk mund t'a shfaqij për nji arsye, o për nji tjetër. Hë për hë mund të na vije ndërmend rrafshi kulturuer dhe tekstet e botueme në Shqipní, të cillat, mund t'iu apin nji ndihmë shqiptarëve jashta kufinit. Janë arsye të forta, qi nuk mund t'iu mohohet rândësíja.

Tirana, me anë tekstesh, ndoshta, don me i afrue shqiptarët e Jugosllavís qi të kenë lakmí për sistemin komunist të zbatuem në Shqipní, mbassi ajo, komunizmin jugosllav po e cillëson revizionist dhe nuk po ia kursen kritikat n'asnji rasë. Ndoshta, mund të jetë, tërthoras, ndonji kûnj i huej, për t'i largue shqiptarët e atjeshëm nga shprehjet e tyne, tue i lânun as te hapa, as te hipa.

Mirëpo, sido qi të jenë arsyet, mâ para duhet te kemi parasysh elementin, qi përbân nji milion e gjymës shqiptarë. Na, e dijmë se, shqiptarët në Jugosllaví, e kanë pasun të ndalueme shkollën shqipe deri në vjetin 1941. Jo veç shkollën shqipe; por, si prej perandorís Osmane, ashtu dhe prej imperializmit serb, ata, qi guxojshin me shkrue e me këndue gjuhën e tyne, shqipen, ndeshkoheshin me ndeshkime të rânda si me pasë bâmë ndonji krim.

Si e tham, në vendet shqiptare, qi sod ndodhen nën sundimin e Jugosllavís, shkolla shqipe, ishte themelue vetëm në vjetin 1941. Me gjithë këtê, ajo, mbas pak vjetve, qe shtërngue me u përshkue nepër gryka të ngushta e nepër këthesa të vështíra. Me shum mundime mbërrini në shkallën e sodshëme. Dredhinat e shovenizmit, qenë të tmerëshëme për t'i vûmë ndërkambëzën shkollës shqipe. Me dasína, me përçamje, me shkallmime arsimtarësh, me përzânje mësimdhânësash e me llojë torturash morale e materiale, shovenizmi, u përpoq me ia nxjerrun rrânjzët në diell shkollës shqipe. U krijuen pakica të pá qenuna nepër qytete. U themeluen shkolla jo shqipe pá asnji kriter dhe pá vullnetin e popullit. Banorë të ndryshëm shqiptarë, u shtërnguen prej veglave të shovenizmit serb qi t'i dergojnë femijt e tyne në shkollat turke.

Edhe sod, gjendja e elementit shqiptár, qi banon në krahinën e quejtun Makedoní, nuk shfaqet në përshtatje me dëshirin e popullit. Për shembull, disá katunde shqiptare në Rekë, për të vetmen arsye pse janë të besimit orthodoks, shkollat e tyne i kanë sllavisht. Koha, ndoshta, dikuër, do t'a normalizoje gjendjen edhe këtu.

Mbi të tilla padrejtësína, para disá vjetve, pata shkrue nji serí artikujsh, me të cillët âsht lajmue bota shqiptare.

***

Vallë, ky popull, me nji jetë shkollore kaq të shkurtë e kaq të çalë, a mund të jetë brumzue n'atë shkallë sá të jetë në gjendje me e përvetue dhe me e honepsun edhe toskënishten, ecilla, i âsht imponue me markën « gjuha e unjisuar »?

Nuk më besohet. Ata, qi e besojnë, më duket se janë optimista të tepruem. Sikurse kemi asish prej jugut, qi ene nuk janë në gjendje me i përngjitun me njana tjetrën katër a pesë fjalë gegënisht, ashtu kemi edhe prej veriut, qi e kanë të vështirë me e përvetue toskënishten. Nji katund, qi shifet, udhërrëfyes nuk don!...

A thue me kët masë a mund të jetë synue ndonji revolucion gjuhësuër? Malum!... Disá nga shqiptarët t'onë, janë revolucionarë të mëdhaj. Në kohë disi të kalueme, ishte e modës me i paraqitun njerzt, tue i cillësue si revolucionarë: - « Âsht nji revolucionar i madh!... ». Aní në kafe Kursal në kërthizë të Tiranës... Ata, qi luejshin pokerin, të gjithë ishin revolucionarë (!)...

Simbas mendimit t'em, revolucioni në lâmën e gjuhësís, nuk vlen as sá banë miza në fletë. Për mâ tepër, âsht dhe i dâmshëm; sepse, shkakton kalaveshje e ndërlikime në gjuhë. Ata, qi janë teknikët e gjuhës, e dijnë mâ mirë se gjuha, âsht pjella e evolucionit e jo e revolucionit. Çâshtja e gjuhës, nuk iu përgjanë çâshtjeve tjera. Gjuha, lenë prej nevojës. Ajo, me revolucion, përcëllohet; por, nuk piqet.

U lodh bota me revolucione; por, përfundimi, si thotë populli, pesë me hiç. N'ato vende, ku po zbatohet evolucioni, popujt, në çdo shtresë po shkojnë përpara me hapa të shpejtë e të sigurtë, pá i rrjedhun ndokuej gjak hundësh. Ndërsá, në vendet revolucionare përparimi, po hecë rrëzou e çou dhe vetëm në sipërfaqe. Shtresat e popullit, po qëndrojnë harû e gjithënji me duer në gjí, tue u zhytun në frikë e në mizerje.

Kur bisedoj mbi revolucione, e kam fjalën në përgjithësí. Nuk jam tue e dallue ndonjanin prej tjetrit, simbas ngjyrës, qi paraqesin.

Pa tjetër, diktatorit, ose klikës së diktaturës, veprat e veta i duken të shkëlqyeshëme, për shkak se, diktatori vetë, ose klika, e soditë vendin prej s'nalti nga maja e kodrës.

Plasi tue bâmë revolucione Amerika Latine; por, mbolli frymë e korri erë. Eja njâni e mbush e eja tjetri e derdh!... Nuk qè e mundun qi të shkonte pendë, jo me Shtetet e Bashkueme t'Amerikës; por, as me Kanada-n.

Njeriu, në çdo punë, mâ para duhet të dojë, të dashunojë, të ketë zell, të ketë vullnet dhe, mandej, të veprojë. Po t'i mungojnë këto, njeriu, vepron si robot. E veprimi si robot, nuk deperton në të gjitha skutat e mbrendís së njeriut. Nuk i vê' në lëvizje të tâna energjinat e tija. Roboti, mund të vleje vetëm në përmbushjen e njij norme lândore, për të cillën âsht praktikue. Aj, nuk vlen, kur veprimtaríja, ka lidhje me ndiesí e me gjykim.

***

A na shtërngon ndonji arsye qi t'i imponohet shqiptarit në Jugosllaví, dialekti i Jugut, si « gjuhë e unjisuar »?

Për me mundun me iu përgjegjun kësaj pyetjeje, po më duhet me i hŷmë njij krahasimi si shkeleshko medis dy dialekteve, tue i përmbledhun pikëpamjet e mija këtu poshtë:

1. Foljet e paskajueme

a) Në gegënishte foljet e paskajueme, prîhen prej njij « me » -je: me ardhun, me shkue, me dorzue e tjera.
Këto folje, iu përgjegjen verbave italisht: venire, andare, consegnare.

Toskënishtja, kët forme nuk e ka. Tue përjashtue foljen « me qenë », kët formë t'infinitivit nuk e përdorë. Në vend të formave, qi përdoren në gegënishte, toskënishtja, përdorë: T'ardhur, të shkuar dhe të dorëzuar.

Format, qi përdoren në toskënishte, mjaftojnë sá për me u shprehun me 'to; por, nuk i përgjegjen shprehjes së pasun gjuhësore. Gjithashtu, nuk e kanë aq vleftën e ushtrimeve në gjuhë tjera, në gjuhë të përparueme. Për shembull, kur thomi:

- « Âsht ma mirë me vdekun me nderë se me jetue me turp », tregojmë nji idé pa e lidhun me ndonji person dhe me ndonji kohë.

Kët idé, pikë për pikë, nuk mund t'a shprehim me format e toskënishtes. Do të thojshim:

- « Ësht më mirë të vdesish me nderë se të jetojsh me turp », ose « Ësht më mirë të vdekurt me nderë se të jetuart me turp ».

Si shifet, format e infinitivit të përdoruna në toskënishte, nuk e kanë nuancën e formave të gegënishtes. Ndryshe përkëthehet në nji gjuhë të huej fraza e sipërme gegënisht; ndryshe përkëthehet ajo toskënisht.

Format, si mâ sipër, të toskënishtes, janë edhe në gegënishte: T'ardhun, të shkuem, të dorëzuem. Por, kuptimi i këtyne, ndryshon nga aj i infinitivit. Janë emna foljorë. Kur thomi « Të dorëzuemt e materialit » âsht tjetër; kur thomi « Me dorëzue materialin » âsht tjetër.

b) Toskënishja, INFINITIV-in dhe EMNIN FOLJOR i përmbledh në nji formë të vetme. Kjo, âsht nji mungesë për 'tê. Kur i kemi në forma të veçanta, përse të mos i përdorim? A do t'ishte e udhës me bojkotue, ose mâ mirë të thomi, me leçitun nji pjesë të shqipes? Në kët mënyrë, gjuha, në vend qi të zgjanohet, tue lëshue dega, rrêma e ngállore, vjen e kufizohet në nji rreth të ngushtë.

c) Në gegënishte kemi foljet pusore (pësore) si: Me u shkrue, me u kujtue, me u shpalue e tjera.
Këto, i gjegjen, të thomi, italishtes: Scriversi, ricordarsi, e spiegarsi.
Në çdo gjuhë tjetër janë këto forma. Toskënishtja, këto nuk i ka fare.

Me sá shpaluem deri këtu, merret vesht se, ata, qi merren me gjuhësí, e pranojnë kêt bâmë. Prandej, nuk do t'ishte e drejtë me ngulmue përpara këtij fakti, qi duket lakuriq.

2. Disá folje ndihmëtore

a) Gegënishtja, ka formën e verbit: Desh u rrëzova, desh u ngatrrova, desh e mbyti, desh e pata vramë, desh e kishe thyem, desh e kishte zemrue e tjera. Âsht nji formë, qi nuk po e dij, në se âsht përfshime në gramatikat t'ona; por, toskënishtja, nuk e ka.

Kësaj forme kishim me i thânun « forma afrimore ». Në gjuhët orientale quhet « fiil-i takribi ». Kjo formë, për kohën e kalueme, tregon nji vepër, ecilla ka mbetun pa u kryem, d.m.th. pa u përmbarue, për arsye të pavaruna nga vullneti i auktorit.

Toskënishtja, kuptimin e kësaj forme e shprehë: Gati u rrëzova, gati u ngatrrova e tjera. Këto forma i ka dhe i përdorë edhe gegënishtja; por, si e tham, ajo, për mâ tepër, ka dhe format e saja të sipërshenueme. Prandej, âsht me nji përmbajtje mâ të gjânë e mâ të pasun.

b) Gegënishtja, ka formën e verbit: Kesh t'a dij, kesh t'a dijshë, kesh t'a dije, kesh t'a dijmë, kesh t'a dijni, kesh t'a dijnë; kesh t'a kem dijtun, kesh t'a kishem dijtun, kesh t'a kishem pasë dijtun e tjera.

Kjo formë meriton nji studjim t'imtë prej kompetentave. Unë, kët formë kishem me e quejtun « formë urimore ». Në gjuhët orientale quhet « fiil-i temenni ». Âsht nji formë e veçantë e dëshrores.
Toskënishtja, në mënyrë të përshkrueme, kët formë nuk e ka.
Fishta, në Lahuten e vet, të dyja i kapërdorun.

c) Folja dëshrore në gegënishte, ka edhe nji formë tjetër të posaçme: Hangerté dreqi, gjofti rrufeja, vrafti ora, mârrté lumi e tjera.
Vërtetë janë përdorime të rralla; por, janë. Dhe mund të shtohen me përpunimin e gjuhës.
Kët formë toskënishtja, nuk e ka.

Si shifet, zanoret në fund të këtyne fjalëve, janë të gjata. Janë të gjata, sepse, janë - në të vërtetë - dy zanore. Përnjimend, kur thomi « hangërté dreqi » duem me thanun « e hangërtë dreqi ». Mandej, « e » -ja, qi tregon nji përemën vehtor e qi âsht kundrinë, kur vjen në fund, merr formën « hangërtëe ». Tash, ndodhemi përpara dy zanoreve. Prandej, hjekim zanoren e parë dhe të dytës i vêmë nji theks të gjatë. Dhe kështu, mbërrimë në formën « hangërté ».
Toskënishtja, nuk e ka kët shprehje.

3. Përdorimi i foljeve ndihmëtore në Kosovë

Shprehja e Kosovës, në përdorimin e foljeve ndihmëtore, ka nji epërsí, jo veç mbi toskënishten; por, edhe mbi shprehjet e gegënishtes së përdorun në disa vende. Në fakt, Kosova, në përshtatje me gjuhët tjera motra, përdorë: Jam ardhun, jam shkue e tjera. Ndërsa, pjesa tjetër e Shqipnís, përdorë: Kam ardhun, kam shkue e tjera.

4. Format e ndryshëme mbiemnore

a) Gegënishtja, i ka të plota format mbiemnore, qi, në vetëvehte, tregojnë nji kuptim merite, ose nji kuptim mundësije. Fjala vjen: i parapëlqyeshem, i përshkrueshëm, i lakueshëm, i pagueshëm e tjera.
Këto, iu përgjegjen italishtes: Preferibile, descrivibile, inclinabile, pagabile e tjera.

Në strukturen e vet, toskënishtes, mbiemnat e kësaj kategorije, i mungojnë. Në se sod përdoren, ky përdorim, âsht ndikue prej gegënishtes. Ky përdorim, buron nga dëshiri për të zgjânue sheshin e shprehjes. Do t'ishte sá mâ mirë qi t'ishte synue dhe armonizimi i gjuhës.

b) Toskënishtes i mungojnë mbiemnat, qi mbarojnë me « ëm » dhe me « un » e qi dallohen nga pikëpamja e gjinís, tue mârrun nji e- në fund. F.v.: Libër i shkruem, letër e shkrueme, djal i fejuem, vajzë e fejueme, i kuptueshëm, e kuptueshëme dhe xhaqet i qepun, këmishë e qepune, premtim i dhânun, fjalë e dhânunë.

Toskënishtja, në kët kategorí mbiemnash, gjinín nuk e dallon. Ajo, shprehet: Libër i shkruar, letër e shkruar, djal i fejuar, vajzë e fejuar, xhaqet i qepur, këmishë e qepur. Te njejtën formë për të dy palët...

Dikush, mund të thotë se, gjiníja, kuptohet nga i-ja ose e-ja, qi vjen para mbiemnit. P.sh.: ... i shkruar, ... e shkruar ...

Përgjegjemi: - « Shkronja i- ose e-, qi vjen para mbiemnit, nuk ka ndonji funkcion me femnue, ose me mashkullue mbiemnin. Këto, janë lidhësa, d.m.th., lidhin dy fjalët, qi përbajnë plotsorin. Këtê e çmojnë ata, qi mêrren me pjesën teknike të gjuhës. »

5. Emna me kuptime foljore

Në gegënishte kanë nji përdorim të gjanë format: Lakueshëmeni, përshkrueshëmeni, pagueshëmeni, thyeshëmeni e tjera.
Këto, i përgjegjen italishtes: Inclinabilità, descrittività, pagabilità, frazionabilità e tjera.

Këto forma, nuk gjinden në toskënishte.
Vërtetë, përdoren: Lakueshëmëri, përshkruashëmëri, paguashëmëri, thyeshëmëri e tjera; por, janë forma t'uhajtuna prej gegënishtes.

6. Mjeshtrija në kuvend

Gegëníja në përgjithësí e, sidomos, pjesa malsore, në bisedimet figurative, mban nji vend të veçantë prej krahinave tjera të Shqipnís. Banorët e maleve dhe të Kosovës, janë mjeshtër përkah tregimi dhe të hollë përkah përshkrimi. Ka mbetun si fjalí e klishueme: - « Gjuhën e maleve të Dibrës e marrin vesht zogjt e maleve të Shkodrës ».

S'ka dyshim se, gegënishtja, ka nji thesár fjalësh e shprehjesh shum të pasun. Këto fjalë, ene nuk kanë zanun vend, si duhet, në gjuhën e shkrueme, për arsye se, deri sod, nuk janë bamë kërkime e hulumtime kudo. Për t'i mbledhun këto fjalë, âsht nevoja me ardhun në mârrëdhânje me popull dhe me jetue, për të gjatë mot, në gjinín e 'tij.

Edhe për toskënishten nuk po thom se, fjalët e saja, jane notue të tâna. Jo. Fjalët e dy dialekteve, ka për t'i mbledhun e për t'i grumbullue koha e ardhëshëme. Unë, thom se, gegënishtja, edhe për sá i përket vokabolarit, âsht mâ e pasun se toskënishtja.

Unë, për llogarín t'eme, nuk mund t'i daj. Ato dhe këto, janë pasuní e përbashkëtë e shqipes. Në çdo skaj qi të jetë, kur t'a gjejme nji fjalë, duhet t'a perdorim, tue e vûmë në vendin e përshtatshëm.

Âsht për t'u mburrun, kur mendojmë se, si populli i ynë, qi ka qenë me shpirtë ndër dhâmbë gjatë mija vjetve, ka mund me e ruejtun gjuhën e vet. Me armë në dorë e me zjarm në gji!... Për kët popull duhet me u flijue. Aní, pse ndokush, pá hymë me i peshue vlerat e tija morale dhe pá hymë me i shoshitun rrethanat e ndryshëme historike, tregon pesimizmë për 'tê.

Veçanisht, duhet t'iu jemi mirënjoftësa maleve, të cillat, tue e pasë thurun vendin t'onë rreth e rrotull, kanë formue nji pritë, qi nuk ka mund anmiku me e kapërcyem pá vûmë në rrezik rradaken e vet.

Ky popull, ishte aj, qi, dikuër, pat formue perandorína, si ajo e Illërís - Illiris - dhe e Makedonís. Ky, edhe kur u zgjidh, pat fërkue brînat me forca imperiale n'epokat e ndryshëme. Për trimní e për heroizmë, mos e kërkò mâ të mirë në ftyrë të tokës. Bile, edhe sod, me gjithë qi regjimi i terrorit, po ban çmos për t'a shfisnue, aj, po e provon se, po ruen me kujdes e me fanatizmë cillësínat e lavdishëme të trashigueme prej të parëve të vet. Nuk ka ramë shpirtënisht. Nuk âsht shkllahun.

Prá, na, jemi - dhe duhet te jemi - krénarë si pinjoj të këtij populli.

Âsht nji fakt sihariques se, populli shqiptár, sod, pá dallim féje dhe pá dallim krahine, âsht bashkue; âsht njitrupzue. Çdo shqiptari i rrehë nji zemër e përbashkëtë. Prá, do të vijë nji kohë - dhe shpejt - qi shqiptarët, do të kenë të përbashkët dhe gjuhën; por, pá imponime e pá dhunime.

7. Shka i pat mungue shqipes së Kosovës?

Po. Na duhet të pyetim: - « Shka i mungon shqipes së Kosovarit, qi i âsht imponue dialekti i Jugut si gjuhë e unjisuar? »

Kosova, në kuadrin e perandorís Illiriane, me emnin « Dardania » ka përfaqsue nji pjesë të saj, tue qenë në kërthizën e Illërís. Pra, si e tillë, âsht djepi i shqiptarís.

Kangët e Mujës dhe të Halilit, qi frymzojnë popullin për t'u pajue me cillësína burrënore, me vetmohim e me vetmbrojtje, vallë, a nuk janë prodhimi i popullit Kosovár?

A nuk jehon në këto vende kânga e gjatë - 12 pash! - e Dem Ahmetit, ecilla, arsen shqiptarin se si duhet me e pranue vdekjen, për të ruejtun nderin dhe paprekëshëmenín e familjes shqiptare, kur kjo, dhunohet?!

A nuk gurgullojnë në Kosovë, si nji lum i pá shterrëshëm, rapsodinat, kângët e pá njehuna të trimnís së popullit, qi na këshillojnë me e bâmë vdekjen si me lemë, âsht fjala për mbrojtjen e atdheut?

« Ju lash Plavë, Ju lash Gusí
Me m'i ndejt' Knazit karshí
Dath'e deshë në borë e n'shí
Bukën thatë krypën përmbí...
Kët Shqipní Ju, me m'a pruejtun,
I Madhi Zot për me m'a ruejtun. »


***

« Krisi pushka n'at zabel,
Thuej Mahmutit: - A s'po del?
Nuk dal Mahmuti i gjalle!
Kam nisë luftë me pashallarë... »

***

« Smajl Arifi, fjalë ka çue,
Shaqir Agës kush ia thue:
A s'po vjen sod me m'ndihmue?
- Kam Selimin me t'a çue... »

***

« Xhavit Pasha, fjalë ka çue:
Thuej Islamit: - Me m'përgjue,
Dhetë tabore t'kam drejtue,
Me e djege Lumën, m'e farue!... »

***

« Falmi, Zot, krahët si pllumbi,
Krah't si pllumbi me flutrue,
Prej Hallaçit sod me p'shtue... »

Janë të pá numrueshëme, të tilla kângë trimnije. Këto i ka thurun poeti populluer, qi nuk ka qenë i shkolluem aspak. I ka thurun per mrekullí me gjuhën e vet të pastër, me shqipen, qi e ka ruejtun gjatë shekujve, porsi dritat e syve.

Këto vargje, janë, qi na i kanë ruejtun, na i kanë ushqyem e na i kanë këndellun ndiesinat kombtare. Po këto vargje, janë, qi e kanë hjedhun kët popull kundra anmikut dhunimtár, porsi luaj të përdhosun (t'azdisun).

Në se Fishta, mundi me përpilue nji epopé të pa shoqe në letërsín shqiptare, kjo, nuk ka burue vetëm nga talenti poetik i tij. Aj, po prej këtij populli ka qenë i ndikuem. Prandej, në qoftë se na jemi mirënjoftësa të Fishtës me admirim në lâmën letrare, edhe Aj, pá dyshim, ka qenë mirënjoftës i këtij populli.

Po të mos ishin shprehjet e gjalla heroike të këtij populli, si kishin me shkrepun në fantazín e Poetit, ato përshkrime të mrekulluesheme trimnije e burrënije?

Po të mos kishte shkrimë, Oso Kuka, vehten në kullë të barutit dhe po të mos e kishte kângëtue populli kët gjest sipërtrimnuer me qiteli, si do t'ishin përftue vargjet:

« Se s'ké paa shqiptár me sy,
Qi djeg vehten edhe ty!... »

dhe

« Te del dielli e prendon hâna
Oso Kukë, mâ, nuk bân nâna!... »

Asimja, sall ajo vetëm, kishte me mjaftue dhe me teprue, për të simbolizue nderëshëmenín dhe trimnín e grues shqiptare. Meriton nji përmendore:

« Prit me mot e prit me vjet,
Pushka e Lilit, s'po kërset! »

Ndodhinë historike e gjatë në Kosovë...
Asaj, i kishin dhunue nderin. Priti qi i shoqi, si burrë, t'ishte hjedhun për me ia çue nderin ne vend. Kur paa se aj, i kishte shtimë veshët në lesh e nuk interesohej për kët çështje, atëherë, i përvol krahët vetë dhe i zbardhi faqet e veta, tue ia mbushun barkun me plumba dhunimtarit shtazarak.

Poeti populluer, Asimes i dha të drejtën e meritueshëme, tue e naltsue në kupë të qiellës. Edhe të shoqin, Lil Begracën e krodhi në shtatë palë tokë thellë për sjelljen e tij të poshtër.

8. Po për dashnorë e dashnore?

Të jemi krejt të sigurtë se, edhe në kët pjesë të jetës, përgjithësisht shqiptarët, qi ndodhen ndën sundimin e Jugosllavís, nuk kanë shka marrin uhá prej krahinave tjera të Shqipnís. Të gjitha ato, qi duhen, i zotnojnë vetë. Shqiptarët në Jugosllaví, të bâshëm e të páshëm për shtat, të bukur për ftyrë e gjymtyrë, të rritun në klimë të mirë e të pastër, të zhvilluem në begatí ushqimi dhe të shëndoshë sá me iu pasun lakmí, nuk kanë asnji fije nevojë për udhëzimin e tjerëve në lâmën e « amore -s » ...

Ky popull, âsht aj, qi ka vargjazitun:

« Zek Ajdini nji zog sokoli,
Pak pá vdekë nji fjal' e foli:
- Amanet mori komshi,
Bajnma vorrin n'at çeli,
Të vijë Rrushja, të m'qajë përmbi.
Qaj mori Rrushe, qaj me mend,
Emnin t'em mos m'a përmend,
Kah jem kanë çoban me dhen,
Kah jem' kanë e kem' kërkue,
Hije n'hije, krue n'krue... »

***

« Shkurta e Hokrrit sýn e zi,
Lidh medisin me shami,
Plasua zemrën djelve t'ri. »

Le të më ndiejnë lexuesat e dashtunë. Nuk po due me hymë ndepër lluga në kët moshë të kohnueme. Mund të mbetem mbrenda... Sá ka fund dashunija, aq kanë mbarim kângët e buta. Le t'i grahin ata, qi janë mâ të rij e ma të ngéshëm... Unë, mundem me thânun se, përshkrimet e dashunís në popullin shqiptar, qi ndodhen mbrenda kufijve të Jugosllavís, janë si deti i pá fund.

***

Në përpjestim me ndiesinat e tyne trimnore e dashunore, vijnë vallet mahnitëse të burrave e të grave, kângët darsmore, vajtimet e përmortëshëme dhe zotsíja e ligjërimit në kuvend.

Na duhet me e pohue se, kjo pjesë e shqiptarëve, âsht mâ e pasuna në zakone, në tradita, në folkloristikë dhe në çdo lâmë të vlerave kombtare. Kosova, lodron në kalë të shalës mâ tepër se çdo vend tjeter ne Shqipní. Kosovari, zê vendin mâ të dalluem për bujarí, si bukëdhânë e mikpritës. Âsht mâ sedrari në veshje, në mbathje e në mbajtjen e armës. Përmbi pushkën e tij, nuk âsht kollaj qi të vehet ndonji pushkë tjetër. Aj, din me përgëdhelun e din edhe me u acarue. Gjithashtu, simbas nevojës, din edhe me lavdue e me çupue.

Në se Kosova - kur thom Kosova, kam për qellim të gjitha vendet e banueme prej shqiptarësh -, ka mbetun jashta kufijve të Shqipníse, kjo, nuk ka rrjedhun për fajin, ose për të mêtën e Kosovarëve. Kjo, ka ndodhun nga padrejtësíja e shteteve të mëdhaja imperialiste, qi, n'atë kohë, tue mos zbatue parimet e vetvendosjes, i krijuen botës nji flakadâ, ku mâ vonë edhe vetë, u zharritën në 'tê mbrenda.

Në qoftë se disá prej nesh, nuk e njofin Kosovën, si duhet, nuk âsht as faji i ynë, as i Kosovarëve. Nuk po i ngucim këto dregëza të kohës së kalueme. Kemi asish, qi kërkimin e Kosovës e kanë quejtun shovenizmë dhe Kosovën nuk e kanë pamë fare. S'kanë denjue qi të vénë e t'a shofin kët vend të bukur e të begatshëm, qi na e lanë kastërgjyshat t'onë. S'kanë denjue qi të vénë e t'i shofin vëllazënt e tyne në gjuhë, në gjak, në kostume e qi zbritshin prej njij trungu të përbashkëtë.

Edhe prej nacionalistave kemi asish, qi, sod, kanë monopolizue të drejtën me dirigjue Shqipnín. Kurse dje, e kishin në dorë me e njoftun s'afërmi Kosovën dhe Kosovarin. Nuk u treguen kureshtarë për të njoftun se ç'ishte ky vend dhe ç'ishin banorët e tijë. Nuk ia panë turinin as Kosovës, as Kosovarit.

Kushdo qoftë, le të qendrojë krye për krye me përgjegjësín e vet morale e materiale. Krye për krye me ndërgjegjen e vet të lëngueme. Tekembramja, edhe këta, janë bashkue, tash, me opinionin e përgjithëshëm shqiptár, për sá i përket kësaj çâshtjeje. Mâ mirë vonë se kurr!...

Mbassi i ka ardhun shteku, këtu, do të lejohem me shenue nji çashtje me rândësí historike, të cillën mâ shpaloi nji personalitet shqiptár, qi mêrret ngushtas me historí. Aj më tha:

- « Disá, qi mêrren me historí, pretendojnë se, shqiptarët, janë vendosun në Kosovë, mbas pushtimit të saj dhe të Shqipnís prej perandorís Osmane. Janë dunun, thonë ata, nga malsinat dhe kanë ramë në fusha të gjâna e pjellore. Pikëpamja e tyne, âsht krejt gabim. Nuk e kanë studjue çâshtjen rrânjësisht. Unë, n'arkivën e kryeministrís turke në Stamboll, kam gjetun nji defter të madh (Defter-i Kebir) të hartuem në kohën e Fatihut, të Mehmetit të II-të. Fatihu, paska pasë urdhnue dhe në Kosovë qenka bâmë regjistrimi i përgjithëshëm i popullsís. Në kët defter ka plot emna sllavësh, si Jovan, Stanko e tjerë. Dhe në rubrikën e posaçme të vrejtjes, janë vûmë shenime «arbanas, arbanas». Kjo, tregon se popullsíja e Kosovës, edhe para se të merrej Kosova prej Osmanllive, ka qenë e origjinës shqiptare. Por, kanë pasë pranue fén ortodhokse pravosllave dhe si përfundim, kanë përvetue emnat sllavisht. Edhe sod, shumica dërmuese e banorëve të Kosovës dhe të Shqipnís - po flas për elementin mysliman -, emnat i kanë arabisht. Me gjithë këtê, na, nuk kemi asnji farefisní me kombin arap. »

E hapëm lâmen e bisedimit tékëz. Kërkoj ndiesë.

Prá, tue iu hullun (afrue) themës, do të ngulmoj:
Shqiptarëve në Jugosllaví nuk iu mungon kurrgjâ, për sá i përket shqipes.

9. - Ç'mund të ndodhë për shqiptarët në Jugosllaví me gjuhën e unjisuar?

- ... me gjuhën e unjisuar a?
- Mund të ndodhin shum gjâna!

Si dihet, gjuha, mâ para mësohet në shtëpí, tue e ndigjue fëmija prej prindve e prej rrethit familjár. Mbasandej, mësohet, tue ardhun në mârrëdhânje me shokét, me banorët e lagjes e me banorët e katundit. Shtrihemi, mandej, në rreth e në qark. Kështu, vjen e skaliset në trû të fëmijve, shprehja e vendit të vet në kuptim të gjânë.

Prâ, njeriu, mâ para, mëson shprehjet e vendit të vet. Shkolla, vjen në shkallën e dytë.

Kur të mbërrije fëmija me cillësue, me përshkrue, me përpilue dhe me paraqitun nji gjâ, ose nji send, ndodhet përpara ndikimeve t'atyne shprehjeve, qi i ka mësue në rrethin e vet. Me këto do të hidhet në sheshin e shfaqjeve. Nuk mund të pretendohet e kundërta.

Tash, prá, nji i rí, ose e ré, kur të dojë me paraqitun dishka, ose duhet me ia fillue me shprehjet e veta, me të cillat âsht stërvitun qysh në lirek, pá e përziem toskënishten; ose duhet me përdorë toskënishten, tue lânun mbas dore shprehjet e veta.

Tash, na vjen ndërmend nji pyetje tjetër:

- Shqiptari i Kosovës, vallë, a mund t'i ketë tretun deritash, si duhet, shprehjet e vendit të vet?

- Nuk më besohet.

Nuk e besoj, për shkak se, shkolla shqipe atje, si moshë, âsht krejt e ré.

Atëherë, prá, pyesim:

- Shqiptari në Jugosllaví, kurse nuk e ka tretun, si duhet, shprehjen e vet, si ka për t'a honepsun dialektin e Jugut, të cillin përpiqet me e mësue vetëm me sy - nga libri -, pá ndihmën e veshëve?

Âsht nji ândërr, kjo.

Po kuej do t'i drejtohet toskënisht intelektuali Kosovár me fletore, me revista, me romana e, përgjithësisht, me shkrimet e veta?

Popullit shqiptar në Jugosllaví! Apo jo? Sigurisht, aj, sod për sod, nuk i drejtohet Shqipnís së Jugut!...

Po përse intelektuali shqiptár në Jugosllaví, të mos i drejtohet popullit të vet me gjuhën e vet, qi âsht nji shqipe e kullueme e atij populli? Për ç'farë arsyeje aj, detyrohet me iu drejtue popullit të vet me nji shprehje, qi ky, nuk e din dhe nuk e kupton?

Përfundimi llogjik, na del prosup!... Shifet nji gabim i madh në llogarín, qi âsht bâmë.

Shqiptari në Jugosllaví, nuk ndodhet i shtërnguem me përdorun format «është», «verë», «vrësht», «që» e tjera.

Aj ka format e veta mâ të mira:

«âsht», formë të cillën e ka përpunue, tue e këthyem dhe në trajtën «â», kur don me i ramë për s'shkurti, ose kur ia këshillon masa dhe rima, simbas nevojës.

«verë»-n aj, e kupton nji prej katër stinave të motit, d.m.th. Qershorin, Korrikun dhe Gushtin. Asaj, qi pimë i thotë «venë», sikurse âsht me n- në të gjitha gjuhët motra, të cillat, janë dega dhe rrema të sanskritishtes. Nuk e kupton as «bahar»-in persisht. Këtij i thotë «pranverë».

«qi» si fjalëz lidhore, ose shpaluese, ose si fjalëz, qi në disá rasa, zavendoson përemnat vehtorë, po në kët formë përdoret në persishte edhe në turkishte.

« Ankes ki nedaned ve nedaned ki nedaned, »
« Der cehl-i murekkeb ebedüddehri bimaned. »

dhe

« Onlar ki verir aleme laflarla nizamat, »
« Bin türlü teseyyüb bulunur hanelerinde. »

Prá, nji popull, qi përban 3/4 e shqiptarëve, përse të shtërngohet me e lânun të veten dhe me përdorun formën «që»? Përse përdoret në Jugë, apo?

Pata ndigjue prej Shpend Bardhit, dritë pastë, se formen «qi» e paskanë pasë kritikue studentët e shkollës së Kristo Dakos: Sá kritikë e bukur (!). Sigurisht leçitun kryekëput, nuk do t'a kenë. Por, po habitem se ato kanë kalue në heshtje nji plotsim tjetër: « Mish i dhirtë », qi në të njejtën kohë, përdoret edhe për meze!

Mâ shkurt, ata, qi duen me shkrue drejt e mâ drejt, format «vreshtë» dhe «vrësht» për «vëneshtë» nuk i pranojnë. Nuk i pranojnë sepse janë të pá justifikueshëme.

***

Këto, janë arsyet, qi na disá, format arbitrare nuk mund t'i quejmë « gjuhë e unjisuar ». Ata, qi e imponojnë dhe ata, qi e pranojnë, ndoshta, nuk e kanë shprehjen popullore: - « Shit qen e blej klysh ».

Shqiptarët në Jugosllaví, qoftë në prozë, qoftë në poezí, le t'i grahin me gegënishten e tyne të pastër e të pasun, tue zgjedhun format, qi vlejnë për armonizimin e dy dialekteve. Kur t'a kenë përbluejtun mâ s'miri shprehjen gegënisht, atëherë, vetiu iu hapet rruga për të kapërcyem mâ përtej e për të përdorun edhe toskënishten, simbas zellit e zotsís.

Nji njerí, qi gëzon talent poetik në Mitrovicë, nuk mund të jetë i penguem për klishénat e Ali Asllanit, ose të ndonji poeti tjetër prej Jugut. Aj, gufon, grafllon dhe merr flakë me landën e vendit të vet. Përse t'i thotë « HANKO HALLA » në vend qi me i thanun « HANKA HALLA »?

Më ka ramë me lexue shkrime shqiptarësh në Jugosllaví, qi kanë imitue toskënishten. Prap, me shprehjen proverbiale të Kosovës do t'i cillësoj këto shkrime: - « Prish shpi e ndreq kolibe ».

__________

* Botuar po atë vit në Romë, në revistën e përkohshme kulturore, shoqërore e artistike "Shêjzat", nr. 1-10.

COMMENTS