Llazar Taçi: Themelimi i Institutit të Lartë të Arteve Figurative

Piktori Llazar Taçi

Themelimi i Institutit të Lartë të Arteve Figurative - nga piktori i mirënjohur Llazar Taçi


Viti 1959

Një vit normal në dukje: Shqipëria vazhdonte formalisht të mbetej pjesë e bllokut komunist, por në sferat drejtuese të shtetit po përjetohej si afrim i "prishjes së madhe" me "miqtë e mëdhej sovjetikë", që në një farë mënyre përgatitej për një situatë izolimi, jo vetëm ekonomik. Me afrimin e "dimrit të vetmisë së madhe" për Shqipërinë, duhej menduar për mundësinë e përgatitjes e kuadrove në vend, duke "u mbështetur në forcat e veta". Kjo vlente edhe për përgatitjen e kuadrove të reja, në fushat e kulturës dhe artit.

Liceu Artistik "Jordan Misja", e vetmja shkollë e mesme artistike në vend, e krijuar në vitin 1947, kishte vite që nxirrte e nxirrte nga bangat e veta dhjetra e dhjetra talente të degëve të ndryshme: të figurativit, të muzikës e madje së fundmi edhe të teatrit. Një përqindje e vogël e tyre, kryesisht ata që gëzonin mbështetje politike, kishin mundur të shkolloheshin më tej, në Akademitë e Konservatorët e vendeve të lindjes, e kryesisht në Moskë e Leningrad, në Pragë e Varshavë, në Bukuresht e Sofje.

Pas mbarimit të studimeve dhe kthimit në atdhe, ky brez i ri kuadrosh do të sillte në Shqipëri edhe një përvojë të re në fushën e krijimtarisë. Disa prej tyre do të zinin pozita kyçe në institucionet e kulturës dhe artit. Të tjerët do të bëheshin pedagogë të liceut artistik, asaj shkolle ku kishin studiuar edhe vetë, duke u bërë tashmë kolegë me pedagogët e mëparshëm të tyre, që i takonin një brezi më të hershëm, të diplomuar në vitet e paraluftës në vendet evropiane gjeografikisht më të afërta me Shqipërinë.

Në situatën politike që afronte, pushteti i kohës e ndjente domosdoshmërinë e krijimit të një shkolle të lartë të profilit artistik, për të mundësuar kualifikimin e mëtejshëm të kuadrove që kishte nxjerrë dhe vazhdonte të nxirrte liceu artistik "Jordan Misja". Pikërisht në vitin 1959, disa prej kuadrove të reja të artit, të posakthyera nga studimet jashtë shtetit, iu ngarkua detyra për të studiuar mundësinë e krijimit të një shkolle të tillë. Duke qenë se shteti i atëhershëm i kishte mjaft të kufizuara mundësitë ekonomike për realizimin e një projekti të tillë madhor, ende utopik për kohën, u mendua që të veprohej me pragmatizëm, duke shfrytëzuar ambjente ekzistuese.

U vendos ngritja e tre shkollave të larta të degëve kryesore të fushës së arteve: figurativi, muzika dhe teatri, ku do të mundësohej arsimimi i mëtejshëm i nxënësve që kishin kryer dhe po të vazhdonin të kryenin liceun artistik.

Në ambjentet e Teatrit të Operas e Baletit, që n'atë kohë ndodhej në godinën ku sot ndodhet Universiteti i Arteve, u themelua shkolla e lartë e muzikës - Konservatori Shtetëror, me drejtues muzikologun e shquar, Albert Paparisto.

Në ambjentet e Teatrit Popullor (siç quhej atëhere) do të themelohej Shkolla e Lartë për Aktorë "Aleksandër Moisiu", për krijimin e organizimin e të cilës një rol të rëndësishëm do të luante regjizori i shquar Kujtim Spahivogli, por edhe aktorët që deri atëhere ishin edhe pedagogë në liceun artistik, Xhemal Broja, Kadri Roshi, etj. Ndër studentët e parë të kësaj shkolle do të ishin Bexhet Nelku, Serafin Fanku, Viktor Bruçeti.

Instituti i Lartë i Arteve Figurative, e pati më të ndërlikuar çeshtjen e sigurimit të ambjenteve të punës, për vetë faktin se për këtë nuk mjaftonin klasa modeste të zakonshme. Si strehë e parë do të shërbente një vilë e bukur dykatëshe në rrugën e Kavajës, me arkitekturë të viteve '30, por disi e konsumuar nga përdorimi publik i ambjenteve. Ishte njera nga ato vila, pronë e ndonjë qytetari të kamur tiranas e shtetëzuar nga vendimet e qeverisë komuniste të pasluftës dhe si e tillë funksiononte prej vitesh për qëllime publike. Në vitet '50, atje kishte funksionuar shkolla shtatëvjeçare "Naim Frashëri". Nga viti 1959 deri më 1966, ajo do të vihej në dispozicion të Institutit të Lartë të Arteve Figurative.

Pas kësaj për një kohë të gjatë kjo ndërtesë do të funksiononte si seli e komitetit të partisë për rajonin 3. Pas vitit 1990 do të ishte selia e parë e partisë demokratike dhe më vonë pas kthimit pronarëve të saj, shitjes më 1999 dhe një rikonstruksioni të përgjithshëm, atje do të funksiononte poliklinika "At Luixhi Monti".

Detyra për krijimin e këtij instituti iu ngarkua disa prej kuadrove më me autoritet, të diplomuar dhe të porsakthyer nga studimet në vendet e Lindjes. Piktorët Vilson Kilica e Guri Madhi dhe skulptorët Shaban Hadëri e Kristaq Rama nga Akademia e Leningradit, Danish Jukniu dhe Ksenofon Dilo të diplomuar përkatësisht në Krakovia të Polonisë e Pragë, do të ishin pedagogët e parë të këtij instituti.

Për një fillim, me aq studentë sa ishin, ambjentet e vilës ishin të mjaftueshme. Për pranimet nuk u zhvillua ndonjë konkurs publik, por mes ish-nxënësve të Liceut Artistik që ishin diplomuar gjatë gjithë atyre viteve u përzgjodhën 15 studentët e parë, përzgjedhje kjo në bazë të nivelit në pjesëmarrjen e tyre në veprimtaritë, që Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve kishte organizuar, e koordinuar kjo edhe me njëfarë shpërndarje gjeografike proporcionale: Lec Shkreli, Hasan Çapari, Muhamet Deliu e Selim Bilali nga Tirana, Skënder Kokobobo e Sigfrid Mullisi nga Elbasani, Hasan Nallbani nga Berati, Sotir Kosta nga Kuçova, Minella Saro nga Fieri, Agim Faja nga Shijaku, Tahir Tahiraj nga Burreli, Nelo Llukaçi nga Durrësi, Avni Bilbili nga Korça, Todi Mato nga Pogradeci.

Fillimet ishin të vështira, por entusiazmi në shkallë superiore do të dominonte mbi vështirësitë. Vila ishte e projektuar thjesht për banim dhe dhomat me hapësira modeste, afërsisht 4x4 m, do të përshtateshin me vështirësi në studio pune, ku në secilën punonin nga 7 studentë, secili me kavaletin e vet të madh.

Mungesat e bazës materiale ishin nga më elementaret. Iu desh vetë pedagogëve e studentëve të gjenin mënyra praktike për të plotësuar këto mungesa. Prakticiteti i prof. Guri Madhit me përvojën e tij nga teatri i Korçës, ku kishte punuar para se të shkonte për studime në BS, do të rezultonte mjaft i vlefshëm. Me kovat me bojra pluhur të shkrira me tutkall dhe metra të tërë të pëlhurave, prodhim i kombinatit të tekstileve "Stalin", do të përgatieshin sfondet, që do të shërbenin më së miri për disa vjet.

Në dhomat e errësuara nga perdet e zeza për orët e vizatimit (sipas përvojës së shkollës ruse nga vinin pedagogët e rinj) do të vendoseshin ndriçuesit e llamarinjtë që shërbenin për përqendrimin e dritës tek modelet që pozonin, për të evidentuar vëllimet e formës dhe duke krijuar ndërkohë një ambjent krijues mjaft mbresëlënës romantik.

Por për mentalitetin fanatik shqiptar të asaj kohe, vështirësia më e madhe ishte mundësia e të siguruarit të modeleve nudo femra. E përsëri do të ishte përvoja dhe prakticiteti i prof. Guri Madhit dhe mënyra e tij prej babaxhani në komunikim, që do të mundësonin rrugëdaljen, duke siguruar fillimisht tre-katër modele, Afërditën, Geraldinën, Laurën, Netën, që më pas do të bëheshin profesioniste të vërteta dhe si të tilla do të shërbenin për shumë vjet. Për modelet burra nuk ishte problem: Stavri, Leci dhe disa sportistë do të konkuronin njeri tjetrin. Pagesa për orë pune ishte e kënaqëshme për të ardhurat e kohës, që përbënte një stimul të mirë për të garantuar praninë e tyre edhe në vazhdim.

Viti 1960

Tashmë pas një përvoje pune njëvjeçare dhe me një bazë materiale më të përgatitur, instituti i ri do të mund të zhvillonte një konkurs për pranimet e reja në kushte më normale. Konkursi do të zhvillohej në tre prej klasave me hapësirë të bollshme të Liceut Artistik, që ndodhej fare pranë. Ishte një konkurim me një pjesëmarrje të gjerë pretendentësh, nga brezat e përgatitur gjatë 12-13 vjetëve nga Liceu Artistik, me diferenca të theksuara në moshë me njeri tjetrin.

Konkursi do të nxirrte fitues: në degën e pictures: Naxhi Bakalli nga Tirana, Sotir Capo nga Berati, Gavril Priftuli nga Durrësi, Ferdinand Paci nga Shkodra, Skënder Kamberi nga Vlora, Fatmir Haxhiu si kuadër i ushtrisë. Në degën e skulpturës fitues do të ishin: Hashim Kruja nga Shkodra, Gori Kostaqi nga Gjirokastra, Vangjel Papa nga Berati dhe Qazim Arifi nga Tirana. I njëjti ambient i vilës në rrugën e Kavajës do të mirëpriste edhe studentët e rinj, sigurisht tashmë me më shumë kufizime në hapësirat e punës.

Viti 1961

Ky vit do të ishte disi më i veçantë se dy pararendësit.

E papritura e këtij fillimviti shkollor do të ishte kthimi në atdhe për motive të politikës së kohës, i studentëve që vazhdonin studimet në akademitë jashtë shtetit. Në vartësi nga viti që vazhdonin atje, ata u ndanë në dy grupe që u integruan në kursin e tretë dhe të dytë të Institutit, që tashmë ishte në vitin e tretë të jetës së vet.

Në kursin më të lartë, të tretin, do të integroheshin studentët: Agim Zajmi, Pandi Mele e Vilson Halimi, që vinin nga Leningradi, Isuf Sulovari, Spiro Kristo e Perikli Çuli nga Bukureshti, Shaban Hysa e Hektor Dule nga Praga.

Në kursin e dytë do të integroheshin: Llambi Blido, Kujtim Buza, Andon Lakuriqi e Bajram Mata që vinin nga Leningradi dhe Llazar Myzeqari nga Praga.

Tre nga studentët e porsakthyer, që në Leningrad ishin në vazhdim të vitit të fundit, të diplomës, por që nuk arritën t'a mbrojnë: Sali Shijaku, Mumtaz Dhrami e Zef Shoshi, ndërkohë që merreshin me përgatitjen e diplomës u punësuan. Dy të parët si pedagogë në Institutin e Arteve, ndërsa Zefi në shtëpinë botuese "Naim Frashëri".

Konkurimi i bërë tashmë tradicional, përsëri në ambjentet e liceut artistik konkludoi me fitues në degën e pikturës të studentave më të rinj: Edison Gjergo, Alush Shima, Llazar Taçi, Remzi Kuçi, Zhani Nathanaili e Grigor Harizi nga Tirana, Sotiraq Sholla nga Korça, Liljana Çefa nga Shkodra, Agim Shami nga Durrësi, Jorgo Kokolani nga Gjirokastra dhe Aristidh Loli nga Delvina. Në degën e skulpturës fitues ishin vetëm dy: Valentina Balli (Kuçi) nga Tirana dhe Pirro Dollaku nga Korça.

Tashmë, me kthimin nga jashtë vendit të studentëve dhe me pranimet e reja, numri i tyre u dyfishua dhe për rrjedhojë kërkohej një zgjidhje emergjente për ambjente pune, që edhe kështu ishin të mangëta.

Në afërsi të Institutit, pranë vendit ku tashmë ndodhet sheshi i 21 Dhjetorit kishte përfunduar ndërtimi i një blloku të ri banimi me pallate tre-katësh dhe e një shkolle të re për fëmijët e kësaj zone, ende të pa populluar mirë. Ndërkohë që dy katet e parë të shkollës së porsandërtuar "Sabaudin Gabrani" do iu shërbenin nxënësve të shkollës shtatëvjeçare, kati i tretë i kësaj shkolle do të vihej në dispozicion të institutit dhe klasat do të shërbenin për një vit si ambjente pune të tre kurseve të pikturës së kavaletit dhe të vizatimit. Studentët e skulpturës do të akomodoheshin në disa prej dhomave tek vila e rrugës së Kavajës të liruara pas sistemimit të studentëve-piktorë tek "Sabaudin Gabrani". Dhomat e tjera të vilës edhe për disa vjet do të shërbenin si zyra të administratës, të tjerat për klasa të leksioneve dhe për magazina.

1 Shtator 1961

Dita e parë e atij viti shkollor do të ishte edhe ditë e parë e njohjes midis mjaft prej tyre, pasi iu takonin brezave të ndryshëm të Liceut, me diferenca të mëdha në moshë. Megjithatë në vijim kjo nuk do të pengonte krijimin e një kolektivi mjaft harmonik. Atje në oborrin gjithë gjelbërim të institutit ata do të shikonin për herë të parë edhe një djalosh mjaft simpatik e të qeshur, me mustaqe, me një këmishë të veçantë për kohën, me katrore me ngjyra mjaft harmonike kuq e gri. Ishte pedagogu më i ri i Institutit, i porsakthyer nga Leningradi, Sali Shijaku, një emër mjaft i lakuar në lice nga prof. Nexhmedin Zajmi, që Saliun dhe Skënder Pukën i trajtonte si nxënësit më të talentuar të vetët. Sali Shijaku do të ishte për tre vjet pedagog i studentëve të porsapranuar në këtë vit dhe ata do të ishin të parët student në fillimet e tij pedagogjike. Por në këtë vit mes pedagogëve mungonte Guri Madhi, i transferuar nga instituti për disa mosmarrëveshje me stafin drejtues.

Pas ceremonisë të rastit tek vila e rrugës së Kavajës, studentët do iu drejtoheshin ambjenteve të reja të punës, në katin e tretë të shkollës "Sabaudin Gabrani". Në ambjentet e reja ishte ende e pranishme aroma e gëlqeres së mureve të porsalyera. Studentët do të shpërndaheshin nëpër klasat e përcaktuara.

Në dy orët e para do të zhvillohej lënda e vizatimit. Pedagog i lëndës së vizatimit do të ishte skulptori i mirënjohur Shaban Hadëri, një njohës i mirë i formës e vëllimeve. Në vazhdim të traditës së shkollës ruse, drita e jashtme do të ishte e izoluar hermetikisht nga perde të zeza e të trasha. Modelet e vendosura në dy ekstremet e ambjentit do të ndriçoheshin me nga dy projektorë secili. Si fillim, detyra e parë do të ishte realizimi i kokës në gips të Herkulit,. Më pas do të vizatohej një kafkë njeriu në dy pozicione të ndryshme, për të kaluar më tej në realizimin njeri pas tjetrit të portreteve dhe torseve njerëzorë. Dy herë në javë, pasdite, ishin orë të caktuara për skica e kroki, për shkathtësimin e dorës.

Pas orëve të vizatimit, vazhdonin tre orë të pikturës së kavaletit. Pedagogu i lëndës, Sali Shijaku me natyrën e tij të thjeshtë, me humorin e hollë dhe inteligjent arriti që në ditët e para t'iu hyjë në zemër studentëve të parë të tij. Një natyrë e qetë me mollë do të ishte detyra e parë sipas programit mësimor. Më pas do të vinin portretet e torset njerëzorë.

Kompozimit, nga një për çdo semestër, do t'i kushtoheshin nga një javë secilit.

Pas mbarimit të orëve të lëndëve profesionale, studentët iu drejtoheshin ambjenteve të vilës së rrugës së Kavajës, ku zhvilloheshin leksionet e lëndëve teorike: histori arti (Agim Duhanxhiu), anatomi art (dr. Petro Papadhopulli), perspektivë (ark. Sokrat Mosko), estetikë (Kudret Velça), teknologji (Ksenofon Dilo), pedagogji (Nos Josifi), ekonomi politike (Fazlli Misiri), historia e PPSH (Raqi Madhi), gjuha ruse (Xhuvere Sela).

Në mbarim të vitit mësimor çdo kurs organizonte në ambjentet e veta ekspozitën me punimet e studentëve, për vlerësimin e tyre me note. Çdo punim rrethohej me një "kornizë" prej një listele të hollë letre. Punimet më të mira përzgjidheshin për fondin metodik të institutit.

Pastaj pas dhënies së provimeve për lëndët teorike, sipas programit të gjithë studentët do të niseshin për të kryer praktikën mësimore, këtë rradhë në minierën e qymyrgurit të Mborje-Drenovës, pranë Korçës. Një udhëtim gjithëditor, në një rrugë të gjatë ende të paasfaltuar, kalimi përmes fushës së begatë të Korçës dhe pastaj qytetit të një bukurie të veçantë e nëpër Drenovën e ndriçuar nga dielli në perëndim ndiqej me kureshtje nga studentët, që për shumë prej tyre ishte i pari udhëtim në ato anë. Por pastaj kalimi përmes një gryke më një hije të rëndë kodrinash të zhveshura dhe pa asnjë bimësi, ambjenti gjithashtu i shkretë i minierës, ku përveç pak lulesh të mbjella pranë qendrës së emulacionit socialist, nuk të zinte syri asnjë lloj bimësie, dhe një ndriçim i zbehtë llambash të distancuara nga njera-tjetra, në ato orë muzgu bëri të krijohet njëfarë zymtësie tek studentët, sikur të kishin hyrë në një kamp përqendrimi. U bë shpërndarja e tyre në ambjentet e banimit, nga tre-katër studentë për çdo dhomë, sipas shoqërisë më të afërt që kishin midis tyre.

Të nesërmen çdo gjë do të dukej ndryshe. Me rrezet e diellit mëngjezor edhe në atë grope të shkretë të minierës do të hynte optimizmi. Edhe lodhja kishte kaluar. Edhe ambjenti tashmë ishte më i populluar. Minatorët ndërronin turnin: Ata që dilnin nga miniera me fytyra të nxira nga pluhuri i qymyrit me ata që përgatiteshin të merrnin turnin. Ndoshta ky moment do t'i shërbente Sali Shijakut të realizonte më vonë kompozimin e tij, tepër origjinal për kohën.

Sapo minatorët dilnin nga galeria, bëheshin "viktima" të studentëve, të cilët i rrethonin e i bindnin të uleshin për të pozuar, ashtu siç ishin, me fytyra të nxira nga qymyri. Të tjerë studentë pikturonin ambjentet e punës ose edhe pejsazhe të tjera përreth minierës. Më vonë filloi të zbritej edhe në Drenovë, një fshat mjaft tërheqës për të apasionuarit e pejsazhit. Rrugicat karakteristike me kalldrëm, në një terren të thyer kodrinor, por edhe manat me trungjet e tyre të lashtë ekspresivë në rrjedhën e thatë të një përroi, do të bëheshin objekt pune i preferuar për mjaft prej tyre.

Me autobuzin e vjetër "Praha" të minatorëve, edhe pse në kushte jo komode nga supermbushja me udhëtarë, të dielave mund të zbritej edhe në Korçë.

Materialet e mbledhura në këtë praktikë mësimore do iu shërbenin studentëve për kompozime të tyre të ardhëshme. Kështu tema e diplomës së Jorgo Kokolanit, do i kushtohej pikërisht minatorëve, çasteve nga jeta e tyre.

Pas një qëndrimi një mujor në Mborje-Drenovë, studentët do të shpërndaheshin nëpër qytetet e tyre, për të bërë pushimet verore.

Viti 1962

Ndërkohë në Tiranë ishte zhvilluar konkursi i rradhës për pranimin e studentëve të rinj. Me fillimin e vitit të ri mësimor do të mësohej se kush ishin fituesit: në degën e pikturës Edi Hila, Bujar Zajmi e Hiqmet Agolli nga Tirana, Ismail Lulani nga Shkodra, Nestor Jonuzi, Skënder Milori, Hilmi Bani e Sabaudin Xhaferri nga Vlora, Çlirim Ceka nga Elbasani; në degën e skulpturës: Muharrem Turkeshi, Besim Tabaku e Bexhet Pulleja nga Tirana, Stefan Papamihali e Jorgo Zhulla nga Gjirokastra, Petrit Papa nga Berati.

Pas ceremonisë tradicionale së hapjes së vitit mësimor, studentët u nisën drejt ambjenteve të punës, por këtë herë jo më në shkollën "Sabaudin Gabrani", atje pranë, por në një ekstrem tjetër të Tiranës, në shkollën "Mihal Grameno", që porsa ishte ndërtuar në një zonë të banuar të njerës prej lartësive të kodrave, andej nga fundi i një rruge të gjatë - degëzim i rrugës së Elbasanit. Përsëritej e njejta histori: kati III për institutin dhe dy katet e poshtme për shkollën e re shtatëvjeçare. Për çudi këtë vit n'a i kishin ndërruar pedagogët: Muntaz Dhrami dhe Nexhmedin Zajmi, në vend të Shaban Hadërit dhe Sali Shijakut. Këtë të fundit do ta ndjente i gjithë kursi atë vit...

Nga dritaret e dhomës tonë të punës zotëronte një pejsazh mjaft romantik, gjelbërim në dy anët e përroit poshtë, pas të cilit ngrihej kodra e senatoriumit të vjetër, ku pas disa vitesh do të ndërtohej qyteti Studenti.

Çdo mëngjes në rrugën e përpjetë drejt ambjenteve të punës, ngjiteshin studentët, dikush këmbësor e shumica me bicikleta dhe pastaj, pas përfundimit të orëve të lëndëve profesionale, për të arritur në kohë leksionet, nxitohej në drejtim të rrugës së Kavajës. Ishte e lodhshme, për ata që ishin këmbësorë... Ishte një rit i përditshëm.

Në përfundim të vitit shkollor, me kryerjen e detyrimeve provimore, në korrik do të kryhej praktika mësimore, këtë herë në Lezhë. Studentët e dy kurseve, I dhe II do të shoqëroheshin nga pedagogët respektivë, Sali Shijaku e Nexhmedin Zajmi.

Për të banuar do të shërbente konvikti i shkollës së mesme të qytetit i vendosur lart (rreth 100 shkallë), në shpatin e pjerrët të kalasë së Lezhës. Një sallë e madhe e konviktit do të shërbente si ambjent fjetjeje. Ishin rreth 14-15 shtretër marinari, pra rreth 30 studentë. Jo shumë komoditet në kuptimin e sotëm, por optimizmi dhe entusiazmi rinor zotëronin mbi gjithëshka. Në këtë ambjent në orët e lira të mbrëmjes do të zhvilloheshin debate e lojëra të përshkuara nga një humor i paparë, "kampionati" i mundjes së lirë midis kurseve, ku kundërshtarët në çift përzgjidhnin për të sfiduar njeri tjetrin. Do të zhvillohej edhe një ndeshje futbolli ku prof. Saliu do të luante si portjer. Pas ndeshjes fituesit e humbësit do të debatonin gjithë zjarr, por edhe me humor.

Plazhi i Shëngjinit, që ndodhej fare pranë, do të tundonte dëshirat rinore të studentëve dhe në ndonjë rast do të bëhej shkak i ndonjë konflikti me prof. Zajmin, megjithatë gjithëshka do të zgjidhej paqësisht dhe përsëri do të kalonte nëpër filtrat e humorit, ku prof. Saliu merrte pjesë aktivisht. Historitë e Lezhës do të kujtoheshin edhe në vitet që pasuan.

Objekt pune i studentëve do të ishin jo vetëm pejsazhet e bukura në qytetin e Lezhës dhe rrethinat e saj, në momente nga më të ndryshme të ditës, por edhe pazari mjaft karakteristik, me veshjet mjaft interesante, me tipare mjaft origjinale. Jo vetëm skicimet e shpejta por edhe pikturimi i drejtpërdrejtë nga natyra do të tërhiqnin vemendjen e lezhjanëve që me kënaqësi u pozonin studentëve. Ndonjë prej studentëve ngrihej nga gjumi ende pa zbardhur, merrte rrugën lart për mbas kalasë për të shijuar dhe fiksuar në punimet e veta momentet e agimit të ditës së re.

Edhe çadrat e ciganëve në një vend të bleruar, në breg të Drinit, do të bëheshin objekt pune i preferuar. Njera nga banoret e tyre, Zyhraja 15-vjeçare, një bukuri orientale e rrallë, do të bëhej modeli më tërheqës jo vetëm për studentët, por edhe për prof. Saliun, që do ta përjetësonte në një nga veprat e bukura të tij.

Por një ngjarje dramatike do ia prishte bukurinë kësaj praktike mësimore. Do të sëmurej rëndë, deri në paralizë njeri prej studentëve, Sotiraq Sholla, njeri me natyrë mjaft sportive. Për shkak të sëmundjes do të ndërpriste studimet, duke u shkëputur nga kursi dhe do të vazhdonte disa vjet më vonë, kur shokët e tij të kursit tashmë e kishin mbaruar institutin.

Pas një qëndrimi një mujor në Lezhë, studentët do të shpërndaheshin nëpër qytetet e tyre.

Viti 1963

Si tradicionalisht, në fillimvitin e ri mësimor, do të mësoheshin emrat e studentëve të rinj të posapranuar. Duke qenë se është normale që nga e shkuara e largët në kujtesë të fiksohen më mirë figurat dhe emrat e pararendësve, po renditen disa prej emrave të studentëve të rinj, të fiksuar në memorie: Myrteza Fushekati, Lumturi Blloshmi, Irma Toptani, Fatbardha Shkupi, Kleo Nini, Anesti Cini, Ferit Zela, Myzafer Dika, Kleanthi Naste, Afërdita Meçe, etj.

Fillimviti përsëri me një surprizë, transferimi në të tjera ambjente pune, në periferinë e largët të Tiranës, diku në fund të rrugës Ali Demi, ku midis bahçeve të bleruara ishte ndërtuar një shkollë e re trekatëshe. Ishte shkolla e re shtatëvjeçare "Kushtrimi i lirisë", ku përsëri institutit do t'i jepej në përdorim kati i tretë.

Surprizë e këndshme për studentët e vitit të tretë do të ishte rikthimi në drejtim të kursit të tyre të Sali Shijakut, këtë rradhë në të dy lëndët, pikturë e vizatim.

Por "vuajtjet" e vajtje-ardhjeve në periferitë ekstreme të qytetit nuk do të vazhdonin gjatë. Në semestrin e dytë, në janar 1964, më në fund Instituti i Lartë i Arteve Figurative do të vendosej në ambjente më të përshtatëshme, në dy vila në afërsi të qendrës së Tiranës, ku për shumë vjet kishte funksionuar Poliklinika Qendrore e Tiranës, e transferuar tashmë në ambjentet e reja të ndërtuara posaçërisht për të në rrugën e Barrikadave. Edhe këto ishin vila të shtetëzuara, dikur pronë e tregëtarëve tiranas. Këtu u mblodhën më në fund përveç studiove të punës edhe auditoret e leksioneve, zyrat e administratës dhe fondi metodik.

Ambjentet tek vila e rrugës së Kavajës u vunë në dispozicion të studentëve të parë diplomantë të Institutit të Lartë të Arteve Figurative, për përgatitjen e punimeve të tyre të diplomës.

Gjatë qershorit do të kryhej ceremonia e mbrojtjes së diplomave. Ishin të parët piktorë që diplomoheshin në vend, nga Instituti i Lartë i Arteve Figurative: Sali Shijaku me "Heronjtë e Vigut", Zef Shoshi me "Mëngjes pune", Skënder Kokobobo me "Mësimi i parë", Isuf Sulovari me "Kthim nga puna", Spiro Kristo me "Ndërtuesit", etj.

Në përfundim të vitit mësimor, vlerësimit me nota të detyrave profesionale, gjatë qershorit u dhanë provimet e lëndëve teorike. Pastaj më 1 korrik, në vend të praktikës mësimore aq të dëshiruar për të gjithë, studentët do të niseshin për në Pogradec, për të kryer zborin ushtarak një muaj e gjysmë.

Disiplina ushtarake, zgjimi që në pesë të mëngjesit ishtë më i tmerrëshmi për secilin.

"Iku dhe një ditë!" - thoshte çdo mëngjes Vilson Halimi, që këtë e konsideronte momentin kulmor të ditës. Pastaj mensa e stërmadhe, ndarja e fasuleve në pjatat e shtrembëra të aluminjta si fillim i ditës së re, stërvitja ushtarake në zhegun e vapës me paisjet e rënda në krahë, do të ishin një provë e fortë për secilin.

Ama pasditet e lira, megjithëse në ambjente të rrethuara kazerme do të ishin mjaft të këndëshme, me humorin, shakatë, batutat studentore.

Së bashku me studentët e Institutit të Lartë të Arteve Figurative, në Pogradec do të zhvillonin zborin ushtarak edhe studentët e Shkollës së Lartë për Aktorë "Aleksandër Moisiu" dhe ata të Institutit të Kulturës Fizike "Vojo Kushi". Gjatë jetës së përbashkët ushtarake do të lidhej një miqësi e mirë midis tyre.

Në përfundim të programit stërvitor ushtarak, pas një alarmi të simuluar rreth mesnatës, pas një marshimi deri në orët e mëngjesit për te kodrat e minierës së Çervenakës, më 15 Gusht, studentët do të niseshin për në qytetet e tyre.

Viti 1964

Për studentët e kurseve të larta emrat e fituesve të konkursit të pranimit të atij viti janë edhe më të sfumuar nga koha. Pak prej tyre janë regjistruar në kujtesë: Buron Kaceli, Petro Kokushta, Ali Oseku, Andrea Nikolla, Arben Basha, Isuf Shahini, Qirjako Meniko, etj.

Ky vit mësimor do të ishte më i stabilizuar në ambjentet e punës. Meqenëse tashmë në vitin e katërt punimet ishin në dimensione më të mëdha, për figurat nudo dhe ato dyfigurëshe, kursi u nda në dy grupe, në ambjente pune të veçanta. Vilson Kilica do të ishte pedagog i pikturës së kavaletit, ndërsa pedagog i vizatimit do të ishte Danish Jukniu. Danishi do të fuste një frymë të re në konceptimin e vizatimit. Sigurisht shkolla polake e tij ndikonte në këtë drejtim. Nga ndriçimi artificial me projektorë dhe kërkimi i formës dhe detajit me një bardhezi të lodhshëm, u kalua në ndriçim natyral dhe kërkimin e formës me mjete më të kursyera e mjaft fine.

Gjatë semestrit të dytë detyra e kompozimit do të ishte edhe bocet për diplomën, që do të përgatitej në vitin pasues.

Ceremonia e mbrojtjes së diplomave të studentëve, të dytët e rradhës, përsëri do të zhvillohej në sallën luksoze për kohën të klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve. Diplomat trajtonin variacion temash: Fatmir Haxhiu me një tabllo shumë të madhe e me tematikën e tij ushtarake "Kalimi i Div. I në Veri", Ferdinand Paci me "Dreka në arë", Naxhi Bakalli me "Në fabrikën e qelqit" trajtuar me mjeshtëri disi në frymën e afreskeve egjyptiane, Llazar Myzeqari me "Çlirimin e Beratit", etj. Por mjaft befasuese do të ishte diploma e Llambi Blidos, pikturuar me mjaft finesë e mjeshtëri. Fëmijët e koshtit, njeri më i bukur se tjetri, tipizimi i portreteve dhe momentet psikologjike fëminore mjaft të arritura tërhoqën vemendjen e auditorit.

Gjatë verës së vitit 1965, në oborrin e vilës në rrugën e Kavajës, në vend të kapanoneve gjysmë të rrënuara prej pupuliti, do të ndërtoheshin studiot e reja për studentët diplomantë.

Viti 1965

Viti i ri mësimor do të fillonte me sistemimin tonë, tashmë studentë diplomantë, nëpër studion e porsa ndërtuara. Tashmë nga pjesa tjetër e institutit, që vazhdonte të funksiononte në ambjentet ku edhe ne kishim punuar në dy vitet e fundit, ishim tërësisht të shkëputur. Tashmë funksiononim si një kolektiv krijues i pavarur, por secili në ambjentin e vet të punës.

Në bazë të boceteve që kishim parapërgatitur që një vit më parë, do të fillonte punimi i tablove me të cilat secili student do të mbronte diplomën e vet:

- Edison Gjergo me një tablo të madhe shumëfigurëshe, "Peshkatarët". Një grup peshkatarësh, në sfondin e motobarkës së peshkimit, duke dëgjuar shakanë e rradhës të shokut të vet. Momente të ndryshme psikologjike të personazheve, të trajtuar këta me penelatë të guximshme e ngjyra potente.

- Agim Shami me tablonë "Në marshim". Dy partizanë që me një helmetë gjermane i japin ujë kalit të tyre të lodhur nga pasha e armatimit të rëndë. Tabloja është e trajtuar me një teknikë origjinale të Agimit, trajtim me lëngje e kruajtje sistematike me brisk.

- Alush Shima me tablonë "Mësuesja në fshat". Mësuesja e re e elegante, me bicikletën për dore, me një nxënës të saj, që ka dalë për ta ndihmuar duke i mbajtur valiçen. Të dy në ecje ballore. Tablloja e trajtuar dekorativisht me penel të madh.

- Jorgo Kokolani me tablonë "Leximi i shtypit". Temë e fiksuar që në praktikën e parë mësimore, në minierën e Mborje-Drenovës. Tre minatorë që njihen me të rejat e shtypit. Njeri i ulur tek vagoni i mineralit lexon me zë e dy shokët e tij, që e dëgjojnë. Trajtimi me një game koloristike të përmbajtur, por të pasur në nuanca e bënte krijimin interesant dhe origjinal.

- Aristidh Loli me tablonë "Piktori në fshat", tematikë e përjetuar gjatë praktikës mësimore në Lezhë. Piktori në pejsazh, para kavaletit të vet, i rrethuar nga kuriozët e rastit.

- Remzi Kuçi me tablonë "Ndërtueset": dy gra punëtore, të bëshme dhe të fuqishme fizikisht, duke përgatitur llaçin në sfond të një kantieri ndërtimi, një skenë mjaft tipike për kohën.

- Llazar Taçi me tablonë "Para provimit": gjashtë studentë, djem e vajza, në përmasa pothuaj natyrale, presin ankthshëm para derës së klasës ku jepet provimi. Përmes xhamit opak duket shëmbëllimi i pëlhurës së kuqe tradicionale të tavolinës dhe siluetat e sfumuara të figurave të komisionit.

- Liljana Çefa me tablonë "Në çerdhen e fshatit": një nënë zadrimore duke ushqyer foshnjen e saj para se të shkojë në punë. Në këmbë pranë saj e ndjek me kureshtje edukatorja.

- Zhani Nathanaili. Dy vajza të reja, nga ballkoni i shtëpisë ndjekin me kureshtje kalimtarët poshtë në rrugë.

Mbrojtja e diplomave sipas traditës së dy viteve të fundit do të zhvillohej edhe këtë rradhë në mënyrë ceremonial në ambjentet e klubit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve më 12 Qershor 1966. Ishin brezi i tretë dhe i fundit që diplomohej nga Instituti i Lartë i Arteve Figurative.

Pas kësaj, në Shtator 1966, do të kryhej bashkimi i tre shkollave të larta të profilit artistik: Konservatorit, Shkollës së Lartë për Aktorë "Aleksandër Moisiu" dhe Institutit të Lartë të Arteve Figurative duke u vendosur përfundimisht në një godinë dinjitoze, prej ku sapo ishte shpërngulur Teatri i Operas dhe Baletit dhe duke u emërtuar: Instituti i Lartë i Arteve.

COMMENTS