At Zef Pllumi

zef pllumi 1924-2007
Zef Pllumi, emri i pagëzimit Prenkë, lindi më 28 gusht 1924 në Mali i Rencit (Shëngjin, Lezhë). Ishte frat françeskan, publicist e shkrimtar. Në vitin 1929 bëhet nxënës i Dom Alfons Trackit dhe më në vitin 1931 hyn në kolegjin françeskan të Shkodrës, në të cilin jepnin mësim personalitete të shquara të kulturës kombëtare si At Gjergj Fishta, Patër Anton Harapi, kompozitori At Martin Gjoka, At Gjon Shllaku etj. Kreu maturën në liceun "Illyricum" më 1943.

Në vitet 1943-1944 Zef Pllumi është një nga bashkëpunëtorët e revistës "Hylli i Dritës" dhe po ashtu sekretar i Patër Anton Harapit.
Më 14 dhjetor 1946 arrestohet dhe dënohet me tre vjet burg.
Nga viti 1949–1951 merret me numizmatikë si teknik i Muzeut të Shkodrës.
Në vitin 1958 shugurohet meshtar. Më tej, për 12 vjet shërben si meshtar i Dukagjinit me qendër në Shosh.
Në vitin 1967 arrestohet dhe për 23 vjet vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme.
Doli nga burgu me 11 prill 1989.
Në vitin 2006, Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu dekoroi At Zef Pllumin me Urdhrin "Nderi i Kombit" me motivacion:

"Si përfaqësues të pasurisë kulturore e njerëzore, si një institucion të vërtetë, që i rezistoi regjimeve dhe kohërave më të vështira dhe si simbol i qytetarit të lirë, vizioni i të cilit frymëzohet nga vlerat evropiane".

Në vitin 2006 Ministria e Kulturës e Shqipërisë i akordon Zef Pllumit çmimin letrar "Penda e Artë" për trilogjinë e tij me kujtime "Rrno vetëm për me tregue".

Zef Pllumi ndahet nga jeta më 26 shtator 2007, në Romë (Itali), dhe u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër.

Më 19 tetor 2014, Presidenti Bujar Nishani vlerësoi At Zef Pllumin (pas vdekjes) me "Dekoratën e Flamurit Kombëtar" me motivacionin:

"Klerikut, martir, të dënuar me persekutim të përjetshëm nga diktatura, i cili me veprën dhe jetën e tij, mbrojti vlerat e mëdha të fesë, kulturës kombëtare, lirisë dhe dinjitetit njerëzor, të lidhura pazgjidhshmërisht këto me vetëmbrojtjen e atdheut dhe të kombit".

Vepra nga At Zef Pllumi:

- Rrno vetëm për me tregue: libri i kujtimeve (vëllimi i parë i autobiografisë së At Zef Pllumit, botuar në vitin 1995).
- Rrno vetëm për me tregue: liria mes dy burgimeve (vëllimi i dytë i autobiografisë së At Zef Pllumit, botuar në vitin 1997).
- Rrno vetëm për me tregue (vëllimi i tretë i autobiografisë së At Zef Pllumit, botuar në vitin 2001).
- Françeskanët e mëdhaj (2001).
- Frati i pashallarëve Bushatli të Shkodrës: At Erasmo Balneo (2004).
- Histori kurrë e shkrueme (2006).
- Saga e fëmijnisë: un që jetova shum shekuj (një tregim autobiografik i At Zef Pllumit i botuar në vitin2009).
- Ut heri diçebamus - Siç i thonim dje (2002).

Nga libri Rrno vetëm për me tregue

- Në krypore të Vlonës - Lufta e klasave në burg

zef pllumi rrno vetem per me tregue
Me të vërtetë, në muejin shtator, nji kamion i madh plot me të burgosun të paaftë për punë, u nisëm nga Repsi. Natyrisht nuk mungonte shoqnimi i plotë i Sigurimit, pra nji autokolonë e vogël. Nuk patëm dhimbje aspak nga braktisja e Repsit, atij vendi pa diell e ku frynte gjithmonë era e ftoftë. U nisëm mbasdite vonë dhe nji pjesë të natës e kaluem n'oborrin e Degës së Punëve të Brendshme të Rrëshenit, ndërsa në mbasditen e të nesërmes mbrrijtëm në Skrofotinë të Vlonës, ku punohej te kryporja e ré.

Kampi, si të gjitha kampet e të burgosunve, ngrihej me baraka drrasash e populiti në formë katrore, ku ndryjshin mbrendë nji oborr kund 80 x 50 m dhe kishte dy dyer, atę zyrtaren që ishte afër komandës, dhe n'anë tjetër atę të punës, të mbulueme gjithmonë me pllaka të mëdha eterniti të valzuem. Fjetoret, me shtretën dy katëshe, ishin tepër t'errta mbasi e vetmja dritë që hynte aty vinte nga dyert. Ky kamp ishte i mshefun nën nji kodrinë të vogël mbi të cilën kalonte rruga nacionale për Vlonë, mu aty në breg të liqenit të Nartës. Kampi ishte ndërtue para tri vjetësh për thamjen e liqenit të Nartës, nji nga bukuritë e rralla natyrore të vendit tonë, me pasuní të pallogaritshme peshqish e shpendësh. Ky plan i babëzitun për "sigurimin e bukës në vend", ose siç shkruhej mâ gjatë ndër të gjitha parullat e brí rrugëve, ndër pllaka metalike: "sigurimi i bukës në vend garanci e fitores së socializmit", kishte fillue disa vjet mâ parë me ndërtimin e nji dige faraonike, që fillonte që nga dera e kampit të punës deri në bregdet, e gjatë 8 kilometër, në bazë 15 metër dhe nalt 7 metër, nji rrugë normale ku mund të qarkullonin 2 makina. I gjithë materiali guror bartej me makina vetshkarkuese nga malet e Vlonës, por që i gjithë ai material shkrihej si krypa në ujë. Projekti ishte që me anën e kësaj dige do të thahej pak mâ shumë se gjysa e liqenit të Nartës për ta kthye atę në tokë bujqësore. Me të burgosun, skllavë të shtetit socialist, diga u ndërtue mbas 2-3 vjetësh, dhe aty në breg të detit të mrekullueshëm vlonjat, shi në Pishporo, të burgosunit ndërtuen nji stacion pompimi shumë të bukur ku mandej u vendosën makineri tepër të fuqishme. Me vumjen në funksion të këtij stacioni u pá me të vërtetë mrekullia e madhe e punëtorit skllav. Liqeni u tha krejtësisht, deri te diga, e të gjithë panë fundin e liqenit, nji baltovinë aq të gjatë e aq të gjanë sa mos me ta perfshí syni, por ku nuk mbrijshe me shkelë, mbasi humbshe mbrendë.

Dikur prunë projektet. Komanda u ndau të burgosunve skllav-pune nga nji palë çizme, nga nji mushema dhe nga nji bidon uji. Nga kampi dhe deri në Pishporo diga, rreth 7-8 kilometër, u përdor si rrugë. Ajo duhej pershkue përditë nga të burgosunit e ngarkuem me bidonin e ujit, strajcën e bukës, mushemanë, belin e lopatën e punës. Me këtë ngarkesë në krahë, të ndamë ndër brigada, të rreshtuem për gjashtë, të rrethuem me roje, ecshim dy orë rrugë për me mbrrijtë te fronti i punës. Mbas nja dhetë minutash fishkëllonte bilbili për fillimin e punës 8 orëshe. Thohej se njana nga rrugët do të quhej "e paguar". Fakti asht se punuem si skllav për me përfitue nji punë mâ të lehtë. Të burgosunit, tashmâ, ishin shumë mâ të specializuem se teknikët e inxhinierët e bonifikimit. Praktika e gjatë ndër të gjitha kënetat e thame (bonifikueme) të Shqipnisë, vetëm nga të burgosunit, kishte bâ që ata të fitonin besimin e personelit teknik e atij ushtarak. Kështu të burgosunit, në fillim organizuen vetë nji skuadër pioniere të punës. Ata hapën nji vijë të ngushtë e të thellë, e cila filloi të thithte ujin e ta përcillte në basenin e stacionit të pompave. Ndër ditët e para, e shumta e të burgosunve, shijonin "nji pushim" fantastik në bregdetin e Pishporos. Efekti i atyne vijave të vogla u pá mbrenda 5-6 ditësh. Në javën që erdhi u hap front pune për 500-600 të burgosun. Në bazë të projekt-bonifikimit duheshin bâ shumë kanale, që nga diga e Pishporos, deri te katundi i Novoselës.

Nji ditë na derguen në Novoselë për me pá se ku do të punojshim simbas projektit. Ishte vetëm nji vizitë e cila do të përcaktonte vendet e punës. Atę ditë punoi vetëm këshilli teknik tue vendosë piketat. N'e nesre përsëri aty. Kur mbërriti kolona e jonë e të burgosunve, Novosela ishte çue në kambë. Kishin dalë në rrugë dhe protestojshin me sa zâ që kish: "Poshtë fashistat! Poshtë reaksioni! Nuk i duem! Nuk i duem!" Rojet banë punën e vet dhe nuk ndodhi kurrnji aksident. N'e nesre komanda na dërgoi përsëri aty.

Në fushë, kishem afër nji burrë të shkurtë që thirrej Miti Koliqi. Thuhej se ishte nga ato anë, se ishte kenë "oficer partizan" dhe se kishte "vra babën e vet!" Ishem shumë kurioz me ditë se ç'thonte ai vetë dhe nuk u durova pa e pvetë.

- Është e vërtetë, - më tha, - babai im ishte një ndër kapot e Ballit Kombëtar ndër këto fshatra, ndërsa, siç ishte zakon atëherë ndër këto anë, unë vetë dola partizan. Gjatë luftës isha nënoficer në gardën e Shtabit të Brigadës. Aty shihja me sytë e mi se si oficerat e Shtabit i torturonin deri në vdekje ose pushkatim robërit e zënë nga radhët e Ballit Kombëtar. Kur hymë në fshatin tim si fitimtarë, komanda më urdhëroi: "Më mirë shko vetë e na sill babanë këtu se përndryshej do ta këtë punën keq." Unë u dridha, por nuk munda ta kundërshtoj urdhërin. Shkova në shtëpi. Babai ishte larguar nga friga. Pyeta të familjes dhe më treguen vendin. Pak para se ta takoja fola me zë të lartë që ta dinte se isha unë dhe mos të qëllonte. I tregova urdhërin e komandës. Ai u mendua ca kohë, më pyeti për oficerat e në fund më tha: "Sigurisht që nuk do të më vrasin duke qenë baba i një partizani. Përndryshe do të më kërkonin përpjekje zjarri." Kështu që pranoi të paraqitej në Shtab për t'u dorëzuar. M'u dridh zemra. Gjatë rrugës mendoja se si oficerat e Shtabit do ta torturonin pa mëshirë deri në vdekje. Këtë gjë ai nuk e dinte, por unë kisha parë e jetuar krimet e tyre të çmendura. Pata dhëmbje për vuajtjet që e prisnin babain dhe i thashë: "Kalo pak para se do të ndalem". Ai ecta ngadalë dhe unë, atëherë, kur hyri në shenjestër të armës sime, tërhoqa gishtin. Ai ra në të parin plumb prapa kokës. Nuk qëllova më, por ndeja deri sa dha shpirt. I mora armën dhe me tę në krah u paraqita në Shtab. "Nuk erdhi babai?" - më pyetën. "Desht të ikte rrugës, por e qëllova. Ja edhe arma e tij".
Ata më përgëzuan për kryerjen e detyrës. Më vonë më graduan oficer. Kam qenë edhe në Degën e Sigurimit në Shkodër në vitet 1945-1946. Ndëgjo, nuk di se ç'ke ndëgjuar ti për këtë ngjarje, por babanë e vrava, sepse e doja shumë dhe nuk do të duroja që të mâ poshtëronin. Kam shkatërruar familjen e po ashtu edhe jetën time. Me organizimin e policisë popullore më nxorën në lirim, por nuk kam kthyer kurr më në fshatin tim. Kam jetuar si i humbur.

Ngjarja më tronditi. Me të vërtetë shumë njerëz, ndër çaste të vështira të jetës humbin mendjen e me tâ edhe nderin e jetës.

Mbas ditës së Novoselës kthyem përsëri për me vazhdue punën e fillueme në breg të detit të Pishporos. Klima e atij vendi ishte tepër e butë dhe e mirë, por sikur të binte ndonji shi i turrshëm né na zinte krejt të pambrojtun, përveç asaj mushamaje, e cila, si prodhim i industrisë sonë, mbas 5 minutash fillonte e ta shtinte në trup shiun. Kështu na uleshim kacuk, hidhshim mbi krye mushamanë dhe rrijshim pa punue, nji orë ose dy, deri të pushonte shiu. Në të vërtetë, oficeri i punës, ishte nji farë Koço nga Selenica. Ai e shifte se n'ato kondita as puna nuk mund bahej prandej nuk na detyronte. Mandej po n'atę hall ishin edhe policët e brigadave e mâ zí rojet ushtarë, megjithse mushamatë ata i kishin të mira, ushtarake. Puna ishte e randë, mbasi gjithë ditën punohej me llucë, e cila shpesh hipte përmbi çizme, megjithktë nuk kishte ushujza, sepse ujët ishte i krypun. Kishim dhe nji favor se gjatë rrugës, kur ktheheshim, na ndalojshin në nji vend, zbritshim skarpatën e gurtë dhe na lejoshin me u pastrue në det, me lá çizmet, baltën e kambëve dhe të pecave me mbathë opingat, në mënyrë që, kthejshim në kamp mjaft të pastruem. Këtë mirësí né i a dijshim atij oficerit, Koçit, sepse, kur nuk ishte ai, të tjerët nuk na lejojshin. Edhe nji favor, në krahasim me kampet e tjera: rruga e gjatë ishte e shtrueme dhe né kënaqeshim me panoramën e shkëlqyeshme të Zvernecit, Sazanit e sidomos të Gjolit të Nartës që ishte banesa kryesore e pelikanëve të bukur. N'atę kohë, na të burgosunit, kemi mbrrijtë me numrue rreth 2000 pelikanë dhe me kurreshtje të madhe vrejshim jetën e tyne kolektive dhe private. Mësuem për shembull se pjesa e fundit e skjepit të tyne të madh, përbahej kryesisht nga nji lloj lëkure të hollë, transparente e cila vlente për të punue dajret mâ të mirat e mâ të qëndrueshmet. Ata nuk kishin frigë dhe aviteshin mjaft afër bregut ose lundrave, kështu që mund të zhdukeshin lehtësisht nga njerëz të pandërgjegjshëm. Prandej gjuetia e tyne ishte e ndalueme me ligj. Rastësisht rojeve ushtarake që na shoqnojshin anash u ra në dorë nji prej tyne. Ai kishte ra në nji kurthë të ngritun nga fshatarët. Rojet ia dorëzuen nji polici dhe ky u a dha të burgosunve që ta çonin te doktori i kampit në se ai mund ta shëronte. Përndryshej do ta mbytnin e mishin do ta përdornin për përmirësimin e gjellës së kazanit. Doktori e pá se nuk kishte ç'i bante e kështu e mbytën. Ai ishte nji shpend i madh që peshonte rreth 10 kg. Kur e rjepën, mishit plot dhjamë, i vinte nji erë peshku e qelbun e cila nuk durohej. U a dhanë disa prej punëtorëve mâ të fortë. Kur e vunë në zjarr me e zie, qelbej vendi nga era që lëshonte. Me gjithë urinë e madhe të të burgosunve, nuk duel kush me e hangër. Pra, përveç zhangës së skjepit e bukurisë së madhe atij shpendi nuk i vlente tjetër.

Zakonisht notonin me çifte, por kishte raste që mblidheshi edhe 30-50 bashkë e tue përplasë krahët për ujë vejshin para peshqit deri që i aviteshin në cektinë ku ata e kishin të lehtë me i kapë. Por ajo që na dukej mâ interesante në jetën e tyne ishin mbledhjet që i bâjshin ndër disa toka që ishin ndërmjet pyllit të bregdetit e gjolit. Zakonisht kjo ndodhte 10-15 ditë para se të fillojshin shtegtimin e verës. Dukeshin sikur veprojshin si njerzit. Në fillim mblidheshin disa pelikanë të mdhaj në grupe të vogla prej 10-12 shpendësh. N'e nesret mblidheshin me shumicë jo në nji vend, por lagje-lagje, dikund 30, dikund 50 e dikund mâ shumë, sikur t'ishin të ndamë ndër fise. Më çojshin mallin e tubimeve ndër male tona. Kjo lojë vazhdonte disa ditë rresht. Dukej sikur ata pelikanët e mdhaj i rreshtojshin këto grupe dhe i kontrollojshin të gjithë, se shifej, se disa prej tyne, u largojshin nji nga nji. Ditën e shtegtimit ata ishin të mbledhun mjaft heret. Fluturimi i çetës së parë fillonte mbas orës 9. Rreth 50 pelikanë fillojshin fluturimin të vumë në rresht mbas njanit që printe. Së pari, fluturimi bahej poshtë, në formë rrethore, mbi kënetë, e deri te fusha e shkollës së aviacionit, gjithmonë në ngritje, dhe kur afërsisht mbrrijshin naltësinë 300-400 metër atëherë çohej çeta e dytë, po n'atę mënyrë. Ashtu e treta dhe e katërta, deri sa çeta e parë kishte mbrrijtë atje ku merrte drejtimin për udhëtim, gjithmonë drejt veriut.

Pelikani në fluturim kishte bukurí të rrallë. Ai skjepi i gjanë e madhosh i jepte pamjen e nji heroi të patundun. Mbas 3-4 ditësh fillonte fluturimi tjetër, deri që këneta vorfnohej nga pamja e tyne, sepse mbeteshin aty nji pakicë e vogël. Né, gjithë verës, na merrte malli për ta.

Ky ishte ngushllimi që natyra e bukur na jepte gjatë vuejtjeve të punës, por kur ktheheshim në kamp na kapte mërzia e madhe. Posa merrshim atę gjellën e neveritshme me copa barishtesh të kalbuna e oriz të krymun, fillonte orari i mërzitshëm i veprimeve edukuese. Mos të harrojmë se partia këtyne kampeve me skllav pune u kishte ngjitë emnin "Reparte riedukimi". Thuhej se deri vonë, ky ishte kenë kampi mâ i dishruem prej të burgosunve, mbas të gjitha halleve, sepse kishte pasë drejtor nji farë Azbi Lamçe dhe kryetar të zyrës teknike Enrik Prendushin.

Kur kampin e muer në dorë Sulë Manoku e liroi Enrik Prendushin dhe në vend të tij vuni Beqir Dibrën, tue e quejtë që nga ajo kohë "Kryetar i Këshillit të Riedukimit" dhe jo "Shef i zyrës Teknike" si mâ parë. Beqir Dibra ishte nji dhelpën e vjetër komuniste. Kishte marrë për grue nji jugosllave, prandej quhej "agjent i UDB-së" dhe bante burg. Njeri shumë i zgjuet, por nuk kuptohej në se, o nga friga, apo nga zemra e keqe, vuni në jetë programin e tmerrshëm të "luftës së klasave" në burg. Ç'ish ajo? Nji përçamje vdekjepruese për të burgosunit. Kampi i të dënuemve u nda në dy çeta ku në të parën hijshin ata të rrugës së "riedukimit" dhe në të dytën ata që nuk mund të hinin në atę rrugë dhe që përfaqësonin "reaksionin".

Veprimtaria e të parëve ishte "informacioni" ose "shpifja" si dhe pjesmarrja ndër "aktivitetet kulturalo-shoqnore edukative" që organizonte komanda. I ashtuquejtuni "Këshill i Riedukimit" ishte nji parodi e "Këshillit të Ministrave" të shtetit shqiptar. Përveç "Kryetarit" dhe "Nënkryetarit" kishte edhe titullarët e kulturës e sporteve, të riedukimit, të ekonomi-financave, të shëndetësisë, të ruejtjes së ambjentit, të punës etj. Ky ishte "ekzekutivi" i përbamë nga spiunë, servilë e shpifës nga mâ të neveritshmit. Tue kenë kopje parodike (qesharake) e qeverisë shqiptare kishte nevojë edhe për nji lloj "Kuvendi Popullor", i cili zgjidhej me "vullnetin e lirë" të të burgosunve. Kështu, përveç 8 vetëve të ekzekutivit, që përmendëm mâ nalt, zgjidheshin edhe 8 të tjerë të "Këshillit të gjanë të Riedukimit". Kjo ishte nji lojë tepër e ndytë sepse në këtë "Këshillë të gjanë" përveç spiunëve e shpifsave zgjidheshin edhe 2, 3 ose 4 nga njerëzit mâ të ndershmit që kishte kampi. Kjo lojë bahej për dy qëllime. Së pari Komanda donte të tregohej "demokratike" për me mshefë spiunët e çpifsat, mbas njerzve të ndershëm. Së dyti, vetë "zgjedhjet e lira të të burgosunve" ishte nji provokacion satanik. Komanda donte me dijtë se cilët ishin të burgosunit mâ të rrezikshëm dhe i vinte para nji prove të zjarrtë. Sikur të refuzojshin i priste dënimi i dytë, o i tretë. Sikur të pranojshin me u bâ servila humbshin nderimin që kishin. Në përgjithësi këta njerz t'urtë preferuen heshtimin paqsor. Të burgosunit kurr nuk e humbën për ata simpatinë, sepse kishin nji vesh aty mbrendë në "Këshillin e Riedukimit" për me mësue se shka bahej e sendërgjohej nga "djalli i kuq".

Në bazë të vendimit të këtij Këshilli, filloi puna e mërzitshme edukative. Posa ktheheshim nga puna e randë e rruga e gjatë hahej buka dhe mandej fillonte leximi i shtypit dhe "Historia e PPSH-së", e cila ishte shkrue sipas modelit të Historisë së PK (b) të BRSS-së (Partisë Komuniste (Bolshevike) të Bashkimit Sovjetik. Kjo punë vazhdoi gjithmonë, aq sa kur nuk punohej baheshin 3-4 orë lexim në ditë, nji torturë e vërtetë për të burgosunit, të cilët do të mbrrijshin kështu me ndie leximin e të gjitha veprave të Enver Hoxhës, i shpallun si mâ i madhi, mâ i dijtuni, mâ i miri e i pagabueshmi njeri i shekujve në historí të mbarë njerzimit. Në përgjithsi e shumta e të burgosunve kishte jetue atę të quejtunën "Luftë Nacionalçlirimtare", kishte jetue e jetonte gjithnji në "Parrizin shqiptar", të ndërtuem nga Enver Hoxha, dhe barte mbi supe të veta peshën mâ të randë të "diktaturës proletare", prandej ndigjonte me neverí e urrejtje kallximin e shtremnuem e të përçudun të të gjitha ngjarjeve. Sigurisht që ishte vështirë me folë, sepse spiujt e çpifsat rrijshin gjithmonë me veshë hapun, megjithktë na e njifshim mjaft mirë njani-tjetrin dhe kështu gjejshim rasën me i a shprazë mllefin e zemrës shoqit të mirë.

Në këtë mënyrë kampi u nda dyshë nga nji mëní e urrejtje anmiqsore - në njenën anë ata që dojshin me marrë pjesë në format e riedukimit dhe ndër né të tjerëve, mâ të shumtit, që nuk dojshin me u "riedukue". Këtë luftë klasash e drejtonte me mësimet, këshillat e ndëshkimet e veta, komisari i kampit Kiço Gjançi.

COMMENTS