Gjergj Fishta - Epopeja e fisit Shqyptar

Epopeja e fisit Shqyptar Skenderbeu
Ené breshtet t' Kapitolit
dalë nuk kisht' e murrtë ulkoja,
për me i dhânun sisë Romolit,
mbasi shâmë kje per dhè Troja:
e atjé larg, po, kahë Urali,
nper ato zabele t' larta,
sillej Shkjau, si shkerbè mali,
tue kerkue per molla t' tharta.

Kuer m' kto vise të Balkanit
të Parët t' onë - Pellazg't e motit -
gjânë e gjallë kullotshin planit,
qèt i ngitshin m' fushë të Zotit;
kishin frone e ligje të mara,
e gjatë shtegut t' gjytetnimit
ishin shtŷ atà larg perpara,
ç' me prendverë të rruzullimit.

Po, kû fill zen rriba e Verit
e m' Vezuv t' veshun n' gjineshtra,
prej Kaukazit m' shkam t' Doverit
kû rri Albjona e pjekë gënjeshtra,
fis mâ të vjetër kund nuk kà
se âsht ky fisi n' zâ i Shqyptarit,
n' mes të cillit punët e mdhà
per Europë zûn t' enden s' parit.

Mbi kto male e karpa t' ona
s' parit Zeusi njerzt i rusi,
e me augùre tê Dodona
breshtëniën aj jau permysi;
ktû edhè s' parit Orë e Zana
nisen bjeshkve me vallzue,
e nper vrrîje e fusha t' gjana
zû Pegazi me lodrue.

Këtû Leka mati hapin
me i dalë botës m' fund e m' krye,
edhè m' Hind e çpori vrapin,
rrëfèn n' dorë vetimen n' sye;
si edhè aj Burri, qi mprefë pallen
e danë detin, si duhië,
shî nên Romë e shtroj hamallen
të tânë n' krena Romakësh t' rì.

Pse kû rrani turr Shqyptari
- mirë aj lidhë besë e fè -
atjè lufta mori zhari,
atjè gjaku rrmej nper dhè;
e as u gjet kund mal a rrmore
qi atij hovin me ja ndalun;
i rà zhyt aj valës mizore,
me armë n' dorë nper flakë kà dalun.

Gal, Romakë, kta, dikur motit,
kjenë pershkue nper tokë shqyptare,
si edhè fiset e Ostrogotit
e atà Slavt, - per t' na qitë fare; -
por Shqyptari s' e perkuli
i gjallë qafen nên sgjedhë t' huej:
e lshoj token, në mal dueli,
por, m' ju bindë, s' ju bind kurrkujë.

Porsì njaj tallazi i detit,
qi dyndë mal e bardhë prej shkume,
dekë e mnerë tuj lânë mbas vetit
vjen e thehet m' kep t' ndoj gume:
njashtû forca e cilldo anmiku,
qi desht dam t' na i sjellë liriës,
erdh e u thye m' parsme çeliku
t' bijvet t' malevet t' Shqypniës.

Pat kujtue Sulltan Murati
se Shqyptarët i kà lshue zêmra,
se prandej po u rrin aj gati
e rob t' zân' po i shtron nên thêmra;
edhè dyndë ka 'i ushtrië breshtnike
të tânë djelm t' ushtruem nder gjaqe:
bota marë heshtet prej frike,
kjàn Europa, lott per faqe.

Por n' ket punë u gjet gabue.
Skanderbegu, 'i rrfè prej qiellit,
pallen xiër atje në Krue,
- se ç' vetue kà n' rreze t' diellit! -
E si luâ tue buluritun,
Shqyptariës ja lshon kushtrimin,
qi, shk'â burrë, në luftë me zbritun,
Tyrkut m' armë m' ja shtypë guzimin.

Trup në kam ja ban Shqypnija,
mirë nder armë edhè shtrengohet,
e si breshni e si duhija
fulikare mbi Tyrk lshohet,
n' at turr t' tyne trandet toka,
tymi çohet dèr mbi rê,
ushtojnë male, gjimojnë boka,
rremen gjaku shtojt kurrnê.

Shtrî m' fushë t' Dibers jeniçeri
e, si kau nên thikë t' kanarit,
t'u perpjekë per tokë i mjeri,
ka e ndrydhë m' fyt kama e Shqyptarit,
aj e shef - sado qi vonë -
se me dhunë Shqypnija s' shklitet
e se rrêjnë atà qi thonë,
se p'r Atdhè Shqyptari s' vritet.

Jo, prà, vritet, pasha Zotin!
Edhè vritet si me lè,
porsi vràm âsht aj gjithmotin,
- kuer kjè puna per Atdhè. -
Edhè t' Naltes Derë s' Stambollit
Shqyptarët pushken ja kan vû,
sà herë Tyrqit e Anadollit
paten dashtë t'u hînë n' kanû.

Kû t'a lypë e mira e Atdheut
e t'a hjekë lirija e vendit,
kush â nipash t' Skanderbeut
- i ç' do fès e i ç' do kuvendit -
per t'a msŷ aj kà anmikun,
si petriti zogjt trumcakë;
e kudo t' vringllojë çelikun
s'e lên token pa e pergjakë.

Mocë Shqyptarët me stalagtita,
lirë gjithmonë e kan shkue jeten:
e as, sà t' enden nata e dita,
sà t' zanë vjeta në rend vjeten,
kta, (posë Zotit t' naltë Empirit,
e asaj ligjë qi vetë t' kenë qitun),
s' kan m'e ulë kryet para nirit,
qiella e toka bashkë pa u njitun.

Ç' merr prej Adrjet m' rrymë t' Vardarit
Mbret Shqyptari âsht m' vende të veta:
kà me i là, po, n' gjak t' tradhtarit,
kà me bâ qi t' bindet jeta,
po guxoj ndoj dhunë e huej
me kalue m' kto vende t' ona.
Rob Shqyptari s' ju bâ kujë,
s' bâhet rob, jo, as tash n'e vona.

Gajret, pra, t' bijt e Shqypniës,
edhè kurr mos t' ju lshoj shpnesa;
pse, me ndihmë të Perendiës
e me at forcë qi jau sjellë besa,
ju edhè n' kohë qi kan me ardhë
do të jeni gjithmonë t' lirë,
gjithmonë n' zâ e me faqe t' bardhë
në Balkan fisi mâ i mirë.

N' at Paris - Sodomë flligshtije,
t' mdhejt e botës e kan pleqnue,
hasmve t' uej me u bâ jue flije,
- si atà Zoti i pasët marrue! -
Por mos drueni. Mbì tokë dhuna
teper gjatë kurr s' mund t' vazhdojë,
tash hecë moti, tash ndrron puna,
prap Shqyptari i lirë do t' rrojë.

COMMENTS