Lazër Shantoja - Për nji puthje të vetme

dom lazer shantoja poezi per nji puthje te vetme
Nji dit' prendvere... me do letra n' dorë
ngûtshëm tuj ecun rrug's për t' parën herë
t' kam pámun, vashë e bukur, si prendverë
me faqe t' bardha porsi e bardha borë.

Zânin t'a kisha ndij... dhe kur n' at orë
t' sodita si n' vegim tue hŷ n' nji derë,
"ajo" thashë "âsht për t' sakt" e zêmra e mjerë
dishroi n' at ças për tý lyrë e kunorë.

Me t' kndue e me t' bâ t' lume: n' Elikone
njashtù do t' kndojshin zânat sikur vetë
dishrojshem me t' kndue tý me t' âmblat jone,

e mâ t' lumin ndër t' lum djalosh me t' gjetë,
qi t' naltonte mbretnesh' t' dashnís mbi frone,
Ç'u bâ kunora? Lyrën kap, poetë.

II

Këndò, poet': - porse nji tingull lyre
a mundet kurr me shpreh' kaq bukurí?
T' tân' jazminat e lilat t' vetat ngjyre
i a falne asaj, t' tân lulet n' Shqipëní.

E flokë e vetlla e t' ndritshmit sŷ, pasqyre
e mêndes s' hollë, e gushë e qafë e gjí
e buz't lakmuese puthjesh prej natyre,
t' tân' trupi i saj difton dashní, dashní:

e e dashun flutroí tue thith' defrime
mbi lule t' jet's si flutur hareplote:
ndër theatra mâ n' zâ, n' salone e n' gjire

t' vallzimeve kur duel, veç adhurime
korri gjithkund, e bota e shtângun thote:
"t' bukur si ktê s' kém pá kurr vashë ilire!"

III

Kalove!... mâ n' lulishta t' Shqipënís,
o lule, s' po lulzon. Në dhé t' mërgimit
si marshalloj' rrethue prej avullís,
harlisesh n' terr nên voes' të njelm' t' mjerimit.

Heu! ganxhet t' tuja qi dér tash t' saksís
ngushticën kurr s' sprovuen, veçse t' lirimit
gjith-her' nder vise çilen t' bukurís,
mysteret mâ s' do t' gzojn në koh' t' agimit

sikur përpara... Veç kur nata t' bije
e gjithçafen t' mbuloj' me t' vetat hije
nji fllad erandshem ardh' nga bregu i detit

tash i freskon e tu' u përkund' let-letë
nga nji nga nji tash mbyllin sŷt me fjetë
gjethlat e njom' mbi vargje t' nji poetit...

IV

Kufom' e varrosun tash kahmot n' humnerë
t' detit n' tallaz âsht dashunija e ime:
kurr dielli nuk e gzoi e pse n' andrrime
si nênqeshje fantazmash ndonji fnerë

i zbét për pak e shndriti e kndoi ndojherë
e dielle e drandofille edhe defrime,
qen' kang't e saja vetëm vezullime
flake mjes krizantemave t' kalterë

n' vorreza natën... Pra ç' puhí n' dhé t' huej
tinzave po i shtŷn gjethlat qi t' lakojnë
kryet për pushim në muzg të nat's lakmueshem

n' hemistikun e vargjeve t' trishtueshem?
A por përkulen n' tê me mujt' t' prigjojnë
n' qetín e nat's nji varg qi s' mund të shkruej?

V

Ah, mos e lyp at varg! ... Âsht shum mâ mirë
korimbat t' tú mos t' dijn ça do me thânë
me qên' poetë e mos me qênë i lirë,
me kndue me goj' kur zêmërngrita qanë.

Kshtu qênka jeta... Me nji lamtumirë
lyrën qi për tý kapa due me e lânë,
pse teli i saj, o lule, dridhet vshtirë
kur jehon' tjetër s' ka përveç nji zânë.

Lulzò ti prap! Un i padashtun jetën
tash e kaloj, i vetmí ndër poetën;
e tue kujtuemun puthjen e nji dite,

puthjen t' ande n' mërgim... un tash i a kndoj
mâ t' bukrin varg hyjneshës Afërdite
ndër hije t' qiparisavet kur t' shkoj...

COMMENTS