Poezi nga Mithat Araniti

mithat araniti poezi

Poezi nga Mithat Araniti


Rreze dielli

Lehtë, drithëruar, sikur ta ketë ndjerë
Që edhe ajri i mbyllur brenda kësaj qelie,
Është ajr' i dënuar, i çveshur çdo lirie,
Dhe ka shok të vetëm një njeri të mjërë.

Nga dritarja ime, nga dritarja vrimë,
Lart atje mbi mure sa s'arrin me dorë,
Nëpër gardhin e hekurt thurur tërë katrorë,
Hyn një rreze dielli dhe ngroh shpirtin tim.

Mes mureve të ftohta, hapësirës plot lag'shti,
Udhë-tymi kaltëruar, pluhur i praruar
Shkon, dhe përkundruall, mbi murin e shkretuar
Katrori i ndezur ar, shkëlqen plot magji.

Ndarë nga bot'e tërë, në heshtjen e vetmisë,
Larg zërave të dashur, fytyrave që dua,
Larg çdo rrahje zemre që rreh dhe për mua
Mes hijeve të ftohta, mes mureve të qelisë

Një valë mallëngjimi më rrëmben fuqishëm
Dhe tretem në soditje. Dalëngadalë pastaj
Mendja m'arratiset dhe lehtë mbi krah't e saj
Lëshohem në hapësirë, e bredhërij hareshëm...

Ndajnatë

Ndajnatë, kur mbi natyrë zë ungjet tis' i muzgut
Dhe tej nga horizonti ndezur, flakëruar
Mijëngjyrash në venitje, diell' i perënduar
Hedh një lamtumirë mbi kangjellat e burgut,

Një ndjenjë e paemër, diçka si dhembshuri,
Si ngjyrat në venitje, e vakët, pa caktim,
Për dritën që po vdes, për ditën në mbarim,
Thuaj shpresa ime e fundit, më shtrëngon në gji.

Por vetëm për një çast, se thellë në shpirtin tim,
Një flakë që s'është shuar, një flakë që përvëlon,
Ushqen një tjetër ndjenjë, ushqen një besim!

Pandalshëm do vijë dita, më kot errësira vuan;
Si diell' i perënduar, që diell përsëri agon,
Ashtu dhe flakën time s'ka natë që e shuan...

Çaste burgu

Me kaltërsin' e qetë të syve t'tu një ditë,
Me kaltërsinë e thellë si det' i qetë në maj,
Më buzëqeshe ëmbël me zemër të pafaj,
Sikur të ishe ëngjëll përftuar hije-dritë.

Me rradhë ditë të tjera kaluan një nga një,
Në rrjedhën e pamatë të kohës pa mbarim,
Porsi nji çast i vetëm në tërë kët' amshim,
Një buzëqeshje e vetme dhe tjetër asgjë.

Të di nëse krahrori të rreh gjithmonë për mua
A vallë në zemrën tënde një tjetër ndjenjë u zgjua,
Në çastet ëndërrimtare mendimin s'ma mundon.

Në kaltërsinë e ëmbël të syve t'tu të qetë,
Në buzëqeshjen tënde që prap më kthen në jetë,
unë prehem dhe gëzoj. Më shpirti s'më kërkon!

Tufan

Potershëm përjashta tufani tërbon
në natën e zezë si shpirt' i njeriut
dhe degët kërcasin si zë që rënkon
të fshikur furishëm prej erës dhe shiut.

Me rradhë një nga një tërë dritat u shuan
dhe terri tmerronjës ka rënë mbi qytet,
një dritëz e vetme akoma po ruan
dhe ngrohët ngushllon me flakën e vet.

E njëjtë një dritë këtu brenda përgjon
dhe mes nji tufani keq epshesh shpërthyer,
simbolesh mposhtur, të ndrisë vazhdon.

Në mijëra kraharorë rri ndezur kjo dritë
që terri s'ka shojtur, rënkimet ushqyer
jan' mijëra krahërorë që presin nji ditë.

Hymn

Mure, mure, rreth e rrotull mure.
Tiran, pregadite varrin e lirisë,
Hekur, hekur, kudo hekur thure.
Tiran, prangat i farkove njerëzisë.

Pandehe të shuash etjen për liri,
Frymën që ushqen në botë çdo krijesë,
Gjënë më të shenjtë që ka çdo njeri
Dhe për hir të asaj që pranon të vdesë.

Mure, mure rreth e rrotull mure.
Tiran fuqizove etjen për liri.
Hekur, hekur kudo hekur thure,
Tiran, u dhe shkas fatosave të ri.

Aq sa mundet era të pushojë zjarrin,
Sa mërgimi mallin që kemi në gji,
Po aq mundën prangat shpresën të na marrin,
Të na shuajnë etjen, etjen për liri.

Mure, mure, rreth e rrotull mure,
Tiranë do rrafshohen një ditë me tërbim.
Hekur, hekur, kudo hekur thure;
Tiranë do shpërthehen një ditë me rrëmbim.

At'herë do buçasë kënga e lirisë
Në çdo kënd të botës, kudo që të jetë.
Pa mure, pa pranga, pa frik'n e robrisë
Njeriu do të jetë njeri i vërtetë!

COMMENTS