Kangët e Migjenit

millosh nikolla migjeni

Kanga e rinis


Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës s'ate që të vlon në gji.
Nxirre gëzimin t'and, të shpërthejë me vrull...
Mos e freno kangën! Le të marri udhë.

Thueja kangës, rini, pash sytë e tu...
Të rroki, të puthi kanga, të nxisi me dashnù
me zjarm t'and, rini... Dhe të na mbysi dallga
prej ndjenjash të shkumbzueme q'i turbullon kanga.

Rini, thueja kangës dhe qeshu si fëmi!
Kumbimi i zânit të përplaset për qiellë
dhe të këthejë prap té na - se hyjt ta kanë zili

e na të duem fortë si duem një diell.
Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!
Qeshu, rini! Qeshu! Bota âsht e jote.

*****

Kangët e pakëndueme


Thelltë në veten t'eme flejnë kangët e pakëndueme,
të cilat ende vuejtja as gëzimi s'i nxori,
të cilat flejnë e presin nji ditë mâ të lumnueme
me shpërthye, m'u këndue pa frikë e pa zori.

Thelltë në veten t'eme kangët e mija jesin...
e unë jam vullkani që fle i fashitun,
por kur t'i vijë dita të gjitha ka me i qitun
në njëmijë ngjyra të bukura që nuk vdesin.

Por a do të vijë dita kangët me u zgjue?
Apo ndoshta shekujt me né prap po tallen?
Jo! Jo! Se lirija filloj me lulzue
dhe e ndjej nga Dielli (alegorik) valën.

O kangët që fleni reliket e mija
q'ende s'keni prekun as një zêmër të huej,
vetëm unë me ju po kënaqem si fëmija
- unë djepi i juej, ndoshta vorr' i juej.

*****

Kanga e të burgosunit


Nepër hekra të kryqzuem të dritores s'eme
shof qiellën të coptueme në katërdhetë copë
edhe shof diellin sa një pare serme
- aq larg âsht qielli nga e emja gropë.

E kjo gropë e eme e ka emrin burg.
E dini se burgu nuk âsht për dëfrim.
Prandaj burg' i em âsht shum shum i ultë
dhe më bani palmuç dhe më mbyti në trishtim.

Hekrat e kryqzuem dhe ndërgjegj' e eme,
dy anmiq të betuem, luftojnë dit' e natë;
por hekr' i fortë e mund ndërgjegjen t'eme
dhe në dëshprim përplasem si një qen i ngratë.

E kur nata vjen dhe xhixhillojnë hyjt
gëzohem fort se hekrat nuk m'i kryqzojnë sŷt,
por t'u sjellmen mbrapa shof dritën e smutë
edhe hijën teme tu' u zgjatë në mur't

si një kërcnim ligji, po si një dajak.
Dhe atëherë tërbohem dhe urrej pa masë
dritën, hijën, vetën, muret edhe hekrat
edhe e ndjej vetën luâ të ndryem në kafas.

Nepër hekra të kryqzuem të dritores s'eme
shof qiellën të coptueme në katërdhetë copë
dhe zêmra e eme ndien po aq të breme
në mes të katër murvet si në një gropë.

*****

Kanga e dhimbës krenare


O dhimbë krenare e shpirtit që vuen
dhe shpërthen ndër vargjet e lira...
A deshte vall për t'u ngushlluem
tu' e stolisë botën me xhevahira?

O dhimbë krenare ndër vargjet e lira,
që kumbojnë me tinguj të sinqertë...
Vall, a do të prekish kend ndër ndijesina?
Apo do vdesish si vdes gjethi në vjeshtë?

O kangë e dêjë e dhimbës krenare...
Mos pusho kurrë! Por bashkë me vâje,
si dy binjakë këndoni mjerimin
- se koha do të ju bijë ngushllimin.

*****

Kanga që s'kuptohet


Melodise kombtare

U vodh kanga nga zemra e kombit,
shpertheu në vaj të dikuem mjerimit,
këndoi ûjen e së bijës, këndoi ûjen e të birit,
qau jeten e thyeme nga rrufé e fatit,
i mbyti në lotë shpirtent që ndjejnë dhimbë për të ngratit.

Kangë a vaj? Çë je? Thuejma zemër kombi!
Zemër që ke vuejtun, që endé po vuen...
Kangë a vaj? Çë je? Çë në ty po vluen?
Mallkimi ndaj fatet që ditët t'i helmuen,
që dëshirat e jetës të gjitha t'i gozhduen?

Oh, jo! Kanga jote âsht shprehje e dhimbsun
e një jetese që dergjet e dergjet
dhe tu' u dergjë ndoshta do hesht' e molisun...

*****

Kanga e Prendimit


Kangë Prendimi, kangë njeriu të dehun nga besimi në vete....
Kanga e tij nji fé tjetër, me tempuj të tjerë, me meshë solemne,
ku prej mëngjezit deri në mbramje shkrihen ndjenjat, trutë njerzore,
n'apotheozën e hekurit; shpirtnat përshkohen në tymore,

të cilat në fishkllim i përqeshen Zotit të vjetër edhe qiellit
e me ré të ndyt' tymi të dendun ndriçimin ia vrasin diellit.
Fé tjetër, fé e çmendun e Prendimit të mrekullueshëm....
I egzaltuem shklet njeriu në delirium të pakuptueshëm.

Dëgjon zanin q' i thotë feja. Plagos qiellën, e çpon tokën,
i shkynë horizontet e bardhë, xhveshë natyrën - ia heq kotllën.
Kulti i tij - kult i xhveshun! Nuk ia bret ma trutë enigmi -
e varros, mbi vorr ia vé nji shej përbuzje o nderimi.

Kangë Prendimi, kangë njeriu të dehun nga besimi në vehte....
Kanga e tij shpres' e bukur, me flatra, të nji tjetër jete;
në të cilën dielli do ndrrojë udhën: ka për t'u lindë nga Prendimi
- por dehet nga lumnija tash humb kokën rruzullimi.

Me një "tango" qejfi tash ia ngatrron fijet Zotit të vjetër,
ka me ia skandalizue të bijtë besnikë në planet tjetër.
Kangë Prendimi, kangë njeriu të dehun nga besimi në vehte....
Le të dëgjojmë kangën që mshtillet në shllung' avulli, në pika djerse.

*****

Kanga skandaloze


Një murgeshë e zbetë, që bashkë me mkatet e botës
barë dhe mkatet e mija mbi supat e vet të molisun,
mbi supat e verdhë si dylli që i ka puth' hyjnia
- kaloi rrugës së qytetit si êjll i arratisun.

Një murgeshë e zbetë, e ftoftë si rrasa e vorrit,
me sy boj-hîni si hîni i epsheve të djeg'na të gjallesës,
me buzë të holla të kuqe, dy gajtana pshertimet që mbysin
- ma la der' vonë kujtimin, kujtimin e ftohtë të kalesës.

Prej lutjesh (jo tallse!) duel dhe në lutje prap po shkon...
Lutjet i flejnë gjthkund: ndër sy, ndër buzë, ndër gishta.
Pa lutjet e saja bota kushedi ç'fat do kishte?
Por dhe nga lutjet e saja ende s'i zbardhi drita.

O murgeshë e zbetë që çon dashní me shejtent,
që n'ekstazë para tyne digjesh si qiriu pranë lterit
dhe ua zbulon veten... Cmirë ua kam shejtenvet!
Mos u lut për mue, se due pash më pash t'i bij ferrit.

Unë edhe ti murgeshë, dy skâje po të një litari,
të cilin dy tabore ia ngrehin njeni-tjetrit
- lufta âsht e ashpër dhe kushedi ku do të dali,
prandaj ngrehet litari edhe përplasen njerzit.

*****

Kangë në vete


Véri frynë pa mshirë, si véri që frynë;
dhe si hajn në shtëpijat e kojshive hynë
- edhe për çudi
këta kojshit e mi
sa mirë e presin... megjithse nuk âsht ditë vere
ato në gjuhë të huej i thonë: mirë se erdhe!

Véri frynë dhe me acarim u premton pallate të kristalta
kojshive të mijë që ua kande shum andrrat e thata
- dhe u thotë kështu:
stërgjyshnit e ju'
qenë fatosa të vertetë dhe u banë flîja
për fé dhe atdhé dhe i merituen këto premtimet e mija.

Dhe kojshitë e mi që i kam far' e fis,
nipat e stergjyshnavet meleza dhe të letë,
nipa donë me mbetë,
nipa të vertetë
me atdhé e fé ndër andrrat e thata
që t'i meritojnë premtimet e kristalta.

Véri frynë pa mshirë, si véri që frynë;
unë ia mbylla derën t'eme me reze mos të hyjnë
me m'a fikë ket dritë
me m'a ngrî ket shpirt
me m'a dridhë për ndjesijë tjetër
me m'a joshë me andërr të vjetër.

COMMENTS