Asaj - poezi nga Etëhem Haxhiademi

Etehem Haxhiademi
O vash', qi n' sy veshtrohe,
se të rrëqeth gëzimi,
dhe andrrat e nji kohe
t' i ambëlson kujtimi;
qi m' dogje je shkaktare,
pse kryët s' e kthen fare?

Por un për ty do t' shkrihem,
sa vdekjes do t' i truhem
dhe ma në bot' s' do t' ndihem,
mbasi nga ti nuk duhem;
do t' më këputet shpresa
e do t' më mbloj' harresa.

Ahere ke me lshumun
dhe ti ca pika loti,
kur dheu t' më ket' mbëlumun
e s' do t' më kthehet moti,
se keq do t' vinj' ma s' fundi
për muë qi zemra m' mundi.

Por kur t' i derdhish lotët
un s' kam me t' i vështrumun
se s' do të jem ma n' botët
përsrì me u gëzumun,
prandaj fëtyrën ktheje
dhe fol përpara meje.

Vërtet do të mërzitesh,
kur nuk të flet dashtija,
por prap do të zbavitesh
ndonj' her' me kangt' të mija,
prandaj kah un pa droje
nji rreze t' syut lëshoje.

Ah, po të ulesh zemra
dhe të ndëgjojë zanin,
do t' lshohesh der' te themra
për me të puthë fustanin
e petkun tim do t' shtroje
qi për mbi té të shkoje.

Por ti s' shikon as fare
dhe shpirtin muë m' a there,
se mbahe mjaft krenare,
qi je lule prandvere,
por botën si ç' e njoha
dhe ty do t' vyshki koha.

Ahere s' ke me më pamun
të ndiqesh ma prej meje,
se gjaku m' u ka thamun
tyke u dhan' mbas teje,
prandaj sot buzët çili,
qi kanë er' trandafili.

COMMENTS