Ernest Koliqi - Bukurija e gjuhës shqipe

Ernest Koliqi - Bukurija e gjuhes shqipe
Gjuha e jonë burimin e vet të pashterrshëm e ka në popull. Fjalë e thânie janë mbledhë mjaft, gjithnji mblidhen, prap tjera do të gjinden qi do të hŷjnë në përdorim të gjuhës mâ vonë. Por nuk flas për kët studim makinal, i cili âsht i detyrshëm për çdo Shqiptar. Randësí shum mâ të madhe ka studimi i atij ritmi të çuditshëm qi merr gjuha e jonë në gojë të popullit, kuptimi i asaj muzike qi jehon në fjalët e njerëzve të paprishun prej letërsive të hueja. Kur flasin njerëzit pa shkrim e pa këndim, nji melodí e pazaptueshme rrëshqet në rrjeshtimin e fjalëve të tyne; thânia u del e njomë, fjalija ka lakime mrekullisht të bukura e të zhdërvjellta, lidhjet janë mjeshtërore e të natyrshme. At melodí, ato karakteristika duhet të përpiqemi me shtî në stil t'onë për në daçim me shprehë mâ s' miri ndiesít e thella qi mshefë shpirti i kombit.

Bukurija e gjuhës shqipe


Gjuha e jonë âsht e bukur. Nuk e tham kët pse si Shqiptar më duhet me lavdue gjuhën shqipe, por pse jam i bindun qi kemi nji gjuhë në vetvete të bukur.

A e keni mêndue ndonjiherë bukurín e këtyne zâneve qi lëvizin nepër buzët t'ona?

- Fjalët as nuk shifen as nuk prekën, e pra kanë mâ qëndrim e konsistencë se na qi jemi mishit e gjakut. Para njimijë, para dymijë vjetve kishte njerëz qi dojshin, mënijshin, urojshin, nâmshin me shumicën e këtyne fjalëve qi na sot përdorojmë e, më sa ata u shuen në heshtjen mâ të plotë, këto jetojnë e qarkullojnë e shërbejnë gjithnji me shprehë dashunín e mënín, me bâ urime e me hjedhë nâme.

- Fjalët as nuk shifen as nuk preken, por në to âsht drita e panjehun e sŷve qi nënqeshen tue i folë, dridhja e buzëve të njoma a të rrudhuna qi i shqyptuene, loti e gazi i njiqind gjeneratave të sosuna. Ata sŷ e ata buzë u fikën e u ftohën, ai gaz u shue e ajo lode u thá, por fjalët shqipe fluturojnë gjithnji gojë më gojë, gjatë shekujve, e këndojnë papushue ndër gëzime dhe qajnë papushue ndër mjerime, - të pavdekshme, të përjetshme.

Gjuha e jonë âsht e bukur sidomos pse âsht e vjetër.
Dikush ankohet për vobeksín e gjuhës s'onë. Paragjykim, ky, qi duhet hjekë. Vërtetë qi shum fjalë të jetës moderne e shum skâje kulturore i mungojnë shqipes, por edhe gjuhët e hueja këto i kanë marrun prej njêna tjetrës ase i kanë krijue. Shqiptari âsht bujk, âsht blegtor: e ke nji pasuní të çuditshme fjalësh e frazash mbi bujqësí e mbi blegtorí dhe mbi sende, veprime e ndiesí qi përfshin jeta bujqësore e blegtorale. Shqiptari âsht guximtar, âsht besnik: e ke fjalë e fraza të panumër për me shprehun punë guximi e bese. Shqiptari âsht burrë. Burrnija âsht prodhim i nji edukate heroike qi ka për bazë urtín, për maje trimnín e për flamur të drejtën. E gjuha e jonë më duket e vetmja qi mundet me shprehë ndiesít tash të forta gati deri n' egësí, tash të buta deri n' ambëlsí, të mbajtuna e të turrshme , qi shpirti i Shqiptarëve burra ushqen herë mbas here.

Gjuha shqipe âsht e bukur pse âsht burrnore e prandej fisnike, zêmrake dhe krenare.

Shqiptari, prej rrethanave të historís së vet, qe i shtrënguem të jetojë me armë në dorë e për shekuj jeta e tij u zhvillue në vetmín e maleve. A thue kjo jetë e fortë dhe vetare ia bâni të ngurtë gjuhën? Po, gjuha shqipe, âsht e fortë dhe âsht e egër kur stigmatizon tradhtín, korín, pabesín, ligështín, por din m'u bâ e âmbël dhe muzikore kur shprehë dashunín amtare, birnore, vllaznore ase dashunín tout court, pa adjektiv. E si shêmbull mund të marrim disa vargje të valleve shkodrane e kângët trimnije të Malsís. Në këto të fundit ndiesít mâ të shtŷme kundra anmikut janë të ndjekuna prej shprehjeve mâ të njoma e të holla e depërtuese për shtëpín atnore, nânë, nuse, motra.

Gjuha shqipe âsht e bukur pse âsht e njerëzishme.

COMMENTS