Krist Maloki - Kang' e Dervishit

Krist Maloki

Kâng' e Dervishit - nga Krist Maloki


Lutje e parë

Ku nata vjen e lehtas mlohet
Tan rruzullimi me errí,
Plot kâng' e lavd kah qielli çohet
Im shpírt n' urat, o Perëndí!

E tue kundruemun rreth natyren
Me ndrime të saj' plot rregullim,
Gjej të rregullueshmes jetë pasqyren
E në zêmër t' ime gjej qetim.

Plot harmoní në hapsí qiellore
Rrethenden hýjt nër shtigje të vet,
Mbas nji të perjetshme ligjë hyjnore
Pá dije të vetë e pá vullnet.

-

Shkon vjeshta, dimni, - vjen prêndvera
Me ndrim të pasosun permbi né,
E vjet per vjet kalójn si era...
E brez mbas brezit shuhen në dhé.

Por pema bjè e fara njitet
Tuj mungullu pá farë vetdije...
E shpírt mbas shpírtit bashkradhitet
Per nji t' pafundshem varg gjallsije.

E popull ndron me popull të vjeter,
Si vala deti, t' u perzì,
T' u zhdukun njeni del nji tjeter,
Per m' i lshue tjerve vend persrì.

E nër one kshtu ka mbetun,
E ka me ngjatun pá mbarim...
E jeta' jonë, nji gjeth i tretun,
Per nji jetë të ré do t' sjell ushqim.

-

Plot harmoni në hapsín qiellore
Rrethenden hýjt nër shtigje të vet,
Mbas nji të perjetshme ligjë hyjnore
Pá dije të vetë e pá vullnet.

E hýjt e fatit në zêmër t'ime
I rregullon plot hir Ti, Zot!
E je nër t' kandshmes jetë andrime
E n' prime të saj' gjithmon hirplot.

Kur nata ime vjen mlohet
Me dhé ky trup e të bahet hí,
Atëherë n' amshim im shpírt do të çohet
Per me T'u falë, o Perëndí!

Lutje e dytë

Pushoj natyra, e nër foleza të veta
Ra në gjum Gjithsija, mallshem si nji fmí
Veç nër andrime rrokullohet jeta
Rreth Teje-o Shpírt, rreth Teje, Perëndí!

Si hýll i vogel, nepër sfera të marrta,
Kalon dheu ýn' kah nata, pá kujtim
Qi kandshem dielli, nepër rreze të zjarrta
E ngreh, e ngroh dh' e shtyn per rrokullim.

Nga nji burim i errt' gurgllon nji prrue,
Plot mall tu' u derdh e plot dishír i rrëmbueshem
Pershkon humner' e gjire tue zhungllue
E shkrîhet në shkumë nepër shkambije të thyeshem.

Mandej kah fusha rrjedh plot melodina,
Plot kângë dashtnije, malli e pikllimi...
Per anë 'tij lulet, lisa e lendina
Per anë 'tij shkrîhen, digjet mbarë blerimi.

E kshtu rrjedh prroni, derdhen mija vija
Pertej si lum lumnueshem deri në dét...
Nër tà kndon koha, jeta e perjetsija
E dielli shndrít, e hana dridhet lét.

E kshtu plot rrjedhje t' andshme nepër malle
Andrueshem lum' i jetes s' onë ushton;
Gurgllojn' kânglueshem valzat nepër zalle,
Gufon nji kângë nga fund' i zêmrës s' onë:

-

Si hýll i vogel, nepër sfera të marrta,
Kalon dheu ýn' kah nata, pá kujtim
Qi kandshem dielli, nepër rreze të zjarrta
E ngreh, e ngroh dh' e shtyn per rrokullim.

E pá pushim rreth diellave, nër valle,
Kângplot planetat sjellen në harmoní;
E jeta e jonë, si nji udhtim plot malle,
Rreth Teje-o Shpírt, rreth Teje, Perëndí! -

COMMENTS